…Dhe jo vetëm patriotizmin që e kanë kapur për bishti, por edhe diplomacinë — e demokracinë, po se po. E kam fjalën për klasën e sotëme politike udhëheqëse shqiptare. Ka disa vite që shpesh i kam kushtuar dyzina shkrimesh modeste, zhvillimit të demokracisë ose më mirë të themi, mungesës së zhvillimit të mirëfilltë të demokracisë në trojet shqiptare. Aq sa që një pjesë e tyre janë përmbledhur në tre vëllime me titull, “Demokracia Nuk Pret”, duke thënë terthorazi, por edhe drejtë për së drejti, se “Demokracia” me germë të madhe, nuk po ze fillë në trojet tona ashtu siç duhet dhe siç ishte kërkuar nga masat e gjëra të popullit pas shembjes së komunizmit, si dhe pas luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë. Përfundimi është se në kohë lirie dhe paqeje, shqiptarët anë e mbanë trojeve po “votojnë me këmbë”, duke u larguar masivisht nga vendlindja. Mungesa e demokracisë së vërtetë – ashtu si edhe në të kaluarën — Freedom House, vendos Shqipërinë dhe Kosovën, në rreshtin e vendeve, “pjesërisht të lira”, sipas raportit të organizatës së njohur ndërkombëtare me qëndër në Washington. Madje ky raport i botuar të martën, që i karakterizon dy shtetet shqiptare si, “pjesërisht të lira”, nuk përbën më as një lajm të rëndomt, sepse Shqipëria dhe Kosova, në atë kategori pjesërisht të lira, kanë filluar dhe aty mbeten edhe pas pothuaj 30-vjetësh post-komunizëm, është pra një lajm i vjetër që nuk nxitë më ndonjë kureshtje as interesim. Në vend numro!
I kanë kapur punët për bishti! Gjithçka bëhet gjysëmakëshe. Si demokracia, ashtu edhe diplomacia. Por më e rënda është kur edhe patriotizmi “kapet për bishti”, kur mundohen që darkat ku pihet vëra e kuqe dhe ku hahet mishi i dashit, të na i paraqesin si akte kombëtare dhe shfaqje patriotizmi. Bazuar në përvojën e 30-viteve të kaluara, është e qartë për të gjithë tanimë, se klasa politike në Tiranë dhe ajo në Prishtinë, të bëjnë të dyshosh nëse ata me të vërtetë dëshirojnë që Kombi shqiptar të krijojë, më në fund, një shoqëri demokratike të bazuar në një patriotizëm të vërtetë, në një demokraci të mirëfilltë dhe cilësore të standardeve të botës së qytetëruar dhe të ndërtuar mbi baza të një shoqërie të drejtë dhe ligjore — me të drejta dhe përgjegjësi të barabarta për secilin shqiptar, pa dallim. Nëse me të vërtetë kanë për qëllim realizimin e një jete në harmoni dhe mirëqenje për të gjithë shqiptarët pa dallim, për aq sa mund të jetë e mundur në këtë jetë, lot vuajtje e mundime.
Si është e mundur që në fillim të shekullit 21 – që duhej të ishte shekulli i shqiptarëve – sot pothuaj 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe mbi 10-vjet pavarësi e Kosovës — megjithëse në liri, por “pjesërisht të lira”, sipas Freedom House — Kombi shqiptar vazhdon të përballet edhe gjithnjë ndoshta me periudhën më të rrezikshme të historisë së vet, të pakën të 100-viteve të kaluar?
Fatkeqsisht, ndihet dhe shihet një “disconnect” siç thuhet në anglisht, midis shqiptarëve ose më mirë të themi midis kësaj klase politike partiake dhe shqiptarëve – një mungesë pra lidhjesh shpirtërore dhe atdhedashurie me njëri tjetrin. Kjo klasë politike e ka provuar tanimë se është absolutisht e pa përgatitur për t’u marrë me këtë gjëndje politike, diplomatike dhe ekonomike me të cilën përballen shqiptarët sot – e të cilën e kanë krijuar vetë ata. Shqiptarët sikur kanë ra ngusht me këtë situatë – jo të imponuar nga të huajt — por të vet-shkaktuar nga udhëheqsit e tyre politikë, megjithse janë vet të zotët e rrjedhave historike të tre dekadave të kaluara. Me fjalë tjera, i kanë kapur punët për bishti — për të mos thënë krejt për së mbrapshti — ç’prej fillimit.
Është krijuar një mjedis ku mungesa e patriotizmit të vërtetë, e një atdhedashurie pa interesa personale dhe partiake — në kurriz të interesave kombëtare — është ajo që i shumëfishon problemet aktuale. Në botën politike shqiptare, ekziston një mungesë cilësishë morale dhe një boshllëk i dukshëm i një kulture të mirëfilltë politike, që kohët e fundit, ka arritur kulmin në mosmarrveshjet midis partive dhe në diskursin politik në përgjithësi të klasës politike shqiptare, në të dy anët e kufirit. Në vend të një atdhedashurie dhe patriotizmi të vërtetë, na serviret një nacionalizëm përçmues, që po na shitet me anë të fotografive darkash dhe të mbledhjeve të përbashkëta të qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, që në të vërtetë nuk zgjidhin asgjë hiç.
Në foto, Presidenti Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj, krye parlamentari Kadri Veseli, Kryeministri Edi Rama dhe dy zv.ministrat e Kosovës, Fatmir Limaj e Behgjet Pacolli — Kujtojmë se kjo foto është marrë pas përplasjeve të ashpra javën që kaloi në Kuvendin e Shqipërisë dhe pas përplasjeve mes udhëheqësve të koalicionit qeverisës në Kosovë për taksën ndaj Serbisë e Bosnjës, dhe për përplasjet Thaçi-Haradinaj për tezën e ndryshimit të kufijve me Serbinë. Përplasje, përplasje gjithë andej, por të qeshur rreth sofrës!
Por, a është kjo atdhedashuri dhe patriotizëm i vërtetë, në një atmosferë politike si kjo e sotmja, nepër të cilën po kalon sot bota shqiptare, a po diçka tjetër? Dikur patriotët, burgoseshin dhe vriteshin për kauzat e Kombit. Fatkeqësisht, politikanët e sotëm shqiptarë e tregojnë patriotizmin e tyre me kapadaillek dhe jo me vepra heroike prej patriotësh. Sot, fatkeqësisht edhe veprat kriminale të gangsterave konsiderohen dhe mbrohen nga politika, si vepra heroike.
Mbaj mend fjalët e një burri të vjetër i cili më pat thënë me një rast se atdhedashuria dhe patriotizmi nuk shfaqen duke thënë se “E dua Shqipërinë”, që nënkupton ndoshta Shqipërinë si një term gjeografik, por të jesh patriot i vërtetë sipas tij, nënkupton dashurinë jo vetëm për hapësirën gjeografike, por edhe për bashkatdhetarët e tu, vendasit e një gjuhe dhe të një gjaku, me të cilët ndanë përditë të mirat dhe të këqiat e përbashkëta. Nuk është patriotizëm as atdhedashuri kur përdor shpifje dhe gënjeshtra, me qëllim për të ulur nderin dhe vlerat e shqiptarit, edhe kundërshtar politikë qoftë. Kjo është diçka e papranueshme, madje edhe në botën e anarkisë aktuale politike shqiptare, në të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Kombi shqiptar, jo vetëm që ka nevojë për një fillim të ri politik me rrënjë të thella në një patriotizëm dhe atdhedashuri të vërtetë – dashuri pra, pikë së pari, për njëri tjetrin, sipas formulës së mikut tim të vjetër — por nevojitet gjithashtu edhe një përtëritje themelore morale dhe shoqërore. Mbi të gjitha, Shqipëria dashurohet duke ia ruajtur nderin asaj dhe bashkatdhetarëve që jetojnë aty. Është e nevojshme, pra që në vend të këtij diskursi politik — nëqoftse mund të quhet më si i tillë — e që mbizotëron sot jetën politike — të ndërpritet monologu dhe të fillojë dialogu, në një frymë atdhedashurie dhe brenda një bashkjetese mbarëkombëtare, para se të jetë vonë, sepse “Demokracia Nuk Pret”.
Është i nevojshëm urgjentisht një fillim i ri në çdo aspekt të jetës politike dhe shoqërore në Shqipëri dhe në Kosovë. Për ndryshe, të gjitha këto shfaqje dhe aktivitete politike dhe diplomatike nga pjesëtarë të caktuar të klasës aktuale politike shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë – përfshir darkat e përbashkëta siç ishte rasti i fundit në Kosovë — janë vetëm lojëra fëmijsh të cilat argëtojnë vetëm ata që marrin pjesë në to, por të cilat për 30-vjet tani po vazhdojnë të pengojnë seriozisht zhvillimin e një demokracie të mirëfillt, në një frymë vertetë patriotike dhe atdhedashëse anë e mbanë trojeve shqiptare, si dhe integrimin përfundimtar të shqiptarëve në organizmat euro-atlantike.
Frank Shkreli
Komentet