Isha e vogël, nuk më kujtohet sa vjeçe isha, por çuditërisht isha e dashuruar me këngën, më buronte nga shpirti. Më pas, në vitin 1978, kur isha nxënëse në klasën e 7-të në Turbohovë, – nis të na tregojë këngëtarja e mirënjohur me zërin e saj briland, Leonora Terpollari, – Juria e rrethit nisi të mblidhte këngëtarët më të mirë. Më zgjodhën edhe mua dhe Portokalle Zykon, të dyja fluturonim nga gëzimi. Zemra na rrihte fort. Nisëm të thurnim ëndrra për të qenë këngëtare të mëdha. Gjithë këngëtarët e përzgjedhur: burra, gra, vajza djem, të rritur e të moshuar mblidheshim bashkë në Shtëpinë e Kulturës në Çorovodë, rrugën e bënim në këmbë sepse nuk kishte makina, por nuk e ndjenim lodhjen, dëshironim të mësonim si këndohej më bukur, merrnim pjesë në çdo koncert dhe nuk mungonim asnjëherë, madje lodhjen nuk e ndjenim fare, ëndërra jonë ishte kënga dhe kjo ëndërr na u bë realitet. Në vitin 1983 mora pjesë në Festivalin e Gjirokastrës, nuk i besoja dot vetes, me të përfunduar këngën nisi një oshëtimë e madhe duartrokitjesh që dukej sikur nuk do të kishte fund asnjëherë, Ndoshta nuk e besoni, por zemra ime rrihte si e zogut, dridhesha e tërë, isha më e lumtur se e lumtuar, por si ta them, nuk ia gjeja dot emrin fjalës – ndihesha e mrekulluar. Më pëlqente shumë të këndoja për nënën:
Nëna ime nënë,
Ku t’i gjej ca fjalë,
Të t’i them me këngë,
Apo të t’i them me mall.
U vlerësova me çmim të parë
Emri im kish nisur të përmendej gjithandej, shumëkush pyeste: “Po Leonora ka ardhur? Me sa kuptoja numri i adhuruesve të mi po rritej gjithnjë e më shumë. Këndova edhe në Tiranë para udhëheqjes së partisë, sërish duartrokitjet nuk kishin fund, zemra sërish nisi të më rrihte si e zogut, prisja të vlerësohesha dhe nuk u zhgënjeva, u vlerësova me çmim të parë. Një prej të adhuruarve të mi ishte dhe Xha Demiri (Demir Zyko). Kur mora pjesë në Festivalin e Gjirokastrës ishte edhe xha Demiri. Pasi dëgjoi këngën time, më përqafoi dhe me tha: “Je këngëtare e talentuar”. Fjalët e tij më dhanë zemër dhe kurajo për të mos u tërhequr kurrë nga kënga. Kam kënduar edhe për Hysni Kapon, (Tërbaç, 4 mars 1915 – Paris, 23 shtator 1979, partizan, diplomat dhe politikan shqiptar, por ëndrra e tyre rezultoi e dështuar). Teksti ishte shkruar nga Ylli Qori, për të mund të them fjalët më të mira, ishte organizator i shkëlqyer i shkollës 8 – vjeçare Kapinovë, pasionant i këngës shqiptare. (Sot nuk jeton më, por i jam mirënjohës për përkushtimin që tregonte ndaj këngës. I paharruar kujtimi i tij! E kishte qejf këngën, ishte adhuruesi i saj. Dëshira e tij ishte të gjente këngëtarët më të mirë, kudo që mund të ndodheshin ata, qoftë edhe në cepin më të largët të Skraparit. Nuk mund të lë pa kujtuar Ylli Qafokun, drejtorin e Shtëpisë së Kulturës, i cili u dekorua fal përkushtimit të tij. Të tillë ishin dhe Hajri Xhameni dhe Kasëm Cako. Festivali mblodhi këngëtarët më të mirë dhe më të talentuarit. Më vonë u shkëputa nga kënga sepse u bëra nënë me fëmijë, iu përkushtova familjes, veç kësaj nuk ishte më ai organizimi i mëparshëm. Festivali bëhej njëherë në pesë vjet.
Edhe kur kthehesha nga festivalet, këndoja për nënën:
O moj nënë që më dhe gjinë,
Që ti gjumë në sy nuk vure,
Fjala jote magjiplotë,
E ëmbël dhe shumë e mirë.
Rako Paja ngriti grupin folklorik
Më vonë, më 2020, Rako Paja ngriti grupin folklorik “Tomorrica”, por në këtë kohë unë i kisha humbur shpresat, nuk besoja se do të këndoja më, por Pajo nuk pushoi së kërkuari. Ato kohë nëna ime ishte ndarë nga jeta dhe të kënduarit unë e kisha lënë në harresë, por Rako Paja, që të mundësonte pjesëmarrjen time në grupin folkorik e shtyu programin pas 6 muajve të nënës.. Kështu fillova përsëri me grupin “Tomorica”. Bëra këngën për nënën bashkë me bashkëshortin, fjalët më dilnin nga shpirti. Këndova edhe për Abaz Alinë, këndova edhe këngë të tjera, realizova edhe klipe dhe video, të cilat u regjistruaran edhe nga televizionet. Kënga ringjalli sërish shpirtin tim. Më 2023 mora pjesë sërish në Festivalin e Gjirokastrës me grupin e Skraparit ku merrnin pjesë edhe grupi i Poliçanit, Qyteti Stalin dhe Berati. Me këtë rast nuk mund të lë pa kujtuar Hysni Agon këngëtarin e mrekullueshëm të cilin e kujtoj gjithmonë me respekt. Kështu u bashkova sërish me këngëtarët e Skraparit dhe këngëtarët Diana Ymeri, Drita Qafoku, Dashuri Hysi dhe Gime Mena, sepse unë isha vendosur në Korçë për një jetë më të mirë. Zerat tanë lanë përshtypjet më të bukura dhe morën duartrokitje të shumta. Por dua të them edhe diçka tjetër: këngëtari lind, nuk bëhet, Skrapari ka këngëtarë të mrekullueshëm si burrat dhe gratë: Xheladin Cëri ka zë të bukur, ke qejf ta dëgjosh, Fatmir Greva është i shkëlqyer, po kështu edhe Nesim Mëno dhe Sefedin Çela janë të pakrahasueshëm, pa harruar edhe 2 vëllezërit Stavri, Spiro, dhe Floran Spahiu të cilët ishin edhe pjesëmarrës të festivalin folklorik të vitit viti 1983.
“Të keqen moj baltë e kuqe”
E këndova me Portokalle Zykon
Në vitin 1983 në festivalin e Gjirokastrës bashkë me Portokalle Zykon kënduam këngën “Të keqen moj baltë e kuqe”, me tekst të poetit Xhevahir Spahiu. Kjo këngë u bë dokumentar në ‘Kufijtë e legjendës’, ku foli vetë edhe Xhevahir Spahiu, të cilin e takova në Tiranë në promovimin e librit në vitin 2019. Grupi polifonik “Tomorica” është vlerësuar me çmim dhe titull nderi “Demir Zyko” etj. Gjithashtu në veçanti u vlerësova nga juria si këngëtarja më e mirë. Këngët më të bukura të kënduara prej meje, janë: “E shtrenjta nënë”, “Këngë për Abaz Aliun”, “Atje lart, dy ara bashkë”, “Mall për vendlindjen” me Drita Qafokun dhe tekst të hershëm nga Abedin Musoli, viti 2023, “Më mbenë rrobat në lumë”, “Trendafili i bardhë”, kënduar me Diana Ymerin, “Këngë për flamurin”, me dashuri Hysin, e cila është këngëtare e mirënjohur, aktive dhe sot. Në viti 2023 dhamë koncert në Bashkinë Kamzë me këngën “Djalo s’më merr dot”, me Diana Ymerin. Viti 2023, pas festivalit të Gjirokastrës u mblodhëm në Kavajë ku u vlerësova si këngëtarja më e mirë. “Mall për vendlindjen”, “Unazën e gishtit ta lashë amanet” etj.
Shpesh më pëlqente tëkëndoja edhe këtë këngë:
Fluturo moj dallëndyshe
Fluturo përmbi Skrapar
Merr me vete këngën time
Në vendlindje të shuaj mallë
Ti Skrapar më rrite mua
Prandaj ndiej shumë krenari
Kush ka lindur në Skrapar
Quhet vetëm Skraparli
Edhe në fshatin ku banoj kam shoqëri të mrekullueshme, me shoqet kaloj bukur sepse e kanë qejf këngën dhe më mbështesin kur mblidhemi të gjitha bashkë dhe ia marrim këngës me Merjeme Kulla, Luiza Shuaipi, Afërdita Dervishi, Zamira dhe Mirela Demkë Pinderi.
Atje lart në vendlindje
Në burime ku shuaj mallë
Kujtoj vajzërinë time
Edhe këngën time të parë
Dëshiroj të them edhe dy fjalë për veten time: Jam lindur në fshatin Krastë nga dy prindër të mrekullueshëm Jake dhe Sabire Gjoni. Babai më merrte për dore më çonte në Çorovodë dhe gjithashtu më merrte sërish për të më çuar në shtëpi. U martova më 19 gusht 1984 në fshatin Backë në një familje me tradita patriotike me djalin e Jaçe Qamili, burrë fisnik dhe patriot, nipi i Lace Backës. Tashmë dëshiroj që këngën t’ia lë trashëgim mbesës time Aleksandra Dervishi e cila është shumë e dhënë pas këngës. Aktualisht jeton në Greqi, por një ditë do të kthehet ë Shqipëri. Edhe atje në Greqi këndon këngën popullore, ka dy fëmijë djalë e vajzë. Kurse unë, – shpjegon Leonora, – kam dy djem dhe një vajzë. Njeri nga djemtë është specialist ndërtimi kurse tjetri menaxher hoteli në Shqipëri. Jam një nënë e lumtur, këndoj sepse më këndon zemra, kam familje të mrekullueshme: Altini, Leonita dhe Eduarti më kanë bërë gjyshe të lumtur
Sa të jem dhe sa të rroj
Nënë e babë s’ju harroj,
Kjo ështe kënga ime më e preferuar, – përfundoi rrëfimin e saj, Leonora Gjoni Terpollari.