Tri dekada pas rënies së komunizmit, familjarët e personave të zhdukur kërkojnë ende të mësojnë se si u vranë dhe ku u varrosën të dashurit e tyre-ndërsa institucionet ia pasojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit.
Nga Najada Pendavinji, Erald Kapri-Kujto.al
Në qershor të vitit 2019, Dashurie Bishka dhe një grup policësh udhëtuan drejt fshatit Shën Vasil të Sarandës në skajin jugor të Shqipërisë – me një hartë të vjetër topografike në duar dhe një urdhër për zhvarrim.
Bishka po e bënte këtë udhëtim në vend të bashkëshortit të saj të ndjerë, Josifit, i cili i kaloi 20 vitet e fundit të jetës duke kërkuar pa sukses eshtrat e babait të tij, Stavri Bishkës.
Gjatë regjimit komunist, Bishka u dënua me 25 vite burg me akuzën e ‘përvetësimit të pasurisë’ dhe e vuajti atë në kampin e punës së detyruar ‘Reparti 305, Përparim’ në Shën Vasilin e sotëm, derisa vdiq në vitin 1977.
Por trupi i tij nuk iu kthye asnjëherë familjes dhe vendvarrimi mbeti i panjohur për më shumë se katër dekada, derisa mbesat e tij iu drejtuan me një kallëzim Prokurorisë.
‘Pas vdekjes së babait, ne fëmijët e quajtëm si një amanet që eshtrat e gjyshit të preheshin pranë varreve të të parëve tanë në qytetin e Beratit,’ i tha Kujto Nertila Mija Bishka.
Historia e Bishkës përbën rastin e vetëm zyrtar të zhvarrimit përgjatë viteve të fundit në Shqipëri. Tre dekada pas rënies së komunizmit, mijëra familje të tjera presin ende të mësojnë se si u vranë dhe ku u varrosën të afërmit e tyre.
Numri i saktë i viktimave të zhdukura gjatë diktaturës mbetet ende i paqartë dhe qeveritë e pas viteve ’90 nga të dyja kampet e politikës kanë bërë pak për ta zbuluar. Megjithatë, besohet se rreth 6 mijë persona vdiqën gjatë torturave, u ekzekutuan pa gjyq apo u vranë në kufi gjatë viteve 1944-1991, ndërsa varret e tyre mbetën të panjohura.
Në korrik të vitit 2018, qeveria e drejtuar nga kryeministri Edi Rama u angazhua që të hetonte në mënyrë efektive vendndodhjen e të zhdukurve dhe rrethanat e zhdukjes së tyre përmes një marrëveshjeje me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP – një organizatë ndërkombëtare me qendër në Hagë të Holandës.
Por të dhënat e siguruara nga ‘Kujto’ tregojnë se marrëveshja mbeti peng i burokracive dhe përgjatë 5 viteve u lëshuan vetëm 3 urdhër-zhvarrimi nga 107 vendvarrime të identifikuara – njëra prej të cilave nuk u ekzekutua asnjëherë.
Pas dështimit të marrëveshjes së vitit 2018, qeveria shqiptare po ndryshon sërish qasje, duke premtuar rishikimin e çështjes në aspektin historiko- administrativ, por ICMP këmbëngul se kjo nuk kënaq pritshmëritë e familjarëve të viktimave.
‘Nuk mund të ketë një shoqëri demokratike, të lirë, të ndërtuar mbi varrezat e jashtligjshme dhe mbi trupat e atyre që nuk u identifikuan asnjëherë dhe ata që i kryen këto krime asnjëherë nuk u dënuan,’ tha për ‘Kujto’ Luigj Ndou, drejtues i ICMP për marrëdhëniet me qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës.
‘Ne shpresojmë dhe besojmë që Shqipëria ka potencial për ta lëvizur çështjen përpara, se fundi i fundit kjo nuk bëhet për të vdekurit, por për të gjallët. Bëhet për të shëruar plagët e së kaluarës,’ shtoi ai.
Gërmime private
Pas viteve ’90, të persekutuarit e regjimit komunist u njohën nga shteti dhe një pjesë e tyre u kompensua financiarisht për vuajtjen. Por familjarët e personave të zhdukur u lanë të gërmojnë të vetëm në të shkuarën.
Përmes një pyetësori të publikuar online, Kujto foli me familjarët e 175 viktimave të zhdukura gjatë komunizmit, ku më shumë se gjysma pohuan se kishin kryer kërkime private në institucionet shtetërore dhe në arkiva për të zbuluar fatin e të afërmve të zhdukur.
Në kalvarin e gjatë për gjetjen e varreve, një pjesë prej tyre ishin takuar me hetuesit dhe ekzekutorët e togave të pushkatimit – por ata nuk kishin shfaqur pendim dhe kishin refuzuar të jepnin përgjigje.
Të dhënat kyçe janë si më poshtë:
Nga 175 persona që iu përgjigjën pyetësorit, 55% kanë kryer kërkime private për gjetjen e eshtrave, ndërsa 45% thanë se nuk kishin kryer kërkime.
Rreth 71% e familjarëve që kishin kryer kërkime dështuan që t’i gjenin vendvarrimet, ndërsa vetëm 29% i kishin gjetur ato.
50% e familjarëve deklaruan se të afërmit e tyre ishin pushkatuar me ose pa gjyq gjatë regjimit komunist, ndërsa 23% deklaruan se kishin vdekur gjatë vuajtjes së dënimit në burg ose në internim. Rreth 7% raportuan si shkak të vdekjes torturat në hetuesi, ndërsa 6% ekzekutimet në kufi.
Rreth 62% e të anketuarve deklaruan se kishin kërkuar ndihmën e autoriteteve, të tilla si Ministria e Brendshme, Autoriteti i Dosjeve apo policia. Megjithatë, 61% e vlerësuan me notë negative reagimin e këtyre institucioneve.
Njëri prej familjarëve, 77-vjeçari Taip Hoxha nga Gjirokastra, kërkon prej 30 vitesh eshtrat e vëllait të tij, Ahmetit, i pushkatuar më 31 janar 1979 në Mirditë pas një tentative për arratisje në burgu i Spaçit – gulagu më famëkeq i diktaturës komuniste.
Kërkimet shumëvjeçare e çuan Hoxhën në dyert e institucioneve më të larta të shtetit, por doli prej tyre me një hartë të vjetër në duar ku shkruhej ‘tek rruga e Kaçinarit’ diku në Mirditë.
‘Më duhet ndihma e shtetit që të bëjë gërmimet, si mund ta gjej unë ku është vendi i saktë?’ ankohet Hoxha.
I moshuari thotë gjithashtu se ka takuar edhe dy prej anëtarëve të togës që i pushkatoi të vëllanë, emrat e të cilëve i gjeti në një faksimile dokumenti me titul; ‘urdhër për ekzekutimin me vdekje të të dënuarit Ahmet Hoxha’.
‘Nuk u kam kërkuar asgjë tjetër, vetëm eshtrat. Ku është varri? Ashtu qe koha, kini bërë detyrën, vetëm na tregoni eshtrat,’ tha ai. Por ata refuzuan ta ndihmonin.
Në skajin tjetër të Shqipërisë, në qytetin e Shkodrës, Pjetër Deda, një 70-vjeçar shtatvogël me sy të shndritshëm bojëqielli, ka një histori të ngjashme.
‘Gjithë pasurinë që kisha, e kam shpenzue për kërkimet e vëllait tem, Gjeloshit,’ thotë ai, ndërsa sytë i vishen me trishtim.
Pjetër dhe Gjelosh Deda bashkë me babanë e tyre u etiketuan si ‘armiq të shtetit’ nga policia famëkeqe, Sigurimi, dhe u dënuan për agjitacion e propagandë. Ata vuajtën së bashku një pjesë të dënimit në Spaç, por Gjeloshin e rihetuan për së dyti dhe e transferuan në burgun e Pukës. Prej asaj dite, ata nuk morën asnjë lajm prej tij.
Prej rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, Pjetër Deda nuk i ka reshtur kërkimet për të zbuluar fatin e vëllait të tij. Ai thotë se ka takuar një duzinë persekutorësh për të mësuar se i vëllai ishte ekzekutuar, por varri i tij nuk gjendet asgjëkundi.
‘Unë e kam lyp vëllanë tem, s’kam lënë vend pa e lyp në tanë shtetin shqiptar,’ thotë ai, ndërsa shton: ‘Deri sot hala asnjë rrugë për ta gjet nuk e kam’.
‘Ashtu kanë qenë ligjet e kohës’
Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur, ICMP, mori ftesë zyrtare nga qeveria shqiptare në vitin 2015 për të ndihmuar në procesin e gjetjes së vendvarrimeve masive të komunizmit. Për drejtuesit e ICMP, Shqipëria ishte asokohe ‘një shaka e brendshme’.
Vendi me diktaturën më të errët në Europë kishte miratuar deri atëherë rezoluta për dënimin e krimeve gjatë komunizmit si dhe kishte adoptuar rreth 24 akte legjislative për ta adresuar çështjen. Ata vlerësuan gjithashtu se shteti kishte një listë viktimash dhe familjarët ishin të gatshëm që të bashkëpunonin.
‘Për ne ishte si të thuash bukë e djathtë,’ thotë Luigj Ndou, i bindur tashmë se ‘është shumë e vështirë të bëhen parashikime’.
Pas finalizimit të marrëveshjes me qeverinë shqiptare në vitin 2018, ICMP u angazhua në identifikimin e eshtrave të gjetura gjatë gërmimeve private të familjarëve në një varr masiv në malin e Dajtit si dhe për një varrezë të dytë masive në afërsi të ish-kampit të dënimit në Ballsh.
Por u përball shpejt me rezistencë.
Pas shumë përpjekjesh, ekspertët siguruan me zor një urdhër- zhvarrimi nga Prokuroria e Tiranës për rastin e Dajtit dhe një urdhër të dytë për varrezën e Ballshit, por ky i fundit nuk u ekzekutua asnjëherë.
‘Qëndrimi i Prokurorisë tani për tani është që këto janë krime të vjetëruara dhe nuk përbëjnë raste penale, sepse janë të parashkruara dhe për këtë duhet ndjekur një procedurë administrative,’ shtoi Ndou. Por sipas tij, kjo bie në kundërshtim me parimet e punës së ICMP-së dhe ‘mohon të drejtën e familjarëve, jo vetëm për të ditur, por dhe për drejtësi’.
Prokuroria e Përgjithshme i hedh poshtë aludimet për pengesë të punës së ICMP-së apo mospjesmarrje në proces, por nga ana tjetër e sheh veten më shumë jashtë procesit, të cilën e konsideron një çështje administrative.
‘Prokurorët në asnjë rast nuk kanë qenë pengesë për institucionet e tjera. Prokurori e ka firmosur urdhërin për zhvarrim në Ballsh, por nuk është kompetencë e tij zbatimi i këtij urdhri,’ tha Kostaq Beluri, kreu i Drejtorisë së Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme.
Sipas Belurit, dhënia e lejes për zhvarrim [vendim për ekzumim] nuk mund të jepet në funksion të një procesi penal sa kohë që nuk ka nisur një i tillë, por nuk ka asnjë pengesë ligjore sipas tij që zhvarrimi të kryhet pa autorizimin e Prokurorisë.
‘Principali i kësaj çështje është që ne sot nuk mund ta konsiderojmë krim faktin e pushkatimit me vendim gjykate të një personi,’ tha Beluri për Kujto. ‘Derisa është pushkatuar me vendim gjykate, ashtu kanë qenë ligjet e kohës…,’ shtoi ai.
Këshilli i Ministrave nuk iu përgjigj një kërkese për koment të Kujto se pse institucionet shqiptare kishin dështuar që të zbatonin marrëveshjen me ICMP, por ia delegoi atë Ministrisë së Brendshme. Edhe Ministria e Brendshme nuk ktheu asnjë përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Paqartësi historike
Institucionet shqiptare nuk kanë ende një databazë apo statistika zyrtare për numrin e personave që mund të konsiderohen të zhdukur gjatë komunizmit, ndërsa lista e ngulitur prej 6 mijë personash i referohet punës së kryer në mesin e viteve ’90 për ndërtimin e një pavioni të genocidit komunist në Tiranë.
Pavioni është mbyllur prej kohësh në Muzeun Kombëtar, por njëri prej autorëve, studiuesi Kastriot Dervishi, kujton se shifra është më shumë një sondazh, që ‘nuk duhet konsideruar kurrsesi zyrtar apo arkivor’.
Dervishi thekson se lista e hartuar asokohe i rezultoi më vonë me shumë gabime, me përsëritje emrash apo edhe me persona që ishin ende gjallë. Dervishi vlerëson gjithashtu se rreth 2 mijë prej tyre mund të jenë gjetur në vitet e para pas diktaturës nga përpjekjet private të familjarëve apo nga komisionet shtetërore të ngritura për këtë qëllim.
‘Gjetja e atyre që kanë mbetur bëhet gjithnjë e më e vështirë,’ thotë Dervishi, duke i cilësuar strukturat e ngritura për këtë punë si jo eficente.
Në qytetin e Korçës në juglindje të Shqipërisë, Ylli Merdani, kryetar i shoqatës lokale të përndjekurve, është dëshmitar i njërës prej përpjekjeve shtetërore për gjetjen e eshtrave në fillim të viteve ’90.
Merdani thotë se sipas dokumenteve arkivore, vetëm në Korçë ka pasur 238 të pushkatuar, me të cilëve edhe tre gra, por komisioni i posaçëm i vitit 1992 arriti të gjente skeletet e vetëm 40 prej tyre.
‘Në disa raste ishin 3-4 apo dhe me shumë bashkë në një gropë. I kishin duart ende të lidhur me tel me gjemba, ose 2-3 veta të lidhur bashkë,’ thotë Merdani, i cili vuajti për 25 vjet në burgjet e komunizmit për akuza politike.
‘Eshtrat e gjetura u varrosën me nderime dhe me emrat e tyre mbi pllakatë në një parcelë në varrezat e qytetit, e cila mori emrin Parcela e nacionalistëve,’ shtoi ai.
Gjithsesi, shumica e trupave mendohet se janë gjetur nga përpjekjet private të familjarëve.
Në verën e vitit 1996, burrat e familjes Mjeshova nga Berati gërmuan me kazma dhe lopata në një ish-repart ushtarak në Gjirokastër për të gjetur eshtrat e të afërmit të tyre, Pelivan Mjeshova – i ekzekutuar nga regjimi gjatë përpjekjes për t’u arratisur nga Shqipëria.
Nipi i tij, Eduart Mjeshova kujton se për familjen e tij ishte një gëzim i çuditshëm ajo ditë.
‘Palltoja ushtarake që kishte veshur natën kur u pushkatua, pasi u kap duke u arratisur, ishte ende e patretur mbi eshtrat e tij,’ thotë ai.
‘Ishte një gëzim i madh për ne, se shumë familje të tjera nuk i kanë gjetur eshtrat,’ shtoi ai.
Për drejtuesit e ICMP, mijëra persona vazhdojnë të mbeten ende të zhdukur dhe Shqipëria ka sipas tyre detyrimin që të bëjë hetim efektiv për secilin rast.
‘Deri tani, te Instituti i ish-të Përndjekurve, Autoriteti i Dosjeve por edhe në qendrën online të ICMP, familjarët kanë raportuar diku më pak se 1 mijë persona,’ tha Ndou, duke e konsideruar këtë një bazë të mirë për të filluar një proces identifikimesh.
‘Askush nuk kap kazmën’
Thuajse 4 vjet pas marrëveshjes me ICMP, qeveria shqiptare ndryshoi sërish strategji dhe vendosi ta kalojë përgjegjësinë e gjetjes së personave të zhdukur gjatë komunizmit nga Ministria e Brendshme te Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit – një institucion i krijuar në vitin 2015 për të hedhur dritë mbi të shkuarën komuniste të vendit.
Në vitin 2022, Parlamenti i Shqipërisë miratoi ngritjen e një strukture të veçantë pranë këtij institucioni, përgjegjëse për gjetjen dhe identifikimin e eshtrave të personave të zhdukur nga regjimi komunist. Por mungesa e akteve nënligjore po shkakton vonesa të reja mbi procesin.
Gentiana Sula, kryetare e Autoritetit, i tha Kujto.al se institucioni po punon aktualisht me dokumentet arkivore për të ndërtuar një bazë të dhënash për vendvarrimet e mundshme.
‘Kemi evidentuar 107 vendvarrime të dyshuara, të gjitha këto ia kemi komunikuar pushtetit vendor duke i thënë se: ‘kjo është detyra juaj t’i ruani këto dhe të mos i tjetërsoni,’ tha Sula për Kujto.
Përveç detyrës publike, Sula është gjithashtu mbesa e njërit prej personave të zhdukur nga regjimi komunist, Sulejman Marës, një tregtar i pasur nga Tiranë, vendvarrimi i së cilit është i panjohur.
‘Ishte vetëm 42 vjeç. Vetëm një orë dore i kthyen familjes dhe i thanë ka vdekur nga zemra,’ shtoi ajo.
Si kryetare e Autoritetit të Dosjeve, Sula beson se ping-pongu i gjatë mes institucioneve do të zgjidhet vetëm pasi Këshilli i Ministrave të miratojë një vendim të ri, që do t’i jepte institucionit të drejtuar prej saj atributet ligjore për të koordinuar punën me institucionet e tjera.
Por një draft i hartuar për këtë qëllim është kundërshtuar tashmë nga Prokuroria dhe Ministria e Brendshme.
Sipas Kostaq Belurit nga Prokuroria e Përgjithshme, draft-vendimi bie në kundërshtim me marrëveshjen e vitit 2018 që ka forcën e ligjit si dhe cenon pavarësinë e Prokurorisë.
‘Projekt-vendimi i paraqitur për mendim cenon thelbësisht pavarësinë e e Prokurorisë, pasi në pika të veçanta përcaktohen detyrime për prokurorinë, të cilat nuk burojnë nga ligji,’ tha Beluri.
Edhe Ministria e Brendshme ka kundërshtime, ndërsa sugjeron sipas një përgjigje të parë nga Kujto, që kompetencat e parashikuara për këtë institucion dhe kreun e Policisë së Shtetit t’u kalojnë kryetarëve të bashkive.
Sipas draftit, fillimi i procedurave të zhvarrimit bëhet me urdhër të Autoritetit të Dosjeve, pasi është marrë pëlqimi me shkrim i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
‘Drejtori i Përgjithshëm i Policisë nuk ka asnjë kompetencë të kryejë detyra të këtij karakteri. Pika mund të rregullohej duke ia kërkuar këtë gjë kryetarit të bashkisë së territorit përkatës,’ thuhet në përgjigje.
Studiuesi Kastriot Dervishi e sheh me skepticizëm gjithë procesin e ri të nisur për gjetjen të zhdukurve, ndërsa vlerëson se të gjitha institucionet e përfshira kanë dështuar, por vazhdojnë ta përdorin çështjen për propagandë.
‘Sot problem është që askush nuk e kap kazmën e të hapë varret e njohura,’ përfundoi Dervishi. /kujto.al