Këputet një jetë…, një zemër ndalet, një shpirt e lë tokësoren dhe dhimbja është qielli i kësaj situate…
Para disa ditësh shihja në youtube filimin komedi” Zëvendësi i grave” dhe shijova lojën e Mirush Kabashit, Birçe Haskos, Aleko Prodanit, Viktor Gjokës, etj…
M’u kujtuan vitet kur u xhirua ai film, dhe ashtu, pa ndonjë shtrëngim, më doli nga thellësia e qenies : “ Oh, çfarë artistësh!”
Në buzënate dhe dritëshkrepje Mirushi ynë e la frymën e fundit…
Në një Apologji të vërtetë, mes jetës së sosur dhe asaj të pasosur, me një sintaksë qiellore, Mirush Kabashi, tha: “Po iki…”
Aktori i roleve krejt të spikatura, që para 1990-s, zgjuarsisht mori role të personazheve negative, problematike, e kështu, shmangu format stampa të heroit pozitiv…
Kështu, te “ Dora e ngrohtë”, filmi i Kujtim Çashkut, te filmi “ Binarët”, i Muharrem Fejzos, apo te “ Gëzhoja e vjetër”, i Sajmir Kumbaros.
Të bësh art nën shëmbëlltyrën e atyre që ke ideal dhe model ,nuk është keq, por të krijosh profilin tënd, krejt të mëvetshëm, siç e realizoi Mirush Kabashi, është ndryshe.
Kështu nuk je shëmbëlltyrë e modelit ku je referuar, por je model ku të tjerët do duhet të referohen…
Në Teatër, ku ai nisi hapat e para, edhe sikur vetëm “ Apologjinë e vërtetë të Sokratit”, të përmendim,
e Kostas Varnalis, ( pjesa mund të jetë luajtur nga shumë aktorë,) Sokrati i Kabashit ka qenë dhe mbetet një Sokrat shumë emocionues, për ndërtimin tejet organikisht të rrëfimit, thyerjeve ideore dhe përjetimit emocional.
Të gjithë ikin një ditë…, ky është dënimi i njerëzores…
Çfarë mbetet pas?
Kjo është vijëgjurmë që tregon: kush ishe, çfarë bëre, pse dhe si do të kujtohesh…
Jeta e njeriut është frymë, jetë e gjallë dhe kujtime…
Si lum ai që i ka të tria të arrira!
Si tha ai: “Bisht qeni do të mbetesh!”-edhe kjo batutë të mban në kujtesë.
Kohët e fundit Ju e kishit për zemër të recitonit letrën e Ajnshtajnit për të bijën , ku zbulohej se energjia më e fuqishme është dashuria njerëzore…
Ju e kishit , e keni dhe do ta keni këtë dashuri, nga miqtë dhe publiku.
Lamtumirë, Mirush Kabashi!
P.Kabo. 5 dhjetor, 2023.