Këshilli Kombëtar i PD miratoi rezolutën për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Projektrezoluta u lexua nga deputeti dhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit të PD, Oerd Bylykbashi.
Rezoluta parashikon mandatimin e Komisionit të Përkohshëm të Rithemelimit të PD të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvendin e Shqipërisë.
Përfaqësuesit e PD dhe partitë aleate do punojnë për gjetjen e kandidaturave të përbashkëta, nëse procesi politik do të krijojë kushte për konsensus.
Rezoluta thekson gjithashtu se çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e presidentit me votat e PS, do të refuzohet më votë në Kuvend, sikurse theksohet se çdo qëndrim tjetër që bie ndesh me rezolutën, nuk përfaqëson Partinë Demokratike në procesin e zgjedhjes së kreut të ri të shtetit.
“Këshilli Kombëtar me këtë rezolutë vendos, PD do të shprehë vullnetin e saj për zgjedhjen e Presidentit me votën e deputetëve të grupit të saj parlamentar, pa u bërë pjesë e farsave të mazhorancës socialiste. Mandatohet Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të PD të caktojë përfaqësuesit për gjetjen e një qëndrimi të përbashkët me partitë e tjera opozitare në procesin e zgjedhjes së presidentit në Kuvendin e Shqipërisë.
Në rast se në procesin politik dhe parlamentar të gjetjes së kandidaturave krijohen kushte për konsensus për votimin e presidentit nga kandidatë të propozuar nga opozita, mandatohen përfaqësuesit e PD që bashkërisht me përfaqësuesit e tjerë të partive opozitare, të propozojnë kandidatë në raundet e përcaktuara nga Kushtetuta.
Çdo alternativë që mundëson zgjedhjen e presidentit me votat e PS, apo konsensus politik të vërtetë, do të refuzohet me votë në Kuvend. Grupi Parlamentar i PD, siguron zbatimin e qëndrimit politik të PD, të përcaktuar në këtë rezulotë. Çdo qëndrim që bie ndesh me këtë rezolutë detyruese dhe tagrat përfaqësuese politike të rrjedhura nga vendimet e organeve përfaqësuese të PD, nuk përfaqësojnë PD-në në procesin e zgjedhjes së Presidentit”. syri.net
Komentet