Instituti për Ekonomi dhe Paqe në Indeksin e Global të Terrorizmit për vitin 2016 ka radhitur Kosovën në vendin e 70-të ndërsa Shqipërinë në vendin e 92-të të listës së vendeve më të rrezikuara nga terrorizmi.
Në listën që përfshinë 143 vende Bosnjë e Hercegovina radhitet në vendin e 62-të, Maqedonia është e 78-ta, Mali i Zi është i 117-ti, Serbia është në vendin e 121-të.
Në tregyesin e publikuar të hënën thuhet se numri i vdekjeve nga terrorizmi ka rënë për 10 për qind në vitin 2015 krahasuar më vitin 2014 që vlerësohej si më vdekjeprurësi. Gjatë vitit 2015 nga pasojat e terrorizmit kanë humbur jetën 29 mijë e 376 persona.
Sipas këtij institutit grupi militant, Shteti Islamik dhe grupet tjera të afërta me të, ishin aktive në 28 vende në vitin 2015, për dallim ga 13 sa ishi në vitin 2014.
Në listën e vendeve më të rrezikuara nga terrorizmi janë Iraku, Afganistani, Nigeria, Pakistani, Siria, e të tjera, ndërsa në Evropë Franca thuhet të jetë më e rrezikuara dhe është radhitur në vendin e 29-të.
Shtetet e Bashkuara radhiten në vendin e 36-të, Rusia është e 30-ta dhe Mbretëria e Bashkuar e 34-ta.
Shtetet janë radhitur nëpër vende në bazë të të dhënave të Konsorciumit Kombëtar për Studime të Terrorizmit dhe Reagim ndaj Terrorizmit (START), me seli në Universitetin e Marylandit.
Që nga shpërthimi i konfliktit në Lindjen e Mesme, besohet se mbi 900 qytetarë nga vendet e Ballkanit kanë udhëtuar për në Siri dhe Irak dhe një pjesë e madhe e tyre janë përfshirë në radhët e grupeve militante si Shteti Islamik apo edhe Jabal Al-Nusra.
Nga Shqipëria mendohet se janë mbi 100 persona që kanë luftuar përkrah ISIS-it, ndërsa autoritetet kanë bërë të mundur disa arrestime. Gjatë këtij viti 9 anëtarët e një celule që rekrutonte persona për t’i dërguar në Siri u dënuan me 152 vjet heqje lirie.
Kosova është përballur që nga viti 2012 me përfshirjen e qytetarëve të saj në konfliktet në Lindjen e Mesme.
Sipas autoriteteve rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në ato konflikte, ndërsa atje ende ndodhen 140, nga të cilët 75 luftëtarë dhe 38 gra e 27 fëmijë.
Dy vjet më parë policia filloi hetimet kundër 237 vetave për pjesëmarrje në luftë, nxitje dhe rekrutim të luftëtarëve të huaj dhe mbi 127 veta janë arrestuar. Deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat në Kosovë.
Sipas autoriteteve, 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe një numër i tyre po përballet me drejtësinë.
Në pranverën e vitit të kaluar parlamenti i Kosovës miratoi një ligj për parandalimin e përfshirjes në luftërat e huaja, i cili parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.
Gjatë vitit 2016 autoritetet thanë se është shënuar rënie e numrit të qytetarëve të Kosovës të përfshirë në ato luftëra, por fillimi i vjeshtës shënoi raste të reja të shkuarjes apo përpjekjeve për të shkuar në ato zona.
Në fillim të këtij muaji autoritetet arrestuan 9 veta në Kosovë në kuadër të një operacioni të përbashkët rajonal që ishte është shtrirë edhe në Shqipëri dhe në Maqedoni. Policia në Shqipëri tha se ka arrestuar 4 persona.
Në një dokument të prokurorisë së Posaçme të Kosovës, thuhej se të arrestuarit ishin në kontakt me pjesëtarin e grupit militant Shteti Islamik, Lavdrim Muhaxheri, i cili u bë i njohur në korrik të vitit 2014 pasi që postoi në Facebook fotografi grafike të veprimeve të tij, nga i cili kishin marrë udhëzime për sulme
“Ata po përgatisnin sulme terroriste në rajonin e Ballkanit, fillimisht në Kosovë. Ata kishin planifikuat sulme mbi ndërtesa të ndryshme, mbi institucionet e sigurisë, të frikësojnë popullsinë, të destabilizojnë vendin dhe të shkatërrojnë strukturat ekonomike, politike dhe financiare”, thuhet në dokumentin e prokurorisë së posaçme.
Prokuroria pretendon se njëri nga të arrestuarit një kohë ka marrë pjesë në veprimtaritë e grupit militant Shteti Islamik në Siri.
Në Shqipëri, katër të arrestuarit dyshoheshin se po përgatiteshin për një sulm terrorist gjatë ndeshjes së futbollit mes Shqipërisë dhe Izraelit e cila qe parashikuar të zhvillohej në qytetin e Shkodrës. Ndeshja u zhvendos në Elbasan “për motive sigurie”, ndërsa media shqiptare tha se dyshimet ishin transmetuar nga shërbimet e fshehta izraelite.
Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e arrestit në burg për të katër personat e dyshuar se “në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe shtetas të tjerë jashtë vendit, kanë propaganduar nxitjen e urrejtjes, rekrutimin e personave për të shkuar në Siri përkrah organizatës terroriste ISIS, se kanë mbështetur me logjistikë e financime këtë organizatë terroriste, si dhe se mund të udhëtonin në zonat e konfliktit në vendet e Lindjes së Mesme”.
Organizatat ndërkombëtare pohojnë se përfshirja e qytetarëve nga Evropa Juglindore ne veprimtari ekstremiste nxitet nga shumë faktorë që pjesërisht cilësohen si tradicionalë, të tilla si margjinalizimi i pakicave, ideologjitë radikale, mungesa e shpresës për ta ardhmen, ndërsa të gjitha këto janë përforcuar nga ritmet e zhvillimeve gjeopolitike ndërkombëtare.
Komentet