Nga qëndrimi dinjitoz i shteteve baltike mund të marrin shembull shtetet shqiptare. Kosova duhet të kërkojë reparacionet për vuajtjet nën pushtimin e gjatë serb dhe për shkatërrimet dhe spastrimin etnik të viteve 1998-1999. Shqipëria pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Serbinë në vitin 2001 nuk dihet pse nuk kërkoi asnjëherë reparacione për dëmet, vrasjet dhe gjymtimet, që shkaktuan minat e mbjella nga ushtria serbe në vitin 1999 në Veriun e Shqipërisë. Është vendi për të kujtuar këtu se qeveria e Durrësit me kryeministër Turhan Pashën, në vitin 1919 në Konferencën e Paqes në Paris kërkuan zyrtarisht reparacione ekonomike për masakrat dhe shkatërrimet, që forcat greke kishin bërë në jugun e Shqipërisë në vitin 1914. Kërkesë për reparacione paraqiti veçmas në Konferencën e Paqes në Paris edhe Esat Toptani
Një shtet dinjitoz, sado i vogë të jetë, e kërkon pareshtur të drejtën dhe të vërtetën në marrëdhëniet me shtetet e tjera, pavarësisht….. nga përmasat e fuqisë, që ka shteti borxhli. Ndaj “Deklarata e Përbashkët”, që nënshkruan në datën 5 nëntor në Riga ministrat e Drejtësisë të tri shteteve baltike me kërkesën drejtuar Rusisë për të paguar reparacione për periudhën kur Estonia, Letonia dhe Lituania kanë qenë nën pushtimin sovjetik, përbën një akt juridik dhe diplomatik të rëndësishëm, jo vetëm për rajonin e Veriut të Europës, por për Europën dhe për marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi.
Estonia, Letonia dhe Lituania, tri shtete të pavarura, u pushtuan në vitin 1940 nga Bashkimi Sovjetik, në bazë të paktit famëkeq Molotov-Ribentrop të 23 gushtit 1939, që ishte marrëveshja mes Bashkimit Sovjetik stalinist dhe Gjermanisë naziste për të ndarë midis tyre territoret e disa shteteve të pavarura europiane. Pushtimi sovjetik i tri shteteve baltike nuk u pranua nga popujt baltikë dhe nuk u njoh kurrë ndërkombëtarisht dhe ai vazhdoi për 50 vjet, deri në vitin 1991, kur tri shtetet rifituan pavarësinë pas shembjes së komunizmit. Pushtimi sovjetik u shkaktoi shteteve baltike humbje dhe dëme të jashtëzakonshme ekonomike, financiare, materiale, demografike, etj. Shtetet baltike në mënyrë individuale e kanë shprehur vazhdimisht kërkesën dhe të drejtën për të marrë reparacione nga Rusia për këto dëme të shkaktuara nga pushtimi pesëdhjetëvjeçar sovjetik. Tani kemi për herë të parë të nënshkruar një “Deklaratë të Përbashkët” të ministrave të Drejtësisë, e cila formalizon të drejtën e popujve baltikë që të kompensohen për dëmet dhe humbjet që kanë pësuar nga pushtimi sovjetik.
Pse kanë të drejtë shtetet baltike të kërkojnë reparacione nga Moska? Së pari, janë shtete të pushtuara me forcë nga ushtria sovjetike dhe të aneksuara nga Bashkimi Sovjetik. Në bazë të ligjit ndërkombëtar, shteti pushtues, i cili ka ndërmarrë agresion ndaj një shteti tjetër, është i detyruar t’i paguajë reparacione shtetit të pushtuar, pas ndërprerjes së këtij pushtimi apo aneksimi. Po sipas ligjit ndërkombëtar, kjo realizohet me kompensim financiar nga shteti pushtues për shtetet e pushtuara dhe shoqërohet edhe me kërkesë falje për pushtimin. Së dyti, Rusia është shteti i cili pas shembjes së Bashkimit Sovjetik, shpalli dhe mori juridikisht përsipër trashëgiminë e të gjitha të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive ndërkombëtare të ish- Bashkimit Sovjetik. Kjo do të thotë se Rusia mori mbi vete edhe detyrimin për të shlyer detyrimet dhe borxhet që u kishte shteteve, që dolën nga ish-Bashkimi Sovjetik dhe sidomos atyre që ishin pushtuar dhe aneksuar me dhunë si shtetet baltike. Në këtë kuadër ligjor, Rusia është e detyruar që të paguajë edhe kompensimet e reparacionet ndaj dëmeve dhe humbjeve, që ish-Bashkimi Sovjetik u shkaktoi tri shteteve baltike, të cilët i pushtoi dhe i mbajti nën pushtim për pesëdhjetë vjet. Përderisa Rusia është shteti trashëgimtar i Bashkimit Sovjetik, i takon asaj të përballojë detyrimet që la lënë të hapura Bashkimi Sovjetik.
Së treti, Rusia sipas ligjit ndërkombëtar është e detyruar të zbatojë dhe respektojë të gjitha aktet ligjore, marrëveshjet dhe angazhimet ndërkombëtare, të trashëguara nga Bashkimi Sovjetik, për të cilin e ka shpallur, e ka pranuar dhe ka marrë statusin e trashëgimtarit juridik ndërkombëtar. Bashkimi Sovjetik në 24 dhjetor të vitit 1989, me vendimin e Kongresit Popullor të Bashkimit Sovjetik, pra të parlamentit, ka miratuar vendimin me titull “Vlerësimi politik dhe legal i Paktit të Mossulmimit sovjeto-gjerman të 1939”, ku i shpalli Paktin dhe protokollet e tij sekrete “nul dhe void”, inekzistente dhe të paligjshme. Parlamenti deklaroi se vija e ndarjes së sferave sovjetike dhe gjermane të influencës, të nënshkruara me Gjermaninë naziste, cenon sovranitetin dhe pavarësinë e disa shteteve. Me vendimin e vet, legjislatura sovjetike e dënoi paktin dhe nënshkrimin e dokumenteve sekrete nga qeveria staliniste me Gjermaninë naziste. Kjo do të thotë që parlamenti i Bashkimit Sovjetik e ka bërë të pavlefshëm Paktin dypalësh të qeverive sovjetike dhe gjermane dhe automatikisht ka rrëzuar çdo bazë juridike, historike, politike dhe diplomatike, të pretendimeve ruse ndaj shteteve baltike. Rusia e sotme është e detyruar nga statusi i saj juridik i trashëgimtarit të Bashkimit Sovjetik që ta respektojë vendimin e parlamentit sovjetik, vendim i cili ka të bëjë me qëndrimin dhe me marrëdhëniet me shtetet baltike. Ndaj dhe Deklarata e Përbashkët e ministrave të Drejtësisë të vendeve baltike e 5 nëntorit 2015 thekson se pas rënies së BRSS, Rusia e shpalli veten trashëgimtare e të drejtave dhe e detyrimeve të Bashkimit Sovjetik dhe si rrjedhojë, të gjitha kërkesat dhe ankesat, që dalin nga pushtimi i Estonisë, Letonisë dhe Lituanisë dhe pasojat e tyre, tani duhet të zgjidhen me Federatën Ruse.
Së katërti, Rusia pretendon se është shtet demokratik dhe respekton ligjet dhe normat ndërkombëtare në marrëdhëniet midis shteteve. Kjo mund të pranohet si e vërtetë, derisa Rusia të demonstrojë dhe të provojë se ajo është e shkëputur si nga totalitarizmi, ashtu edhe nga ekspansionizmi i politikës së jashtme. Një shtet demokratik nuk mund të lerë të hapur asnjë llogari të papaguar nga e kaluara kriminale e shtetit, që trashëgoi. Ndaj dhe ministrat e Drejtësisë të vendeve baltike deklarojnë se është koha që të rregullohen marrëdhëniet me të kaluarën dhe të llogariten shkencërisht humbjet e shkaktuara nga pushtimi i regjimit totalitar komunist i Bashkimit Sovjetik.
Kërkesa e drejtë e shteteve baltike për reparacione nga Rusia natyrisht e vendos në një pozitë të vështirë diplomatike dhe morale udhëheqjen ruse, sidomos në periudhën e tanishme, kur Moska po përjeton një izolim diplomatik dhe një diskreditim të gjerë ndërkombëtar për shkak të pushtimit ushtarak rus të Krimesë dhe ndezjes së luftës separatiste në Ukrainën Lindore, si dhe ndërhyrjes ushtarake në Lindjen e Mesme. Qëndrimi që mbahet në Moskë ndaj kërkesës së drejtë baltike, shërben për të parë edhe një tregues tjetër të karakterit agresiv të politikës së jashtme të Rusisë në marrëdhëniet me shtetet e tjera. Qëndrimi që po mban udhëheqja ruse ndaj kërkesës së drejtë baltike për reparacionet është tipike e një shteti megaloman dhe i një sjelljeje arrogante në marrëdhëniet ndërkombëtare, në antitezë me çdo normë ligjore dhe demokratike ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri i Rusisë, Dmitri Rogozin, në lidhje me memorandumin e tri shteteve baltike për reparacionet bëri deklarata, të cilat janë të padenja, jo për një drejtues të një shteti të madh e të vogël, por edhe për një çinovnik të një guberne të humbur ruse. Ja deklarata e zëvendëskryeministrit rus, drejtuar në 6 nëntor tri shteteve baltike: “Gjithçka, që ju do të merrni, janë veshët e gomarit të ngordhur”. Kryetari i Komitetit të Dumës ruse për marrëdhëniet ndërkombëtare, Aleksej Pushkov, e quajti kërkesën e shteteve baltike “pretekst të ri për të nisur një konflikt me Rusinë”, duke afishuar politikën tradicionale ruse të presionit dhe të shantazhit. Është interesant dhe cinik në të njëjtën kohë, argumenti që solli Mihail Fedotov, kryetar i “Këshillit Rus të të Drejtave të Njeriut”, një institucion zyrtar pranë presidenti rus. Sipas tij, pretendimi i shteteve baltike për reparacione nuk ka bazë ligjore, meqë edhe Rusia e konsideron veten viktimë të regjimit totalitar sovjetik. Sipas kësaj teze absurde, meqë shteti pushtues drejtohej nga regjimi totalitar, ai nuk ka përgjegjësi për çka u ka bërë popujve të tjerë, duke i pushtuar. Po të ecej sipas kësaj logjike, meqë Gjermania naziste drejtohej nga një regjim totalitar, ajo pas Luftës së Dytë Botërore nuk duhej t’u paguante reparacione Bashkimit Sovjetik dhe shteteve aleate, sepse edhe Gjermania ka vuajtur nga regjimi nazist.
Është e qartë se Rusia kërkon t’u shmanget detyrimeve ndërkombëtare dhe të mos zbatojë detyrimin për reparacione që ka ndaj shteteve baltike, të cilat i pushtoi dhe i sundoi ushtarakisht. Në strategjinë e shmangies nga këto detyrime ndërkombëtare, Moska po ndërmerr hapa absurde shantazhi ndaj shteteve baltike. Një nga këto hapa është dërgimi i çështjes së njohjes së pavarësisë së shteteve baltike në Prokurorinë e Përgjithshme ruse, për të hetuar ligjshmërinë e aktit të Këshillit të Shtetit të Rusisë të 5 shtatorit 1991, i cili nën kryesinë e presidentit rus, Mihail Gorbaçov, vendosi njohjen e pavarësisë së tri shteteve baltike. Hapi tjetër absurd i Moskës është kërcënimi se, si kundërpërgjigje, edhe Rusia do të kërkojë kompensime për ndërtimet që ka bërë në tri shtete baltike gjatë periudhës së pushtimit sovjetik të tyre.
Kërkesa e shteteve baltike për reparacione nga Rusia është jo vetëm legjitime, por ajo është e domosdoshme që të zbatohet nga ana e Rusisë. Kërkesa është e rëndësishme jo vetën në planin e marrëdhënieve midis Rusisë dhe shteteve baltike, por edhe në planin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Sepse lënia hapur e detyrimeve apo gropave historike në marrëdhëniet ndërkombëtare gjeneron burime të tensioneve të ndryshme. Pikërisht për të mbajtur gjallë memorien e popujve për përsëritjen e përvojave të hidhura si pushtimi i shteteve baltike nga Moska, Parlamenti Europian miratoi në vitin 2009 rezolutën “Ndërgjegja europiane dhe totalitarizmi”, ku propozoi që shtetet anëtare të BE ta përkujtojnë 23 gushtin, ditën e Paktit Molotov-Ribentrop, si “Dita Europiane e Kujtesës për Viktimat e regjimeve totalitare dhe autoritare”. Shtetet baltike me qëndresën e tyre, bëhen model i ndërgjegjes europiane.
Nga qëndrimi dinjitoz i shteteve baltike mund të marrin shembull shtetet shqiptare. Kosova duhet të kërkojë reparacionet për vuajtjet nën pushtimin e gjatë serb dhe për shkatërrimet dhe spastrimin etnik të viteve 1998-1999. Shqipëria pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Serbinë në vitin 2001 nuk dihet pse nuk kërkoi asnjëherë reparacione për dëmet, vrasjet dhe gjymtimet, që shkaktuan minat e mbjella nga ushtria serbe në vitin 1999 në Veriun e Shqipërisë. Është vendi për të kujtuar këtu se qeveria e Durrësit me kryeministër Turhan Pashën, në vitin 1919 në Konferencën e Paqes në Paris kërkuan zyrtarisht reparacione ekonomike për masakrat dhe shkatërrimet, që forcat greke kishin bërë në jugun e Shqipërisë në vitin 1914. Kërkesë për reparacione paraqiti veçmas në Konferencën e Paqes në Paris edhe Esat Toptani.
Shtetet baltike na mësojnë se një vend mund të jetë i vogël, por ai e ka hapësirën të tregojë guxim dhe dinjitet shtetëror. Ndaj është jashtëzakonisht pozitive për marrëdhëniet ndërkombëtare që tri shtetet e baltike japin një model historik dhe tregojnë rrugën e dinjitetit për shtetet e vegjël.
Komentet