Virginia Katherine McMath lindi më 16 korrik 1911 në Indipendence (Illinois). Emri Ginger iu dha nga një kushëri i vogël që nuk arrinte t’ia shqiptonte emrin, mbiemri Rogers iu dha nga kumbara i saj. Ajo do të vdiste në moshën 83 vjeçare, më 25 prill 1995, në fermën e saj kaliforniane.
Jeta dhe karriera e Xhinxher Roxhers është shumë e lidhur me balerinin tjetër legjenda, Fred Astaire, por pikënyje në ngjitjen e saj përbën një tjetër emër.
Ai dashuroi një mijë e pesëqind gra, por ka nga ata që thonë tri mijë: flasim për multimiliardierin Howard Hughes, historia e të cilit është treguar në filmin „The Aviator”, kolosalin me regjinë e Martin Scorsese dhe luajtur nga Lenoardo DiCaprio, që ka fituar pesë çmime Oscar (aktorja në rol jokryesor, kamera, skenografia, kostumet dhe montazhi). Është burri të cilit, në kuadrin e suksesit të filmit, po i kushtohen një mori biografish: parë nëpërmjet diveve të Hollivudit që e kanë dashuruar atë dhe që kanë luajtur në filma të cilët janë bërë legjendarë. Mes tyre është Gingi Rogers, aktorja balerinë që, me partnerin e saj Fred Astaire, krijoi njërën nga çiftet më të adhuruara të Hollivudit, falë nëntë filmave muzikorë të xhiruar me Rogers midis viteve 1933 e 1935, si filmi „Kapela cilindër” i vitit 1935 dhe „Dua të kërcej me ty” i vitit 1937.
Gingi Rogers, emër arti i Virginia Katherine McMath, e bëri dashurinë arsye të ekzistencës së saj. U martua pesë here, por përveç burrave pati edhe shumë të dashur, midis të cilëve George Gershwin, Cary Grant, James Stewart. Atyre që ia kujtonin netët e kaluara me Hughes, aktorja iu përgjigjej me një ligësi të hidhur: „E pastaj, çfarë ka për t’u çuditur? Ajo kur ne jemi dashuruar ka qenë ndër kohët e pakëta kur unë nuk kam qenë e martuar. Prandaj, duke dashur Hughes nuk iu kam vënë brirë asnjërit prej pesë burrave të mi.” Ginger ishte një forcë e mirëfilltë e natyrës, të cilën vetëm tani, nga largësia e dhjetë viteve nga vdekja e ndodhur më 1995, kur ishte 85 vjeçe, mund ta vlerësojmë të tërën. Aktori e balerini i madh Fred Astaire, që e njihte mirë, e përcaktonte si “një buldozere të adhurueshme”. Dhe shpjegonte: „Është më ambiciozja e të gjitha diveve të Hollivudit. Është ajo që, me njëqind filmat që ka xhiruar qëkur, 18 vjeçe, debutoi me filmin „A Night In The Dormitory”, ka fituar më shumë para. Është edhe aktorja yll që, me burrat dhe të dashurit, ka pasur absolutisht më shumë dashuri në mënyrë absolute.” E ka pranuar vetë ajo: „Nuk i kam thënë kurrë jo ndonjë burri. Dhe nëse i kam thënë jo, kjo do të thotë se nuk e kam kuptuar mirë kërkesën.”
Regjisori i madh Federico Fellini, me të cilin Ginger Rogers pati një përplasje të fortë deri në atë pikë sa t’iu hapte gjyq producentëve të tij (dhe do ta humbte), sepse ai e kishte përdorur emrin e saj në filmin e tij „Ginger e Fred”, duke pasur në qendër një aktor e një aktore të pasuksesshëm që imitonin çiftin Rogers-Astaire, e përcaktoi „gruaja me dy shpirta”: nga njëra anë kreatura të cilën publiku e shikonte dhe e adhuronte; nga ana tjetër, komediania e pacipë, e fuqishme për të shprehur ndjenja të shtirura, të cilat nuk e preknin fare shpirtin e saj. I vetmi burrë me të cilin Roxhers nuk e ndau shtratin ishte partneri me të cilin në ekran dukej me e përkushtuar: Fred Astaire. Cary Grant, i cili kishte përfunduar në shtratin e saj përpara Howard Hughes, më 13 nëntor 1934, kur ajo u martua për herë të dytë me aktorin Lew Ayers, pranoi: “Të gjithë ishin të bindur se midis Ginger dhe Fred ishte një dashuri e zjarrtë: nuk kishte çift në sallat e ballove anembanë botës, që nuk ëndërronte t’i imitonte. Në të vërtetë ata urreheshin. Ginger nuk e pëlqente Fred, dhe ai ishte xheloz për sukseset e asaj.” E ka thënë vetë ajo: „Fred ishte i bindur se ishte më i miri i çiftit. Bënte sikur nuk e dinte se më 1933, kur “Carioca” hapi serinë e filmave tanë, ai ishte kurrkushi, ndërsa unë kisha xhiruar tashmë nja tridhjetë filma. E shqetësonin madje edhe veshjet e shkëlqyera me të cilat unë e magjepsja publikun: sipas tij, pengonin kërcimin. Dy veshje në mënyrë të veçantë e bënin të çmendej: ajo me pupla të barda e filmit “Kapela cilindër” dhe ajo me margaritarë e filmit “Duke ndjekur flotën” në vitin 1936.”
Ajo që e nxiti Ginger të bënte një jetë ku rafsha mos u vrafsha ishte nëna Lela Rogers, makute në kërkim të fitimeve. Për t’ia zbatuar dëshirën së ëmës, ginger shkon në Hollivud dhe në moshën 13 vjeçe debutoi në teatër me një shfaqje variete. Midis viteve 1925 dhe 1929 iu ra gjatë e gjerë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në vitin 1929, me komedinë muzikore “Tip tap”, arrin suksesin. Ishte e hershme edhe si aktore, edhe si femër: ishte vetëm 17 vjeçe kur, më 29 mars 1929, u martua me Jack Pepper, një aktor dymbëdhjetë vjet më i mdh se ajo. “U ndava prej tij, sepse ai ishte xheloz,” ka treguar diva, “dhe mtonte që unë të bëhesha ndihmësja e saj. Pas tetë muajsh unë ia plasa të qarit dhe ai më dërgoi të takohem me Walter Wagner, shefin e studios së fuqishme të prodhimit të filmave Paramount Pictures. Krejt tjetërgjë nga ndihmëse e Pepper! Wagner m’i hapi portat e Hollivudit me një film, Rinia në Manhatën, ku luaja në barazi të plotë me të madhen Plaudette Colbert.” Është viti 1930. Zemra ballerine e Ginger Rogers rrihte për muzikanin e madh George Gershwin, që kërkon aktore protagoniste për filmin e tij muzikor “Girl Crazy”. “Kur e pashë Ginger,” shkruan Gershwin, “më kalli flakë rrufeja e mirëfilltë, por mjerisht vetëm mua dhe jo atë. Ajo nuk më tha jo, është e vërtetë, por e dija se mendonte për Lew Ayers, njërin prej interpetuesve në filmin “Në perëndim asgjë e re”, me të cilin pas pak vjetësh, në të vërtetë, u martua.” Në teatrot Broadway, lagjes së Nju Jorkut që është mbretëria e shfaqjeve muzikore, Ginger triumfonte. Kur ajo kalonte me veturën e saj, një Packard luksoze me ngjyrë kremi, adhuruesit e duratrokitnin të dehur. Gjithçka rridhte si në një ëndërr; deri kur dikush ia kujtoi të famshmit Walter Wagner se “perëndesha që kërcen”, siç thirrej Ginger, kishte firmosur me Paramount Pictures një kontratë për tetëmbëdhjetë filma.
Ajo shkoi në Hollivud dhe xhiroi një numër të pabesueshëm filmash një pas një. Kur arriti në numrin shtatëmbëdhjetë, erdhi edhe kërkesa e producentit: “Wagner më kërkoi të paguaja atë që ne aktoret atëherë e quanim “haraçi i producentit”. Unë jam e çiltër, do t’ia kisha paguar, por përkundër dëshirës sime nëna ime Lela, përnjëherësh zbuloi engjëllin mbrojtës të jetës sime. Wagner u tërbua e unë fluturova në krahët e Howard Hughes. Haraçin që ia kërkoi Wagner ia pagoi Hughes dhe erdhën pesëmbëdhjetë takime pasionante me të. Më 1933, me filmin “Carioca” lindte përputhja artistike e Ginger me Astair, që vazhdoi deri më 1940. Për më tej tregon diva tjetër e Hollivudit, Rita Hayworth, kushërirë e Rogers: “Ishte Astaire ai që u nda nga Rogers. Thoshte se ajo ishte tepër e vjetër, se ai kishte nevojë për partnere më të reja. Ginger, e tërbuar, ia mori hakun duke demonstruar se, përveç një balerinë e madhe, ajo ishte edhe një aktore e madhe. Fitoi një Oscar më 1940 me filmin « Kitty Foyle, një vajzë e dashuruar” Dhe kur Fred i penduar kërkoi të riformonin çiftin, ajo e la në pritje deri më 1949. Ata e mrekulluan publikun me filmin “Barklays i Broadway”, njëfarë lamtumire melankolike që e shndërroi në mit. Filmin e fundit, Harlow, kushtuar aktores së viteve Tridhjetë Jean Harlow, e xhiroi më 1965, duke pasur ndërkohë edhe tri martesa me tre aktorë të tjerë: Jack Briggs më 16 janar 1943, Jacques Bergerac më 7 shkurt 1953 dhe William Marshal më 16 mars 1961. Dhjetë vitet e fundit i kaloi në një karrocë invalideje: “Jeta është si një tortë që duhet ta shijosh me feta. Imja mbaroi më 12 prill 1985, kur u godita nga pika në tru, që ma kurseu jetën, por m’i mori këmbët. Mua që më kishin quajtur “flutura hyjnore”.”
Komentet