Bashkëshorti i një gruaje që vdiq rreth dy dekada më parë kërkon që të fshihen disa komente të presidentit në Twitter ku Presidenti Trump në mënyrë të përsëritur aludon se gruaja u vra nga shefi i saj, ish-ligjvënës republikan, i cili aktualisht është një kritik i ashpër i presidentit.
Inxhinieri Timothy Klausutis i tha shefit ekzekutiv të kompanisë Twitter, Jack Dorsey, se “persona që u fryjnë teorive konspirative, të cilat tani i ka përqafuar edhe Presidenti i SHBA, vazhdojnë të përhapin shpifje dhe dizinformim përmes platformës suaj duke njollosur kujtimin e gruas sime dhe të martesës sonë”.
“Kam një kërkesë të thjeshtë: Ju lutem fshini këto komente,” tha zoti Klausutis.
Kompania Twitter nuk ka premtuar se do të fshijë postimet e presidentit, por një zëdhënës tha të martën se ndjehet “shumë keq për dhimbjen që shkaktojnë komente të tilla dhe për vëmendjen që tërheqin dhe si ndikojnë tek familja”.
Twitter tha se “po punon të zgjerojë opsionet dhe politikat që t’iu përgjigjet në mënyrë më të efektshme problemeve të tilla në të ardhmen, me shpresën që ndryshimet do të jenë në funksionim së shpejti”.
Pas autopsisë në 2001, mjeku ligjor arriti në përfundimin se 28-vjeçarja Lori Klausutis, ndihmëse e ligjvënësit Joe Scarborough në një nga zyrat e tij në shtetin e Floridës, kishte probleme zemre që nuk diheshin deri pas vdekjes dhe kishte vdekur pasi ishte rrëzuar dhe kishte rënë me kokë mbi tavolinën e punës, kur ishte vetëm në zyrë.
Presidenti Trump gjatë periudhës para zgjedhjes si president, pat qenë i ftuar disa herë në emisionin televiziv që drejton ish-ligjvënësi Scarabough në rrjetin MSNBC, së bashku me bashkëshorten, Mika Brzezinski.
Por Presidenti Trump filloi të sulmonte dy prezantuesit pas kritikave që ata shprehnin ndaj tij në emision. Në 2017, për herë të parë presidenti aludoi se prezantuesi Scarabough kishte luajtur rol në vdekjen e ndihmëses së tij, megjithëse në momentin e vdekjes së saj ai ishte qindra kilometra larg në Uashington.
Por sapo u përhap lajmi se bashkëshorti i ndihmëses së vdekur kërkon fshirjen e komenteve nga Twitter, presidenti e përmendi përsëri rastin.
“Duhen rihapur hetimet kundër psikopatit Joe Scarborough; kjo nuk ishte ideja ime origjinale, ka katër vjet që përmendet, shumë para se ta thoja unë,” shkruan presidenti.
“Në 2016, kur Joe dhe gruaja e tij, e çmendur, që do të bëhet në të ardhmen, e divorcuara e tij, Mika, më bënin intervista pa fund. Gjatë intervistave gjithmonë më vinte në mendje pyetja nëse Joe i kishte bërë gjë vajzës”.
“Ndoshta, ndoshta jo, por Joe më duket komplet i lajthitur. E kam njohur mirë, shumë më mirë se shumë të tjerë. Ka shumë pyetje që kërkojnë përgjigje, pyetje të qarta. Nuk do t’i përmend këtu, por policia duhet t’i ngrejë këto pyetje.”.
Në fillim të muajit maj, Presidenti Trump postoi në Twitter “Kur do ta hapin hetimin kundër Psikopatit Joe Scarborough në Florida? Mos vërtetë po shpëton pasi bëri vrasje? Disa besojnë se po”.
Të shtunën e kaluar, presidenti postoi: “Ndoshta goditje në kokë? Trupi u gjet nën tavolinën e tij të punës. Ndoshta iku nga Kongresi papritur? Ka plot tema për të diskutuar. Ai është i lajthitur. Edhe emisionin e tij nuk e ndjek njeri. Gërmoni, vini në punë ato mendjet gjeniale të forensikës!”.
Të dielën, presidenti shkruante se kishte interes për këtë temë. “Një vajzë e re, që garonte në maratona, i bie papritur të fikët dhe përplas kokën në tavolinë? Mendoj se ka plot të fshehta në këtë histori. Ndoshta një marrëdhënie jashtë-martesore?”
I veji i viktimës Klausutis i tha shefit ekzekutiv të Twitterit “Ka pasur një shpërthim shpifjesh, të vërtetash gjysmake, aludimesh, teorish konspirative që nga dita kur ajo vdiq”. Por këto aludime po shtohen dhe po bëhen më të shëmtuara, shton ai.
“Jam inxhinier, jo jurist por i kam lexuar rregullat e Twitterit për përdoruesit. Postimet e presidentit aludojnë se Lori u vra, por ai nuk ofron prova dhe i kundërvihet raportit të mjekut ligjor. Po të kisha shkruar unë gjëra të tilla do të më kishin mbyllur llogarinë. Unë thjesht dua që të fshihen këto komente”.
“Bashkëshortja ime meriton trajtim më të mirë se ky,” tha zoti Klausutis.
Nuk dihet ende nëse shefi ekzekutiv i Twitterit është përgjigjur ndaj kërkesës. Mika Brzezinski ka bërë thirrje për përjashtimin e presidentit nga Twitteri. Ajo tha javën e kaluar në emision se po përpiqet të zhvillojë një bisedë me shefin ekzekutiv të Twitterit.
Presidenti Trump u ka fryrë edhe në të kaluarën teorive të diskredituara konspirative. Një prej tyre ishte se ish-presidenti Barak Obama kishte lindur në Kenia dhe jo në Havai dhe prandaj nuk kishte të drejtën të bëhej president. Kur konkurroi për president në 2016, Donald Trump pohoi se kishte qenë gabim.
Po ashtu ai pat thënë se kishte parë në lajme një grup myslimanësh të gëzuar që festonin në tarracën e ndërtesës në Nju Xhërsi për sulmet e 11 shtatorit 2001. Ende nuk është gjetur një klip lajmesh me pamje të tilla. zëri i amerikës
Komentet