Shkëlqesës së Tij, Z. G. Clemenceau,
Kryetar i Konferencës së Paqës.
Kërkesa e shumavet qi ushtriët austro-hungare
kanë marrë dhe e shpërblimit të dâmevet qi ato
kanë shkaktuem në Shqipnië.
Zoti Kryetar,
Në kohën e pushtimit të Shqipnís prej ushtrivet austro-hungare, në fillim të motit 1916, qe krijuem nji administratë civile shqiptare e vumun nën kontrollin e Auktorívet Ushtarake të Monarkís së vjetër dyshore. Puna shkoi kështu deri kur Austriakët u shtrënguen me nênshkruem armpushimin.
Në këtê kohë shpenzimet e administratës s’onë civile bâheshin prej financavet të vêndit; por Drejtoria e Përgjithëshme e Financavet të Shqipnís ishte e detyrueshme me i lânë në degët të “Wiener-Bank”- ës në Shkodër gjithë ç’të tepronte nga t’ardhunat e kasat e saja. Shumat e lâna këso dore arrijnë plot me njêzet e gjashtë milion e tre qind e dhetë mijë e katër qind e dyzet e shtatë korona e dyzet helera (26 310.447,40), pas dorës qi ka dhânë ajo degë e “Wiener-Bank-Verein” – ës ditën 5 Tetor 1919, nga e cila qe këtu nji kopje.
Në këtê kohë me urdhnin e Auktorívet Ushtarake t’Austro-Hungarís kjo shumë u dërgue nga banka e sipërdëftyeme në kasën e Ministrís së Luftës të ish-mbretnís austro-hungare.
Më tjetër anë, kur Shqipnia po zbrazej nga Austriakët, këta muerën prej kasavet të prefekturavet e të nênprefekturavet të Shqipnís të gjitha fondet qi gjindeshin në to. Nuk mundet me u çmuem se deri ku arrijnë me të saktë këto shuma të mbledhuna këso mënyre, sepse Auktorít Ushtarake austro-hungare kanë ngritun edhe të gjithë regjistrat e prefekturavet e të nênprefekturavet qi u zbrazshin kasat. Por na besojmë se këto shuma arrijnë afër më nj’a tetë milion korona.
Në kohën e pushtimit të gjatë austro-hungar Auktorít Ushtarake kanë mbledhun në vêndin t’onë sa mâ shumë kanë mundun ç’do sênd për të ngrânë e ç’do farë malli qi kushtojnë nj shumë mjaft të naltë. S’kemi se si, në këtê ças, me treguem as grumbullas se më sa mund t’arrijnë sêndet e mbledhuna; jemi tue bâmun njê ngërkesë mbi këtê çâshtje e po sa t’a kemi mbaruem do t’i a kumtojmë Mbledhjes së Naltë qi kryeson Shkëlqesa e Juej.
Kemi mâ në fund edhe njê kërkesë për të bâmun kundra Austriakvet për ç’do farë dâmesh q’i kanë shkaktuem popullit t’onë.
Tashti qi Konferenca âsht tue dashun me caktuem pikat financore të traktatit të paqës me Austrín po vijmë me Ju lutun Shkëlqesës së Juei për me marrë para sŷsh kërkesat t’ona të sipërthâna e për me detyruem mbrêndardhësit t’anë qi të na këthejnë shumat qi na kanë marrë me gjithë regjistrat zyrtarë qi kanë bartun me vete e qi t’i paguejnë popullit t’onë, i cili ka hekun aqë keq prej tyne, gjithë ç’u kanë marrë e ç’do dâm qi t’u kenë shkaktuem në kohën e pushtimit.
I lutem Shkëlqesës së uej me pritun sigurimet e nderimit t’êm fort të naltë.
Paris, 5 qershor 1919
Kryetari i Dërgatës Shqiptare
(nênsh.) TURHAN.
Marrë nga vëllimi “Mustafa Kruja në historinë shqiptare”
Kapitulli “Shqipnia përpara Konferencës së Paqes”
Komentet