Në kulmin e debatit politik dhe ashpërsimin e toneve mes Presidentit dhe Kryeministrit, pas vendimit të djeshëm të Metës për mosdekretimin e Gent Cakaj si Ministër i Jashtëm, kreu i shtetit ka dalë sot me një deklaratë të fortë.
“Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë”, thotë prere Meta.
Meta ndër të tjera shton se “ai që ka kërcënuar dëshmitarë dhe gazetarë apo oficerë policie që denoncuan bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët”, nuk do mund të kërcënojë dhe Presidentin.
POSTIMI I PLOTË
Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para
Komentet