Partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Siguri të Gazetarëve deklaruan në Tiranë, në fund të një misioni fakt-mbledhës, se liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar më tej, për shkak të ndërhyrjes së pronarëve dhe të qeverisë.
Përfaqësues të shtatë organizatave, theksuan se vitet e fundit nuk ka patur përmirësim të mjedisit për gazetari të pavarur dhe pluralizëm të mediave në Shqipëri.
“Klima për raportim të lirë dhe të pavarur është duke u përkeqësuar në Shqipëri, për shkak të ndërhyrjeve të pronarëve dhe të qeverisë”, deklaroi në Tiranë delegacioni i 7 organizatave partnere të platformës së Këshillit të Europës për sigurinë e gazetarëve, në fund të misionit të tyre faktmbledhës.
Përfaqësues nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, Artikulli 19, Federata Europiane e Gazetarëve, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, Reporterët pa Kufi, Bashkimi Europian i Transmetuesve dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias theksuan në deklaratën e përbashkët se një nga kërcënimet kryesore të gazetarisë së pavarur në Shqipëri është kapja e medias nga pronarët për interesa biznesore dhe politike, duke i penguar gazetarët që të punojnë për interes të publikut.
Ndërhyrja e pronarëve në pavarësinë redaktoriale është e lartë dhe disa çështje konsiderohen se nuk mund dhe nuk duhet t’i raportojnë gazetarët, theksuan ata.
“Qeveria e Shqipërisë duhet të përmbushë rekomandimet e Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Europës për sigurinë e gazetarëve si dhe për mbrojtjen e gazetarisë. Ne ishim këtu 3 vjet më parë dhe konstatuam nivelin e ulët të lirisë së medias. Tani shohim se gjendja nuk është përmirësuar dhe madje jemi të shqetësuar se tashmë nuk kemi të bëjmë me kapjen e medias por konstatojmë kapjen e gazetarisë, për t’u shërbyer interesave të ngushta private, por në demokraci media nevojitet për të mbrojtur interesat e publikut”, thotë Rikardo Gutieres, sekretar i përgjithshëm i Federatës Europiane të Gazetarëve.
Ndërsa Flutura Kusari, përfaqësuese e Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, thotë se një tjetër problem shqetësues është mungesa e transparencës dhe qasja në dokumenta publike.
“Është jashtëzakonisht e vështirë për gazetarët në Shqipëri, që të marrin informacione nga autoritetet publike. Kërkesat e gazetarëve refuzohen apo shtyhen shpesh ndërsa Agjencia për Media dhe Informim nuk e ka ndihmuar transparencën, por e ka centralizuar informacionin dhe e ka vështirësuar madje e ka bërë gati të pamundur marrjen e tij. Nga ana tjetër, diskretitimi i gazetarëve përmes një koncepti të ri të “riedukimit” nuk ka ndihmuar në përmirësimin e situatës aktuale” – thotë zonja Kusari.
Delegacioni i 7 organizatave që mbrojnë gazetarët dhe lirinë e medias deklaruan se komisioneri për informim i vonon kërkesat e gazetarëve për qasje në dokumenta publike dhe se këto kërkesa nuk trajothen me vëmendjen dhe efektshmërinë e mëparshme.
“Zyra e kryeministrit dhe bashkia e Tiranës vazhdojnë të shpërndajnë materiale informative të parapërgatitura, dhe kjo mënyrë pune i mbron zyrtarët nga pyetjet kritike të gazetarëve. Siguria e gazetarëve vazhdon të jetë problematike ndërsa proceset gjyqësore ndaj atyre që sulmojnë gzetarët përfundojnë me pandëshkueshmëri. Shpifja është dekriminalizuar pjesërisht, por ekzistenca e ligjeve të tilla ka efekt negative tek gazetarët”, thuhet në deklaratën e delegacionit të orgnizatave Partnerët e Platformës së Këshillit të Europës për Siguri të Gazetarëve.
Komentet