TOM GJOKHILAJ
Dasma zadrimore, padyshim është një monument i veçantë i kulturës popullore shqiptare. Zadrima në përgjithësi është dalluar nga pjesët e tjera të kombit tonë në shumë drejtime, sidomos në veshjen e saj tradicionale, si dhe në zakonet e traditat e veçanta. Në kohët e sotme, ose më mirë të themi, në kohërat moderne, traditat kanë evoluar dhe kanë shkuar drejt një unisoni të përgjithshëm duke i shkrirë traditat me modernën. Sot, mund të them pa frikë se traditat e hershme, ose anashkalohen, ose nuk demonstrohen pothuajse fare. Për këtë gjë unë nuk ndjehem aspak i alarmuar, pasi kohërat evolojnë e bashkë me të edhe traditat e kjo është krejt normale, pasi edhe traditat e hershme në shtresëzimet e ndryshme kohore kanë evoluar dhe ndryshuar pjesërisht duke u shkrirë me elemente të reja apo duke i shtuar ato sipas rastit. Për këtë mjafton të paraqes një element të veçantë të dasmës zadrimore. Nusja në ditën e martesës së saj ka dalë nga dera e gjinisë e mbuluar me një duvak të kuq në kokë. Unë për vetën time jam i prirur për të besuar se kjo nuk ka qenë një traditë shumë e lashtë. Mendoj se kjo traditë është huazuar nga pushtimi turk i Shqipërisë. Dihet se pushtimi turk ka ndikuar së tepërmi në gjuhën dhe kulturën shqiptare dhe kësaj dukurie nuk i ka shpëtuar as Zadrima, edhe pse aty nuk është përqafuar pothuajse aspak feja islame e sjellë nga ky pushtim. Megjithatë, ky pushtim ka ndikuar së tepërmi në gjuhë(sidomos në leksik) edhe zakone, pavarësisht se nuk arriti të depërtojë në besimin fetar aq sa në pjesë të tjera të kombit.
Dasma zadrimore ka veçantitë e saj si nga ana e organizimit, ashtu edhe në këngët që e shoqëronin atë. Edhe këngët, nuk mund të them se të gjitha janë vetëm pronë e zonës së Zadrimës, pasi shumë prej tyre janë kënduar edhe në zona e krahina të tjera, por një pjesë e tyre mund të them se janë autoktone të zonës e mundet që zonat e tjera mund t’i kenë huajtur, ashtu siç mund të mendoj se edhe shumë të tjera mund të jenë huajtur prej zonave e krahinave të tjera. Unë këtu nuk marr përsipër t’i seleksionoj e t’i përcaktoj se cilat janë të lindura në zonën e Zadrimës e cilat jo, por do të prpiqem të them se cilat këngë janë kënduar në një dasëm tradicionale zadrimore duke u përpjekur të sqaroj edhe momentet e veçanta në të cilat ato këngë janë kënduar.
E cilësoj këtu; momentet e veçanta, se dasma tradicionale zadrimore është organizuar në disa etapa të veçanta. Duhet cilësuar që në fillim këtu se kënga e dasmës është kënduar në të gjithë larminë e saj kryesisht në dasmën e djalit, pasi në dasmën e vajzës pak, ose aspak është kënduar dhe vetëm në ndonjë moment të veçantë të saj. Prindërit dhe të afërmit e vajzës që martohej e kanë organizuar dasmën e saj, por jo si një moment gëzimi e hareje, ashtu siç organizohej dasma e djalit, pasi ata po nxirrnin nga familja e tyre një pjesëtar të saj, ndersa ato të djalit po e zgjeronin familjen me një pjesëtar të ri. Pra nuk e konceptonin dasmën e vajzës si moment të rëndësishëm në jetën e saj, aq më tepër kur në ato kohëra lidhjet martesore bëheshin me shkuesira dhe shpesh edhe pa dëshirën e vetë vajzës. Ishin mjaft të rralla lidhjet martesore mbi bazën e një dashurie që do t’i paraprinte fejesës së dy të rinjve e më pas martesës së tyre. Dashuritë, edhe në se ekzistonin, ishin të fshehta dhe ishin tabu e herezi për opinionin e zonës.
Dasma e djalit, sipas traditës së përgjithshme kristjane, ka filluar dy javë më parë se dita e dasmës; d.m.th. ditës kur krushqit e dasmorët kanë shkuar në shtëpinë e nuses dhe e kanë marrë atë sipas zakoneve dhe traditës shqiptare. Ditën e diel, dy javë para, në kishën e fshatit apo të zonës, është bërë leçia e kësaj martese. Pra është shpallur martesa nga prifti i zonës, apo famullive përkatëse si për djalin ashtu edhe për vajzën duke grishur besimtarët që kishin shkuar atë ditë në kishat përkatëse që të shpreheshin në lidhje me këtë martesë në se dinin ndonjë fakt apo argument që duhej ndaluar ose jo martesa. Kjo ditë ka bërë që familja e dhëndërrit të mbledhë njerëzit më të afërt të familjes dhe ndonjë nga miqtë e afërt, daja, teze e halla, apo motra e kushërira të martuara. Pra është bërë një mini dasëm, por pa nuse e dasmorë. Është shtruar dreka dhe janë kënduar këngët e para të çeljes së ceremonisë së dasmës.
E shoh me vend këtu të cilësoj disa veçori të dasmës zadrimore duke nisur me mënyrën e organizimit të saj, duke paraqitur gjithashtu edhe evolimin e tyre sipas kushteve deri në ditët e sotme. Po kështu traditat dhe zakonet e veçanta të veshjeve që janë unike dhe tërësisht të papërsëritshme e janë një dukuri e veçantë dhe që duhen studime e paraqitje të veçanta etnografike nga njerëz profesionistë, megjithatë, me gjithë mangësitë e mia profesionale në këtë fushë, do të përpiqem t’i cilësoj sa më denjësisht, në mënyrë që të krijohet një koncept sa më i plotë për këtë traditë të shkelqyer të Zadrimës.
Le të flasim së pari për mënyrën e organizimit të dasmës duke paraqitur këtu etapat kryesore të saj që nga fillimi e deri në përfundimin e plotë. Siç e cilësuam edhe më sipër, dasma zadrimore ka nisur dy javë më parë se nusja vjen tek dhëndrri me ditën e leçisë së dhëndrrit dhe të nuses. Në kishën e fshatit të dhëndrrit, por edhe në kishën e fshatit të nuses, dy javë para se dasma të kryhet, prifti shpall martesën e çiftit të ri kandidatë për martesë. Në mes të ceremonisë fetare, ai bën njoftimin si më poshtë: “Filan Fisteku nga fshati( K… )marton djalin e tij X Y me vajzën e (— —) nga fshati(B— )të dielën(hënën) më datën….; pas dy javësh. Janë të lutun ata që dinë diçka në lidhje me këtë martesë, se nuk duhet lejuar, ta thonë sa më shpejt, ose të heshtin përgjithmonë.” Kjo gjë thuhet në të dy kishat si atje ku leçitet vajza ashtu edhe atje ku leçitet djali. Nuk jam shumë i sigurtë, por mendoj se leçia është bërë me kërkesë të prindërve të të dy kandidatëve për martesë edhe në kishat më të afërta të fshatrave fqinjë edhe me qëllimin që miqtë dhe të afërmit e atyre familjeve të njoftohen më mirë për këtë martesë. Karakteristikë e Zadrimës ka qenë se fshatrat kanë qenë përgjithësisht të grumbulluara nga ana e vendosjes së shtëpive dhe gjithashtu edhe jo shumë larg fshati nga fshati. Kanë variuar nga një gjysëm ore, madje edhe më pak, me këmbë nga njëri fshat tek tjetri më i afërt, deri edhe në një apo diçka më shumë orë. Nuk flas për fshatra përtej fshatrash pasi rrezja mund të ketë qenë edhe pak më e madhe se edhe nga një apo dy orë larg. Pra miqësia nga ana tjetër nuk ka qenë edhe aq e largët. Gjithashtu, zakonisht edhe martesat nuk janë bërë të largëta, por rrallëherë edhe brenda fshatit, sidomos në fshatrat e vegjël, se në fshatrat e mëdhenj edhe kanë ndodhur në disa raste. Edhe në fshatrat e vegjël në ndonjë rast siç është fshati Kodhel ku ka pasur, për aq sa njoh unë, dy apo tre raste që unë nuk dua t’i them këtu, nga që kjo dukuri nuk është objekt i këtij punimi që jam duke paraqitur, por dua të shtoj se në fëmijërinë time Kodhelin e kam njohur me më pak se njëzet familje, por me një apo dy lidhje martesore brenda fshatit, por asnjë rast brenda fisit.
Ditën e leçisë, babai i djalit që martohej, mblidhte më të afërmit e tij dhe shtronte një gosti. Zakonisht në këtë gosti thirreshin bijat e martuara, xhaxhallarët e dhëndrrit në se kanë qenë të ndarë familjarisht nga trungu, dajat e dhëndrrit apo ndonjë tjetër, por edhe jo aq shumë, sigurisht, sipas mundësisë ekonomike dhe dëshirës së të zotit të shtëpisë. Sigurisht që nuk ka pasur edhe rregulla të ngurta për këtë gjë. Kur janë mbledhur mysafirët për drekën e gostisë janë kënduar këngë të ndryshme, por ajo këngë që ka çelur siparin ka qenë: “Sa shyqyr kenka njiktu!” e pastaj kanë pasuar edhe të tjera si zakonisht të kënduara nga gratë dhe bijat e familjes. Pra kjo ka ndodhur fill pas momentit të leçisë dhe kur njerëzit janë kthyer nga kisha e janë mbledhur në shtëpi kur janë rreshtuar në sofër për të ngrënë drekën. Kjo gjë ka shënuar, gjithashtu edhe hapjen e dasmës.
Dasma, gjithashtu, në një formë të veçantë, ka vazhduar pa ndërprerje edhe në ditët në vazhdim. Këtu nuk po përmend përgatitjet për dasëm, por po them për gazin e harenë që i ka shoqëruar ato ditë. Atmosfera e atyre ditëve në vazhdim ka qenë mjaft festive. Në secilën natë në vazhdim është mbledhur shoqëria me djem, vajza, burra e gra të fshatit, komshinjtë, fisi dhe kush ka mundur e kanë qëndruar deri vonë duke kënduar e vallëzuar apo duke luajtur lojëra të ndryshme popullore. Në një fare mënyre, është zhvilluar një festival i veçantë i kulturës popullore. Njerëzit ndiheshin të gëzuar e të argëtuar dhe mezi prisnin të vinin ato ditë që në fshat të bëhej ndonjë dasëm djali.
Në javën e fundit të dasmës janë zhvilluar aktivitete të rëndësishme që kanë pasur të bënin me zhvillimin dhe organizimin e dasmës dhe e quaj me vend t’i cilësoj këtu edhe pse të shkëputura nga qëllimi kryesor i këtij punimi; i paraqitjes së këngës së dasmës. Krahas përgatitjes për dasëm, i zoti i shtëpisë që organizonte dasmën e djalit i ka shkuar për vizitë mikut të ri, familjes së nuses dhe ka marrë aprovimin për hapjen e dasmës. Kjo ka ndodhur, në mos jam i gabuar, ditën e mërkurë; d.m.th. katër, apo pesë ditë para se të shkonte me krushq e me dasmorë për të marrë nusen. Atje kanë diskutuar edhe për gatishmërinë e dasmës, por edhe për ndonjë problem që nuk ka arritur për t’u zgjidhur e për të gjetur mundësinë për ta eleminuar pa keqkuptime, apo për t’u zgjidhur në njëfarë mënyre. Duhet shtuar këtu se disa muaj më parë ishin takuar dy kryefamiljarët e të fejuarve dhe kishin prerë vaden(ditën e dasmës). Familja e djalit ka dashur, nga ana tjetër të sigurohet në se nuk ka ndonjë anullim të dasmës për ndonjë arsye të paparashikuar. Pasi janë marrë vesh për hapjen e dasmës, babai i djalit u ka dërguar fjalë njerëzve të fisit të tij që ditën e enjte në mëngjes herët të mblidheshin tek shtëpia e tij, dhe, pas i ka hartuar më përpara listat e mysafirëve që ka menduar t’i ftojë në dasëm, ka përcaktuar njerëzit(thirrësat) për çdo fshat ku kanë për të shkuar e për të thirrur miqësinë. Kështu edhe marrësat(gra të fisit) që janë caktuar për të marrë bijat e familjes me gjithë fëmijët e tyre. Zakonisht, atyre që u binte shorti të merrnin bija që kishin fëmijë djepi(të mitur), u duhej t’i sillnin në familje duke ua mbajtur ngarkuar mbi shpinën e tyre edhe djepat e fëmijëve të vegjël. Gjithashtu, i zoti i shtëpisë, thirrësave dhe marrësave ua përcaktonte se ku duhej të drekonin dhe zakonisht ishin miqtë më të afërt të familjes ku ata duhej të hanin drekën. E enjta para ditës së martesës për djalin, apo e premtja për vajzën, kanë shënuar zyrtarisht, në se mund ta perifrazojmë kështu, hapjen e dasmës në fis dhe në miqësi. Miqtë e ftuar, zakonisht kanë ardhur tek dasma një natë para se krushqit të shkonin e të merrnin nuse, shumica, se disa kanë arritur vetëm për drekë, ashtu siç i zoti i shtëpisë që organizonte dasmën i kishte thirrur. Kjo sipas afërsisë dhe rangut në miqësi. Bijat zakonisht kishin shkuar më përpara, por edhe dajat apo miqtë e tjerë më të afërt janë thirrur për dy apo më shumë vakte gostie.
Familja e nuses i shpërndante thirrësat e marrësat një ditë më vonë; d.m.th. ditën e premte, dy ditë para dasmës. Edhe këtu, krahas detyrave, janë përcaktuar edhe se ku ata duhej të bënin drekën. Në darkë, kur janë kthyer e grumbulluar të gjithë thirrësat e marrësat, kanë shtruar gostinë dhe pas gostisë janë raportuar të gjitha sa kanë ndodhur dhe kanë treguar se me se janë shpërblyer nga miqtë kur kanë qenë atje e i kanë thirrur. Herë-herë, kjo gjë ka ndodhur para shtruarjes së gostisë në çastin kur janë grumbulluar të gjithë në shtëpi, duke pasur parasysh që të mos harrohej ndonjë detaj që duhej diskutuar apo ndrequr. Dhuratat kanë qenë peshqirë faqesh, çorape burrash, shami grashë, apo xhepi burrash, e para̍ me shuma të ndryshme që secili ishte i detyruar t’i raportonte para të zotit të shtëpisë duke treguar nderën e secilit mik të ftuar. Gjithashtu, aty është raportuar edhe për ndonjë të papritur, apo ndonjë të paarritur për t’u ftuar, në se ka pasur të tillë duke mos i gjetur në shtëpi apo që edhe mund të jenë harruar. Janë treguar këto me qëllim që të ndreqeshin në ditën që pason, po të ishte e mundur. Kështu ka ndodhur në të dyja dasmat; si atë të djalit, ashtu edhe atë të vajzës. Pasi janë përfunduar këto raportime dhe thirrësit e shërbyesit e tjerë kanë ndarë në mënyrë të barabartë paratë e dhuruara nga miqtë(këtë nuk mund ta them me siguri për të gjitha fshatrat e tjerë të zonës, por veç mund ta konfirmoj për fisin të cilit i përkas që ka ndodhur pikërisht kështu), i zoti i shtëpisë ka përcaktuar detyrat për të gjithë pjesëtarët e fisit. Ndër detyrat kryesore janë: detyra e të zotit të shtëpisë, që zakonisht nuk është e nënkuptueshme që mund të jetë i zoti i dasmës, apo babai i dhëndrrit a i nuses; mund të jetë një i afërm i tij apo ndonjë nga fisi; detyra e akshixhisë (kuzhinierit); detyra e rakixhisë dhe e kafexhisë; detyra e krushkaparit; petkaxhinjtë; arkaxhinjtë(ata që shkonin për të marrë arkën e nuses apo raftin në kohët e mëvonshme); deverit; gatojsave; atyre që duhet të siguronin drutë e zjarrit; atyre që duhej të shkonin në mulli për të bluar drithin; kamerierët; shoqërueset e nuses; djalit që duhej t’i rrinte nuses në prehër; e disa gjëra të tjera që kanë të bëjnë me dasmën dhe mbarëvajtjen e saj.
Në kohërat e mëvonshme këto detyra filluan të reduktoheshin, madje të hiqeshin për fare, nga që kushtet ndryshuan sipas kohërave. Kështu, detyrën e kuzhinierit filluan ta kryenin njerëz të pajtuar nga kryefamiljari me para. Kuzhinieri që binte në ujdi me të zotin e shtëpisë që bënte dasmën, i sillte me vete edhe ndihmësit e tij të cilët filluan të kryenin edhe detyrat e kamerierit. Por në fillim ndihmonin njerëzit e afërt të dhëndrrit. Kuzhinierët filluan të sillnin me vete edhe takëmet e kuzhinës si pjata, lugë, pirunj e thika si dhe enët ku gatuheshin harxhet e dasmës. Më përpara takëmet e kuzhinës dhe çdo gjë tjetër, siguroheshin nga anëtarët e fisit dhe të afërmit. Pra detyra e kuzhinierit(akshisë) u reduktua dhe u zëvendësua me kuzhinierë të punësuar që mund të mos ishin nga fisi, madje as edhe nga fshati. Sot edhe ky lloj kuzhinieri po shkon drejt eleminimit nëpër dasma, pasi po preferohen dasmat e zhvilluara nëpër lokale dhe vetë lokali i merr përsipër të gjitha problemet e kuzhines dhe çfarëdo që lidhet me to. Gjithashtu, në kohërat e reja, janë eleminuar disa detyra të tjera si ajo e thirrësave, pasi mysafirët tashmë njoftohen me ftesa të shkruara dhe standarde, ose me telefon. Gjithashtu, sot nuk pritet dita e enjte apo e premte për të thirrur apo shpërndarë ftesat për mysafirët, por ditë e javë më parë se dasma të kryhet dhe shpesh caktohet edhe ora dhe vendi ku zhvillohet ceremonia, d.m.th. lokali ku bëhet dasma, kur pronetohet një lokal për dasmën. Po ashtu, prej kohësh ata që duhej të siguronin miellin apo drutë e zjarrit për gatimin e harxheve, u eleminuan që herët, pasi buka sigurohej e gatshme nga furrat e kooperativave bujqësore përkatëse, apo drutë ishin blerë qëkuri, pasi pyjet e fshatit kishin avulluar, po ashtu, qëkuri. Raftat e nuses, gjithashtu, ose i kishin siguruar dhëndurrët në dhomat e gjumit, ose në fillim, silleshin së bashku me nusen kur ajo merrej me makinat e kooperativës që ishin gjithashtu kamionë transporti e për pasojë nuk kishte nevojë të caktohej ndokush për këtë punë, veçse, ndoshta formalisht në fillime. Në hershmëri, kur nuk ekzistonin mjete transporti automobilistike dhe rrugët, gjithashtu ishin të papërshtatshme, arkat e nuseve transportoheshin me qerre e qe. Shih foton e më poshtme:
Ndryshimi i kushteve dhe formës së organizimit të dasmës, ndikoi edhe tek kënga e dasmës, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në reduktimin e saj deri në pauzë të plotë të saj, për të mos thënë më të keqen, në vdekjen e saj të plotë. Filluan të pajtoheshin, krahas kuzhinierëve e kamerjerëve, edhe orkestra e këngëtarë dhe kënga tradicionale filloi të tkurrej dhe të heshtte pothuajse tërësisht. Madje sot, ata që bëjnë ndonjë dasëm djali apo vajze, i drejtohen ndonjë agjensie që organizon ceremoni të tilla dhe ato agjensi i organizojnë në mënyra dhe forma nga më të ndryshmet jashtë çdo kornize tradicionale. Sigurisht, unë nuk marr përsipër të bëj analiza se cila është më e bukur e cila jo; tradicionalja e hershme, apo modernja e sotme me larmitë e ekzibicioneve nga më të ndryshmet, por i kushtohem vetëm asaj dukurie që ka të bëjë me temën kryesore: këngën tradicionale të dasmës zadrimore. Kohët moderne e eklipsuan atë deri në zhdukje. Edhe diçka tjetër ndryshoi, madje për mire. Tani më edhe në dasmën e vajzës këndohet dhe bëhet gëzim e hare, por jo me këngë tradicionale dasme, por me DJ apo orkestra të pronetuara nga familja, kështu edhe martesa e vajzës u kthye në një ditë të gëzueshme duke e grisur përfundimisht zymtësinë e dikurshme që e pllakoste atë përgjithësisht. Zakonisht, në kohët e reja lidhjet në çift bëhen mbi bazën e dashurisë, por edhe kur bëhen me shkuesi, përsëri lidhjet bëhen me njohjen dhe pëlqimin e të dy të rinjve që do të krijojnë familjen e re.
Sipas detyrave që cilësova më sipër edhe dasma zhvillohet sipas periudhave të caktuara e të rëndësishme. Ditën e shtunë në mëngjes, mblidhen përsëri njerëzit e fisit dhe shpërndahen në detyrat e caktuara. Para se të shpërndahen, shtrohet rakia e mezetë. Pas kësaj, ata që janë caktuar për të çuar dhantitë(petkat e nuses) bëhen gati dhe nisen e çojnë dhantitë. Më parë se të nisej dhantia, hapeshin shamitë me dhanti dhe shpaloseshin para të pranishmeve e tregoheshin se çfarë ishte për nusen e çfarë ishte caktuar për njerëzit e tjerë, çfarë duhej të vishte ditën e dasmës e çfarë duhej të vishte në ditët në vazhdim. Cilat ishin stolitë dhe si ishin përgatitur ato. Të pranishmit i shihnin dhe jepnin mendimet dhe opinionet e tyre dhe pastaj ia merrnin këngës duke lavdëruar cilësinë e atyre materialeve që ishin përgatitur për t’u çuar për dhanti.
“Mhyri i nuses safi ar, safi ar/
Baba vjehërr faqebardhë, faqebardhë
Mhyri i nuses me flori, me flori
M’ia gëzofto nusja e tij, nusja e tij” e kënga vazhdonte edhe me artikujt e tjerë që paraqiteshin para të ftuarve duke lavdëruar cilësinë e tyre. Pastaj, pasi materialet mblidheshin në shaminë e dhantisë, grate e pranishme ia merrnin këngës: “Mbarë e mirë mblidhet shamia” e pasi niseshin ata që ishin caktuar për të çuar dhantinë, përsëri gratë e pranishme aty në atë ceremoni ia merrnin këngës: “…Baba vjehërr çon dhanti”. Këto fjalë, sigurisht, janë pjesë e këngës ku u këndohet edhe nënës apo edhe xhaxhait të dhëndrrit, krahas babait të tij.
Me çuarjen e dhantisë dasma vazhdon. Në dasmën e vajzës ka qenë zakon që ata që shkonin atje për të çuar dhantinë do të rrinin atje dhe do të drekonin aty. Diçka karakteristike ka qenë që para se të shtrohej dreka, të paraqiteshin e të shpaloseshin dhantitë në prani të të pranishmëve që ishin mbledhur tek shtëpia e nuses për ta pritur dhantinë. Zakoni e donte që edhe çdo gjë po të ishte e përsosur, diçka duhej sharë e refuzuar nga të pranishmit(nuk e di se pse), lë pastaj kur diçka ishte bërë vërtetë me varfëri dhe vërtetë nuk i plotësonte dëshirat e palës pritëse. Atëherë vërejtjet ishin edhe më të acarta dhe të vërteta, madje kishte edhe raste kur diçka që nuk ishte siç dëshirohej, refuzohej e kërkohej me forcë që të ndreqej, madje kërkohej edhe gjobë nga pala e nuses kundrejt palës së dhëndrrit ku kjo e dyta duhej medoemos ta paguante, ndryshe kishte rrezik që dasma edhe tëprishej, kështu që nga pala e dhëndrrit shkonin edhe të përgatitur mirë me xhepat plot për ndonjë të papritur. Zakonisht, këto dukuri kanë qenë mjaft të rralla në Zadrimë, pasi populli ka qenë në shumicën dërrmuese mjaft mirëkuptues e tolerant, por mund të ketë pasur aty-këtu edhe grindavecë që kanë bërë përjashtim nga shumica e cilësuar. E cilësova këtë fakt se dasma nuk ka qenë vetëm gëzim e hare, por edhe kokëçarje e madhe për atë që e organizonte dhe ishte mjaft stresante në shumë drejtime. Një nga drejtimet stresuese sapo e paraqita dhe mund të them se ka pasur edhe shumë të tjera. Megjithatë, rastet stresante nuk janë paraqitur edhe aq shumë në këngët që kanë shoqëruar ceremoninë e dasmës, në mos fare. Janë paraqitur momentet e gëzueshme dhe shkarazi anët stresante për të zotët e shtëpisë që kanë organizuar dasmën. E tillë mund të themi ishte edhe kënga pas dasmës ku u këndohet dasmorëve pjesëmarrës në dasëm ku u lutet atyre të thonë se dasma ka shkuar mirë, që të mos i shajnë, por t’i lavdërojnë, jo vetëm për nusen që kanë marrë, por për të gjitha problemet e mbarëvajtjes së dasmës.
Një moment tjetër i dasmës ka qenë edhe pritja e miqve e cila është shoqëruar me këngë. U është kënduar dajave kur ata kanë mbërritur tek shtëpia e dhëndrrit-nip e sidomos dhuratave që ata kanë sjellë e në mënyrë të veçantë dashit të dasmës. Daja që ishte caktuar ta bënte këtë dhuratë duhej ta sillte me vete dashin. Thashë daja që ishte caktuar, jo pa qëllim, pasi mund të kishte qëlluar që nëna e dhëndrrit të kishte shumë vëllezër dhe motra dhe jo domosdo vëllai i madh i saj duhej ta sillte dashin, pasi në atë dasëm mund të ishte caktuar nga vëllezërit e saj i dyti apo i treti sipas radhës që do t’i takonte ta kryente atë detyrë, pasi të tjerët mund ta kishin kryer atë detyrë në dasma të tjera tek ajo motër apo tek motrat e tjera dhe ishte paracaktuar në njëfarë mënyre edhe radha. Dashin duhej ta tërhiqte daja i caktuar për atë detyrë dhe dikush duhej t’i grahte nga pas atij. Dashi kishte edhe cilësitë e paracaktuara; të mos ishte i vogël dhe i dobët se ndryshe ia shanin, të mos ishte shyt, d.m.th pa brirë dhe, gjithashtu, në brirët e dashit ishte zakon të viheshin dy kokrra mollë të kuqe. Krahas dajave grate zadrimore kanë pasur për detyrë t’u këndonin edhe dasmorëve të tjerë që vinin të shtunën në mbrëmje në dasëm. Sigurisht, dikush i informonte ata se cili mik po ia mbrrinte në ato çaste dhe ato ishin të detyruar ta njoftonin mbërritjen e tij me këngë. Dajallarët, në kohën kur fshatarëve nuk u lejohej të mbanin bagëti në shtëpitë e tyre dhe s’kishin ku ta merrnin dashin, s’kishin as ku ta blinin, u detyruan që ta kompesonin me para të thata duke i lëshuar ato si dhuratë dasmeje, për pasojë edhe kënga që lidhej me sjelljen e dashit, ose ndryshoi formë, ose nuk u këndua fare.
Sigurisht, mbërritja e miqve ishte një moment i rëndësishëm, por nuk ishte momenti kyç i dasmës. Një moment tjetër ka qenë edhe dhënia e dhuratave nga miqtë e rëndësishëm e sidomos nga dajat apo ndokush tjetër i rëndësishëm aty në dasëm. Edhe në këto raste janë kënduar këngë ku i rritej ndera atij që bënte dhuratën.
“Daja(Filan) lëshon flori, lëshon flori
Lshon flori përzi me ar, përzi me ar,
Daja jon-o faqebardhë, faqebardhë” ose
“Ai ma pastë faqen e bardhë”
Gjithashtu, edhe shtruarja e gostisë është shoqëruar me këngë ku grisheshin mysafirët të hanin e të pinin e t’ia rritnin nderën të zotit të shtëpisë, ta ngrenin filxhanin(gotën) e rakisë me radhë duke iu drejtuar kreut të sofrës të cilin në dasmën zadrimore detyrimisht e zinte daja i djalit e pas tij rreshtoheshin miq të tjerë sipas vlerës e largësisë së tyre. Në Zadrimë nuk janë vlerësuar njerëzit sipas bajraqeve si në Mirditë apo vende të tjera, por sipas largësisë e sipas rangut të miqësisë. Duhet thënë se në Zadrimë, vende nderi kanë zënë njerëzit me potencë intelektuale më parë se dikush mund të ishte i një bajraku apo një tjetri e gjithashtu, krahas këtyre edhe pushtetarët, po të kenë marrë pjesë në dasëm. Ndryshe nga zonat e Mirditës a gjetk ku kreun e dasmorëve e zinte edhe në tryezë (sofër) krushkamadhi, në Zadrimë e zinte daja i djalit në rastin e dasmës së djalit, apo i vajzës në dasmën e vajzës. Krushkapari në dasmën zadrimore, mund të ishte më së shumti në këmbë duke u shërbyer mysafirëve, apo duke qëndruar aty për t’u dhënë muhabet e për t’i nxitur të hanë e të pinë pa rezerva e të bëjnë qejf sa më shumë, duke vigjëluar që mysafirëve të mos u mungojë asgjë. Kur bëhet fjalë për dasmën zadrimore dhe gostinë e saj, duhet nënvizuar dhe cilësuar se në të shumtën e rasteve ka shkuar e qetë dhe e patrazuar nga grindavecë kolimë. Përgjithësisht nuk janë lejuar të hidhen rromuze në adresë të njërit apo tjetrit mysafir e, në se ka pasur ndonjë rast, i zoti i shtëpisë është përpjekur ta shuaj në çast duke ia bërë të ditur se aty ishin të gjithë të barabartë dhe nuk i vinte mirë që ndokush të ngacmonte e të ofendonte ndokënd, ndryshe ishte i detyruar t’i dëftonte derën kujtdo që nuk i përmbahej kësaj kërkese. Sigurisht, elekuenca dhe takti ishin mjaft të zgjedhura në këto raste, se i zoti i shtëpisë nuk donte të prishej me asnjërin prej mysafirëve.
Ditën e diel(në të shumtën e rasteve të hënën sidomos para viteve gjashtëdhjetë) krushqit janë rreshtuar dhe janë nisur për të marrë nusën. Para se të niseshin, uleshin dhe hanin e pinin diçka sidomos meze me djathë dhe petulla e raki e pastaj niseshin. Nuk ka pasur numër të caktuar krushqish tradicionalisht. Zakonisht shkonin vetëm burrat, por më vonë kanë shkuar edhe gra, vajza e djem të rinj, por edhe fëmijë sipas dëshirës. Më vonë dikush filloi edhe ta përcaktojë numrin, nga që tek nusja shtrohej banketi për të pritur krushqit dhe banketi kishte numër të kufizuar vendesh. Sigurisht, kjo në kohët e mëvonshme, kur vendin e sofrave e zuri tavolina apo banketi. Nga ana tjetër duhet thënë se i vetmi që nuk shkonte apo nuk lejohej të shkonte të merrte nuse (gjithnjë bëhet fjalë në kohërat tradicionale paramoderne) ishte vetë dhëndrri dhe ishte tabu. Shkuarja e tij atje ishte herezi e turp, prandaj babai nuk e lejonte dhe gjithashtu edhe babai i nuses nuk e pranonte një gjë të tillë. Gjithsesi, dua të theksoj këtu se edhe nisja e krushqeve është shoqëruar me këngë të posaçme, qoftë me seriozitet e herë me nuanca humori.
Ardhja e nuses në shtëpinë e dhëndrrit ka qenë një moment i veçantë. Dikush nga krushqit, por edhe nga ata që ishin në shtëpi dhe ruanin rrugën për të pikasur mbërritjen e krushqëve me nuse, ka rendur më parë se të tjerët dhe ka dhënë sihariqin(lajmin) e arritjes së krushqëve me nuse dhe ka kërkuar mizhden(dhuratën) nga nëna e dhëndrrit e kur kjo ka hezituar t’i jepte ndonjë dhuratë, ky ka tentuar t’i heqë asaj peshqirin nga koka. Me këtë lajm janë organizuar grupet e grave që kanë dalë t’i këndojnë arritjes së nuses në fshat e pastaj në mëhallë e së fundmi në oborr e në shtëpi.
“Karajfil sapun
Nusja hyn n’katund”…..
Një dukuri tjetër ka qenë se kur nusja ka arritur në oborrin e shtëpisë e kanë zbritur nga kali. Kjo është konsideruar në konceptin popullor caku i një ndryshimi të madh në jetën e saj, ndaj shpesh përdorej shprehja popullore për gratë “Aty ku t’ka shkarku kali….”. Por gjithashtu në këtë moment janë kryer edhe rite të tjera të veçanta duke hedhur grurë apo oriz dhe karamele mbi kokën e nusës nga ndonjëra prej grave të shtëpisë apo të fisit që ka qenë caktuar për këtë rit. Dikush ka marrë një fëmijë të vogël, kryesisht djalë dhe e ka kaluar tri herë radhazi nga shpina e kalit e duke e kaluar nën barkun e tij duke e qarkuar, kështu, nga djathta në të majtë. Po kështu në dhomën e nuses i kanë dërguar një djalë të vogël të familjes apo të kushërinjve më të afërt dhe ia kanë vënë nuses në prehër për ca minuta dhe pastaj ajo e ka peshqeshuar atë me një palë çorape fëmijësh përgatitur nga ajo enkas për këtë rit. Kështu kanë vazhduar edhe rite të tjera si kafshimi i mollës apo i karameleve përgjysëm me dhëndrrin, pirja e kafesë nga nusja e më pas nga dhëndrri me një napolon floriri në filxhanin e kafesë e shumë gjëra të tjera. Nuk jam i sigurt në se këto rite janë shoqëruar me ndonjë këngë të veçantë dhe unë nuk kam gjetur, nuk më janë kujtuar dhe kështu, nuk kam pasqyruar ndonjë të tillë të veçantë. Sigurisht, mund të ketë pasur edhe shumë këngë të tjera për rite të tjera që unë jamë përpjekur t’i pasqyroj, por mundet që edhe mjaft nga ato nuk kam arritur t’i gjej e t’i pasqyroj këtu, megjithëse ato që kam gjetur dhe paraqitur këtu së bashku me variante të ndryshme afrohen tek numri 200, madje mund ta kalonte atë, po të kisha paraqitur edhe ato këngë e balada që shpesh janë kënduar nëpër dasmat zadrimore, por që janë kënduar gjerësisht edhe në zona të tjera, siç janë:”Kënga e Rexhës”, “Ku këndon njaj zogu i zi”, “Halil Gashit”, “Musa i vogël”, “Te tanë Shtufi asht mbledh n’kuvend”, “Kuvendon Marta me gra”, “Ago Ymeri”, “Ku punojshin tre ustallarë”, “Zek Jakinit”, “Djali i pistullores”, “Bec Patanit”, “Shtatë shaljanët” e ndonjë tjetër si këto që shpesh janë kënduar në sofrat e burrave sidomos nga rapsodë të ndryshëm që kanë marrë pjesë në dasëm si mysafirë të ftuar, nga fisi apo nga familja në se kanë qëlluar aty. Ndoshta ka qenë me vlerë për t’i pasqyruar këtu, por unë e kamë parë jo shumë të arsyeshme, me qenë se ato i përkasin një fondi akoma më të gjerë se ky që mora përsipër të paraqes këtu. Sigurisht, këngë të tilla epike ka pasur plot dhe kryesisht pronë të Zadrimës dhe veç të saj ku flitej për trimëritë dhe bëmat e individë apo grupe të veçanta zadrimorë dhe janë kënduar kryesisht në sofra dasmash zadrimore, por ato këngë nuk kam arritur t’i mbledh e t’i sistemoj këtu edhe pse vendi ka qenë edhe për ato, por ndoshta në një format tjetër. Ato ekzistojnë, ndoshta, edhe në ndonjë arkiv apo studim të veçantë të mbledhura në hershmëri dhe mendoj se një nga kontributorët e veçantë ka qenë edhe Dom Gaspër Gurakuqi e ndonjë tjetër.
Me qenë se pak a shumë i kam përshkruar deri këtu gati imtësisht ritet e kësaj dasme, më duhet të nënvizoj edhe një traditë tjetër të veçantë të kësaj dasmeje. Kur dasmorët hyjnë në fshat, bashkëfshatarët e dhëndrrit, në rrugën nga kalonin krushqit kanë dalë me petulla, me mjaltë, djathë e me raki e i kanë gostitur krushqit duke nderuar vetën dhe të zotin e asaj shtëpisë që organizonte dasmën.
Momente pritjeje të krushqeve me raki, petulla dhe mjaltë nga bashkëfshatarët.
Ata kanë dalë qofshin të kenë qenë të thirrur ose jo në dasëm. Por kjo ka ndodhur edhe në qoftë se nusja është marrë në një fshat të largët e ku rruga ka qëlluar t’i binte mespërmes fshatrave të tjerë. Ka qëlluar edhe kështu dhe në se në fshatin ndërmjetës ka qëlluar të ketë pasur mysafirë të ftuar në atë dasëm, përsëri aty diku në rrugën nga kanë kaluar krushqit familjarët e mysafirit të ftuar kanë dalë me raki e meze(mjaltë, djathë e petulla), sidomos kur mysafiri ka pasur një lidhje shumë të afërt me të zotin e dasmës. Gjithashtu, edhe në fshatin e nuses kur është marrë nusja disa nga njerëzit e nuses, kushërinj apo xhaxhallarë e njerëz nga fisi shoqëronin krushqit deri në dalje të fshatit dhe në dalje të fshatit janë ndalur dhe kanë pirë rakinë e krushqëve që kishin marrë ata me vete. Si zakon ishte që ndonjëra prej atyre shisheve me raki duhej boshatisur e thyer. Mbase ndonj zakon pagan apo diçka supersticioze e krijuar si traditë.
Me arritjen e krushqëve dhe të nuses fillon një fazë e re e dasmës. kënga dhe vallja zien me më shumë vrull dhe shtrihet në shumë pika e etapa të saj. Aty i është kënduar nuses, dhëndrrit, të zotit e të zojës së shtëpisë, krushqëve, apo edhe këngë të tjera që këndojnë me instrumenta e kryesisht me çifteli e që flasin për trimëritë e popullit apo balada të ndryshme. Më së shumti i këndohej bukurisë së nuses, këshilla të ndryshme se si duhej të sillej në familjen e re duke respektuar vjehërrinë e kunatinë e shumë të tjera.
Pasi mbaronte dreka e shtruar, krushqit shpërndaheshin dhe përsëri ata i përcillnin me këngë, por kjo nuk ka shënuar fundin e dasmës e aq më tepër të këngëve që do t’i këndoheshin këtij evenimenti. Në mbrëmje mblidheshin shokët dhe dashamirët e dhëndërrit dhe vazhdonin me këngë e me valle, si ata që kanë qenë të thirrur në dasëm, ashtu edhe ata që kanë qenë të pathirrur, sidomos bashkëfshatarët e fisi. Shumica vinin aty edhe për t’i bërë shyqyrin (urimin), por edhe për të parë nusen, për të kënduar e hedhur valle. Sigurisht, që të gjithë janë pritur e gostitur me meze e raki. Dasma vazhdonte edhe të nesërmen dhe ajo ishte siç i thoshin, dasma e dajave dhe e kumbarëve. Zakonisht, të nesërmën nusja dhe dhëndrri shkonin e vinin kurorë. Dreka ka qenë shtruar e bollshme dhe është therur dashi i dajave ku daja është nderuar duke i vënë përpara kokën e dashit. Në Veri përgjithësisht është nderuar miku duke i vënë në pjatë kokën e një dashi apo të një qingji. Në Jug është nderuar duke i vënë pjesën e bishtit. Edhe në këtë drekë janë kënduar këngë dhe dasma ka qenë e gjallëruar, por jo sa në ditën e marrjes së nuses. Nusja, prap nuk është ulur në sofër me të tjerët, por ka nusëruar si në ditën e parë. Pas dasmës nusja në ditën pasardhëse ka hequr rrobat e rënda të nusërimit si koretin e shamiat(më vonë, në kohërat e reja, velin e kurorën) dhe është ngritur herët dhe ka filluar nga punët apo detyrat e saj si nuse duke u nxjerrë ujë njerëzve të shtëpisë për t’u larë, por edhe të ndonjë mysafiri të mbetur aty. Pastaj asaj i kanë dëftuar se ku ishte kroi apo pusi ku duhej në ditët në vazhdim të shkonte e të mbushte ujë atje. Dikush i printe asaj dhe e çonte atje dhe përsëri e shoqëronin me këngë të veçanta krijuar posaçërisht për këto momente. Me këto dasma pothuajse ka përfunduar, por ka pasur edhe një moment tjetër kur nuses i është kënduar përsëri, ditës kur ajo ka shkuar në gjini për pasim, dy javë pas dasmës. Në gjini ka qëndruar tri javë dhe pastaj përsëri e ka sjellë dikush nga familja e saj, një nga vëllezërit e në mungesë xhaxhallarët, apo kushërinjtë e saj më të afërt, ose së fundmi i ati. Në gjini e ka çuar vjehrri si zakonisht, ose një nga kunetërit apo xhaxhallarët e dhëndrrit. Edhe në rastin kur ka shkuar për pasim në gjini, nuses i është kënduar këngë e veçantë dhe me kaq kënga e dasmës zadrimore e ka përmbushur misionin e saj.
Përveç momenteve dhe etapave të zhvillimit të dasmës, një karakteristikë e veçantë e zonës së Zadrimës ka qenë edhe tradita e veshjes sidomos e gruas zadrimore. Pa diskutim ka qenë një traditë e veçantë dhe unike e krejtësisht e papërsëritshme larmia e veshjes sidomos e nuses zadrimore. Fjala është, sigurisht, për veshjen tradicionale popullore, pasi në kohërat e reja, gati si me detyrim u ndërrua kjo veshje dhe u unifikua me atë të qytetit e u la pothuajse në harresë tërësisht. Në fillim të ndryshimeve të asaj veshjeje, filluan të dukeshin dualizma të theksuara. Filluan intelektualët ta jepnin të parët shembullin e ndryshimeve e pastaj edhe disa të rinj që insistonin t’i merrnin nuset e tyre me rroba qytetare, nga që u dukej më moderne kjo gjë. Më vonë u ndryshua krejtësisht dhe ishin të rralla ato nuse që visheshin me rroba tradicionale popullore e kjo bëri të dukeshin tejet të kaluara mode e mjaft arkaike. Gjithësesi, në fillimet e veta edhe kjo dukuri pati dualizmin e vet e në mënyrë të veçantë kur një vajzë bëhej nuse me rroba qyteti me vel e me kurorë, përsëri kishte të gatshme një palë rroba tradicionale popullore dhe këto i vishte nëpër evenimente të ndryshme e sidomos nëpër dasmat e të tjerëve. Në të vërtetë do të dukej si paradoks që kjo nuse në ditën e saj të martesës ishte bërë nuse me vel e kurorë, d.m.th. me rroba qytetare dhe në dasmat e të tjerëve vishej si nuse e re me rroba tradicionale popullore. Unë them se nuk ishte aspak paradoks. Tradita e shkelqyer e punimit të rrobave tradicionale popullore dhe finesa e mjeshtëria e përgatitjes së këtyre rrobave ka qenë mjaft e përkryer. Kjo ka bërë që vajza zadrimore ka ëndërruar për atë bukuri dhe hijeshi që i kanë dhënë e do t’i jepnin ato rroba. Ka qenë e padiskutueshme hijeshia e veçantë që është sjellë tek nusja zadrimore nga veshja tradicionale.
Me që ra fjala për këtë traditë të shkelqyer të zonës së Zadrimës që pothuajse tashmë mund të konsiderohet e vdekur, dua të shpreh këtu nderim të veçantë për ato gra të fshatit Blinisht të Zadrimës që kanë ngritur një repart artizanati në përpunimin tradicional të veshjes së gruas zadrimore e në mënyrë të veçantë të nuses zadrimore, por nderim edhe më të thellë akoma, për bashkëfshatarin tim të nderuar Llesh Prendi, mjeshtrin e fotografisë që veshjen zadrimore e ka fiksuar në të gjitha variantet e moshave nëpërmjet celoluidit të aparatit fotografik dhe i ka bërë publike në rrjetin social facebook. Patjetër që është një punë e shkelqyer dhe e lavdëruar, pasi kjo traditë e shkelqyer, muzeale tashmë, në asnjë mënyrë nuk duhet të zhduket, por të ruhet e të kujtohet brez pas brezi. Këtë punë të shkelqyer, padiskutim e patën filluar Marubët e famshëm me origjinë nga Kodheli i Zadrimës, e në vazhdimësi që padyshim meritojnë të nderohen dhe respektohen si dhe shumë të tjerë që e kanë kryer dhe vazhdojnë ta kryejnë këtë mision me shumë pasion e përkushtim dhe ata janë të shumtë. Një ndër ta është edhe i nderuari Ndoc Shabani nga fshati Pleshë që ka paraqitur dhe vazhdon të paraqesë kulturën popullore jo vetëm të Zadrimes, por akoma më gjerë dhe jo vetëm në veshjet tradicionale, por shumë më shumë se aq. Mendoj se muzetë e botës, janë të paplotësuara në se në paraqitjen e kulturave të përbotshme, mungojnë veshjet tradicionale popullore zadrimore e sidomos ajo e nuses zadrimore me të gjithë aksesorët e mundshëm.
Padiskutim brezat që vijnë do t’u jenë shumë mirënjohës këtyre që kanë kontribuar në evidentimin e vlerave të këtij evenimenti. Gjithashtu, një mirënjohje e veçantë u shkon edhe ish-njësive komunare Gur i Zi dhe Hajmel të Shkodrës si dhe të Dajçit të Zadrimës që improvizuan dhe arkivuan vlerat kulturore të Zadrimës në organizimin e dasmës zadrimore me titullin “Rituali i dasmës zadrimore” me kontributin organizimin dhe regjinë e të talentuares dhe të pasionuares Terezina Shtjefni. Aty, jo vetëm shpaloset një pjesë e këtij rituali, por edhe një pjesë të këngëve të kënduara në dasmën zadrimore. Gjithashtu, aty janë paraqitur edhe detajet e veshjes zadrimore shfaqur e shpalosur nga pjesëmarrësit në atë show arkivor. Këtu më poshtë po mundohem t’i paraqes detajet e kësaj veshjeje.
Një karakteristikë e veçantë dalluese për veshjen e nuses zadrimore ka qenë koreti që ishte i punuar nga një copë e ngjyrosur zakonisht, me ngjyrë të kuqe dhe të zezë të errët. Punimi i kësaj veshjeje më së shumti ka qenë punuar me fill të trashë leshi apo lini e mbase jo i punuar me shajak. Koreti vishej në ditën e martesës dhe pastaj zëvendësohej me mbështjellake, apo me mbështjellësin që ishte më i lehtë, pasi ishte punuar me fill më të hollë. Koreti kishte formën e një fustani kuq e zi me një fund me pala. Pjesa e sipërme e koretit si dhe ajo e poshtme zakonisht ishte e kuqe, ndërsa mesi ishte i zi. Nuk është gjë çudi që mundet të ketë qenë një motiv popullor i imitimit të flamurit tonë kombëtar.
Koreti
Kështu ishte edhe mbështjellësi, por jo në formën e një fustani, por fundi krejtësisht të zi, ndërsa mshtjellakja të cilën e kanë veshur gratë e të gjitha moshave, ka qenë e punuar me një copë të zezë të linjtë, pa pala dhe përdorej si boçe e vishej nga pjesa e pasme e femrës, kurse nga pjesa e përparme e zinte boçja e kuqe. Koreti gjithashtu ishte i shoqëruar edhe nga shamitë të cilat në të shumtën e rasteve ishin të një cilësie të lartë prej mëndafshi apo prej kashmiri.
Gjithësesi, ato zgjidheshin me shumë kujdes si nga kombinimi i ngjyrave, ashtu dhe nga cilësia e materialit apo e punimit. Në kohërat kur Shqipëria ishte e hapur me botën, nuk kishte fare vështirësi t’i gjeje në treg, por më vonë kur shteti komunist ia mbylli dyertë botës të depërtohet në tregjet e vendit, u bë e vështirë të gjendeshin sipas dëshirës, por edhe kur gjendeshin, çmimet ishin mjaft të larta dhe ata me ekonomi të dobët nuk arrinin t’i blinin, po mund t’i huanin apo i gjenin me cilësi të ulët. Kur munguan totalisht në treg, kur edhe gratë e zonës së Zadrimës i kishin shkundur arkat e tyre dhe i kishin shitur ato për bukën e gojës së kalamanjve të tyre në tregun fshatar që bëhej zakonisht në Shkodër, filluan të huaheshin apo të dhuroheshin nga ato nëna apo plaka që kishin arritur t’i ruanin me fanatizëm. Kur nuk ishte e mundur të gjendeshin as në këtë formë, baballarët që e kishin për detyrë t’i gjenin ato, vraponin nëpër qytete e vende më të largëta se Shkodra dhe duhej t’i gjenin doemosdo, edhe pse jo cilësisht nuk diskutohej të ishin si ato që kishin qenë dikurë. Mund të gjendeshin shami atllasi apo poplini ndoshta me shumë vështirësi, por kurrë nuk i zëvendësonin shamitë e hershme prej kashmiri apo mëndafshi, ndërsa shamitë prej faqelli(pambuku) nuk preferoheshin dhe nuk mundën t’i zëvendësonin dot ato. Shamitë prej faqelli bliheshin veç për të bërë peshqeshe grash, pasi përdoreshin në raste nevojash. Kjo gjë u bë mjaft lehtësim kur nisi të ndryshonte tradita dhe vendin e koretit e shamive e zuri veli i bardhë i nusërisë që fillimisht gjithashtu ishte vështirë ta gjeje nga që varfëria ishte e madhe dhe gjithashtu tregjet ishin mjaft të varfëra nga mbyllja e vendit me botën e ky ishte shkaku kryesor i mungesave të përgjithshme. Duhej rendur në qytete dhe duhej gjetur tek ndokush që e kishte ndonjë vel e kurorë nusesh në ndonjë sënduk e që e jepte me qera. Filluan ta bënin si bisnes të vogël dhe ato nuse që i merrnin ato vela në një farë mënyre ishin reklamueset e bisnesit të tyre.
Koreti dhe shamitë shoqëroheshin nga këmishat e të linjtat të punuara me harkat e mëndafsh të bardhë dhe dorëzat, qafëzat(kolirat) si dhe këmbëzat e të linjtave ishin të qëndisura gjithashtu me finesë të veçantë me fill mëndafshi. Të linjta quheshin mbathjet e gjata të femrave dhe që nuk ishin aspak të thurura nga produktet e lirit, por nga kambriku i bardhë apo pëlhura e endur me fije mëndafshi e pambuku të bardhë nga vetë gratë apo vajzat zadrimore. Finesa e përpunimit dhe e përgatitjeve të këmishave dhe të mbathjeve të nuseve meriton vemendje të veçantë. Futa ka qenë pjesa e rëndësishme e veshjes që ka zëvendësuar boçen e kuqe në ceremoninë e martesës dhe është dekoruar nga shamitë e mëndafshta me lule shumëngjyrëshe. Më pas nuk është përdorur në vend të boçes, por vetëm për t’u mbuluar nga koka në raste fatkeqësishë (vdekjesh në familje apo në të afërm).
Një vend të veçantë në veshjen e nuses ka pasur edhe peshqiri i kokës që sigurisht ishte i një cilësie të lartë materiali e punimi me shumë finesë. Më dendur përdorej mëndafshi dhe harkati, ndaj dhe quhej peshqir harkat ashtu siç quhej edhe këmisha harkate. Gratë dhe vajzat zadrimore i kanë përgatitur vetë ato me vegjet e tyre vetjake dhe kanë treguar kurdoherë mjeshtëri të lartë në përgatitjen e tyre, mjeshhtëri pa të meta. Një vend tjetër në veshjen e nuses ka zënë dollama e shajaktë dhe kjo e punuar me finesë të veçantë. Nusja zakonisht e vishte në ditëtët e ftohta dhe e mbante mjaft ngrohtë. Një tjetër pjesë veshjeje ishin edhe jelekët që mbulonin pjesën e shpinës dhe të brinjëve, ndërsa në pjesën e gjoksit ishin fodullet që mbërtheheshin me njëra tjetrën me ca hallka të veçanta që viheshin nga ana e brendshme e nuk dukeshin. Në ditën e dasmës fodullet ishin të veçanta qoftë nga punimi, qoftë edhe nga cilësia. Ishin të garnituara me fije e gajtana ari e sermi, por edhe mëndafshi. Ishin të forta dhe nuk përthyheshin lehtë. Padyshim, nga mënyra e përgatitjes dhe materiali i përdorur të jep një përshtypje se kanë bërë pjesë në aksesorët e veshjes, por në të vërtetë ato kanë qenë veshje, ose më mirë të themi, pjesë e veshjes. Kanë qenë plotësim i jelekut i cili shumëherë është quajtur edhe manik(jelek pa krahë, pa mangë). Fodullet që vinte nusja ishin bërë prej dy pllakëzash metalike të mveshura nga sipër nga një copë e kuqe e kadifenjtë të imët, apo ndryshe të quajtur kamosh, në mos gabohem, dhe e qendisur me ar, argjend e mëndafsh. Në shumë raste janë punuar me filigram dhe dekoruar me gurë të shndritshëm të kuq, zakonisht, por edhe me ngjyra të tjera si jeshile apo blu dhe jo e mbuluar me copë të kadifenjtë garnituar me gajtana ari. Kjo ka qenë në varësi të gjendjes ekonomike të familjes ku bëhej dasma. Familjet e pasura përdornin mall të kushtueshëm, ndërsa të varfërat mall më të lirë e më të thjeshtë. Pra zbukurimet vinin shpesh sipas sërës nga vinin familjet, sidomos ato të dhëndrrit. Në jelek kapeshin me ca hallka të veçanta dhe po kështu mbërtheheshin edhe me njëra-tjetrën duke i dhënë një hijeshi të veçantë gjoksit të nuses. Xhamadanat e vajzave zadrimore janë përgatitur e punuar me mjaft finesë e me mjeshtëri. Nuk jam i sigurt në se edhe nuset kanë përdorur në ndonjë rast xhamadana, por këtu po përshkruaj finesen dhe hijeshinë e përgatitjes së tyre. Në përpunimin e tyre është përdorur kadifeja e imët apo kamoshi dhe gajtanat e arit apo të argjendit si dhe kombinimi me mëndafsh të ngjyrosur. Mëndafshi ka qenë traditë e Zadrimës në kultivimin e tij dhe nuk ka munguar edhe aq, por gajtanat e arit apo të argjendit janë përpunuar tek kuinxhinjtë e janë qepur tek terzinjtë(punonjësit e arit dhe rrobapunuesit përkatësisht), kështu quheshin ata dhe ishin artizanë të shquar të qytetit sidomos në Shkodër.
Këtu paraqiten një grup terzinjësh duke qepur rrobe tradicionale popullore
Jelekun me fodulle nuset e reja i kanë përdorur më gjatë se koretin e shamitë. Koretin e shamitë i kanë përdorur vetëm në raste të veçanta pas dasmës e sidomos kur nusja ka shkuar për herë të parë në kishën e fshatit, pasi edhe atëherë ajo ishte e detyruar të zbatonte disa rite nuserie. Të gjithë fshatarët që kishin shkuar atë ditë në kishë, por edhe ata që e kishin shtëpinë në rrugën nga kalonte nusja për në kishë e shihnin nusen duke soditur bukurinë e saj, ndaj dhe nusja duhej të paraqitej sa më bukur dhe sa më ekspresive. Njerëzit që kishin dalë për ta shikuar e përshëndetur, ajo duhej të ndalej dhe t’i përshëndeste duke u bërë temenara. Po kështu edhe kur shkonte tek kisha u bënte temenara të pranishmëve atje dhe pastaj e shoqëruar nga ndonjëra nga gratë e shtëpisë që mund të ishte e vjehrra apo ndonjë kunatë e saj, futej në kishë dhe, pasi i shtronin përtokë një shtrojsë të veçantë që nusja e kishte sjellë së bashku me pajën e saj, ulej dhe qëndronte aty pa lëvizur e lëvizte vetëm sipas porosive e udhëzimeve të shoqërueses së saj. Veprimet duhej t’i bënte mjaft të matura, pasi ishte pothuajse nën vëzhgimin zhbirues të të pranishmëve të cilët, nga kureshtja për ta njohur, shikonin me vëmendje dhe pastaj fillonin e bënin komentet e tyre në shtëpitë e tyre apo tek komshinjtë dhe shoqëria e fshatit. Pra i duhej të mbante qëndrim të përmbajtur e aspak të shpenguar. Ishte një nuserim i dytë i saj.
Gjithashtu, duhet shtuar këtu se karakteristikë e veçantë në veshjen e femres zadrimore ka qenë edhe prdorimi i grykësave. Ato punoheshin në vegjë si shumë gjëra të tjera që gruaja zadrimore bënte si pajë dhe takëme shpije. Jo gjatë përdoreshin fodullet e të gjitha llojeve e vendin e tyre tek gratë që e kishin kaluar fazën e nusërisë, por edhe më përpara tek vajzat e pamartuara, përdoreshin grykësat që dalloheshin nga mosha në moshë. Kur ishin gra të reja spikaste ngjyra e kuqe dhe mbizotëronte mbi ngjyrat e tjera. Me kalimin e kohës ngjyra vinte më shumë e zbardhej, jo nga vjetërsia e rrobës, por nga ngjyrat që përdoreshin më shumë aty. Tek vajzat e reja të pamartuara mbizotëronin ngjyrat e bardha në jelekët apo xhamadanët, por edhe në grykësat që përdoreshin për të mbuluar pjesën e gjoksit dhe që në një farë mënyre kryenin funksionin e sutjenave. Grykësat e bardha i përdornin edhe vajzat e moshuara që kishin qëndruar të pamartuara dhe që në gjuhen e popullit thirreshin(quheshin) me emrin “virgjinesha” ose vajza të ndejuna. Këtu nuk e kam fjalën për vejushat apo ato që kishin ndërruar veshjen me ato të burrave dhe kishin ndenjur pa u martuar. Zadrima nuk e ka pasur shumë si dukuri këtë të fundit. Edhe vajzat e vogla(fëmijët) kishin veshje karakteristike.
Vejushat, por edhe në raste të tjera zije(jaze) gratë zadrimore vishnin rroba ku mbizotëronte e zeza, ose ngjyrat e errëta me përbërje të theksuar të ngjyrës së zezë kombinuar me të bardhën apo të kuqen, që jo vetëm nuk ishin dominuese, por vetëm sa shërbenin për ta thyer disi atë ngjyrë të zezë të pastër, pasi në veshjet e Zadrimës e zeza e pastër nuk ka qenë në të gjitha pjesët e veshjes, me përjashtim të pështjellësit e më vonë mshtjellakes. Këta të fundit duhej të ishin totalisht të zeza dhe pa asnjë lloj ngjyre tjetër të përzierë në të.
Përveç atyre që përmendëm më sipër, si pjesë e veshjes së nuseve ka qenë edhe anteria, një tip xhakete edhe kjo e punuar në mënyrë artizanale nga vetë vajzat apo nënat e tyre. Anteria kishte krahë të gjatë dhe në pjesën e llërëve ishin shpesh të dekoruara me gajtana, në të shumten e rasteve të kuq dhe ngjyra të tjera sidomos në mëngët e saj, por edhe në pjesët e tjera sidomos skajore. Gjithashtu si pjesë e pajës dhe e veshjes së nuses, ishin edhe boçet e kuqe(tip përparseje) që për zonën e Zadrimës, në dallim me atë të Bushatit e të zonave të tjera ishin të gjata dhe shkonin poshtë gjurit. Një emërtim tjetër në veshjen e nuses zadrimore ka qenë edhe emërtimi maramë, por nuk jam i sigurt se kështu quhej ndonjë veshje e veçantë, apo quhej edhe kështu anteria. Boçja e kuqe tek gratë zadrimore duhej të ishte në nivelin e këmishës,madje më e gjatë se këmisha e bardhë; d.m.th. ta mbulonte këmishën që të mos dilte e të dukej poshtë saj. Mund të ishte, ndoshta pak cm më poshtë se këmisha, por kjo nuk ishte ndonjë kusht i posaçëm dhe i padiskutueshëm dhe në ndonjë rast edhe këmisha mund të ishte pak më e gjatë se boçja, por jo aq e dukshme, ama. Edhe këta ishin të punuara me mjeshtëri të veçantë dhe me ornamente e dekoracione të shumta. Tek boçet e nuseve mbizotëronte e kuqja e ndezur. Tek moshat e tjera ngjyrat vinin sa më shumë e përthyheshin sipas moshës së asaj që e vishte. Ka qenë karakteristikë se tek nuset e reja, në mesin e boçes vihej një shirit i punuar me grep dhe i dekoruar me mjeshtëri të veçantë. Tek gratë e moshave më të vjetra zakonisht nuk është përdorur ky lloj dekoracioni shpesh e, në të shumtën, fare. Këmishat gjithashtu kanë qenë të gjata dhe përfundonin njësh me gjatësinë e boçes. Në rastet e grave të moshuara dhe sidomos të atyre që kanë qenë në zi(jazë) në vend të boçeve të ngjyrave të ndryshme duke filluar nga e kuqja e deri tek ato më të çelurat, janë përdorur paftat e zeza. Mbështjellaket që viheshin nga pjesa e pasme e trupit të nuseve apo të grave, zakonisht ishin të zeza dhe ishin më të shkurtëra se boçet dhe e lejonin të dukej këmisha e bardhë në fundin e saj. Në këmbë mbathnin çorape të leshta me ngjyrë të kuqe dhe të dekoruara me ornamente e ngjyra nga më të ndryshmet dhe i thurnin me lesh delesh të ngjyrosur duke përdorur shtiza apo siç i quanin ato gjypnyrë. Mbizotëronte ngjyra e kuqe. Shpesh janë përdorur edhe kollçikët që thureshin gjithashtu me lesh delesh siç thureshin edhe trikot e çorapet. Kollçikët ishin si kallma çorapesh të gjata, por pa pjesën e shputave. Edhe këto thureshin me gjypnyrë dhe me ngjyra e dekoracione të ndryshme sipas shijeve dhe fantazive të asaj që i thurte. Gjithashtu, një dukuri e veçantë në veshjen e grave zadrimor dhe jo vetëm, por edhe e burrave ishte përdorimi i brezit, një shirit i gjatë dhe i gjerë afërsisht 20cm që mbështillte belin e gruas apo edhe të burrit. Edhe brezat punoheshin në vegjë si shumë produkte të tjera të artizanatit të veshjes zadrimore dhe ishin shumëngjyrësh, por mbizotëruese ishte ngjyra e kuqe.
Në ditën e dasmës nusja është sjellë në shtëpinë e dhëndrrit me kal shale e si zakonisht është zgjedhur që kali të ishte i bardhë.Sigurisht që jo domosdo familja që bënte dasëm, madje as ndonjë në fshat ka pasur ndonjë kal të tillë e në këto raste është huajtur e kur nuk është gjetur, është perdorur ndonjë kal shale i kuq dhe, në dijeninë time, gjithnjë mashkull e asnjëherë femër
.
Nusja në kal të bardhë. Gjithashtu në foton që paraprin shihet se në kalin e nuses ka hipur deveri dhe në kthim nusja.
Ka pasur diku në ndonjë fshat gjithnjë ndonjë të tillë dhe është huajtur bujarisht nga të zotët e tij tek ato familje që nuk kanë pasur mundësi ta kishin. Por, gjithashtu nusja ka dalë nga shtëpia e prindërve të saj duke qarë dhe e mbuluar me duvak të kuq në kokë që doemosdo ka qenë pjesë e garderobës së nuses në ditën e saj të dasmës. Edhe duvaku në shumë raste është huajtur, pasi jo të gjitha nuset do të kishin arritur ta siguronin personalisht e ta kishin pronë të tyre.
Me që jemi tek riti i nuses kur del nga dera e prindërve të saj, ashtu siç e cilësova më sipër, nusja duhej të dilte e mbuluar me duvakun e kuq dhe duke qarë me zë dhe dënesë. Ishte “turp” në se nusja nuk qante në ditën e saj më të shënuar të jetës. Në dukje paradoks. Madje, për këtë rit, ajo mësohej dhe praktikohej në një kohë mjaft të konsiderueshme. Shumë herë vajzat e vogla kur luanin me njëra-tjetrën imitonin nuset kur martoheshin duke qarë me zë si ato dhe kjo mund të quhej edhe si një farë praktikimi në lojë. Vajzën, para se të bëhej nuse e mësonte ndonjë nga gratë e familjes e në të shumtën e rasteve e ëma, por mund të thirrej edhe ndonjë grua nga fshati që mund ta kishte si punë zanati të instruktonte nuset e reja. Nusja mbase nuk qante fare me zemër, por porositej të dukej e tillë. Nën duvak asgjë nuk merrej vesh në se sytë e saj qeshnin apo vërtetë qanin, por ama duhej të dukej tek të tjerët se vërtetë qante. Kishte edhe raste, madje të shumta, kur nusja qante me gjithë shpirt e natyrshëm, madje ngashërehej prej vërteti, sidomos kur martesa bëhej pa dëshirën e saj siç rëndomtë ka ndodhur.
Siç thamë, duvaku ishte pjesë e veshjes së nuses deri në momentin kur ajo hynte në shtëpinë e dhëndrrit dhe atëherë e zbulonin nusen. Dua të theksoj edhe një detaj të vogël. Në disa raste duvaku i nuses është zëvendësuar me futën e zezë e kjo ka ndodhur kur në shtëpinë e dhëndrrit ka pasur ndonjë vdekje të dhimbshme shpejt, d.m.th. jo shumë kohë para se të bëhej dasma dhe kjo nuk ka mundur të shtyhej, por edhe po t’i ketë ndodhur edhe nuses ndonjë fatkeqësi e tillë ashtu ka ndodhur; nusja ka dalë e mbuluar me futë të zezë. Në rastin e fundit, në dijeninë time, kur nuk ka pasur vdekje tek shtëpia e dhëndrrit, por tek e nuses, asaj i është nëdërruar futa me duvak, pasi krushqit me nuse e kanë kaluar mjaft dukshëm fshatin e nuses, pra atje ku askush nga fshati i saj i shihte dhe kështu nusja ka hyrë në derë të dhëndrrit me duvak të kuq, për të mos e sjellë aty shenjën e zisë e të tersllëkut. Futa ka qenë pjesë e pajës së nuses, pasi parashikoheshin se mund të ndodhnin vdekje në shtëpi a në gjini e në të afërm e gratë zadrimore kanë shkuar nëpër morte të mbuluara në kokë me futat e zeza, prandaj secila prej tyre duhej ta kishte futën si pjesë të pajës. Futa ka qenë një mbulesë e nuseve apo e grave zadrimore që hidhej mbi kokat e tyre, ashtu siç e cilësova edhe më lart, në raste ceremonishë mortore. Ishte më e madhe se një shami e zakonshme, gati sa një çarçaf ivogël dhe jo domosdo ishte sterrë e zezë, por me nuanca të errëta të theksuara dhe mbase për nuancat e errëta krijuar nga ngjyra e zezë mbizotëruese quhej edhe futa e zezë.
Me që jemi tek kjo dukuri njerëzore që karakterizohet me ndonjë vdekje të mundshme, dua të shtoj se edhe po të ketë ndodhur në fshat ndonjë e tillë e padiskutim në fis, kënga ka qenë e kufizuar, madje, për respekt të familjes që ka qenë në zi nuk është kënduar fare. Në këto raste, kur është hapur dasma kanë shkuar pjesëtarë të asaj familjeje në zi dhe kanë hapur këngën e u kanë dhënë leje që të këndohej si në ditën e leçisë, ashtu edhe në ditët në vazhdim, por në ditët në vazhdim familja e dhëndrrit ka respektuar zinë e bashkëfshatrit e nuk kanë kënduar. Kanë kënduar lehtë e jo shumë ditën e shtunë në mëngjes kur është nisur dhantia e po kështu edhe në darkë pak duke u kënduar këngët e mirëseardhjes dasmorëve. Edhe ditën e dasmës nuk është kënduar shumë e me zë të lart si në rastet e zakonshme. Në rastet e zakonshme këndonin me zë të fuqishëm e tundej i gjithë fshati. Në këto raste, shumëherë kënga është dëgjuar edhe në fshatrat fqinjë kur këta kanë qenë shumë afër me njëri-tjetrin. Kur në fshat ka pasur ndonjë vdekje të shpejtë, d.m.th. para pak kohësh para se të bëhej ajo dasëm, dhe ka pasur familje në jazë(zi) nusja në fshat ka hyrë e kërrusur përmbys mbi shpinën e kalit me kokën ulur gati mbi qafën e kalit, pasi dikush e ka njoftuar se duhej ta kryente atë rit në shenjë respekti dhe kjo ka zgjatur deri sa ka arritur në derë të oborrit. Në derë të oborrit ka hyrë e ngritur në pozicion normal dhe i është kënduar lehtas ato këngë që shoqërojnë këto momente.
“Karajfil shatorr
Nhsja hyn n’oborr…..etj.”
Me gjithë këmbënguljen e familjes në zi, prap entusiazmi nuk ka qenë asnjëherë i plotë pasi fshatarët zadrimorë kanë respektuar njëri-tjetrin deri në maksimum. Dhimbjet dhe gëzimet i kanë ndarë së bashku sidomos në fshatrat e vegjël e të mbledhur siç ka qenë Kodheli, Baqli, Kotrri, Grashi, Zojzi, Piraj apo ndonjë tjetër.
Këpucë nusesh në variante të ndryshme. Varianti i parë është më autokton,
Një veçanti për nuset zadrimore kanë qenë edhe këpucët e saj që janë përgatitur me stil e mjeshtëri të veçantë, ndryshe nga këpucët apo opingat e thjeshta që vishnin mbarë gratë e vajzat e tjera, qofshin këto këpucë apo edhe opinga prej lëkure të kuqe. Edhe materiali, por edhe forma ishin të veçanta dhe karakteristike. Mbizotëronte ngjyra e kuqe dhe për ornamente përdoreshin edhe ngjyra të tjera. Gjithashtu edhe çorapët e përdorura nga nuset ishin të punuara me finesë të veçantë. Zakonisht i kanë punuar vetë vajzat dhe i kanë përgatitur posaçërisht për ditën e dasmës, por edhe për më vonë e gjithashtu ato i punonin edhe për burrin e ardhshëm e për vjehërrinë e kunetinë. Këta ishin jo vetëm pjesë e pajës së bashku me çarçafët, mësallat, të shkurtëra e të gjata, me shtrojsat e tryezave e të sofrave, me trastat e bëra në vegjë, me peshqirët e faqeve e shumë e shumë gjëra të tjera që i përgatiste në ditët e vajzërisë së saj para martesës, por ishin edhe pjesë e dhantive, d.m.th. e dhuratave dhe peshqesheve që ishte e detyruar të shpërndante tek njerëzit e afërt të burrit, por edhe tek mysafirët e dasmës. Këto gjëra i llogariste mirë në bashkëpunim me nënën e saj, por edhe sipas kërkesës së vjehrrës së ardhshme. Paja dhe dhantia ishin pjesë e vlerave që mbartte nusja, prandaj në shumë këngë dasmash kjo gjë përmendej dhe evidentohej qartazi. Nëna e saj kujdesej që paja e vajzës si dhe dhantitë të ishin sa më të plota dhe më të paraqitshme që të mos turpëroheshin nga sytë zhbirues e herë-herë edhe cinikë të ndonjë gruaje grricmëtare e kunjalece.
Këtu është me vend të themi dy fjalë edhe për godinë e nuses. Sigurisht, jo vetëm rrobat mjaft ekspresive që ka veshur nusja dhe aksesorët për të cilët do t’i cilësoj më poshtë, por edhe godia e nuses ka pasur mjaft rendësi për paraqitjen e saj sa më mbresëlënëse. Për këtë në popull shpesh ka qarkulluar shprehja: “Më mirë një godi se një bukuri!” e kjo padyshim ka zënë vend në zbukurimin e nuses në ditën e martesës e në vazhdim. Nusja zadrimore gjithnjë i ka lyer flokët me një ngjyrë të zezë të shndritshme. Për këtë ka përdorur një lëndë kimike të cilën populli e quante karabojë, por e ka shoqëruar me një solucion që lëshonin lëkurat e verrit, një dru i egër që zakonisht gjendej nëpër lugina përrenjsh apo vija uji.Herë-herë janë përdorur edhe lëvozhgat e njoma të frutave të arrave. Ngjyra e zezë e flokëve ishte mjaft e theksuar. Krehja e flokëve ka qenë e një stili të veçantë. Në të dy anët e faqeve formoheshin një palë zylyfesh(collufe), ndërsa në ballë dy pala floku të ngrira me kujdes të veçantë harkoheshin nga mesi i ballit në drejtime të kundërta duke formuar një qemer të vogël në ballë të nuses. Peshqiri që vihej në kokë nga nusja i lejonte të dukeshin mjaft hijshëm dhe bënin një kontrast dhe dekoracion mjaft të veçntë në fytyrën e nuses në mes të bardhës së ndritshme të peshqirit dhe të zesës vezëlluese të palës së flokëve.
Edhe aksesorët kanë qenë të shumta. Ndër ta duhet përmendur kurora e bërë me ar e serm si dhe grashatarë(para të vogla) sermi si dhe gjerdani i fytit i punuar pothuajse në të njëjtën mënyrë si kurora. Mëhyrët dhe unazat të punuara me serm e filigramë e gjithashtu me gurë xhevahiri të kuq, blu apo jeshil ishin nga aksesorët e rëndësishëm që kishte nusja.
kryq e hojmali në dy variante
Ndër aksesorët e rëndësishëm ishte edhe kryqi e hojmalia që nuset i vinin krahë e qafë dhe i vareshin gjer në mesin e saj. Ndër aksesorët që ka qenë me rëndësi të veçantë është edhe gjerdani i gjoksit, ose ndryshe i quajtur gjerdaleku, gjithashtu edhe ky i mbushur me lira turku prej argjendi e floriri e, gjithashtu, si të gjitha stolitë e tjera, të dekoruar me gurë xhevahiri të madhësive e ngjyrave të ndryshme. Me të gjitha këto aksesorë dhe rroba të punuara me stil e material të veçantë, padiskutim mund të thuhej se nusja ishte e mbuluar në ar e argjend, veshje e aksesorë që kushtonin shumë, doemosdo edhe ishte një skllavëri e vërtetë për ata që ishin të shtrënguar të martonin djalë, por jo më pak për ata që martonin vajzë. Telashet ishin të mëdha sidomos për familjet e varfëra të cilat ishin të detyruara ta shkatërronin jetën e tyre me qëllim që t’i plotësonin sa më me nder kërkesat që kishte martesa e fëmijës dhe që të mos turpëroheshin në sytë e miletit(njerëzisë), siç përdorej si shprehje shpesh herë nga zadrimorët. Ato gjëra që i kishin mundësitë t’i bënin me duartë e tyre dhe me mjetet që nuk u duhej t’i blinin, por t’i siguronin nga ekonomia e tyre, i realizonin pa ndonjë stres të veçantë edhe pse me lodhje, mundim e sakrifica, duke shpenzuar nga nevojat e ekonomisë familjare dhe koha e çmuar për rimëkëmbjen e ekonomisë. Duhej të paralizohej e të hiqej nga punët e përditshme një krah pune mjaft i rëndësishëm, por edhe leshi apo liri që sigurohej nga ekonomia vetjake, duhej të shkonte për pajën e nuses së ardhshme(vajzës që duhej të martohej atë vit). Jo më të lehtë e kishte pala e dhëndrrit. Prindërit e tij duhej të përmbushnin detyrime të veçanta mjaft robëruese e skllavëruese. Ata duhej të paguanin shumë para të thata për rushat e pajë të nuses.
Me që fola më sipër për traditat dhe zakonet e zonës së Zadrimës si në tiparet e organizimit të dasmës, ashtu edhe të veshjes dhe me qenë se thashë se kanë qenë të veçanta e të papërsëritshme në llojin e vet, më duhet t’i ilustroj këto dukuri duke bërë disa krahasime të thjeshta me zonën më të afërt me Zadrimën e kryesisht me disa zakone e tradita të Mirditës. Por, para se të futem në analizë e krahasime, dua të shtoj edhe një fakt tjetër. Mirdita e ka ushqyer Zadrimen herë pas here me shtresa popullsie në kohë të ndryshme. Shumica e këtyre shtresave u asimiluan dhe vetë ato asimiluan zakonet dhe traditat zadrimore. Pra u shkrinë e u bë një me popullsinë vendase që gjetën aty. Sigurisht, ato shtresa që kanë rënë në Zadrimë më herët, pasi ka pasur edhe nga ato popullsi që kanë rënë më vonë dhe i ruajtën zakonet e traditat e zonës nga vinin si në Dragushë, Dheun e Lehtë, Ndaraç e Laç, apo kallmetorët, rraboshnjakët e mërqiakët që dallojnë me veshje, por edhe në disa zakone nga të dyja palët. Atëherë ku qëndrojnë dallimet?
Po marrim së pari dallimet në organizimin e dasmave. Nuk mund të them me përpikmëri se si i organizojnë dasmat mirditorët dhe nuk do të thellohem këtu për ta studjuar e për ta paraqitur imtësisht këtë gjë, pasi nuk është ky objekti i këtij shkrimi, por po paraqes ato më thelbësorët që njoh. Në Mirditë krushqit kanë pasur një numër të kufizuar dhe atë ia përcaktonte familja e nuses. Që më përpara i kishte thënë familja e nuses që familja e dhëndrrit t’i dërgonte dymbëdhjetë krushq, apo pak më shumë, ose më pak. Ndoshta edhe shtatë, nëntë apo trembëdhjetë e unë e mora një numër si shembull konkret. Nuk jam i sigurt në se ka qenë numër standard, por jo shumë i madh, ama. Në Zadrimë, pothuajse asnjëherë nuk është përcaktuar numri i krushqëve dhe familja e dhëndrrit dërgonte krushq sa më shumë që të ishte e mundur, madje kjo gjë ishte bërë edhe si punë gare se kush mund të dërgonte krushq më shumë. Ajo familje që dërgonte krushq më shumë dilte më në pah si nga paraqitja, po ashtu edhe nga vlerat se ishte tregues për përmasat e dasmës dhe e mysafirëve të ftuar në atë dasëm. Në Mirditë zakonisht nuset merreshin larg dhe pothuajse nuk ka ndodhur asnjëherë martesë brenda fshatit, madje edhe në fshatra përreth, pasi quheshin si të një gjaku(këtu mund të them për fshatrat Kashnjet, Kalivaç, Gjobardhaj e Kaftallë e ndonjë tjetër që nuk ka pasur lidhje martesore ndërmjet këtyre fshatrave) për pasojë krushqëve u duhej të udhëtonin me orë të tëra për të shkuar tek shtëpia e nuses. Nuk e besoj se ishte e domosdoshme kali i shalës e aq më tepër i bardhë, por përdorej mushka për ta mbartur nusen, nga që terreni ishte shpesh mjaft i thyer. Po kështu, krushqëve u duhej të rrinin për darkë tek shtëpia e mikut të ri dhe do të kalonin mjaft prova dhe peripeci, pasi ata të palës pritëse u punonin lloj-lloj rrengjesh, gjë që në Zadrimë nuk ka ndodhur, të pakten jo edhe aq shumë sa atje, në mos fare. Asnjëherë zadrimorët nuk i kanë ngacmuar miqtë, madje i kanë mikpritur bujarisht e me respekt të veçantë duke i nderuar e gostitur pa rezerva. Zadrimorët kurrë nuk e kanë marrë si masë zgjuarsie apo aftësie ngacmimin apo më keq, ofendimin e miqve të tyre. Tek mirditorët, mbase. Të nesërmen mirditorët e merrnin nusen dhe atë e shoqëronte nëna e saj që e quanin me emrin krushkanicë. Në Zadrimë nusen e shoqëronte shkuesi që në të shumtën e rasteve vendin e tij e zinte një nga dajat e saj. Gjithashtu, në Mirditë zakonisht nuk shpërndaheshin thirrësa ditën e enjte, por vetë kryefamiljari(babai, vëllai apo xhaxhai e kushëriri i nuses) e kishte kryer këtë mision kohë më parë duke shkuar nga njëri mik tek tjetri duke i lajmëruar apo kishte porositur edhe ndonjë njeri tjetër të afërm që të lajmëronte kë kishte më shumë mundësi. Apo ndoshta në ndonjë rast e kishte lënë fjalën edhe mik mbas miku. Gjithashtu, kur miqtë uleshin nëpër sofra, rreshtoheshin sipas bajraqeve pa shikuar radhën e miqësisë apo peshën e vendin që zinin në këtë miqësi. Vendin kryesor e zinte krushkamadhi e pas tij vinin njerëz sipas bajraqeve ku edhe këtu ishte e përcaktuar radha e tyre(sipas rendit që zinte bajraku). Në zonën e Zadrimës nuk ndodhte kjo dhe e kam cilësuar se vendin kryesor e zinte daja(i djalit apo i vajzës në dasmat përkatëse) dhe pas tij me radhë miqtë sipas rëndësisë e largësisë për t’i respektuar, por kurrë sipas bajraqeve edhe në se kanë qëlluar të ishin mysafirë të ftuar në dasëm. E them kështu, se Zadrima kurrë nuk i ka njohur dhe s’ka pasur lidhje me bajraqet.
Së dyti dallime thelbësore ka pasur edhe në veshje. Nusja mirditore nuk ka përdorur koretin, por dollamen karakteristike, në mos gaboj, dhe gjithashtu qemerin e stravecat. Në kokë nuk ka përdorur peshqirin karakteristik të gruas zadrimore, por shami. Flokët nuk i ka lyer me të zeza si gruaja zadrimore dhe nuk i ka krehur e ndarë në zylyfë të zez, por në origjinalitetin e tyre dhe në vend të ndarjes në pala, ka krijuar gërshetin si një tejë(tip konopi) me disa pala të gershetuara(tri pala) dhe e ka sjellë rreth kokës ku mbi pjesën e sipërme të ballit spikaste dukshëm.Po kështu edhe jeleku apo xhamadanët kishin dallime thelbësore qoftë në punim e formë, qoftë edhe në përdorimin e ngjyrave. Nuk përdornin fodulle apo grykëset, gjithashtu as boçet e kuqe zadrimore e as mshtjellaket.
Këtu shihet qartë mënyra e paraqitjes së gërshetit tek gruaja mirditore si dhe vendosja e shamisë së kokës ndryshe nga peshqiri i grave dhe nuseve zadrimore.
Gjithashtu në këtë fotografi shihet edhe një karakteristikë dalluese. Gruaja mirditore në vend të bohçes së kuqe vendos stravecat e kuqe të cilat dallojnë në ngjyra sipas moshës së saj. dallimet mund të shihen më qartë në se vërehen dhe krahasohen me fotografitë e mësipërme të nuseve dhe grave zadrimore. Në të majtë paraqitet veshja e gruas së re mirditore, ndërsa në të djathtë një nuse zadrimore disa ditë pas dasmës. Dallimet janë mjaft të qenësishme. Shiko më poshtë.
Edhe këtu dallimi është qartësisht i dukshëm, qoftë në veshje, qoftë në krehjen e flokëve. Tek nusja zadrimore duket qartë ndarja e flokut mbi ballë si dhe nxjerrja në pah e zylyfëve të zeza. Tek nusja mirditore floku është thurur gërshet dhe nuk është ngjyer me të zeza, por ngjyrë kafè të çelët që, gjithashtu, mund të jetë ngjyra origjinale e flokëve, ose e stiluar. Gërsheti këtu mund të mos jetë nga flokët e nuses, por I parapërgatitur që më parë nga flokë të tjerë.
Duhet theksuar se me gjithë barrën skllavëruese që ka sjellë dasma në përgjithësi si ajo e vajzës ashtu edhe e djalit, sidomos tek shtresat e varfëra, kurrë martesa nuk është trajtuar si e tillë, por si një eveniment i gëzueshëm e për këtë arsye është shpalosur gjerësisht në këngë e valle ku i këndohet gëzimit e haresë. Natyrisht, ka qarkulluar edhe shprehja: “Dy vetë martohen e treqind të tjerë tërbohen”. Me këtë është treguar se gëzimi e hareja nuk ka marrë parasysh asgjë, por ka shpërthyer me vrull e nuk ka njohur kufinj. Në këto rrethana kënga e vallja ka përfshirë të gjithë dasmorët dhe argëtimi ka qenë me përmasa të papërshkrueshme. Me shumë kuptim është edhe kënga që çel dasmën dhe që titullohet: “Shumë shyqyr kenka niktu!”. Kjo padyshim tregon se dasma, pavarësisht vështirësive dhe telasheve, është trajtuar si çast kulmor gëzimi e hareje.
Është e natyrshme që këngët që çelin dasmën si dhe ato që shoqërojnë edhe ditët në vazhdim deri në përfundimin e saj, janë kënduar herëpashere dhe nuk mund t’i marrim të ndara, prandaj këtu unë do t’i paraqes edhe të shoqëruara me ndonjë koment të veçantë sipas rastit. Tani le t’i shohim më mirë duke nisur me ato që hapin dasmën dhe në vazhdim.
Ç’asht ky diell që po shëndrit
Ç’asht ky diell që po shëndrit
Djalin tonë me e leçitë.
Me e leçitë e me e martu,
Prindt e vet fort janë tuj gzu.
Jan tuj gzu për djalë të vet.
Djalë të vet e djalë të ri,
Për me e pa me nuse në shpi.
Shumë shyqyr kenka niktu
Shumë shyqyr kenka niktu, shyqyr-o, shyqyr-e
Ban shyqyr baba i vet, shyqyr-o, shyqyr-e
Se marton djalin e vet, shyqyr-o, shyqyr-e
E martoftë e e pastë me jetë, shyqyr-o, shyqyr-e
I shkoftë jeta me lezet, shyqyr-o, shyqyr-e
Shyqyr ban nana e vet, shyqyr-o, shyqyr-e
Se marton djalin e vet, shyqyr-o, shyqyr-e
E martoftë…. e tj. vazhdon pas çdo strofe
Shyqyr bajnë vllaznit e vet, shyqyr-o, shyqyr-e
Se martojnë vëllanë e vet, shyqyr-o, shyqyr-e
Shyqyr bajnë motrat e veta, shyqyr-o, shyqyr-e
Se martojnë vëllanë e vet, shyqyr-o, shyqyr-e
dhe kënga vazhdon duke i përmendur me radhë xhaxhallarët, hallat, dajat e tezet.
Ka çu nusja telegram
Ka çu nusja telegram,o baba vjaherr
Godit odën me tavan, o baba vjeherr.
Se ta mushi me takam, o baba vjeherr,
Se ta gzoj me djalin tand, o baba vjeherr.
Ka çu nusja telegram oj nana vjeherr,
Godit odën me tavan, oj nana vjeherr
Se ta mushi me takam, oj nana vjeherr.
Se ta gzoj me djalin tand, oj nana vjeherr.
Ka çu nusja telegram, o lala...(përmendet emri i vëllait, xhaxhait apo edhe të tjerë të afërm të dhëndërrit)
Një variant tjetër është:
Ka çu nusja falmeshndet
Ka çu nusja falmeshndet o dhandrri jon-e
-//- -//- -//- -//-
Ma lyj oden me shërbet, odhandrri jon-e
-//- -//- -//- -//-
Me takam ta mushi vet, o dhandrri jon-e
-//- -//- -//- -//-
Mori vashë shaminë e bardhë
Mori vashë shaminë e bardhë, hej aman aman
Kur e ke ndërmend me ardhë, hej aman aman
Besa-besë s’e di as vetë, -//- -//-
Kam ndi babën tuj kja dert, -//- -//-
Kam me e nxjerr një vajzë sivjet, -//- -//-
Ç’ka ke vash-o që po kjan, -//- -//-
Baba ty prej zemres s’t’ndan, -//- -//-
Mori vashë shaminë e kuqe, -//- -//-
Kur do m’ bahesh ti mu nuse, -//- -//-
Besa-besë as vetë s’e di, -//- -//-
Kam ndi nanen tuj kja dert, -//- -//-
Kam me nxjerr një vajzë sivjet, -//- -//-
Çka ke vash-o që po kjan, -//- -//-
Nana ty prej zemres s’t’ndan, -//- -//-
Të morëm, nuse, të morëm
–Të morëm nuse, të morëm
-Mos më merr, mor djalë i ri
Sa të çeli lulet dardha
E t’na jap izëm baba.
-Izëm baba na ka dhanë
Mbas dy javësh vijmë me të marrë.
-Të morëm, nuse, të morëm
-Mos më merr, mor djalë i ri
Sa t’i çeli lulet thana
E t’na jap izëm nana
-Izëm nana na ka dhanë
Mbas dy javësh vijmë me t’ marrë.
-Të morëm, nuse, të morëm
-Mos më merr, mor djalë i ri
Sa të çeli lule frashni
E t’na japin izëm vllaznit.
-Izëm vllaznit na kanë dhanë
Mbas dy javësh vijmë me të marrë. (Izem-leje e shpesh e zëvendësojnë njëra-tjetrën)
Pak a shumë këto janë disa nga këngët që këndohen në hapjen e dasmës, por kjo nuk do të thotë se vetëm me kaq dhe mbyllet ceremonia e hapjes së dasmës përsa u takon këngëve, pasi këndohen edhe këngë të tjera të ndryshme, ashtu siç edhe këto që përmenda më sipër mund të këndohen edhe në ditët në vazhdim. Siç e kam cilësuar edhe më lart, duhet thënë se dasma e djalit vazhdon edhe në ditët në vazhdim ku mblidhën shoqëria e djalit e komshinjtë më të afërt në çdo mbrëmje dhe këndojnë e gëzojnë së bashku tek shtëpia e dhëndërrit. Madje duhet thënë se në ato ditë, njerëzit argtohen dhe bëjnë qejf me këngë e valle më shumë se në ditën e dasmës, pasi atë ditë shoqëria e kushërinjtë janë më shumë në gatishmëri për t’u shërbyer të ftuarve e dasmorëve apo të angazhuar me punë të tjera. Megjithatë, tani le të shohim të tjera këngë tradicionale të dasmës që këndohen para dhe gjatë dasmës.
Dy çardaqe molla-molla
Dy çardaqe molla-molla
Dy të mira ndej në ta
Ç(k)a po i thojshin njana-tjetrës
Ç(k)a po t’ lyp shamia ty?
Qafë më qafë me djem të ri(nj)
Dy çardaqe molla-molla
Dy të mira ndej në ta
Ç(k)a po i thojshin njana-tjetres
Ç(k)a po t’lyp unaza ty?
Gisht më gisht të djemve të ri(nj)
Dy çardaqe molla-molla
Dy të mira ndej në ta
Ç(k)a po i thojshin njana-tjetres
Ç(k)a po të lyp, moj çevra ty
Xhep më xhep të djemve të ri(nj).
Në kllapa janë vënë shkronja “k”, pasi zakonisht në të folmen zadrimore nuk përdoret në këtë fjalë. Po kështu edhe “nj” tek fjala të “rinj”.
Osaman, moj delja rudë
Osaman, moj delja rudë
A s’ma fal një qingj të butë
Qingj të butë e lara-lara
Sa t’i dal çunit përpara.
Lara-lara e vija-vija
Sa t’I shkoj djalit te shpija.
Ulu mal të dali hana
Ulu mal të dali hana
Sa t’na bajë dritë për mrama
Sa t’na shkojnë vashat për ujë.
-Ndalu vashë më jep pak ujë
-Nuk kam izëm me i dhanë kuj,
Se kam gishtat me unaza,
Se me i lag më ndryshkën-o,
Se me i hek më tresin-o
-Unë e kam babën kuinxhi
E t’i ban-o me flori.
Kena ndi se ke shyqyr
Kena ndi se ke shyqyr, mor i zoti i shpisë. (herë-herë përmendet emri i
të zotit të shtëpisë…., more Filan Fisteku)
Ke shyqyr se marton djalin, mor(filan fisteku)
Edhe ty të kjoftë për hajre, more (filan fisteku)
E u shtofshin si bima n’arë, more (filan fisteku)
Si larushku si merr gardhet, more(filan fisteku)
Kena ndi se ke shyqyr, moj (filan fistekja) (emri i nënës së dhëndrrit)
Ke shyqyr se marton djalin, moj(filan fistekja)
Edhe ty të kjoftë për hajre, moj (filan fistekja)
E u shtofshin si bima në arë, moj(filan fistekja)
Si larushku si merr gardhet, moj(filan fistekja)
Po këndojnë shtatë bilbilat
Ku këndojnë kta shtatë bylbylat, këndojn-o, këndojn-e.
Katër të kuq e tre jeshila, këndojn-o, këndojn-e
Në saraje të babës vjehërr, këndojn-o, këndojn-e
Ata lypin çka t’u çojmë, këndojn-o, këndojn-e
Një çini me rrexigija, këndojn-o këndojn-e
Ato janë për djem të ri(nj), këndojn-o, këndojn-e
Mor zambaku i bardhë
Mor zamaku i bardhë,
Fort u deshtëm bashkë,
Fort u deshtëm bashkë(këtu çdo varg përsëritet)
Kërkush nuk na e diti
Veç Zoti e shpirti,
Hana, moj që na shndriti
Ajo na paditi.
Mos padit, moj hanë,
Se t’fali gjerdanë.
Gjerdanin me grosha
Ballin, moj ta pagofsha.
Gjerdanin me lira
Le ta maj e mira.
Gjerdanin me flutra
Le ta maj e bukura.
E bukra jam vetë
Gjerdani m’ka tretë
E kërkoj me e gjetë.
Broj një pëllumb i bardhë
Broj një pëllumb i bardhë, broj një pëllumb
Broj në të ndolla kish me ardhë, broj një pëllumb
Broj unë të ndolla vidi-vidi -//- -//-
Broj ai s’më erdhi, por më iku -//- -//-
Broj mos ardhsh ti më vjen jot amë.-//- -//-
Broj apo vjen e lahna në bajë -//- -//-
Broj ajo baja plot me çika -//- -//-
Broj ma të mirën e grabita, -//- -//-
Broj ma të keqen jashtë e qita. -//- -//-
Variant tjetër
Broj nji pëllum i bardh e i bardh, broj nji pëllum
Broj në maje të njasaj dardhe. Broj në maje të njasaj dardhe
Broj per me e njellë a kish me ardhe,
Broj un e nolla vidi-vidi
Broj a m’vjen mishi a m’vjen shpirti.
Duhet theksuar se vargu në gjysmën e parë përsëritet dy herë dhe pastaj krejt vargu përsëritet:
Broj nji pëllum. Broj nji pëllum i bardhë e i bardhë, broj nji pëllum
Broj në maje. Broj në maje të njasaj dardhe, broj në maje. Broj në maje të njasaj dardhe.
Broj per me e njell. Broj per me e njell a kish me ardhe, broj per me e njell. Broj për me e njell a kish me ardhe. Etj.
Kjo këngë këndohet në dy grupe dhe grupi i dytë përsërit vargjet që këndon grupi i parë. Kjo dukuri ngjet shpesh në shumë këngë të tjera duke u kënduar në dy grupe. Në një farë mënyre, kjo është një valle e kënduar. Është fakt që një pjesë e këngëve të dasmes zadrimore shoqërohen me valle. Pra janë valle të kënduara. Grupet e këngëtareve (zakonisht në të shumtat e rasteve këngët tradicionale këndohen nga grupe grashë, por edhe të miksuara nganjëherë) bashkohen duke u lidhur me krahët e tyre nga pas njëra-tjetrës dhe këndojnë në kor, por shoqërohen nganjëherë me lëvizjen e njërës këmbë para dhe pastaj ritmikisht pas duke përformuar një tip valleje të kënduar. Këtu më poshtë po paraqesim disa këngë valle që janë kënduar jo vetëm nga dasmorët në ditën e dasmës, por edhe në mbrëmjet para dasmës kur komshinjtë dhe shoqëria mblidhen për të kënduar e celebruar. Në njëfarë mënyre kjo ka qenë si të thuash mbajtja gjallë e asaj flakës olimpike të dasmës e cila nis që dy javë më parë se dita e martesës.
Oj syzezë, moj vetull njalë(ngjalë)
Vetull njalë,
Moj syzezë, moj vetull njalë,
Kurrë dy fjalë,
Si s’m’i kjave kurrë dy fjalë,
Sa t’jem gjallë,
Me t’i ndi, moj sa t’jem gjallë,
Mos t’kjofsha falë,
Se kur t’vdes mos t’kjofsha falë,
Të tana mbarë,
Se m’kjajnë shoqet të tana mbarë.
Bre djalë at fjalë,
Mos ma thuaj, bre djalë at fjalë,
Mund ta ndij,
Se at fjalë nuk mund ta ndij.
Dekën tande,
Mos ta pafsha dekën tande,
Shkoj te nana,
Se marr teshat e shkoj te nana.
Shkoj n’gjini,
Shkoj te nana, shkoj n’gjini.
Mbaj për ty
Tri vjet jazë unë mbaj për ty.
Unë te shpia
Kur t‘shkoj mrama unë te shpia,
Kushrinia
Tash po pyesin kushrinia
Ç’asht kjo zi?
Jallah nuse ç’asht kjo zi?
Një veledi,
T’u ka sjellë një veledi.
Një kushrini,
Më ka dekë një kushërini.
Siç shihet këtu, karakteristikë e valles zadrimore të kënduar ka qenë se është filluar kënga me gjysmën e dytë të vargut dhe kështu pastaj është pasuar me vargun e plotë e prap me gjysmën e dytë të vargut pasues dhe prap vargun e plotë e kështu me radhë deri në fund. Këtë dukuri do ta vërejmë pothuajse në të gjitha vallet e kënduara që për hirë të së vërtetës duhet thënë se nuk kanë qenë të pakta. Gjithashtu edhe lëvizjet në këto tipe vallesh të kënduara kanë qenë mjaft dinamike dhe jo aq të ngadalta si në ndonjë rast kënge që e cilësova më lart duke bërë gjysëm hapi ritmik para me njërën këmbë.
Na i ra gjethi huderasë
Huderasë,
Na i ra gjethi huderasë.
Se ta pashë,
Mbulo synin se ta pashë.
Ta pa asqeri,
S’ta pashë unë, ta pa asqeri,
Plasa i mjeri,
Se për ta unë plasa i mjeri.
Huderasë,
Na i ra gjethi huderasë.
Se ta pashë,
Mbulo faqen, se ta pashë.
Ta pa asqeri,
S’ta pashë unë, ta pa asqeri.
Plasa i mjeri,
Se për të unë plasa i mjeri.
Huderasë,
Na i ra gjethi huderasë,
Se ta pashë,
Mbulo gushën se ta pashë.
Ta pa asqeri,
S’ta pashë unë, ta pa asqeri.
Plasa i mjeri,
Se për të unë plasa i mjeri.
Huderasë,
Na i ra gjethi huderasë,
Se ta pashë,
Mbulo vetullën, se ta pashë.
Pa asqeri,
S’ta pashë unë, ta pa asqeri.
Plasa i mjeri,
Se për të unë plasa i mjeri.
Mollë e kuqe top sheqere
Top sheqere,
Mollë e kuqe top sheqere,
N’at penxhere,
Qite krytin n’at penxhere,
Sytë një here,
Sa t’i shoh, moj syt një here.
Paske mbetë
Sa e vogël paske mbetë!
E vogëlo,
Paske mbetë e vogëlo!
Qahem-o
Jallah kujt t’i qahem-o?
Nanës-o
A t’i qahem nanës-o?
Hallet mu,
Nana s’m’i din-o hallet mu.
Ka harru,
Se asht plakë e i ka harru.
Top sheqere,
Mollë e kuqe top sheqere,
N’at penxhere,
Qite kryetin n’at penxhere!
Sytë një here
Sa t’i shoh, moj sytë një here.
Paske mbetë,
Sa e vogël paske mbetë!
E vogël-o
Paske mbetë e vogël-o
Qahem-o
Jallah kujt t’i qahem-o?
Babës-o
A t’i qahem babës-o?
Hallet mu,
Baba nuk m’i din-o hallet mu,
Ka harru,
Se asht plak e i ka harru.
Moj e mira n’kry t’livadhit
N’kry t’livadhit,
Moj e mira n’kry t’livadhit,
Lisat e malit,
Mos i njeh lisat e malit?
Lis mas lisit,
Mos i njeh, moj lis mas lisit?
Ta qendisi,
Ma fal synin ta qendisi!
Bashkë me dhamë,
Ta qendisi bashkë me dhamë,
Me gjylpanë,
Pak ma mirë se me gjylpanë.
N’kry t’livadhit
Moj e mira n’kry t’livadhit,
Lisat e malit,
Mos i njeh lisat e malit?
Lis mas lisi,
Mos i njeh, moj lis mas lisi?
Ta qendisi,
Ma fal gushën ta qëndisi!
Bashkë me dhamë,
Ta qendisi bashkë me dhamë,
Me gjylpanë,
Pak ma mirë se me gjylpanë.
N’kry t’livadhit…..(përsëritet si refren)
………..
Ta qendisi,
Ma fal faqen ta qendisi!
……..
Ta qendisi,
Ma fal vetullen ta qendisi!
……..
Ta qendisi,
Ma fal qafën ta qendisi!
………e tj.
Brof në kambë
Brof në kamë,
Kush a(sht) i ri-o brof në kamë
T’hiqet rrësh(q)anë,
Kush a(sht) plak-o t’hiqet rrësh(q)anë1
Vallen pa marrë,
Mos ta lej vallen pa marrë!
Në këtë valle,
Kush mos hiftë-o në këtë valle
Nusja djalë,
Mos i baftë-o nusja djalë!
N’kët shoqni,
Kush mos hift-o n’kët shoqni
Nusja femij,
Mos i baft-o nusja fmi!
Atje posht-o nder kallama
Ndër kallama
Njatje posht-o nder kallama’
Si dy zana,
Janë dy vajza si dy zana.
Mos i pastë!
Kush i ka e mos i pastë!
Dalun jashtë
Si s’po i len me dalun jashtë.
Deri në lamë
Jashtë e jashtë e deri në lamë.
Njato dhamë
Ç’po u shndrisin njato dhamë.
Baj gjilpanë
Ma fal nji ta baj gjilpanë,
Nji dollamë
Sa ta qepim nji dollamë,
Pala-pala
Njat dollamen pala-pala
Kolla-kolla
Pala-pala e kolla-kolla
Vija-vija
Kolla-kolla e vija-vija
Hajmolia,
Më ka tretë, moj hajmolia.
Kolla-kolla
Vija-vija e kolla-kolla
Moj te molla,
Hajde piqemi, moj te molla.
Te zardelia
Moj, te molla te zardelia.
Hajmolia,
Ku t’ka tretë, moj hajmolia?
Fleta-fleta
Hajmolia fleta-fleta,
Nja dy veta,
Mirë po shkojshin nja dy veta
Kush me i nda,
Nuk po gjindet kush me i nda
Rrin tuj kja
Natë e ditë po rrinë tuj kja
Rrin tuj ra
Porsi shiu që rrin tuj ra
Bjen përhera
Porsi shiu që bie përhera
Dimen as vera
Mos pushoftë dimen as vera.
Me dhen me dhi
Dhen me dhi
Shkon syzeza me dhen, me dhi
Pasqyrë në gji
Po merr krahën e pasqyrë në gji.
Tuj shiku,
Ça m’shkon rrugës,moj tuj shiku?
Qofshin mallku!
Nanë e babë qofshin mallku!
Plakun mu
Që ma dhanë, moj plakun mu.
Heret-o
Çohem nadje heret-o
Zjarmin-o
Për me ndezun zjarmin-o
Mos u ndezsh!
Ndezu zjarm, ti mos u ndezsh!
Mos u nxefsh!
Nxeju uj ti mos u nxefsh!
Mos u lafsh!
Laju këmish ti mos u lafsh!
Mos e gëzofsh!
Vishe, plak-o, mos e gëzofsh!
Dhen me dhi
Shkon syzeza me dhen me dhi.
Pasqyrë në gji
Po merr krahën e pasqyrë në gji.
Tuj shiku
Ça m’shkon rrugës tuj shiku?
Qofshin beku!
Babë e nanë qofshin beku!
Djalin mu
Që ma dhan-o djalin mu!
Heret-o
Çohem nadje heret-o
Zjarmin-o
Për me ndezun zjarmin-o
Me të mira!
Ndezu zjarm, u ndezsh me t’mira
Kjosh beku!
Nxeju uj ti kjofsh beku!
Kmishën mu
Me ma lamun kmishën mu.
Ti ma gëzofsh!
Vishe djalë-o ti ma gëzofsh!
Më marto
Më marto
Më marto, moj nanë ti mu, më marto!
Prit, moj bijë,
Prit, moj bij sa t’piqet mani, prit, moj bijë!
M’shkoi zamani,
At’herë, nanë mu m’shkoi zamani, m’shkoi zamani.
Dhe kaloi
Mani u poq edhe kaloi, edhe kaloi.
S’më martoi
E mu nana s’më martoi, s’më martoi.
Më marto
Më marto, moj nanë ti mu, më marto!
T’piqet fiku
Prit, moj bijë sa t’piqet fiku, t’piqet fiku
S’m’merr ashiku
Atherë, nanë s’më merr ashiku, s’m’merr ashiku
Dhe kaloi
Fiku u poq edhe kaloi, edhe kaloi
S’më martoi
E mu nana s’më martoi, s’më martoi.
Më marto,
Më marto, moj nanë ti mu, më marto!
T’piqet rrushi,
Prit, moj bijë sa t’piqet rrushi, t’piqet rrushi!
S’m’merr kurrkushi,
Atherë nanë s’m’merr kurrkushi, s’m’merr kurrkushi.
Edhe shkoi
Rrushi u poq edhe shkoi, edhe shkoi
S’më martoi
E mu nana s’më martoi, s’më martoi.
Më marto,
Më marto, moj nanë ti mu, më marto!
Sa t’vij vjeshta
Prit, mo bij-o sa t’vij vjeshta, sa t’vijë vjeshta.
Krejt u rreshka,
Atherë nanë unë krejt u rreshka, krejt u rreshka
Dhe kaloi,
Vjeshta erdhi dhe kaloi, dhe kaloi
S’më martoi,
E mu nana s’më martoi, s’më martoi.
Më marto,
Më marto, moj nanë, ti mu, më marto
N’kjosha gjallë,
T’dielën nadje n’kjosha gjallë, n’kjosha gjallë
Palë-palë,
T’i baj teshat palë-palë, palë-palë
N’kalë me shalë,
Të nis nana n’kalë me shalë, n’kalë me shalë.
Kërcen lepri bisht në bisht
Bisht në bisht-e
Po kcen lepri bisht në bisht
Po kcen lepri bisht në bisht-e
Malcorisht-e
Ai po kcente malcorisht-e
Ai po kcente malcorisht-e
Ç’ke me mue
Ti malcor çka ke me mue
-//- -//- -//-
Nuk i due
Vajzat tuja nuk i due
-//- -//- -//-
S’jan për mue
Kanë xhubleta, s’janë për mue
-//- -//- -//-
Bisht në bisht-e
Po kcen lepri bisht në bisht-e(vargu i plotë përsëritet dy herë kënduar në fillim nga solisti, pastaj nga grupi)
Shkodranisht-e
Ai po kcente shkodranisht-e
Ç’ke me mue
Ti shkodran çka ke me mue
Nuk i due
Vajzat tuaja nuk i due
S’janë për mue
Janë me xhybe, s’janë për mue
Bisht në bisht-e
Po kcen lepri bisht në bisht-e
Zadrimisht-e
Ai po kcente zadrimisht-e
Ç’ke me mue
Ti zadrim çka ke me mue
Unë i due
Vajzat tuja unë i due
Kcejnë me mue
Kanë koret e kcejnë me mue.
Në dasmat zadrimore vallet e kënduara shpesh kanë pasur edhe karakter humoristik, ashtu siç kanë pasur drejtim të veçantë humoristik edhe kënga që ka shoqëruar lojën me kapuça apo filxhana ku fituesit ngriheshin e këndonin duke i vënë në lojë humbësit. Këtu po sjellim këto shembuj:
Dola, moj, dola
Dola, moj, dola maje të njasaj kodre
Gjeta, moj gjeta një lajthi me kokrra.
Gjeta, moj gjeta (Filan Fistekun) dai
Lujsha, moj lujsha me nuse t’atij…..
Dhe vallja vazhdon duke përmendur me radhë emrat e disave prej pjesëmarrësve në ceremoni nga drejtuesi i valles ashtu siç ai mund t’i piketojë për t’i vënë në lojë. Shumë herë përdoren edhe vargje të tjera si: “Pshurrsha, moj pshurrsha në ksulën e tij” a diçka të kësaj natyre. Një tjetër është edhe vallja e kënduar si më poshtë:
Lumi unë, jeleku i naltë
-Lumi unë jeleku i naltë,
Lumi unë valle shumë.
-Ça je ti more krahthatë,
Nji nga nji t’i marrsha unë!
-Ça don ti more ditëzi?
-Njat që t’kesh ma për dobi (vallja këndohet e kërcehet në dy grupe detyrimisht dhe fillohet nga një individ përballë një grupi të madh dhe individi ia merr grupit një nga një deri sa lë një individ të vetëm nga grupi i madh)
-Ça ke marrë ti, mor i zi,
At’ kam pas me e çu me thi.
-Unë t’kam marrë njat ma t’mirin
Njat ma trimin, xhevahirin.
-Lumi unë jeleku i naltë,
Lumi unë se shumë, se shumë
-Nji nga nji t’i marrsha unë
-Ça merr ti, more i mjerë
-Unë t’kam marrë njerin me vlerë
-Mirë ke ba, se m’pat mbetë n’derë….
Dhe kështu vazhdon vallja duke marr me radhë nga pala tjetër deri tek ai që është drejtuesi i grupit duke e lënë fillikat vetëm dhe këtu mund të themi se thuhen fjalë e vargje të ndryshme për secilin që kalon nga ana kundershtare ku ai që merr i thur lavde dhe ai të cili i merret vallëtari mundohet t’ia ulë vlerat me fjalë të ndryshme si: “ e kam pas me e tretë”, “e kam pas për trung qenefi”, “nuk m’ka vlejtë asnjë pare” e.tj. Siç shihet këtu, përveç se është kënduar dhe vallëzuar, është interpretuar me forma të ndryshme sipas fantazisë dhe shkathtësisë së drejtuesit të njërit grup e tjetrit duke vënë në punë zotësinë për të gjetur e perifrazuar cilësi pozitive e negative për njërin apo tjetrin, por edhe shkathtësinë e përafrimit të këtyre perifrazave me rimën e përdorur në fjalët e këngës-valle . Kështu edhe vallja e mëposhtme.
Moj mahallë e keqe
Moj mahallë e keqe, jeni ba teneqe
-//- -//- -//-
Moj mahallë me gjel jeni ba gabel (persëritet dy herë vargu)
Moj mahallë me morra jeni ba tanë hora.
Na jena të qeshun, ju jeni t’ngërdheshun.
Na jemi sokola, ju jeni veç pordha.
Na jena të zgjedhun, ju jeni të pjerdhun.
Moj mahallë me speca, jeni kastraveca.
Moj mahallë me rosa ju ju raftë qerosa. (këndohet nga dy grupe burrash si zakonisht)
Më së shumti këto këngë e valle janë kënduar në ditët para dasmës ku janë mbledhur shoqëria për ta mbajtur gjallë gëzimin e harenë në netët që kanë pasuar pas ditës së leçisë, por edhe në ditën e dasmës, megjithëse më pak, pasi vendin kryesor e kanë zënë këngët që i këndoheshin nuses dhe bukurisë së saj, si dhe dasmorëve. Gjithashtu, shoqëria aty ka qenë e angazhuar t’u sherbejë miqve e më pak i ka dalë kohë të angazhohet me këngë e valle të këtij lloji. Zakonisht vallet e kënduara janë interpretuar nga grupe mikse djem, vajza, burra e gra e shumëherë kanë udhëhequr meshkujt më shumë se femrat, por s’janë përjashtuar këta të dytët.
Dasma vazhdon edhe me mjaft këngë të tjera të cilat këndohen në etapa të tjera të saj. Një ndër momentet e veçanta është edhe dita kur pala e dhëndërrit nis dhantitë për nusen që do të vijë në ditën e dasmës(martesës). Dhantitë janë një pjesë e rrobave dhe stolive të nusës për ditën e martesës. Zakoni ishte që para se dhantia të nisej për tek shtëpia e nuses hapeshin para njerëzve të fisit dhe të ftuarve që ishin mbledhur që më parë aty, si hallat apo bijat. Rrobat dhe stolitë kur shpaloseshin para të pranishmëve disa prej tyre ia merrnin këngës duke lavdëruar të gjitha stolitë dhe veshjet e veçanta që paraqiteshin:
Marshallah dhantia jonë
Marrshallah dhantia jonë, marshallah, marshallah!
Ma gëzofta nusja jonë, marshallah, marshallah!
Marrshallah, sa i bukur mhyri, marshalla, marshallah!
Plot me gurë xhevahiri, marshallah, marshallah!
Xhevahir rrethu me ar, marshallah, marshallah!
Baba vjehërr faqebardhë, marshallah, marshallah!
Marshallah si shndrit shamija, marshallah, marshallah!
Shndrit shamija me mundash, marshallah, marshallah!
Nusja jon-o ti e gëzosh, marshallah, marshallah!
Marshallah sa e bukur kunora, marshallah, marshallah!
Qenka e lamun t’tan me ar, marshallah, marshallah!
Baba vjehërr faqebardhë, marshallah, marshallah!
Shkon pulbardha nëpër Dri
Shkon pulëbardha nëpër Dri, nëpër Dri
Baba vjehërr çon dhanti, çon dhanti.
Çon dhanti të bardhën-o, të bardhën-o,
Nusja jonë me ardhun-o, me ardhun-o.
Shkon pulbardha nëpër Dri, nëpër Dri.
Axha i dhandrrit çon dhanti, çon dhanti.
Çon dhantinë të bardhën-o, të bardhën-o
Nusja jonë me ardhun-o, me ardhun-o.
Një variant tjetër i kësaj kënge është si vijon:
Shkon nilbardha nëpër Dri
Shkon nilbardha nëpër Dri, nnëpër Dri
Baba vjehërr çon dhanti, çon dhanti.
Çon dhanti-o me shami, me shami.
Shkon nilbardha nëpër Dri, nëpër Dri.
Axhat tonë çojnë dhanti, çojnë dhanti
Çojnë dhanti-o me shami, me shami.
Shkon nilbardha nëpër Dri, nëpër Dri,
Kunatia çojnë dhanti, çojnë dhanti
Çojnë dhanti-o me shami, me shami.
Udha e mbarë dhantia e bardhë,
Unë të çova për me m’ardhë
Të dielen nadje, në kjofsha gjallë.
Një tjetër variant është:
Shkon pulbardha nëpër Dri, nëpër Dri
-//- -//-(çdo varg përsëritet dy herë)
Babaloci çon dhanti
Çon dhanti te miku i ri
Për me marrun nji selvi
Mirë se vjen, o pajaxhi
Mirë se vjen o pajaxhi(përsëritet vargu dy herë)
Na bjen pajë, na bjen stoli
Me hjekë derë, me hjekë çevi
Për me futun pajen n’shpi.
Tiriri, moj tiriri
Tiriri konopi i malit,
Tiriri, moj tiriri.
Po lyp nusja velin arit
Tiriri, moj tiriri.
Veli i arit nuk asht kund
Tiriri, moj tiriri.
Po thotë dhandrri e gjej unë
Tiriri, moj tiriri.
Tiriri konopi i malit,
Tiriri, moj tiriri.
Po lyp nusja sahat arit
Tiriri, moj tiriri.
Sahati arit nuk asht kund
Tiriri, moj tiriri.
Po thotë dhandrri e gjej unë
Tiriri, moj tiriri.
Tiriri konopi i malit
Tiriri, moj tiriri.
Po lyp nusja unazë arit
Tiriri, moj tiriri.
Unaza e arit nuk asht kund,
Tiriri, moj tiriri.
Po thotë dhandrri e gjej unë,
Tiriri, moj tiriri.
Një variant tjetër është se ka ca fjalë të tjera si p.sh. thuhet “konopi arit”, flitet për mëhyr në vend të unazës dhe kuptohet se është më i hershëm ky variant, flitet gjithashtu edhe për gjerdan arit. Gjithashtu në këtë variant përmendet herë baba e herë nana në vend të dhëndrrit. P.sh.
Tiriri konopi arit
Tiriri konopi i arit, tiriri, tiriri
-//- -//- -//-
Ka lyp nusja mhyrin arit, tiriri, tiriri
-//- -//- -//-
Po thotë baba ia çoj vetë, tiriri, tiriri
-//- -//- -//-
Tiriri konopi arit, tiriri, tiriri
-//- -//- -//-
Po lyp nusja gjerdan, arit tiriri, tiriri
-//- -//- -//-
Gjerdan arit s’gjendet, kund, tiriri, tiriri
-//- -//- -//-
Po thot nana ia çoj unë, tiriri, tiriri
-//- -//- -//-
Sa bukur
Sa bukur na çili mandi
Marshalla! Marshalla!
Marë e mirë mblidhet fustani
Marshalla! Marshalla!
Sa bukur na çili qershia
Marshalla! Marshalla!
Marë e mirë mblidhet shamia
Marshalla! Marshalla!
Sa bukur na çili sherbeli
Marshalla! Marshalla!
Mar e mir-o mblidhet veli
Marshalla! Marshalla!
Por, siç e cilësova edhe më lart, përsëri në këtë ditë mund të këndohen edhe këngë të tjera dasmash me karakter të përgjithshëm dhe që mbushin çdo moment të ceremonisë së dasmës që nga fillimi i saj e deri në përfundimin total të dasmës. Këtu më poshtë po i paraqesim disa prej tyre.
Shtrona, hake
Shtrona, hake, shtrona
Sixhaden të rrimë,
Venkuqen ta pimë!
Halla shtron florinë,
Florinin me grosha
Ballin ta pagofsha!
Florinin me lira
Le ta gëzojë e mira.
E mira jam vetë
Florini m’ka tretë.
Moj syzezë, vetullkunorë
Moj syzezë vetullkunorë,
Ty t’u ngriftë mashtrapa n’dorë!
T’u ngriftë akull, t’u baftë borë!
Për fjalë tande unë shkoj n’Stamboll
Për me gjetë një vetullhollë.
Vetullhollën nuk e gjeta,
Vetulltrashën nuk e desha.
Vetullholla tash po vjen,
Dalim para me sheqera.
Kush po mbledh në livadh sanë?
Mbledh syzeza fustangjanë,
Krejt livadhin e ka zanë.
Ka fillu me rigu shi
Hajde djalë, n’zylyfa t’mi
T’më lagi mu, t’mos lagi ty.
Fryni nji freski e hollë
Fryni një freski e hollë
-//- -//-(çdo varg përsëritet dy herë)
E na i lshoi dardhat përtokë.
Dilni vajza e mblidhni dardha,
Dilni djelm e zgjidhni t’bardha.
Fryni nji freski e hollë
E na i lshoi mollat përtokë
Dilni vajza e mblidhni molla,
Dilni djelm e zgjidhni t’holla.
Mori drandofillja e bardhë
Mori drandofillja e bardhë,
Kur më ra gjethi me ty,
Mora detin anë me sy.
Në mjedis të detit-o
Ish një lis i vogël-o.
Sa i vogël lisi ishte,
Hije t’madhe lisi kishte,
Ku mrizojshin ndand ogiça.
Ndand ogiça me ndand kumonë,
T’tanë një vashë po i rrotullon
Me një thupur po i thupron.
Me një thupur gem lajthi
Suell e i ra dylberit n’sy.
Dylberit na i pikoi lotja.
Pikoi lotja e ra në det.
Deti ngrini akull-o
Mbetën barkat shakull-o
Ishalla fryn ndonjë shirok
Me i nxjerrë barkat në oborr!
Ishalla fryn ndonjë murra
Na i nxjerr vashat këndej ka na.
Prej Masasit t’Malit t’Zi
Prej Masasit t’Malit t’Zi
Vjen dylberi jeremi.
Vjen pa hangër, vjen pa pi.
Ça don ti dylber me ngranë?
Unë e du të hollën-o
Ta kafshoj si mollën-o
Prej Masasit t’Malit t’Zi
Vjen dylberi jeremi.
Vjen pa hanger, vjen pa pi.
Ça don ti dylber me ngranë?
Unë e du të zeshkten-o
Ta kafshoj si pjeshkën-o.
Prej Masasit t’Malit t’Zi
Vjen dylberi jeremi.
Vjen pa hangër, vjen pa pi.
Ça don ti dylber me ngranë?
Unë e du të bardhën-o
Ta kafshoj si dardhën-o.
Moj e bardhë si letër
Moj e bardhë si letër
Nuk të ndrroj me tjetër
Dil e fol me mu!
Pa kunorë s’të du!
Moj e bardhë si letër,
Nuk të ndrroj me tjetër.
Dil e fol me mu,
Pa unazë s’të du!
Moj e bardhë si letër
Nuk të ndrroj me tjetër
Dil e fol me mu,
Pa sahat s’të du!
Moj e bardhë si letër
Nuk të ndrroj me tjetër.
Dil e fol me mu,
Pa koret s’të du!
Moj unaza rreth me ar
Moj unaza rreth me ar, rreth me ar,
Ke marrë burrin djalë beqar, djalë beqar.
Djalë beqar e djalë të ri, djalë të ri.
Tana shoqet t’kanë lakmi, t’kanë lakmi.
T’kanë lakmi e plaçin-o, plaçin-e.
Ndër shoqe mos dalshin-o, dalshin-e!
Diell e hanë mos pafshin-o, pafshin-e!
Moj unaza rreth me serm, rreth me serm
Ke marrë burrin djalë esmer, djalë esmer.
Djalë esmer e djalë të ri, djalë të ri.
Tana shoqet t’kanë lakmi, t’kanë lakmi
T’kanë lakmi e plaçin-o, plaçin-e!
Ndër shoqe mos dalshin-o, dalshin-e!
Diell e hanë mos pafshin-o, pafshin-e!
More filxigeni njomë
More filxigeni i njomë
A e din se pse po këndojmë?
Djalin tonë ne po martojmë.
A të dhimbet baba, moj që po len?
Nuk më dhimbet baba mu,
Se e ka ditë se rrin pa mu
Qysh njat ditë që m’ka feju.
More filxigeni i njomë
A e din se pse po këndojmë
Djalin tonë ne po martojmë.
A të dhimbet nana, moj që po len
Nuk po m’dhimbet nana mu
Se e ka ditë se rrin pa mu
Qysh njat ditë që m’ka feju.
More filxigeni i njomë
A dinse pse po këndojmë
Djalin tonë ne po martojmë.
A të dhimben vllaznit, moj që po len?
Nuk po m’dhimben vllaznit mu
Se e kanë ditë se rrinë pa mu
Qysh njat ditë që m’kanë feju.
More filxigeni i njomë
A e din se pse po këndojmë?
Djalin tonë ne po martojmë.
A të dhimben, moj motrat që po len?
Nuk po m’dhimben motrat mu,
Se e kanë ditë se rrinë pa mu
Qysh njat ditë që m’kanë feju.
More filxigeni i njomë
A e din se pse po këndojmë?
Djalin tonë ne po martojmë.
A të dhimben, moj axhat që po len?
Nuk po m’dhimben axhat mu,
Se e kanë ditë që rrinë pa mu
Qysh njat ditë që m’kanë feju.
More filxigeni i njomë(variant)
A e din pse po këndojmë,more filxigeni i njomë
Baba djalin po marton, more filxigeni i njomë.
E marton e pastë me jetë, more filxigeni i njomë!
A e din pse po këndojmë, more filxigeni i njomë,
Nana djalin po marton, more filxigeni i njomë,
E marton e pastë me jetë, more filxigeni i njomë!
Kënga vazhdon edhe këtu duke përmendur edhe motrat, vëllezërit, xhaxhallaret, dajat e me radhë njerëzit më të afërt të dhëndrrit, shumëherë edhe me emra, por edhe në përgjithësi.
Ku verove verën-o
-Ku verove verën-o, moj lulja e allit?
-N’bjeshkë t’Kelmendit-o, moj lulja e allit.
-Ulu poshtë n’Zadrimën tonë, moj lulja e allit,
Se ktu kena djelm të hollë, moj lulja e allit,
Se të rrejnë me i’kokërr mollë, moj lulja e allit.
Ulu poshtë n’Zadrimën tonë, moj lulja e allit,
Se ktu kena djelm të ri, moj lulja e allit,
Se të rrejnë me i gotë raki, moj lulja e allit.
Ulu poshtë n’Zadrimën tonë, moj lulja e allit,
Se ktu kena djelm të bardhë, moj lulja e allit,
Se të rrejnë me i’kokërr dardhë, moj lulja e allit.
Ulu poshtë n’Zadrimën tonë, moj lulja e allit,
Se ktu kena djelm të zeshktë, moj lulja e allit,
Se të rrejnë me i’kokërr pjeshkë, moj lulja e allit.
Ku verove verën(variant)
Ku verove veren-o, moj lulja e allit?
Në at majë të malit-o, -//- -//-
Ulu pak n’katund tonë, -//- -//-
Se ktu kena pusa shumë, -//- -//-
E ta lagin rrënjen-o -//- -//-
Se ktu kena djelm të ri, -//- -//-
Që ta kpusin gonxhen ty, -//- -//-
Kush asht ai që ta këputi, -//- -//-
Dhandrri i ri dorëbuti, -// -//-
Ta këputi e e futi n’xhep,-// -//-
E ia run syzezes vet, -//- -//- (në një variant tjetër përmendet Cukali dhe mendoj në zonën e Jubanit apo të Gurit të Zi, por ndoshta edhe më poshtë.)
Shtatë a tetë çelin gonxhet
O shtatë a tetë çelin gonxhet,moj lule, moj lajle
O sa e mira që jam vetë, moj lule, moj lajle!
O shtatë beglerë çuen me m’lypë, moj lule, moj lajle.
O shtatë beglerë unë nuk i mora, moj lule, moj lajle.
Nji ma t’mirin vetë e zgjodha, moj lule, moj lajle.
O m’ka rritë nana jetime, moj lule, moj lajle.
O më ka rritun nana mu, moj lule, moj lajle.
O tuj m’përkundë e tuj m’këndu, moj lule, moj lajle.
O më rriti nana, më rriti, moj lule, moj lajle,
O me kajmak e tul simiti, moj lule, moj lajle.
O karajfil ndër shokë më qiti, moj lule, moj lajle.
A mban mend
A mban mend ti more djalë
Kur luajshim me molla?
Midis shoqesh, ti moj vashë
Ishe ma e holla.
A mban mend ti more djalë
Kur luajshim me dardha?
Midis shoqesh, ti moj vashë
Ishe ma e bardha.
A mban mend, ti more djalë
Kur luajshim me kumulla?
Midis shoqesh, ti moj vashë
Ishe ma e bukura.
A mban mend, ti more djalë
Kur luajshim me pjeshka?
Midis shoqesh ti moj vashë
Ishe ma e zeshkëta.
Vishen vajzat kuq e bardh
Vishen vajzat kuq e bardh, nanë, moj nanë
Ato vishen për djem beqarë, -//- -//-
Vishen vajzat kuq e zi, -//- -//-
Ato vishen për djem të ri, -//- -//-
Ka tri vjet që mu m’kanë ndry, -//- -//-
Diell, as hanë nuk pashë me sy, -//- -//-
Ky zakon s’na duhet gja, -//- -//-
Se na la të ndryme tuj kja, -//- -//-.
Moj nuse, kunata jonë
Moj nuse kunata jonë
Kur të vish në saraj tonë,
Aty gjen një tufë me pata.
Mos kujto, moj, se janë pata
Ato janë zonjat kunata.
Moj nuse, kunata jonë
Kur të vish në saraj tonë,
Aty gjen një tufë me rika.
Mos kujto, moj se janë rika.
Ata janë, moj mbesa e nipa.
A je ba gati, moj nuse
A je ba gati, moj nuse?
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Gati jam, por s’jam goditë
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Çou e merre babën ngrykë,
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Merre ngrykë, banja hallall,
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
A je ba gati, moj nuse?
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Gati jam, por s’jam goditë.
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Çou e merre nanën ngrykë,
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Merre ngrykë, banja hallallë,
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
A je ba gati, moj nuse?
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Gati jam, por s’jam goditë.
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Çou e merri vllaznit ngrykë,
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Merri ngrykë, baju hallall.
Jena tuj ardhë për me t’marrë
A je ba gati, moj nuse?
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Gati jam, por s’jam goditë.
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
Çou e merri motrat ngrykë
Jena tuj ardhë për me t’marrë
Merri ngrykë baju hallallë.
Jena tuj ardhë për me t’marrë.
S’marr kovaçin
Po thotë nusja s’marr kovaçin,
Se ka dorën me thëngjill,
Më prekë faqet e m’i nxin.
Po thotë nusja s’marr kovaçin,
Se ka dorën me thëngjill,
Më prek ballin e ma nxin.
Po thotë nusja s’marr kovaçin,
Se ka dorën me thëngjill,
Më prek qafën e ma nxin.
Duhet të themi se në çdo moment të dasmës zadrimore ka pasur këngë të ndryshme që i ka shoqëruar këto momente të veçanta. Është e natyrshme se lumi i këngëve që ka shoqëruar këto çaste të gëzueshme ka qenë i madh dhe i larmishëm, pasi edhe dasma vetë ka pasur momente të shumta organizative sipas etapave të zhvillimit të saj. Thamë edhe më sipër dhe u përpoqëm ta ilustrojmë me disa nga këngët e kënduara për këto momente, se dasma, sidomos ajo e djalit, ka nisur si zakonisht dy javë para me leçinë e martesës në kishën e famullisë përkatëse(kjo sigurisht, për shumicën e popullsisë e cila ka qenë dhe ka mbizotëruar vazhdimisht ajo katolike) ku ka bërë pjesë familja dhe është bërë dasma. Etapa të tjera të rëndësishme të dasmes kanë qenë edhe dita e enjte, kur fisi është mbledhur dhe janë shpërndarë thirrësat dhe marrëset të cilët ngarkoheshin të shkonin nëpër fshatrat apo qytetet e zonës për të njoftuar e thirrur miqtë dhe të afërmit e familjes. Në kohën e sotme është reduktuar pothuajse fare ky moment, pasi, siç e kemi cilësuar edhe më sipër, organizohet me shpërndarje ftesash dhe nuk pritet dita e enjte, por shpërndahen javë e mbase muaj më parë se të bëhet ceremonia e dasmës. Nuk e di në se organizohet ende si më parë leçia e martesës, por besoj se po, pasi zona është e tëra katolike dhe besimi është rivendosur dukshëm tek popullata dhe kishat janë ndërtuar e rindërtuar në çdo fshat të Zadrimes, madje edhe aty ku nuk ka pasur më parë se regjimi komunist t’i shembte në tërë vendin. Madje, madje, më pëlqen të them se nga e gjithë tradita e hershme e organizimit të dasmës, ky moment pothuajse ka ngelur i pacënuar, pas rivendosjes me hapjen përsëri të kishave, pasi sot të gjitha momentet e tjera kanë ndryshuar totalisht dhe janë thjeshtëzuar së teprmi, në mos eleminuar fare. Besoj se mund të jetë i vetmi moment që këndohet ende kënga e dasmës zadrimore, pasi nuk besoj se edhe në atë ditë vendin e saj e zënë orkestrat, apo DJ-të.
Veprimtaritë e ndryshme që kam përmendur më sipër në të shumtat e rasteve janë shoqëruar me këngë të veçanta. Kur janë shpërndarë thirrësat janë kënduar këngë ku porositen thirrësat që ta nxjerrin faqebardhë të zotin e shtëpisë që organizon dasmën duke mos harruar askënd pa thirrur, por edhe të dinë me thirrë, pasi kur vijnë dasmorët nganjëherë vetë dasmorët këndojnë këngë humoristike ku mundohen me e vu në lojë të zotin e shtëpisë duke i thënë se ia ka dërguar thirrësin budalla, se ai nuk ka ditur me e thirrë e gjëra si këto.
“Udhae mbarë o ju thirrsat tonë
Udha e marë o thirrsat tonë
Falëmeshëndet ju miqsisë tonë!
Falëmeshëndet ju t’u bani
Pa thirrë kand ju, të mos lani!
Falëmeshndet miqsisë mbarë
T’shtunden mrama me na ardhë
Kem shyqyr se martojmë djalë,
Se martojmë ne djalin tonë
Te tanë n’darsem t’na urdhnojnë.
Ma ke çu thirrsin budall,
Ma ke çu thirrsin budall, or(Filani)
Ni javë darsëm ai m’ka thanë, -//-
Veç tuj pi e veç tuj ngranë, -//-
Mos me lujt vendit m’ka thanë,-//-
Te tanë harxhet pa t’i ngranë,-//-
Pa ta pi rakinë te tanë, -//-
Pa t’tha vozga e damuzhanë,-//-
Prej konakut s’kam me lujt kamë(këmbë).-//-”
një variant tjetër është
:
Ma ke çu thirrsin budall, o i zoti i shpisë.
-//- -//- -//- -//-
Na ka thirr-o për një javë, o i zoti i shpisë.(përsëritet vargu)
Për një ditë nuk kishim ardhë, o i zoti i shpisë.
Sa me ba teshat pa lamë, o i zoti i shpisë.
Po kështu u është kënduar edhe arkaxhinjve ashtu si edhe petkaxhinjve, atyre që çojnë dhantinë, kuzhinierit(akshixhisë) para se të marrë detyrën për t’i nderuar me ushqimet e gatuara, por edhe pas dasmës duke e lavdëruar për punën e kryer mirë. I kanë kënduar deverit, krushkaparit e shumë e shumë të tjerëve. Sigurisht, unë nuk pretendoj fare të jem shterues për këtë temë, por do të mundohem të paraqes këtu sa më shumë të jetë e mundur nga ai oqean i madh i këngëve tradicionale të dasmës zadrimore. Ndoshta është momenti të falenderoj këtu të gjithë ata që më kanë ndihmuar ta paraqes këtë kumtim dhe këta janë të shumtë, prandaj nuk mund t’i falenderoj të gjithë emër për emer, por, me përulje të thellë ua drejtoj mirënjohjen time në grup të gjithë nxënësve të mi të shkollës së mesme të përgjithshme në Dajç të Zadrimës të të gjitha kohërave që kam pasur rastin t’i mësoj duke u dhënë lëndën e letërsisë që nga viti 1985 dhe deri në vitin1999. Mirënjohja ime për ta është e thellë pasi pa bashkëpunimin e tyre nuk do të kisha arritur t’ia dal deri në këto kufinj që kam arritur. Shpresoj që të ndjehen krenarë me të gjitha ato që unë po paraqes këtu, se është kontributi i tyre mjaft i vyer dhe mjaft profesional, ashtu siç më kanë bërë edhe mua të ndihem krenar për ata çka ata ishin, për zgjuarsinë dhe vullnetin e tyre të jashtzakonshëm që kanë treguar gjatë procesit mësimor si dhe këmbënguljen për të realizuar me sukses detyrat e ngarkuara nga unë. Rezultatet e tyre të larta në lëndën time në atë shkollë dhe jo vetëm aty, por edhe në shkollat e larta ku një pjesë e tyre kanë studjuar, më kanë bërë të ndihem gjithnjë krenar për ta dhe gjithmonë u jam e do t’u jemë mirënjohës.
Momente të tjera të dasmës kanë qenë edhe pritja e dasmorëve të shtunën në mbrëmje, pasi gostia me miq ka qenë organizuar që ditën e shtunë në darkë ku vinin shumica e miqve. Pritja e miqve është shoqëruar me këngë të veçanta. Çdo dasmori që ka arritur në dasëm natën e të shtunës mbrëma(kur dasma është bërë ditën e diel, se tradicionalisht, dasma është bërë ditën e hënë. Është kthyer të bëhej ditën e diel me diktat nga diktatura komuniste.) i është kënduar kënga duke i thënë:
Ju ma paçi faqen e bardhë
Ti ma paç faqen e bardhë, o (Filan Fisteku)
Që ke begenisë e na ke ardhë, o(Filan Fisteku),
(duke përmendur emrin e atij që arrin në dasëm). Emri i nipave apo të dajave shoqërohet me shenjen dalluese “daja” Filani, apo nipat tonë.
Zakonisht kënga ka nisur me vargjet:
Mirëmbrama, mirëmbrama, o(Filan Fisteku)
A ke buk-o me na dhanë o(Filan Fisteku)?
Sa ka deti ujë e ranë, o miku jonë.
Kemi sarajet gjatë e gjanë, o miku jonë.
Kur vijnë dajat kanë kënduar këngë të veçantë, pasi ata zakonisht në dasmën e djalit kanë sjellë me vete edhe një dash.
Kush asht ai që vjen me dash
Asht daja (Filan) -o bylykbash,
Ai ma pastë faqen e bardhë
Që ka begenis e na ka ardhë
Kush asht ai që vjen mbas dashit?
Asht njaj djali(vëllai) i bylikbashit.
(me dajen vjen ndonjë nga djemtë e tij apo dikush tjetër i afërm që e ndihmon me sjellë dashin e dasmës i cili bëhej kurban i dasmës, pasi mbaron dasma dhe ikin dasmorët, shumica, me përjashtim të dajave dhe njerëzve më të afërm të familjes. Kështu shtrohej një drekë përsëri ditën e hënë, kur dasma(nusja është marrë ditën e diel), ose të marten, pasi në zakonin e përgjithshëm të Zadrimës nusja është marrë ditën e hënë. Ajo ditë ka qenë quajtur “e hënja e dasmës” dhe në një kohë kur ndërpriteshin dasmat, ka pasur një periudhë kohore në vit kur nuk bëheshin më dasma, dita e fundit e sezonit të dasmave është quajtur e “hanja e mbrame”. Ajo e hëne ka qenë diku andej nga nëntori, besoj, por nuk jam i sigurtë për këtë, pasi ka kohë që edhe ky rregull përgjithësisht është kapërcyer si shumë rregulla të tjera. Tashti dasmat nuk bëhen vetëm ditë të dielave të diktuara nga regjimi komunist, apo të hënave tradicionalisht, por edhe ditë të tjera të javës prej fluksit të madh të tyre dhe prej pamundësisë për të siguruar, kur dëshirohet, kuzhinieri i dëshiruar, orkestra e dëshiruar, apo edhe lokali i dëshiruar. Janë tashmë të rralla dasmat që organizohen në kushte shtëpie dhe në se po, vetëm me një drekë dhe kaq. Gjithashtu, aty zotëron orkestra dhe këngët tradicionale pak, ose aspak këndohen. Edhe kur nuk arrihet të merret orkestër, dasma tashmë bëhet me DJ e kjo, gjithësesi, eleminon dukshëm tradicionalën. I kam cilësuar e theksuar edhe më lart këto dukuri, por po i theksoj edhe një herë për të thënë se kohërat kanë ndryshuar e për pasojë kanë ndikuar së tepërmi edhe në ritet tradicinale e sidomos në fondin e kulturës dhe këngës në përgjithësi. Madje, i nxitur nga kjo, ndërmora këtë nismë të paraqes këtë punim si monument i traditës së shkëlqyer të popullit tonë. E di që kjo traditë e shkëlqyer sot lëngon dhe është me një këmbë në varr si një plak i moçëm mijëravjeçar, madje, ende gjallë, por në grykë të varrit, pa funeral. E di se pothuajse askujt nuk i interesojnë më këto këngë, madje, e di edhe se shumëkush i quan tejet arkaike e të padobishme, por ekzistenca e tyre qindra e mijëravjeçare meriton të nderohet e të respektohet, pasi e kanë shoqëruar popullin tonë në çastet më të gëzueshme që ai ka pasur. Martesa e fëmijës për prindin e sidomos martesa e djalit ka qenë gëzimi me përmasa të jashtzakonshme. Ne jemi pasardhësit e denj të një populli të denj e me tradita të shkëlqyera e të papërsëritshme. Pra, duke dashur origjinën tonë të mrekullueshme nuk mund të mos duam edhe kulturën dhe zakonet e mira që të parët tanë kanë kultivuar, trashëguar, pasuruar e ruajtur brez pas brezi. Mendoj se jo vetëm tradita dhe origjina jonë nuk duhet përbuzur, por edhe duhet nderuar e respektuar, pse jo edhe ruajtur me fanatizëm ajo pjesë e bukur dhe e papërsëritshme e kulturës popullore zadrimore.
Le të paraqesim këtu me radhë këngë të tjera që shoqërojnë etapa të tjera të dasmës, por edhe ato të përgjithshmet që janë kënduar për të shprehur gzimin, por edhe për të argëtuar dasmorët.
Mirëmbrama
Mirëmbrama, mirëmbrama, o i zoti i shpisë!
Mirsevini, mirësevini, miqësia jonë!
A ke vend, a ke vend-o me na lanë
Kam sarajet, kam sarajet gjatë e gjanë.
A ke bukë, a ke buk-o me na dhanë?
Sa ka deti, sa ka deti ujë e ranë.
A e din pse kena ardhë
A e din pse kena ardhë, o i zoti i shtëpisë?
Kena ndi se marton djalë, o i zoti i shpisë.
Me urime e trashëgime, o i zoti i shtëpisë!
Me urime djalë mbas djalit, o i zoti i shpisë!
Udha e mbarë
Udha e marë, o krushku i parë
I thuaj nuses për me ardhë!
Udhae marë, o krushku i dytë
I thuaj nusës mbylli sytë!
Udha e marë, o krushku i tretë
I thuaj nuses, hajde vetë!
Një tjetër variant është:
* * *
Udha e marë, o krushku i parë
M’i thuaj nuses kjaj kadalë!
Kjaj kadalë e kjaj me lot,
Se s’t’ka ba kurrkush me zort.
Udha e marë, o krushku i dytë,
Ma bjer nusen për misditë.
Udha e marë, o krushku i tretë,
I thuaj nuses: hajde vetë
Udha e marë ju krushq sa jini,
Për misditë nusen ma bini!
Udha e marë kunat deveri
M’i ke krahët si skifteri.
* * *
Shkojshin krushqit rrugave
Për me marrun nusen-o
Gzonju, gzonju o krshq-o
Sot po merrni nusen-o
Çou, moj bijë
Çou, moj nuse, çou, moj bijë,
Të ban nana nuse ty.
Ta vesh nana velin-o
Unë vel s’vesha kurr se leva,
Fluturim ta hedh te dera.
Çou, moj nuse, çou, moj bijë,
Të ban nana nuse ty
Ta ven nana orën-o
Unë orë s’vuna kurrë se leva,
Fluturim ta hedh te dera.
Çou, moj nuse, çou, moj bij,
Të ban nana nuse ty
Ta ven nana kunorën-o
Unë kunorë s’vuna se leva
Fluturim ta hedh te dera.
Një variant tjetër
Çou, moj nuse, çou, moj bijë, çou, moj bijë(vargu përsëritet dy herë)
Të vesh nana nuse ty, nuse ty
Besa nanë po kam merzi, kam merzi
Me ta sjellun shpinen ty, shpinen ty.
Nana sot po t’marton, po t’marton,
More djalin zemra t’kndon, zemra t’kndon.
Ka çil mali xhenxhafil, moj nana ime
Ka çil mali xhanxhafil, moj nana ime
Ç’janë kta krushq-o që po vinë, moj nana ime
Ata vinë me t’marrun ty, moj bija ime.
Mbylljua derën, mos ua hap, moj nana ime
Unë ua hapi dy kapak, moj bija ime
Piqua kafen pa sheqer, moj nana ime,
Le t’u bahet krejt zeher, moj nana ime
Unë ua pjeki me sherbet, moj bija ime
U pjek kafe e u baj llafe, moj bija ime.
Nisja e krushqëve ka pasur raste që është shoqëruar edhe me këngë humoristike.
Ça kanë krushqit
Ça kanë krushqit që po sillen
E s’po dinë me dalun-o
Krushkaparit po i sillet shpia
Se i ka ba dam mramë rakia
Krushkut dytë na i dhimbka barku
Ia ka çumun ngusht bardhaku.
Kund s’po duket krushku i tretë.
Asht në shtrat me grue tuj fjetë.
Kur krushqit kanë shkuar të marrin nusen, kënga dhe vallja vazhdon pësëri tek shtëpia e dhëndrrit nga ajo pjesë e dasmorëve që janë aty dhe nuk kanë shkuar krushq. E cilësoj këtu edhe një herë se në Zadrimë numri i krushqëve nuk ka qenë, pothuajse asnjëherë i paracaktuar. Sipas mundësive, për të marrë nuse ka shkuar kush ka mundur. Në hershmëri zakonisht rruga është bërë me këmbë, por në kohët e mëpastajme filloi të modernizohej gjithnjë e më tepër dhe u futën mjete të ndryshme transporti. Kur u vunë në dispozicion kamionët e kooperativave, numri i krushqëve që do të shkonin tek shtëpia e nuses filloi të kufizohej edhe në varësi të kapacitetit që kishin këta kamionë, por dikush-dikush ia gjente mundësinë dhe udhëtonte me ndonjë biçikletë. Në fillim nusja merrej në një kal shale, ku në rrugën për tek shtëpia e nuses kishte hipur deveri dhe në kthim nusja hipte në kal e deveri në këmbë së bashku me krushqit e tjerë, edhe pse mund të ishte shpeshherë një fëmijë i vogël shtatë, tetë a pak më shumë se aq vjeç. Por në kthim mund të merrej në prehër nga ndonjëri prej dasmorëve që kishte shkuar me kal si krushk, pasi ka pasur mjaft raste dhe me kuaj shale shkonte krushk kush i kishte mundësitë. Të tjerët me këmbë. Edhe tek shtëpia e nuses krushqit kanë kënduar, jo edhe aq shumë dhe gjithnjë me lejen e mikut, babait të nuses. Zakonisht, dikush që kishte pritur krushqit nga pala e njerëzve të nusës ua ka hapur këngën krushqeve, në të shumten e rasteve këngë me çifteli e pasi e ka përfunduar këngën, ia ka zgjatur çiftelinë krushkaparit e ky i fundit e ka adresuar tek ndonjëri prej krushqëve që ka ditur t’i binte e këndonte. Këta tipa janë parazgjedhur në mënyrë të veçantë dhe janë dërguar për krushq. Mund të kenë qenë nga radhet e kushërinjve apo të fisit ose edhe i shtëpisë, por edhe nga radhët e miqve të ftuar si dasmorë. Këngët që janë kënduar aty, zakonisht kanë qenë këngë epike trimërie, por edhe ndonjë lirike. Këta të fundit pa e kaluar dozën me fjalë konkrete për nusen, në mënyrë që të mos preken familja dhe të afërmit e saj. Kjo më shumë si çështje etike.
Gjatë rrugës së kthimit, pasi e kanë kaluar kufirin e fshatit të nuses, krushqit shpesh kanë kënduar e hedhur valle, duke bërë edhe pushime sidomos kur rruga ka qenë relativisht e gjatë dhe në hershmëri është bërë me këmbë në mungesë të mjeteve të udhëtimit. Por aty janë kënduar këngë mbarë dhe jo me ndonjë specifikë të veçantë. Me specifikë të veçantë janë kënduar këngët kur krushqit i janë afruar fshatit dhe sidomos kur ata kanë hyrë në kufinjtë e tij:
karajfili i bardhë
Katrajfil sapun
Nusja hyn n’katund.
Karajfil i bardhë
Nusja hyn n’mahallë.
Karajfil i butë
Nusja hyni n’rrugë.
Karajfili i verdhë
Nusja jonë na erdh.
Karajfili bini.
Nusja jonë ia mbrrini.
Karajfil shatorr,
Nusja hyn n’oborr
Karajfil me palë
Nusja hyn në shkallë.
Karajfil me erë,
Nusja hyn në derë.
Karajfil në gotë
Nusja hyni n’odë.
Në një variant tjetër vargu ndryshon disi p.sh.
* * *
Nusja jonë në rrugë, karajfil në tufë
-//- -//-(çdo varg këtu përsëritet dy herë)
Nusja jon n’oborr, karajfil shatorr,
Nusja jonë në shkallë, karajfil i bardhë
Nusja jonë në derë, karajfil me erë.
Karajfili bini, nusja jonë ja mrrini.
Në momentet e para të ardhjes së nuses në shtëpinë e dhëndërrit, përveç këngës së mësipërme janë kënduar edhe këngë të tjera. Ndër ta është edhe kjo:
Ec ka i kamë
Ec ka i kamë e pesho randë, moj kaden (nusja)(këtu përmendet edhe
emri i saj shpesh herë)
Babës vjeherr një temenamë, moj kaden (nusja).
Ec ka i kamë e pesho randë, moj kaden nusja.
Nanës vjehërr një temenamë, moj kaden nusja.
Ec ka i kamë e pesho randë, moj kaden nusja.
Kunatisë një temenamë, moj kaden nusja.
Ec ka i kamë e pesho randë, moj kaden nusja.
Dajave tonë një temenamë, moj kaden nusja.
Ec ka i kamë e pesho randë, moj kaden nusja.
Axhave tonë një temenam, moj kaden nusja.
Ec ka i kamë e pesho randë, moj kaden nusja.
Hallave tona një temenamë, moj kaden nusja.
Sa bukur na ka dalë nusja
Sa bukur na ka dalë nusja, marshalla, marshalla!
E bukur për bukuri, marshalla, marshalla!
Paska shtatin si selvi, marshalla, marshalla!
Paska ballin miskali, marshalla, marshalla!
Paska syrin rrush të zi, marshalla, marshalla!
Paska faqet gurabi, marshalla, marshalla!
Paska gojën si kuti, marshalla, marshalla!
Paska dhamët si inxhi, marshalla, marshalla!
Paska gushën për gjerdan, marshalla, marshalla!
Paska vetllen si gajtan, marshalla, marshalla!
Paska ballin për nishan, marshalla, marshalla!
Paska gishtat për unazë, marshalla, marshalla!
Pse m’ke thanë?
Moj nuse kunata jonë
Pse m’ke thënë baba m’ ka dashtë?
Se ty baba, moj, s’t’ka dashtë
N’dhetë sahati t’ka nxjerrë jashtë.
Moj nuse, kunata jonë
Pse m’ke thanë nana m’ka dashtë?
Se ty nana, moj s’t’ ka dashtë,
N’dhetë sahati t’ka nxjerrë jashtë.
Moj nuse, kunata jonë
Pse m’ke thanë vllaznit m’kanë dashtë?
Se ty vllaznit, moj s’t’ kanë dashtë,
N’dhetë sahati t’kanë nxjerrë jashtë.
Moj nuse, kunata jonë
Pse m’ke thanë motrat m’kanë dashtë?
Se ty motrat, moj s’t’ kanë dashtë.
N’dhetë sahati t’kanë nxjerrë jashtë.
Siç shihet edhe nga kënga, zakoni ka qenë që nusja nga shtëpia e prindërve të saj ka dalë zakonisht rreth orës dhjetë në paradrekën e së dielës apo të hënës, kur dasmat janë zhvilluar ditë të hënave. Kënga i këndohej nuses kur e mbështetnin diku pas një muri dhome apo shtëpie, para dasmorëve. Në të dy anët e saj, zakonisht kanë qëndruar dy gra që e shoqëronin dhe e ndihmonin për ndonjë problem që dilte gjatë dasmës.
Ato gjithashtu e këshillonin kur duhej ulur në karrike apo ndonjë stol që është vendosur aty enkas për të.
Nusezo, lulezo(variant)
Pse m’ke thanë nana t’ka dashtë? Nusezo, lulezo.
Ty sot nadje t’ka nxjerrun jashtë, nusëzo, lulezo.
Nana jote jashtë t’ka qitë, nusëzo, lulezo!
Nana vjehërr të ka pritë, nusezo, lulezo!
Pse m’ke rrejt baba t’ka dashtë, nusezo, lulezo?
Ty sot nadje t’ka nxjerrë jashtë, nusezo, lulezo
Se ty baba jashtë t’ka qitë, nusezo, lulezo.
Baba vjehërr të ka pritë, nusezo, lulezo.
Çka t’ka balli
Ça t’ka balli që të shndritë, mor florini i vogël-o?
A m’ke vu kunorë përditë, mor florini i vogël-o?
Ç’asht kunora s’e kam ditë, mor zamaku i fushës-o.
E kam rujt për njikit ditë, mor zamaku i fushës-o,
Se kit ditë unë e kam pritë, mor zamaku i fushës-o.
Ça t’ka gusha që po t’shndrit, mor florini i vogël-o
A m’ke vu gjerdan përditë, mor florini i vogël-o?
Ç’asht gjerdani s’e kam ditë, mor zamaku i fushës-o.
E kam ruajt për njikit ditë, mor zamaku i fushës-o,
Se kit ditë unë e kam pritë, mor zamaku i fushës-o.
Po thotë nusja jam e mirë
Po thotë nusja jam e mirë, jam e mirë.
O jam ma e mirë se baba vjehërr,
Jam ma e mirë, jam ma e mirë.
Babës vjehërr po i vjen mirë, po i vjen mirë,
Se i ka dalë reja e mirë, reja e mirë.
Po thotë nusja jam e mirë, jam e mirë.
O jam ma e mirë se nana vjehërr
Jam ma e mirë, jam ma e mirë.
Nanës vjehërr po i vjen mirë, po i vjen mirë,
Se i ka dalë reja e mirë, reja e mirë.
Po thotë nusja jam e mirë, jamë e mirë.
Jam ma e mirë se kunatia.
Jam ma e mirë, jam ma e mirë.
O kunatisë po i vjen mirë, po i vjen mirë,
Se u ka dalë kunata e mirë, kunata e mirë.
Po thotë nusja jam e mirë, jam e mirë.
Jam ma e mirë se axha (Filan)
Jam ma e mirë, jam ma e mirë
……………….. dhe kështu kënga vazhdon duke përmendur emrat e të gjithë të afërmëve të dhëndërrit me halla, teze, daja e të tjerë.
Mori lulja e frashnit t’bardhë
Mori lulja e frashnit t’bardhë, frashnit t’bardhë,
A t’tha baba udha e marë, udha e marë?
Udha e marë baba m’ka thanë, udha e marë,
Lot për faqe ia kam lanë, ia kam lanë.
Mori lulja e frashnit t’bardhë, frashnit t’bardhë,
A t’tha nana, moj udha e marë, udha e marë?
Udha e marë nana m’ka thanë, udha e marë!
Lot për faqe ia kam lanë, ia kam lanë.
Mori lulja e frashnit t’bardhë, frashnit t’bardhë,
A t’ thanë vllaznit, moj udha e marë, udha e marë?
Udha e marë vllaznit m’kanë thanë, udha e marë.
Lot për faqe ua kam lanë, ua kam lanë.
Mori lulja e frashnit t’bardhë, frashnit t’bardhë,
A t’thanë motrat, moj udha e marë, udha e marë?
Udha e marë motrat m’kanë thanë, udha e marë.
Lot për faqe ua kam lanë, ua kam lanë.
Duhet thënë se kënga e dasmës zadrimore është e aktualizuar dhe përshtatur me përsonin që i këndohet. Në qoftë se nusja nuk ka pasur ndonjërin nga përsonat e mësipërm, babain, nënën, motra apo vëllezër, në këngë nuk përmenden në mënyrë që të mos shkaktohen gjendje të thella emocionale, apo edhe keqkuptime të panevojshme. Pra, grupet e këngëtarëve, apo drejtuesit e këtyre grupeve, në fillim, para se t’ia nisin këngës, njihen me situatën në gjendjen e nuses duke u interesuar se çfarë përbërje familjare ka pasur e ka tek shtëpia e prindërve të saj. Zakonisht, ata që këndojnë, mund të jenë më të afërmit e dhëndërrit dhe janë të mirinformuar. Kështu duhet thënë edhe për një pjesë tjetër këngësh në mënyrë të veçantë ato që lidhen me familjarët e të dyja palëve dhe këtu kemi paraqitur edhe më përpara këngë të tilla si: “shumë shyqyr kenka niktu!”, “jam ma e mirë”, “udha e mbarë dhantia jonë”, “ka çu nusja telegram”, “kena ndi se ke shyqyr”, “mollë e kuqe top sheqere”, “more filxigeni njomë”, “a je ba gati, moj nuse”, “moj nuse kunata jonë”, e të tjera si këta.
Nusja shtatin si selvi
O nusja shtatin si selvi, oj nuse, nuse bardha,
O shpirto, sillu ti prej dhandrrit, o moj nuse!
O nusja ballin porsi shpata, oj nuse, nusebardha,
O shpirto, sillu ti prej dhandrrit, o moj nuse!
O nusja synin si ullini, oj nuse, nusebardha,
O shpirto, sillu ti prej dhandrrit, o moj nuse!
O nusja gojën si kutia, oj nuse, nusebardha,
O shpirto, sillu ti prej dhandrrit, o moj nuse!
O nusja faqet gurabi, oj nuse, nusebardha,
O shpirto, sillu ti prej dhanddrit, o moj nuse!
Nusja jonë e mirë
Nusja jonë e mirë,
E ndritun si diell,
Shtatin si selvi,
Lum vjehrra për ty!
Nusja jonë si hana,
Lum ç’vajzë rriti nana,
Synin rrush të zi,
Lum kunata për ty!
Nusja jonë si yll,
Si lulja kur çil
Ballin si shpata,
Shoqet po i len mrapa.
Nusja jonë si molla,
Lum për djalin tonë
Ka marrë vajzë si drita
I shkoftë jeta me t’mira!
Po lyp nusja me ngranë
Po lyp nusja bukë me ngranë
T’ka lanë baba, moj pa ngranë.
Nana vjehërr jepi bukë!
I jap bukë e miredi,
Lumja unë kush m’erdhi n’shpi!
Po lyp nusja ujë me pi
Nana e vet e ka lanë pa pi.
Çou kunatë-o jepi ujë!
Ujë e sherbet unë ia jap,
Lumja unë kush m’erdh n’konak!
Çka kanë nuset?
Ça kanë nuset që janë mërzitë
Dhe përtokë i kanë ulë sytë
Kanë ul sytë s’janë tuj shiku,
Nusja e re ua ka kalu.
Nusja e re po luan me ta,
Po ua ban ka i temenam.
Ma e mira ndër ta jam,
Temenamen iu baj tamand.
Po rrinë vajzat tuj shiku,
Mendojnë nuse për me shku.
Nusen tonë po e shikojnë
Dhe prej saj duan të mësojnë.
Kaden nusja
A e din se ku ke ardhë, moj kaden nusja?
Në saraj tonë gjanë e gjatë, moj kaden nusja.
Në sarajet me pasuri, moj kaden nusja.
Fort ta kesh për begeni, moj kaden nusja!
Endi mendra
Endi mendra çili mendra
Babës vjehërr iu çil zemra.
Endi mendra, çili mendra
Nanës vjehërr iu çil zemra.
Fryni era rrëzoi mollën
Fryni era rrëzoi mollën
Baba vjehërr ma njit dorën.
Në ma njitsh ti dorën mu,
Kur t‘m’urdhnosh kam me t’ndig’ju.
Fryni era rrëzoi mollën
Nana vjehërr ma jep dorën.
Në ma dhaç, moj dorën mu,
Kur t’m’urdhnosh kam me t’ndig’ju.
Fryni era, rrëzoi mollën,
Axha (Filan) ma jep dorën.
Në ma dhaç ti dorën mu
Kur t’m’urdhnosh kam me t’ndig’ju.
Dhe vazhdon duke përmendur edhe njerëzit e tjerë të afërt të dhëndërrit.
Dil,moj nanë
Dil, moj nanë e shih me sy
Se ç’e mirë po vjen në shpi.
Po vjen nusja e djalit-o
Po vjen zojë, po vjen hyjri,
Po bjen pajë, po bjen dhanti,
Po bjen grosh, po bjen stoli
Me ta gzu, moj djalin ty.
Dil, mor babë e shih me sy
Se ç’e mirë po vjen për ty
Po vjen nusja e djalit-o
Po vjen zojë, po vjen hyjri,
Po bjen pajë, po bjen dhanti,
Po bjen grosh, po bjen stoli,
Me ta gëzu mor djalin ty.
Dil, moj nanë(variant)
Dil, moj nanë e shih me sy,
se ç’e mirë po vjen për ty,
nusja e djalit si selvi.
Si selvi, si lis me gema,
nanës vjehër po i gzon zemra.
Dil, mor babë e shih me sy,
se ç’e mirë po vjen për ty,
nusja e djalit si selvi.
Si selvi, si lis me gema,
babës vjehërr po i gzon zemra.
Mori lulja e blinit
Mori, lulja e blinit-o, e blinit-e,
Ja ma ke, moj baben-o, baben-e?
Mos me pas, moj baben-o, baben-e,
Kush ta ban, moj dasmen-o, dasmen-e?
Mori lulja e blinit-o,blinit-e
Ja ma ke moj nanen-o, nanen-e?
Mos me e pas, moj nanen-o, nanen-e
Kush ta ban, moj dasmën-o, dasmën-e?
Mori lulja e blinit-o, blinit-e
Ja m’i ke, moj vllaznit-o, vllaznit-e?
Mos me i pas, moj vllaznit-o, vllaznit-e
Kush ta ban, moj dasmën-o, dasmën-e?
Dhe vazhdon me xhaxhallaret e të tjerë.
Moj meranxhe
Moj, meranxhe, moj lemu,
Të kam dashtë edhe të du.
Tybe m’kjoft në daça tjetër
Veç për synin qi m’ke nën vetull.
Të vjen era mollë e ftu,
Mollë e ftu e filxigen,
Të kam dashtë, moj pernjimend.
Moj meranxhë, moj lemu
Të kam dashtë edhe të du.
Tybe m’kjoftë në daça tjetër,
Veç për gushën që m’ke nën mjekërr.
Të vjen era mollë e ftu,
Mollë e ftu e filxigen,
Të kam dashtë, moj pernjimend.
Një tjetër variant:
Moj meranxhe, moj lemue
-//-(çdo varg përsërite dy herë)
Të kam dashtë e prap të due
Të vjen era mollë e ftue,
Mollë e ftu e filxigen
Hajde rri te giuni em
Mori lulja e portokallit
Mori lulja e portokallit
Ku m’ke bijt midis livadhit?
Unë kam bijtë e kam lulu,
Odat e mija i kam hijshu.
I hijshofsha përngahera!
Marrin grunat renda-renda.
Më çoi nana me dy edha
M’mori gjumi, rashë e fjeta.
Kur u çova gja nuk gjeta.
Mora rrugën larg e treta.
Mora rrugën e Elbasanit.
Me çka i fshij kto djerst’e ballit?
Me shaminë me tufa ari.
Paska nusja
Paska nusja petka t’trasha
Po kujton-o se asht pasha.
Nuk je pasha, por je gru
Nuse’ mirë me t’hollu,
Se s’ke marrë një qen prej lakut,
Ke marrë djal-o prej oxhakut
S’e l’doj unë se asht i emi,
E l’don katundi e gjithë vendi. (l’doj = lavdëroj).
Siç shihet është një nga këngët që i këndohet dhëndrrit dhe këto në krahasim me ato që i këndohen nuses janë më të pakta e më të rralla.
Ka ra dielli me perëndu
Ka ra dielli me perëndu, moj nusja jonë,
Ka dalë baba me t’kërku, -//- -//-
Kërkon mrenda e kërkon jashtë,-//- -//-
Kurrkund nusen nuk e pashë, -//- -//-
Hajde nuse e hamë bukë bashkë, -//- -//-
Ka ra dielli me përendu, -//- -//-
Ke dalë nana me t’kërku, -//- -//-
…………….
Ka ra dielli me perëndu, -//- -//-
Kanë dalë vllaznit me t’kërku, -//- -//-
…………….
Ka ra dielli me perëndu, -//- -//-
Kanë dalë motrat me t’kërku, -//- -//-
……………(përsëriten vargjet: 3,4 dhe 5) e gjithashtu kënga vazhdon duke përmendur edhe xhaxhallarë dhe njerëz të tjerë të afërm të nuses.
Çka ke nuse?
Ça ke nuse që kjan me lot?
Kam lanë baben vetëm sot.
Për në kjofsh, moj vetë e mirë
Ke gjet ktu babë ma të mirë.
Ça ke nuse që kjan me lot?
Kam lan nanën vetëm sot.
Për në kjofsh, moj vetë e mirë,
E gjen nanën ma të mirë.
A ke ba vend për mu?
A ke ba vend për mu, o baba vjehërr?
N’kjofsh e mirë të mbaj në gju, oj nusebardha.
Ça t’m’urdhnosh kam me t’ndigju, o baba vjehërr.
A ke ba kund vend për mu, oj nana vjehërr
N’kjosh e mirë të mbaj në gju, moj nusrbardha.
Ça t’m’urdhnosh kam me t’ndigju, moj nana vjehërr.
Një variant tjetër:
A ke ba kund vend për mu, o baba loci (çdo varg përsëritet dy here)
Hajde rri te gjuni jem, moj nusezo,
Se të du si djalin tem, moj nusezo!
Lumja ti, moj nusja e bukur
Lumja ti, moj nusja e bukur, lumja ti, lumja ti!(çdo varg përsëritet)
-//- -//- -//-
Lumja ti se ku ke ardhë, lumja ti, lumja ti!
Baba djalin ta ka falë,lumja ti, lumja ti!
Lumja ti, moj nusja e bukur, lumja ti, lumja ti!
Lumja ti se ku ke ardhë, lumja ti, lumja ti!
Nana djalin ta ka falë, lumja ti, lumja ti!
Atje nalt
Atje nalt edhe ma nalt,
Ku shtrohen jastekët-o
Po na rrin nji zojë e randë,
Shumë e begenisun-o.
Dhandrri jonë po i rri ng’jat
Tuj e porositun-o
Nanë e babë t’m’i duash fort
Kanë hjek keq me m’rritun-o!
Lehi qeni
Lehi qeni krisi gardhi,
Dilni shihni ça asht zani!
Kenka baba i nuses-o!
Hajt, mor babë ti shko në shpi,
Kam gjetë babë ma t’mirë se ti.
Lehi qeni krisi gardhi
Dilni shihni ça asht zani!
Kenka nana e nuses-o!
Hajt, moj nanë ti shko në shpi!
Kam gjetë nanë më t’mirë se ti.
Nusja jonë doli si zanë
Çfarë ka ktu që pushoi kanga?
Nusja jonë doli si zana.
Ça ka ktu që janë tuj pëshpëritë?
Nusja jonë doli si dritë.
Moj miqsi kryet mos me e ul.
Nusja jonë e mirë na dul(doli).
Ligjëron një qingj i njomë
Ligjëron ni qingj i njomë, ligjeron, moj ligjeron.
Ligjeron me gjetë të zonë, ligjëron, moj ligjeron.
Unë një zanë e kam gjetë, ligjeron, moj lgjeron.
Na u ba shkuesi mukajet, ligjeron, moj ligjeron.
Shkuesi jonë kjoft i bardhë, ligjeron, moj ligjeron!
Paska kenë për kalë me shalë, ligjeron, moj ligjeron!
Nuse t’bukur na e pruni, ligjeron, moj ligjeron,
Nusen tonë dera s’e zuni, ligjeron, moj ligjeron.
Nusja ndej n’karrike
Nusja ndej n’karrike,
Lotja pik’ e pike
Lott përtokë i l’shofsha
Te baba mos shkofsha!
Nusja ndej n’karrike
Lotja pik’e pike
Lott për tokë i l’shofsha,
Te nana mos shkofsha!
Moj nuse, lule limoni
Moj nuse, lule limoni
Baba vjehërr don ujë kroni.
E lyp shpejt çoja kadalë.
Mos i ço gotën pa lamë.
Moj nuse, lule limoni
Nana vjehërr don ujë kroni.
E lyp shpejt çoja kadalë.
Mos ia ço gotën pa lamë.
A t’erdhi mirë se t’erdha unë?
A t’erdhi mirë se t’erdha unë, moj nana vjehërr?
Se njat zjarm ta ndezi unë, moj nana vjehërr.
Tri herë ti e ni herë unë, moj nana vjehërr.
A t’erdh mirë se erdha unë, moj nana vjeherr?
Se oborrin ta mshij unë, moj nana vjeherr.
Tri herë ti e ni herë unë, moj nana vjehërr.
A t’erdh mirë se erdha unë, moj nana vjehërr.
Se njat qen ta lidhi unë, moj nana vjehërr.
Tri herë ti e ni herë unë, moj nana vjehërr.
Nusja sa i qytet
Nusja e madhe sa i qytet
A m’ke marrë ndopak terbjet?
Prej nan’s tande, prej t’yt et?
Baba vjehërr don hysmet.
E don kafen në dyshek
Sadopak e me lezet.
Nusja e madhe sa i qytet
A m’ke marrë ndopak terbjet
Prej nan’s tande prej tyt et?
Nana vjehërr don hyzmet,
E don kafen në dyshek
Sadopak e me lezet.
Kunoren që m’paska nusja
Kunorën që m’paska nusja
Ç’e paska shtërngumun-o!
Kena djalin trim sokol
Nuk ia len pa e hekun-o.
Gjerdanin që m’paska nusja
Ç’e paska shtërngumun-o
Kena djalin trim sokol
Nuk ia len pa hekun-o.
Një tjetër variant është:
Kunorën që m’paska nusja
Ç’e paska shtërngumun-o
Merre djal-o me të mirë!
Mos ia len pa hjekun-o!
Kena djalin trim sokol
Nuk ia len pa hjekun-o
Me të mirë, a me të keq,
Nuk e len pa hjekun-o.
Kush ta hjek kunoren
Moj nuse, moj buzëlule
Kush ta hjek kunoren sonde?
Baba vjeherr me i tufë lule.
Moj nuse, moj buzëlule
Kush ta hjek kunoren sonde?
Nana vjeherr me ni tufë lule.
Moj nuse, moj buzëlule
Kush ta hjek kunoren sonde?
Burri jot me ni grusht hunde.
Siç shihet nga ky variant kënga e dasmës zadrimore ka shpalosur edhe mangësitë e mentalitetit të kohës kur është krijuar dhe kënduar duke e shikuar e konsideruar femrën si plaçkë apo pronë e mashkullit, ku forca e tij do të dalë në pah qoftë edhe duke shfaqur e shpalosur dhunën si e drejtë e tij. Sigurisht, kjo nuk është se na bën krenarë, por ky ka qenë mentaliteti i së kaluarës dhe kështu ai mentalitet është paraqitur dhe shpalosur edhe tek këngët e dasmës në mjaft raste në variante të ndryshme dhe unë, me gjithë shijen e keqe që më lë e paraqita duke mos iu shmangur origjinalitetit vtë këngës. Vargu i fundit i këngës së mësipërme e paraqet gati me një banalitet të papranueshëm, por në ndonjë variant tjetër edhe në një formë më të zbutur si:
“Kemi djalin trim sokol
Nuk ia len pa hekun-o”
Kush të bani nuse
Kush të bani nuse sot
Sheqere e bademen-o
Baba vjeherr e i madhi Zot.
Rritja, Zot, konakun-o!
Kush të bani nuse sot
Sheqere e bademen-o
Nana vjeherr e i madhi Zot
Rritja, Zot, konakun-o!
Moj nuse, zylyfepikë
Moj nuse zylyfepikë,
Paske dalë e paske ikë!
Kush t’ka rrahë, kush t’ka bërtitë?
Baba yt, moj jasht t’ka qitë,
Baba vjehërr, moj t’ka pritë,
N’odë me xhama, moj të ka qitë.
Moj nuse zylyfepikë
Paske dalë e paske ik!
Kush t’ka rrahë e kush t’ka bërtitë?
Nana jote moj, jashtë t’ka qitë,
Nana vjehërr, moj t’ka pritë
N’odë me xhama, moj t’ka qitë.
Moj nuse, zylyfepikë(variant)
Moj nuse, zylyfepikë,
Baba yt, moj jashtë t’ka qitë.
Baba vjehërr ty t’ka pritë.
Moj nuse, zylyfepikë
Nana jote, moj jashtë t’ka qitë
Nana vjehërr ty t’ka pritë.
Të kanë prit ty n’konak,
T’kanë hapë derën dy kapak.
Moj nuse, qafën gastare
Moj nuse, qafën gastare,
Me t’pa ballin, a t’vjen marre?
Hiç mos t’vijë, moj marre ty,
Se ke ballë, moj për bukuri.
Moj nuse, moj qafgastare
Me t’pa synin, moj at’vjen marre?
Hiç mos t’vijë, moj marre ty,
Se ke synin, moj rrush të zi.
Moj nuse, moj qafgastare,
Me t’pa gushën, moj a t’ vjen marre?
Hiç mos t’vij, moj marre ty
Se ke gushën, moj për bukuri.
* * *
Moj nuse, moj qafgastare
A don grosh, moj a don pare?
Nuk du grosh, moj nuk du pare,
Po du burrin djalë beqarë.
Moj nuse, moj farfuri,
A don pare, moj a don stoli?
Nuk du pare, moj nuk du stoli,
Po du burrin djalë të ri!
Moj farfuri
Moj nuse, moj farfuri,
Me shëndet kunora ty!
Shëndet paç, or djalë i ri!
Moj nuse, moj farfuri,
Me shëndet, moj ora ty!
Shëndet paç, or djalë i ri!
Moj nuse, moj farfuri,
Me shëndet, moj unaza ty!
Shëndet paç, or djalë i ri!
Moj nuse, moj farfuri,
Me shëndet, moj veli ty!
Shëndet paç, or djalë i ri!
Moj nuse, po t’baj rixha
Moj nuse, po t’baj rixha,
Po ta baj rixhanë tamand
Ma ul gushën der n’gjerdan!
Moj nuse, po t’baj rixha,
Po ta baj rixhanë tamand
Babës vjehërr një temenam!
Moj nuse po t’baj rixha,
Po ta baj rixhanë tamand
Nanës vjehërr një temenam!
………..dhe kënga vazhdon këtu duke përmendur edhe emrat e tjerë që kanë lidhje të afërt e të ngushtë me dhëndrrin.
Mori kumbulla rraboshnjake
Mori kumbulla rraboshnjake,
hajde moj, peja moj!
O hajde moj se t’diq yt atë,
hajde moj, peja moj!
O në pastë dekë rahmet mos pastë!
hajde moj, peja moj!
Se mu ai më ka nxjerrë jashtë,
hajde moj, peja moj!
Mori kumbulla rraboshnjake,
hajde moj, peja moj!
O hajde moj se t’diq jot amë!
hajde moj, peja moj!
O në pastë dekë rahmet mos pastë!
hajde moj, peja moj
Se mu nana m’ka nxjerrë jashtë.
hajde moj, peja moj!
Fryni era n’shtek t’oborrit
Fryni era n’shtek t’oborrit
Na këputi ni gem limoni.
Ky limoni nuk u kput,
Baba vjehërr, mos u ngut!
Mos u ngut, deshta me t’thanë,
A t’vjen keq o me ta dalë?
Jam ma e kuqe, jam ma e bardhë.
Fryni era n’shtek t’oborrit,
Na këputi ni gem limoni.
Ky limoni nuk u kput,
Nana vjeherr, mos u ngut!
Mos u ngut deshta me t’thanë,
A t’vjen keq o me ta dalë?
Jam ma e kuqe, jam ma e bardhë.
Moj e mira nji e dy
Moj e mira nji e dy,
Ça kanë thanë shoqet për ty,
Me na da, moj mu me ty.
Kush mundohet, moj me na da,
Ai gjithmonë, moj ndejt tuj kja,
Porsi shiu, moj që rrin tuj ra!
Këngët lirike që janë kënduar në dasmën zadrimore, në më të shumtën e rasteve i janë drejtuar nusës së re ku kanë pasur si qëllim me nxjerrë në pah bukuritë e saj, por edhe duke i dhënë asaj udhëzime e porosi që duhej t’i kishte parasysh në jetën e saj pranë burrit në jetën e saj të re. Ndër porositë e shumta sidomos spikasin ato që nusja t’i kishte në kujdes vjehërrinë, jo vetëm duke i respektuar ata, por edhe t’u kryej shërbimet e nevojshme. Një pjesë e këngëve e kanë paraqitur me kujdes marrëdhënien e re që nusja duhej të krijojë në shtëpinë e burrit, me burrin e saj, me vjehërrinë dhe me kunatinë duke ia vënë në dukje se tashmë njerëzit e saj më të afërt janë kryesisht aty dhe se prindërit dhe të afërmit e tjerë të saj, tani më janë në plan të dytë. Kjo vihet re tek këngët me titull: “mori kumbulla rraboshnjake”, “moj nuse, moj filxigen”, “moj nuse zylyfepikë”, “nusja ndej n’karrike”, “lehi qeni, krisi gardhi”, “nusezo, lulezo”, “ç’ke nuse që kjan me lot?”, e të tjera si këto. Këtu zakonisht janë kënduar edhe këngë të tjera të përgjithshme, por edhe ndonjë humoristike. Them këngë të përgjithshme duke pasur parasysh se këndoheshin pothuajse në çdo moment të dasmes që nga hapja e saj e deri sa dasma është mbyllur përfundimisht.
Gjithashtu dua të theksoj se tematika dhe natyra e tyre ka qenë mjaft e larmishme. I këndohej bukurisë së nuses, siç e kemi cilësuar edhe më lart, por edhe bukurisë së dhëndërrit. Gjithashtu, janë kënduar edhe këngë që kanë cilësuar lidhjet vajzë-djalë dhe qëndrueshmërisë e besnikërisë në këtë lidhje. Këngët, gjithashtu u janë kënduar edhe dasmorëve e sidomos atyre më të rëndësishmëve siç janë dajat apo tezet e hallat si dhe krushqëve të spikatur. Nganjëherë janë kënduar edhe këngë humoristike duke vënë në lojë njerëz të ndryshëm që kanë lidhje të afërt me dhëndrrin e nusen si vjehrrit apo vjehrrës së nuses. “po thotë nusja jam ma e mirë, jam ma e mirë/ jam ma e mirë se nana vjeherr, jam ma e mirë, jam ma e mirë/ nana vjeherr, si bulirë, si bulirë!” e kështu edhe për vjehrrin e ndonjë tjetër duke gjetur krahasime të tjera si: “si kusi”, “si fuçi”, “sa i gavixh” etj. që këtu nuk po ndalohem t’i paraqes, pasi ato janë të ndryshme e të larmishme ashtu siç ka qenë e larmishme edhe fantazia e atyre që kanë drejtuar këngën. Pra kanë qenë të ndryshme por në përshtatje me fjalorin e lejuar të zonës, d.m.th, me fjalorin që nuk kalonte në banalitete të rënda e të papranueshme për pjesëmarrësit e dasmës. Këtij ngacmimi nuk i ka shpëtuar as edhe vetë nusja.
Moj e mirë pse po mendon
Moj e mirë, pse po mendon?
Babën tand, pse po e kujton?
Babën tand unë vetë e njoh
Tremb mushkonjat me çarçaf.
Moj nuse pse po mendon?
Nanën tande pse e kujton?
Nanën tande ta njoh mirë,
N’shpinë ngarkue me bulirë.
Moj nuse, pse po mendon?
Motrat tuaja pse i kujton?
Motrat tuaja t’i njoh ty.
Sillen zharg nëpër shtëpi.
Po i kndojmë kësaj nuses sonë
Po i kndojmë ksaj nuses sonë
Moj e mira, porsi sorrë,
Ti bjen heret e çohesh vonë.
Kanë ardhë shoqet për me t’marrë,
Të kanë gjetë me opinga n’dorë.
Ndalni shoqe m’pritni pak,
Se m’ka humb njani çorap.
E mshinë shpin-o me mshtjellake.
Me mshtjellake e mshinë shpinë,
Pa ujë n’zjarr e ven kusinë.
Kur vijnë shoqet-o me dru
Del n’oborr e rrin si hu.
Nëpër dasma jam rritun
Nëpër dasma jam rritun-o
Si këtu s’kam pamun-o
Si kët babën e dhandrrit-o
Si s’kercen e si s’lodron
Shyqyr djalin po marton.
Nëpër dasma jam rritun-o
Si këtu s’kam pamun-o
Si kët nanën e dhandrrit-o
Si s’kërcen e si s’lodron
Shyqyr djalin po marton.
Këtu më poshtë po paraqes edhe këngë të tjera që këndohen gjatë gostisë së dasmës me tematikë të ndryshme.
Tirir, sokol i malit
Tiriri, sokol i malit, tiriri, moj tiriri.
O asht sokol e pika e djalit, tiriri, moj tiriri.
O kërkon nusja me punu, tiriri, moj tiriri.
O kush po shkon për me ndihmu, tiriri, moj tiriri.
O po thotë dhandrri, po shkoj unë, tiriri, moj tiriri.
O mos na lodhet nusja në punë, tiriri, moj tiriri.
O tiriri sokol i malit, tiriri, moj tiriri,
O asht sokol e pika e djalit, tiriri, moj tiriri
O kërkon nusja me mbushë ujë, tiriri, moj tiriri.
O kush po shkon me e ndihmu, tiriri, moj tiriri.
O po thotë dhandrri, po shkoj unë, tiriri, moj tiriri.
O mos më lodhet nusja mu, tiriri, moj tiriri.
Ti, moj drandofille
Mallku qoftë dita,
Kur ndër sy më dole.
O sa shumë të prita,
Moj vashë, aman aman,
Kësaj zemre iu solle.
Hajde pranë meje
Ti, moj drandafile.
Hiqe turpin e zbloju,
Moj vashë, aman aman,
Se të du pa hile.
Në qoft se e pranon,
Propozimin tim
Mikun ta lajmëroni
Moj vashë, aman aman,
Se të du pa hile.
Letrën që ta shkrova
Lexoje fort mirë
Se me të të shkrova,
Moj vashë, aman aman,
Gjithçka paç dëshirë.
Moj e mira vetullkunorë
Moj e mira vetullkunorë,
Çka po hyn n’oborr kaq vonë?
Po ndig’joj njato kumonë,
Që po bijnë bukur e hollë
Ngrykë ia marrsha unë të zonë.
Kur ndig’joj zanin e saj,
Me kenë n’bukë çohem pa ngranë.
Kur ndig’joj zanin e tij,
Me kenë n’bukë çohem pa pi.
Nën lajthi
Merrni, vasha vallen-o
Dorpërdore me shoqet-o
Merr katroven hajdi n’vrri
Me na sjellë ujë me pi.
Bukur vashat janë rreshtu
Kush te kroni rri tuj kndu
Veshë e mbathë për bukuri,
Shkojnë te kroni nën lajthi.
Bukur vashat ngjiten malit,
Për me i çue ujë çobanit.
Çobani një djalë i ri
Po kulloste dhen e dhi.
N’ato lisa tuj mrizu,
Ti çoban bjeri zumares,
Vashat-o ia marrin vallës.
Andej detin
Andej detin e këndej detin
Ka fillu hana me ra.
Rrin një vajz-o me një djalë
Të dy bashkë rrinë tuj kja.
Po thotë vasha kam ndig’ju,
Zoti e di kur shihna ma,
Nana e baba m’kanë feju,
Zoti e di kur shihna ma!
Fryni era
Fryni era luajti mandin
Nusja jonë po ven bakamin.
Ven bakamin kuq e bardhë,
Babës vjehërr po i çon fjalë.
A t’vjen keq-o me ta dalë
Jam ma e kuqe, jam ma e bardhë.
Fryni era lujti mandin
Nusja jonë po ven bakamin.
Ven bakamin kuq e bardhë,
Nanës vjehërr po i çon fjalë:
A t’vjen keq-o me ta dalë
Jam ma e kuqe, jam ma e bardhë.
Ra rrezja shndriti odën
Ra rrezja shndriti oden,
Nusja e dajës luaje gotën.
Luaje gotën me raki,
Falju’asaj që ke përbri.
Ra rrezja shndriti oden,
Tezja jon-o luaje gotën!(nganjëherë përmendet emri i përsonit që i drejtohen)
Luaje gotën me raki.
Falju’asaj që ke për bri.
Ra rrezja e shndriti oden,
Halla(Filane) luaje gotën!
Luaje gotën me raki,
Falju’asaj që m’ke për bri!
(dhe kështu vazhdon e zgjatet kënga duke nxitur të pinë raki të gjitha gratë dasmore që janë ulur në sofrën e grave. Siç shihet gratë dhe burrat janë shtruar veçmas, gjë që nuk ngjet më në kushtet kur dasmat bëhen me bankete apo nëpër lokale. Kjo ka ndodhur atëherë kur dasmat janë bërë nëpër shtëpi dhe dasmorët uleshin nëpër sofrat tradicionale. Zakonisht kjo këngë është kënduar nga kori i grave dhe jo vetëm tek sofrat e grave, por edhe tek sofrat e burrave ku u drejtohet edhe atyre me emra apo me ndajshtime si daja, axha, kumbara, nuni, apo ndonjë rast tjetër.
Shkapëceva dy-tri male
Shkaprceva dy-tri male, moj lule, moj lajle
Atje pash unë nji kullë, moj lule, moj lajle.
Kulla ishte, shkallë nuk kishte, moj lule, moj lajle.
Preva thonjtë e i vuna shkallë, moj lule, moj lajle.
E u nita nalt-o në çardak, moj lule, moj lajle.
Gjeta nusen nën duvak, moj lule, moj lajle.
Dveta nusen: e kuja je, moj lule, moj lajle.
E (Filanit) djalë i ri, moj lule, moj lajle.
Po ban vozga ciriri
Po ban vozga cirir ciriri
I zoti i shpis-o duam raki, duam raki!
Raki mandi s’mund e pi, s’mund e pi.
Raki rrushi dumë safi, dumë safi.
Dumë raki e s’dum me u tund, s’dum me u tund.
Njato vozga pa i shkundë, pa t’i shkundë
Mollë e ftu
Për nji mollë e pr nji ftuë
Djemt e ri po lypin gru.
Po gjejnë prindt nuse pr mu.
N’qofshin të mira thotë i du.
N’qofshin t’kqija ju la ju.
Nën hije të fikut
Nën hije të fikut, moj, nën hije, moj, nën hije.
Kishte ndej baba me t’bijen, nën hije, moj, nën hije.
Vjen nji djalë aty pari, nën hije,moj nën hije.
Aman babë ti bane dhandërr, nën hije, moj nën hije.
Jepi vajzën ma të madhe, nën hije, moj, nën hije.
Vajza e madhe lyp pajë shumë, nën hije, moj nën hije.
Në t’lyptë shumë, jepi pak, nën hije, moj nën hije.
Jepi arkën(raftin) pa kapak, nën hije, moj nën hije.
Ku më dhe larg në ranë
O ku më dhe larg në ranë, nanë, moj nanë?
O te ai tregtari lezhjanë, nanë, moj nanë.
Ata s’m’nepshin bukë me ngranë, nanë, moj nanë,
Bukë me ngranë, as ujë me pi, -//- -//-
Ai mos pastë as bir, as bijë, -//- -//-
Me gjithë zemër vetë e nama, -//- -//-
Se m’ke rritë me napulana, -//- -//-
Napolana e manduhija, -//- -//-
Atij mos ia gëzoftë e bija, -// -//-
Vajza i leftë edhe iu rrittë, -//- -//-
Djali i leftë e mos iu rritë, -//- -//-
I plastë zemra n’ma t’mirën ditë, -//- -//-
Duket qartazi që kjo këngë është një baladë që shpreh dhimbjen e vajzës e cila martohet pa dëshirën e saj si dhe me një burrë që e quan më tepër si skllaven e tij se sa një shoqe jete. Gjithashtu, këtu shihet edhe diferenca midis njerëzve dhe kulturave. Vajza fshatare dhe pasaniku i qytetit dy botë të ndryshme ku e dyta e përbuz dhe e përsekuton të parën. Siç shihet edhe tek kjo këngë, por edhe tek shumë të tjera motivet përsëriten sipas varianteve të ndryshme në këngë të ndryshme e kjo në varësi të atij që ia merr këngës e drejton grupin. Duhet cilësuar, gjithashtu, se zakonisht këngët janë kënduar në grupe apo në kor prej disa këngëtarësh, por njëri drejton në këngë dhe të tjerët e shoqërojnë. Përgjithësisht këndojnë gratë por ka edhe këngë e valle mikse me gra e burra bashkë. Burrat më së shumti kanë kënduar këngë me instrumenta e kryesisht me çifteli, ndërsa gratë kanë kënduar pa muzikë që shoqëron këngën. Këngët e kënduara me çifteli të cilat nuk kanë munguar edhe në dasma, kanë qenë zakonisht këngë epike apo balada të ndryshme që si zakonisht janë edhe pjesë e një fondi më të gjerë se ai i fondit vetëm zadrimor. Nuk kanë munguar edhe ato të ashtuquajtura “Këngë maje krahut”. Në këngën që po paraqesim më poshtë dhe që është një baladë, siç vërehet nga teksti dhe personazhet e baladës nuk është pasuri e krijuar mirëfilli nga ajo mazhorancë më se 90% -she e popullsisë zadrimore, të paktën.
Moj Meremja e Rexh Mehmetit
Moj Meremja e Rexh Mehmetit,
Ti m’u bash, moj lulja e xhepit!
Ti m’u bash moj lulja e xhepit
Xash jaranat në breg të detit!
Në breg t’detit-o në kalldrame,
Çonja nanës, moj nji selame!
Çonja nanës, moj çonja babës,
Kjoftë e zezë, moj kjo pushka e axhës!
Kjoftë e zezë e kjoftë e ngritë!
Si m’i vrau e m’i thau t‘ritë!
Si më vrau e m’i thau t’ritë!
M’i vërboi-o të dy sytë.
Të dy syt-o m’i ka verbu,
Se këtë pun-o s’e kam mendu.
Se këtë punë s’e kam mendu,
Se më vret-o axha mu.
Ty, mor Sut ta basha vorrin!
Shpejt ma vune n’fyt konopin.
E pafajshme unë kam kenë.
Si, mor Sut-o mu me m’premë.
Një baladë tjetër që është kënduar sidomos nga burrat nëpër dasma dhe që nuk është edhe aq shumë e njohur e që sigurisht ia vlen ta paraqes është edhe balada me titull:
Kur i rashë turkut borxh
Kur i rashë turkut borxh
Shita arën me kallamoq.
Shita lopët me gjithë viça
Shita delet me gjithë kija.
Shita qietë me gjith kularë
Shita kalin me gjithë shalë
Borxhin turkut prap s’ia lava.
Rashë me fjetë e pashë nji andërr,
Me shitë babën, me shitë nanën.
Me shit nanen s’po ban pare,
Me shit baben po m’vjen marre.
Mu shoqnia më kanë thanë
Shit bre djalë ti vashën tande.
Marrë ka vashën e a dalë n’pazar.
Ç’po e pyesin djalin e shkretë:
Këtë vashë a e ke me e shitë?
Sa e man, o djalë këtë vashë?
Shtrejtë e maj e lirë e nap,
Unë e mbaj treqind dukat.
Me i la paret tak e tak.
Marrë ka djali vashën e re.
Çu e ka në shpi të vet.
S’kenka gja ma i madh gazep
Me shitë burri gruen e vet.
Kur vjen nata për me fjetë,
Vjen ni pllumb e bjen ndërmjet.
Zot! Ky pllum-o shka po flet.
Vllai motren s’e përket.
Ça po dvesin vashën e shkretë.
Kam pasë gjind, kam pasë gjini.
Kam pasë babën, kam pasë nanën.
Ni vlla t’vogël e kam pas lanë.
Haxhi Salja i kanë pasë thanë.
Haxhi Salja unë vetë jam.
Jalla Zot, brof në kambë.
Ngryka ngrykë paskan marrë,
Se vlla e motër paskan kenë.
Po i çoj fjalë turkut t’ngratë
Falë të kjoshin treqind dukatë!
Motra jeme t’kjoftë hallallë!
Kjo këngë, siç shihet është një baladë e kënduar zakonisht nëpër dasma, por edhe në çaste të tjera. Gjithashtu personazhet janë të fesë islame, por është marrë nga goja e një plaku tetëdhjetë e një-vjeçar (Kolë Brruku) nga fshati Grash që nuk i përket besimit musliman, por atij katolik. Është marrë rreth vitit 1992.Duhet shtuar këtu se në Zadrimë është përdorur fjala “turk” për fjalën “musliman”, sigurisht, nga popullsia me fe të krishterë. Kështu është kënduar gjerësisht edhe balada e “Rexhës” mjaft e njohur edhe në shumë zona të tjera sidomos në veri të Shqipërisë. Besoj se nuk është me vend ta paraqes këtu atë baladë si dhe shumë të tjera të njohura tashmë gjerësisht, edhe pse ato këngë epike dhe balada kanë qenë përdorur e kënduar gjerësisht në dasmat zadrimore, pasi i takojnë një kulture më të gjerë mbarëpopullore. Gjithashtu, janë kënduar jo rrallë edhe balada të tjera si ajo e “Halilit dhe Hajrijes”, apo ndryshe e “Musës së Vogël”, “Halil Gashit”, “Ku këndon njaj zogu i zi”, “Ago Ymerit” etj. Por këtu po vazhdoj të paraqes më poshtë të tjera këngë që mendoj se paraqesin interes të veçantë, po aq sa të tjerat që paraqita më lart.
Xhamadani me i’kapak
Xhamadani me i’kapak
Do ta qepi për marak
Xhani jaman e hopa!
Do t’i shkruaj e do t’ia çoj si du
Xhani jaman e hopa!
O i vinte era, moj mollë e ftu,
Xhani jaman e hopa.
Vinte, moj era filxigen.
Xhani jaman e hopa.
Hajde rri te g’juni jem,
Xhani jaman e hopa.
Hypi cuca majet gurit
Xhani jaman e hopa.
A i ke ba çoraptë e burrit?
Xhani jaman e hopa.
I kam ba e i kam maru
Xhani jaman e hopa.
Kam lanë tufat pa i tufu
Xhani jaman e hopa.
I tufoj kur t’shkoj me dhen,
Xhani jaman e hopa
I kam ba për burrin tem
Xhani jaman e hopa.
I tufoj kur t’shkoj me dhi.
Xhani jaman e hopa.
I kam ba për djalë të ri.
Xhani jaman e hopa.
Ku e ke mrizin, moj ku rrin ti?
Xhani jaman e hopa.
Në breg t’ prronit nën hardhi
Xhani jaman e hopa.
A i ke pa kund krushqit e mi?
Xhani jaman e hopa.
Linxhe, ku t’ra shamia
Linxhe, moj ku t’ra shamia, linxhe moj, linxhe moj?
Më ka ra tek dugajxhia, linxhe moj, linxhe moj.
Dugajxhinë e kam kumarë, linxhe moj, linxhe moj.
Ai ma jep shaminë mu falë, linxhe moj, linxhe moj.
Linxhe moj ku t’ra sahati, linxhe moj, linxhe moj?
Më ka ra te sahatxhia, linxhe moj, linxhe moj.
Sahatxhinë e kam kumarë, linxhe moj, linxhe moj.
Ai ma jep sahatin falë, linxhe moj, linxhe moj.
Linxhe moj ku t‘ra unaza, linxhe moj, linxhe moj?
Më ka ra te unazxhia, linxhe moj, linxhe moj.
Unazxhinë e kam kumarë, linxhe moj, linxhe moj.
Ai ma jep unazën falë, linxhe moj, linxhe moj.
Lingje moj
Lingje moj, lingje moj, hidhe prit mollen me dorë
-//- (çdo varg përsëritet dy here)
Lingje moj,lingje moj, se ty molla t’ra në tokë.
Lingje moj, lingje moj, aty ra e aty bini,
Lingje moj, lingje moj, çili gonxhe prej florin.
-//- -//- at flori kush e përket,
-//- -//- sokol dhandrri me dorë të vet.
Lot belholla me një mollë
Lot belholla me një mollë, linxhe, moj linxhe.
Hidhe nalt ta pres me dorë, -//- -//-
Aty ra e aty bini, -//- -//-
Aty bini prej florini, -//- -//-
At flori kush e përket, -//- -//-
Dhandrri i nuses me dorë t’vet,-//- -//-
Me ia çu nanës vet, -//- -//-
Lot vasha me ni mollë
Lot bre vasha me ni mollë
Hidh e prit ajo me dorë.
E pret me dorë e qet në gji.
Atje sheh një djalë të ri.
Çka ke djalë që ban me sy?
Ban me sy, mos prek me dorë!
Hajt bre djalë se s’ke nevojë.
Se ke tanden kuq e hollë.
Kuq e hollë-o porsi mollë.
O fëllanxë e bukura fëllanxë
O fëllanxë e bukura fëllanxë, moj fëllanxe
-//- -//- -//-(çdo varg përsëritet dy herë)
A po ndin se çka po thonë, moj fëllanxe.
O se për ne po bisedojnë, moj fëllanxe.
O a dalim e marrim mal, moj fëllanxe.
O marrim mal e presim landë, moj fëllanxe.
O presim landë, godisim tandë, moj fëllanxe.
O po tanden me çka e rrethojmë, moj fëllanxe.
O rreth e rreth me marangjyl, moj fëllanxe.
O penxheren me karajfil, moj fëllanxe.
Ku kje çikë
Ku kje çikë kur këndova?
Në vekë kjesh e n’kamë u çova.
Kadalë t’thaçë ty të lumtë goja!
Më tha nana më ka falë
Me kto vekë, i shitoftë zana!
Kje nji djalë, nji djalë i ri.
Kishte dajre e fyllaxhi.
Kur t’i ndij zanin në mal,
Në vekë jam e s’guxoj t’dal.
Kur t’ia ndij zanin atij,
Më shkojnë lotët pikë e vijë.
Në vekë jam tuj ba çarçaf.
Kndofsha qyqe nën duvak!
Nën duvak, duvak të zi.
Vufsha kryt për kry të tij!
Ka çu rruga pluhun
Ka çu rruga pluhun-o, moj syzezë.
Ta pluhnoi duvakun-o, moj syzezë
Duvakxhinë e kam kumarë, -//- -//-
Ai ma jep duvakun falë, -//- -//-
Ka çu rruga pluhun-o, -//- -//-
Ta pluhnoi gjerdanin-o -//- -//-
Gjerdanxhinë e kam kumarë -//- -//-
Ai ma jep gjerdanin falë -//- -//-
Ka çu rruga pluhun-o -//- -//-
Ta pluhnoi kunorën-o -//- -//-
Kunorxhinë e kam kumarë -//- -//-
Ai ma jep kunorën falë -//- -//-
Ka çu rruga pluhun-o, -//- -//-
Ta pluhnoi sahatin-o, -//- -//-
Sahatxhinë e kam kumarë, -//- -//-
Ai ma jep sahatin falë, -//- -//-
Shumë të prita mramë
Shumë të prita mramë e s’më erdhe, mori faqe gurabi.
S’paç kunorë me se me ardhë, more djali sherbetli.
Unë kunorën ta sjell vetë, mori faqe gurabi
E nuk t’la pa t’marrun ty, mori faqe gurabi.
Shumë të prita e s’më erdhe mori faqe gurabi
S’paç gjerdan me se me ardhë, more djali sherbetli.
Unë gjerdanin ta sjell vetë, mori faqe gurabi,
E nuk t’la pa t’marrun ty, mori faqe gurabi.
Shumë të prita e s’më erdhe mori faqe gurabi
S’paç koret me se të vij, more djali sherbetli.
Unë koretin ta sjell vetë, mori faqe gurabi,
E nuk t’la pa t’marrun ty, mori faqe gurabi.
Bini karajfil i bardhë
Bini karajfil i bardhë, bini, moj bini.
N’derë të kujt bini, bini, moj bini.
N’derë të dhandrrit të ri, bini, moj bini.
Dhandrri nuses po i çon fjalë, bini, moj bini.
Kur e ke ndërmend me ardhë, bini, moj bini.
T’dielën nadje, n’kjofsha gjallë, bini, moj bini.
Po çon deti hova-hova
Po çon deti hova-hova,
Po thotë nusja u martova.
Shumë qëndrova, shumë punova,
Tana shoqet i kalova.
Po çon deti hera-hera,
Çu, moj nuse e dil te dera!
Dil te dera shko në shpi.
Lumja nusja që shkon n’gjini!
Po çon deti hera-hera
Çu, moj nuse se erdh vera!
Erdhi vera dalkadalë
Lum, ti nuse, ku ke ardhë!
Po çon deti pika-pika
Çu, moj nuse, se doli drita!
Doli drita jeshil-jeshile
Çu e merre nji drandofille.
Dy kunata
Dy kunata porsi zana
T’dyja ishin me dollama.
T’dyja ishin me dollama(këtu zakonisht çdo varg përsëritet)
Ka tri ditë që i kërkon nana.
Kishin shku, moj nga Tirana,
Me jelek e me gjerdana.
Me jelek me brandavekë,
Po m’dukesh sokol me fletë.
Me jelek nën hije dola,
Nji tufë lule n’baçe mblodha,
Të mirës në dorë ia çova.
E mira thotë nuk i dua.
Ban gajret, moj mollë e ftua.
Fryni era kah oborri
Fryni era ka oborri,
Lujti gjethën e limonit.
Limonit po i vinte era.
Dhandrrit tonë na iu mbush dera.
Iu mbush dera me dai,
Për me i çu te miku i ri,
Për me i marr-o nji selvi.
Kjo selvia nuk vjen vetë
Pa ia çu nja gjashtdhjetë vetë.
Nën ni landë
Nën ni landë e nën ni tandë,
Kishte ndej një zojë e randë
Me dallfes në njanen anë.
Dalim bashkë e marrim malnë,
Presim landë e bajm ni tandë.
Tanda ishte mblu me kashtë,
Hajde rrimë ne të dy bashkë.
Moj syzezë që mbledh sanë
Moj syzeza që mbledh sanë,
A m’je njeri, moj, a m’je zanë?
A m’je njeri, moj a m’je zanë,
A m’je vajza, moj që ke thanë?
Ku m’ke besën, moj që m’ke dhanë?
Hajt, bre sherr se zanë nuk jam.
Hajt e gjeje shoqin tand!
Se për bjeshkë e për shpi jam.
Jam për bjeshkë e jam për shpi.
Lumi unë që jam i ri!
N’teshat tuja vij e rri.
Paska veshë nusja papuçe
Paska veshë, moj paska veshë!
Paska veshë nusja papuçe!
Marshalla, moj marshalla!
Marshalla me buzë të kuqe.
Paska veshë, moj paska veshë!
Paska veshë nusja jelek!
Marshalla, moj marshalla!
Marshalla sa i ka lezet!
Paska veshë, moj paska veshë!
Paska veshë nusja fustan!
Marshalla, moj marshalla!
Marshalla, ç’i bjen tamand!
Në një mal dy edha bashkë
Në një mal dy edha bashkë.
Hajshin gjeth e pijshin ujë.
Pijshin ujët e kronit-o.
Jallah, kujt i treten-o?
Që s’po del me i gjetun-o!
N jë tjetër variant:
Në një mal dy edha bashkë
Po lodrojshin shoq me shoq.
Hajshin gjeth e pijshin ujë.
Hajshin gjethen grima-grima
Pijshin ujin-o pika-pika.
Jalla kuj i kanë tretun-o?
Del Mejlemja me i kërku.
Moj Mejleme, vetullkaleme
M’u bafsh reja e nanes teme!
Gatush bukë, gatush pogaçë!
Hangshim bukë n’ni sofër bashkë!
O hajde nuse
O hajde nuse, hajde de, hajde de!
O unë po vij, po s’mundem-e, s’mundem-e!
Për pa ardhë, moj baba vjehërr, s’mundem-e, s’mundem-e!
Babën vjehërr tash ta çojmë, hajde de, hajde de!
Hajde nuse n’saraj tonë, hajde de, hajde de!
O hajde nuse, hajde de, hajde de!
O unë po vij, po s’mundem-e, s’mundem-e!
Për pa ardhun nana vjehërr, s’mundem-e, s’mundem-e!
O nanën vjehërr tash ta çojmë, hajde de, hajde de!
Hajde nuse n’saraj tonë, hajde de, hajde de!
Moj zoge, moj zoge
Moj zog-e, moj zog-e a po vjen në darsem-e
Unë po vij po s’kam me se, mor sokoli i malit-e
S’kam jelek e s’kam me se, mor sokol i malit-e
Unë jelekun ta gjej vetë, moj fëllanzë e malit-e
Moj zog-e, moj zog-e, apo vjen në darsem-e
Unë po vij po s’kam me se, mor sokol i malit-e
S’kam koret e s’kam me se, mor sokol i malit-e
Unë koretin ta gjej vetë, moj fëllanzë e malit-e
Moj zog-e, moj zog-e, a po vjen në darsem-e
Unë po vij, po s’kam me se, mor sokol i malit-e
S’kam duvak e s’kam me se, mor sokol i malit-e
Unë duvakun ta gjej vetë, moj fëllanzë e malit-e
Mo jzog-e, moj zog-e, a po vjen në darsëm-e
Unë po vij, por s’kam me se, mor sokol i malit-e
S’kam këpucë e s’kam me se, mor sokol i malit-e
Unë këpucët t’i gjej vetë, moj fëllanzë e malit-e
Moj zog-e, moj zog-e, apo vjen në darsëm-e
Unë po vij, po s’kam me se, mor sokol i malit-e
S’kam kunorë e s’kam me se, mor sokol i malit-e
Unë kunorën ta gjej vetë, moj fëllanzë e malit-e
Moj zog-e, moj zog-e, a po vjen në darsem-e
Unë po vij, po s’kam me se, mor sokol i malit-e
S’kam gjerdan e s’kam me se, mor sokol i malit-e
Unë gjerdanin ta gjej vetë, moj fëllanzë e malit-e
Kush të solli në kët konak
Moj nuse kunata jonë,
Kush të solli n’saraj tonë?
Baba vjehërr e i madhi Zot!
Moj nuse kunata jonë,
Kush të solli n’saraj tonë?
Nana vjehërr e i madhi Zot.
Moj nuse kunata jonë,
Kush të solli në saraj tonë?
Axha (Filan) e i madhi Zot.
…… vazhdon me kunatinë e me radhë sipas situatës.
Moj nuse
Moj nuse,me ke m’ke ardhë?
-//- -//-
Me bab locin-o faqebardhë.
Moj nuse me ke m’ke ardhë?
Krushkaparin kjoft i bardhë!
As atij nuk ia lam-e
Dhandërris-e me gjithë nuse.
Paçin fat e bashin mbarë!
U shtofshin si bima n’arë!
Posi plepi që lshon shtat!
Sonde asht e mramja natë
Sonde ashtë e mramja natë.
Nusja jonë po ban shamatë.
Ban shamatë me shkuesin-o.
Pse më dave prej babës-o?
Sonde asht e mramja natë.
Nusja jonë po ban shamatë.
Ban shamatë me shkuesin-o
Pse më dave prej nanës-o?
Sonde asht e mramja natë.
Nusja jonë po ban shamatë.
Ban shamatë me shkusin-o
Pse më dave prej vllaznve-o.
Shegë e amël
Shegë e amël, moj shegë e butë,
Më shkoi vera, moj pa të kputë.
Shegë e amël, moj si sheqeri,
Hajde t’rrimë, moj ku rrin skifteri.
Rrin skifteri, moj n’ato rranxa,
Hajde rrimë, moj ku rri fëllanxa!
Shegë e amël, moj shegë e butë,
Plasa tuj t’u lutë, moj goce, plasa tuj t’u lutë!
Qaj, moj zemër qaj, qaj e mos pusho!
Sahatin e shes, moj goce, pa të marrë s’të la!
Shegë e amël, moj shegë e butë,
Plasa tuj t’u lut o moj goce, plasa tuj t’u lutë.
Qaj, moj zemër, qaj, qaj e mos pusho!
Kostumin e shes, moj goce, pa të marrë s’të la!
Rashë në shartashi
Rashë në shartashi e shartova ni mollë.
Erdh ni vajzë e hollë ma mori njat mollë.
Rashë në shartashi e shartova ni pjeshkë
Erdh ni vajzë e zeshktë ma mori at pjeshkë.
Rashë në shartashi e shartova ni dardhë.
Erdh ni vajzë e bardhë ma mori at dardhë.
Po vijnë krushqit
Po vijnë krushqit renda-renda
Dil, o babë, e qiti mrenda.
Qiti mrenda, o me pushu,
Se kanë ardh, babë me m’marrë mu.
Ej vallah, moj dera e shpisë!
Sot po la ditën e vajznisë.
Po vijnë krushqit rrazë ni lisi.
Dil, o babë, se pushka krisi.
Bajraktari, o babë, krushqit i nisi.
Ej vallah, moj dera e shpisë!
Sot po veshi rrobat e nusnisë.
Nusja rri në shkallë
Nusja jonë po rri në shkallë
Tuj ba teshat palë-palë.
Daj, moj nanë ça t’dush me da.
Babës vjehërr daja ni palë.
Nusja jonë po rri në shkallë
Tuj ba teshat palë-palë.
Daj, moj nanë, ça t’dush me da
Nanës vjehërr daja ni palë.
Nusja jonë po rri në shkallë
Tuj ba teshat palë-palë.
Daj, moj nanë ça t’dush me da
Dhandrrit tonë daja ni palë.
….kunatisë daja ni palë etj.
Ku m’je nisë
Ku m’je nis ku shkon kështu, more zogu i malit-o
Unë jam nis me shku me gju, moj e bardhë e bukur-o
Ja të vij dhe unë me ty, more zogu i malit-o ?
Rrugë e largët e lodhesh ti, moj e bardhë e bukur-o
Bahem mollë e t’futem n’xhep, more zogu i malit-o
Dru harroj e të kafshoj, moj e bardhë e bukur-o.
Bahem zog e fluturoj, more zogu i malit-o.
Kam allti e të qëlloj, moj e bardhë e bukur-o.
Mos maj mall
Mos maj mall, mos maj kujdes, o dhandrri jonë.
Se unë nusen ta njoh vetë, o dhandrri jonë.
Ta kam gjetë në odë tuj qepë, o dhandrri jonë.
Tuj qep petkat e vjehërrisë, o dhandrri jonë.
Mos maj mall, mos maj kujdes, o dhandrri jonë.
Se unë nusen ta njoh vetë, o dhandrri jonë
Ta kam gjet në odë tuj qep, o dhandrri jonë
Tuj qep petkat e kunatisë, o dhandrri jonë.
Po na vjen kalaj me dru
O po na vjen kalaj me dru
Dil moj nuse me i shkarku
Jam në magje tuj gatu.
Baba mu më ka martu.
Variant tjetër:
Rraketak po ban kalldrami.
Dilni jashtë-o ça asht zani.
Po na vjen kalaj me dru
Dil, moj nuse me i shkarku.
Jam në magje tuj gatu
Si do m’dalin buka mu’
Pa marrë faqe, pa kullu.
Me jelek me brandavekë
Me jelek me brandavek-e
Po m’dukesh sokol me flet-e
Me jelek-o nën hije dola
N’baçe tande, moj lule mblodha.
N’baçe tande, moj lule mblodha
Të mires në dorë ia çova.
E mira thotë nuk i du.
Ban gajret, moj mollë e ftu.
Ban gajret, moj mollë e ftu
Sy e vetulla o unë t’i du.
Sy e vetulla o unë t’i du,
Ato janë meze për mua.
Ma paçi faqen e bardhë
Ju ma paçi faqen e bardhë, o dajat tonë!
Që keni begenisë e keni ardhë, -//- -//-
N’at katund ju kur të shkoni, -//- -//-
Mos na shani, na lavdoni, -//- -//-
Në pyett kush për nusen tonë, -//- -//-
Thoni nusja ka dalë e mirë, -//- -//-
Na ka dalë si kokërr mollë, -//- -//-
Na ka dalë e bardhë si borë, -//- -//-
Kënga vazhdon edhe me pjesmarrës të tjerë në dasëm si tezet, hallat apo kumbarët e të tjerë. Disa raste miqtë përmenden edhe me emra.
Dalëkadalë, zogu i shkodranit
Dalëkadalë, zogu i shkodranit,
Tash ke ndesh në thëllazë mali.
Thëllazë mali tuj këndu.
Katundaren thotë e du.
Dalëkadalë, zogu i shkodranit,
Tash ke ndesh në thëllazë mali
Thëllazë mali tuj këndu
Zadrimoren thotë e du.
Dalëkadalë, zogu i shkodranit.
Tash ke ndesh në thëllazë mali.
Thëllazë mali tuj këndu
Qytetaren thotë e du.
Dhandrri jonë merr sulltanë
Për mas asit t’malit t’gjanë
Dhandrri jonë merr sulltanë,
Bijë qyteti, zojë të randë.
Bija e t’mirit, nusja e karafilit.
Moj nuse, po t’thrret vojvoda
Moj nuse, po t’thrret vojvoda.
Vojvoda, moj ç’ka me mu?
Me ma falë, moj, faqen mu.
Moj nuse, po t’thrret vojvoda.
Po vojvoda ç’ka me mu?
Me ma falë, moj synin mu.
Moj nuse, po t’thrret vojvoda.
Po vojvoda ç’ka me mu?
Me ma falë, moj vetllen mu.
Moj nuse, po t’thrret vojvoda.
Po vojvoda ç’ka me mu
Me ma falë, moj gushën mu.
Po thot baba i lumi unë
Çili kumbulla lule shumë
Po thotë baba i lumi unë!
Për ni nuse që marr unë.
S’ma ka Shkodra, as katundi.
Hem të mirë e me pajë shumë.
Çili kumblla lule shumë.
Po thotë nana e lumja unë,
Për ni nuse që marr unë.
S’ma ka Shkodra as katundi
Hem të mirë e me pajë shumë.
Nusen tonë e mson e ama
Sonde asht e prende mrama
Nusen tonë e mson e ama.
Duje, bijo, vjehërrinë.
Besa nanë unë do t’i du,
Se kanë rrit-o sokol për mu.
Sonde asht e prende mrama.
Nusen tonë e mson e ama.
Duje, bijo kunatinë.
Besa nanë unë do t’i du
Se kanë rrit-o sokol për mu.
Rri mos kjaj, moj drandashore
Rri, mos kjaj, moj drandashore
Se ta çoj makinen me lule.
Njato lule nuk m’duhen gja,
Po la babën unë tuj kja.
Rri, mos kjaj, moj drandashore
Se ta çoj makinen me lule.
Njato lule nuk m’duhen gja
Po la nanën unë tuj kja.
Rri, mos kjaj, moj drandashore,
Se ta çoj makinen me lule.
Njato lule nuk m’duhen gja
Se po i la vllaznit unë tuj kja.
Zakonisht këto këngë janë kënduar para se nusja të vijë tek dhëndrri, në ditët para ceremonisë së dasmës, të premtën apo të shtunën.
Të morëm nuse
Të morëm, nuse, të morëm.
Të morëm, s’të lamë atje.
Të bamë sot shoqe me ne.
Ça m’je djerrë
Ça m’je djerrë e ça m’kërkon, moj mollë e kuqe?
Kërkoj shpinë e babës vjehërr, -//- -//-
Ça më jep ta dëftoj vetë, -//- -//-
Po të jap ni kokërr mollë, -//- -//-
Ça m’je djerrë e ça m’kërkon, -//- -//-
Kërkoj shpinë e nanës vjehërr, -//- -//-
Ça më jep ta dëftoj vetë, -//- -//-
Po të jap ni kokërr mollë, -//- -//-
Moj nuse, moj mendjemadhe
Moj nuse, moj mendjemadhe
Pse m’ke thanë s’martohem fare,
Du me i ndej babës beqare,
Për m’ia mush xhepat me pare.
Moj nuse, moj mendjemadhe
Pse m’ke thanë s’martohem fare?
Du me i ndej nanës beqare,
Për m’ia mush arkën me pare.
O dhandrri jonë
A m’je kenë ndo’i herë n’pazar, o dhandrri jonë.
A ke pa molla me sy -//- -//-
Njashtu nusja t’ka dalë ty, -//- -//-
A m’je kenë ndo’i herë n’pazar,-//- -//-
A ke pa qershi me sy, -//- -//-
Njashtu nusja t’ka dalë ty, -//- -//-
A m’je ken ndo’i herë n’pazar, -//- -//-
E ke pa kajsi me sy, -//- -//-
Njashtu nusja t’ka dalë ty, -//- -//-
Lumi ti, more lejlek
Lumi ti, more lejlek
Që m’ke çerdhen n’at plep,
Që m’ke çerdhen të mundashtë.
Njaj mundashi fije-fije,
Babës vjehër po i ban hije.
Po i ban hije me lezet,
Ruja, Zot, djalin e vet!
I shkoftë jeta me lezet!
Lumi ti, more lejlek,
Që m’ke çerdhen n’at plep.
Që m’ke çerdhen të mundashtë.
Njaj mundashi fije-fije
Nanës vjehërr po i ban hije.
Po i ban hije me lezet,
Ruaja, Zot, djalin e vet!
I shkoftë jeta me lezet!
……kënga vazhdon edhe duke pëmendur emrat e vëllezërve apo motrave e xhaxhallarve të dhëndrrit. Një variant tjetër i kësaj kënge nis edhe me vargjet e mëposhtme:
Variant
Lumi ti, more lejlek
Që ke çerdhen n’at plep!
Kur t’ka kap ai kacavet?
Më ka kap tash dymdhet vjet.
Hiq marakun e kacavetin!
Mollë e kuqe vene fesin!
Po të xanë, moj mollë e kuqe.
I kanë shky pesë palë caruqe.
Se pesë palë nuk janë kurrgja,
Duhen izet e s’dalin gja.
Moj nuse, mos u krenu!
Moj nuse, mos u krenu,
Për kto tesha që m’ke ndrru.
Të lypë nadja për me u çu,
Të lypë zjarmi për me u ndezë,
Të lypë shpia me u pastru,
Të lypë uji për me u mushë,
Të lypë kafja me u pjekë.
Lumi ti mor zamak
Lumi ti, more zamak
Lumi ti kush të rrin ng’jat!
Të rrin dhandrri me sahat.
Moj kadife, gonxhemadhe
Moj kadife, gonxhemadhe,
Kur çile n’at baçen tande,
Lulen-o kush ta kputi?
Dhandrri jonë, moj dorëbuti.
Dorëbuti dul n’pazar,
Për me i vu sahatit ar.
I’milion lek-o ban sahati
Dy milion po ban i ati
Kush po del në mal me gju
Kush po del në mal me gju?
Dhandrri jon-o me gjith gru.
Shkoftë në punë e ma lashtë mu.
Kush po del në mal me gju?
Ky kunati me gjithë gru.
Shkoftë në punë e ma lashtë mu!
Vishi teshat e dhandërrisë
Dhandërr-o kulmi i shpisë
Hiqi teshat e beqarnisë!
Vishi teshat e dhandërrisë.
Po thot baba lum e lum
Po thotë baba lum e lum e lum, o Zot!
Të mirën ditë kam pritun-o
Po baj djalin dhandërr-o
Po thotë nana lum e lum e lum, o Zot!
Të mirën ditë kam pritun-o
Po baj djalin dhandërr-o.
Moj nuse që erdhe mramë
Moj nuse që erdhe mramë
Vune kamën, moj përmi kamë.
Shpejt-o zune me na urdhnu,
Çu, mor babë e shko për dru!
Unë e dhandrri rrimë në shpi,
Rrimë tuj hangër, rrimë tuj pi.
Ai matanë e unë n’kët’ anë,
Ai si yll e unë si hanë.
Merr boliren e shko në kru
Moj e vogël, moj sherbese
Mirë na dogje, mirë na ndeze.
Dogje vedin edhe mu,
Merr buliren e shko në kru!
Mos merr shoqe, se m’ke mu
Të ndihmoj, moj me u ndarku,
Të përcjelli në shpi me shku.
Siç shihet kjo këngë i këndohet nuses kur e nisin të shkojë tek burimi i ujit dhe dikush e shoqëron. Këndohej me variante të ndryshme dhe herë-herë përmendej edhe emri i atij apo asaj që do ta shoqëronte tek kroi apo pusi i ujit më i afërt, atje ku ajo duhej në ditet e vitet e jetës së saj tek burri të shkonte e të mbushte ujë për të pirë e për të larë.
Po bie shiu vija-vija
Po bjen shiu vija-vija,
Delni e shkoni, ju, moj bija!
Po bjen shiu rralla-rralla,
Delni e shkoni, ju, moj halla!
Po bjen shiu pika-pika
Delni e shkoni ju mbesa e nipa!
Ku m’i rrite floktë e gjata
Moj nuse, moj lum kunata,
Ku m’i rrite, moj floktë e gjata?
I kam rritë te shpija e vjetër.
Baba vjehërr po t’çon letër.
Po t’çon letër e telegram,
A t’ka ra, moj, veli tamand?
Po t’çon letër e telegram,
A t’ka ra, moj ora tamand?
Po t’çon letër e telegram,
A t’ka ra unaza tamand?
Po t’çon letër e telegram,
A t’ka ra kunora tamand?
Po t’çon letër e telegram,
A t’ka ra gjerdani tamand?
Qenka rafti i nuses sonë
Ç’a kjo xixë që xixëllon, moj oshebojë ?
Qenka rafti i nuses sonë, moj oshebojë.
Bjen çarçafët topali, moj oshebojë.
Bjen jasteket me bukazi, moj oshebojë.
Një tjetër variant është:
Ç’asht kjo xixë që xixëllon
Kenka arka e nuses tonë
Po bjen pajë, po bjen stoli,
Bjen jastekët bukazi.
Ç’asht kjo xixë që xixëllon
Kenka arka e nuses tonë
Po bjen pajë, po bjen stoli
Bjen çarçafët topali.
Baba vjehërr pret një ka
Sonde pashë një andërr-o,
Baba vjehërr pret nji ka,
Për me ba djalin dhandërr.
Sonde pash nji andërr-o
Axha jon-o pret nji ka,
Për me ba nipin dhandërr.
Daja lshon flori
Daja jonë po lshon flori,
Lshon flori përgjysë me ar.
Ai ma pastë faqen e bardhë!
……..kështu kënga vazhdon duke u kënduar edhe dasmorëve të tjerë në momentet kur lëshojnë harvalleqet(dhuratat) për dhëndrrin apo për të zotin e shtëpisë.
Pse i ke lshu sytë përtokë
Pse i ke lshu sytë përtokë,
O i zoti i konakut-o
Pa ta pi rakinë të tanë
Ne s’dalim se s’dalim-o.
Pse i ke lshu sytë përtokë?
O i zoti i konakut-o.
Pa ta hangër tanë djathin-o
Ne s’dalim se s’dalim-o.
Shkon syzza n’arë me korrë
N’arë me korrë,
Shkon syzeza n’arë me korrë.
Për nan dorë
Merr dy drapna për nan dorë.
Me tjetrin korrë,
Me njan mbledh me tjetrin korrë.
Aty pari
Shkon ni plak-o aty pari.
‘Zezë, moj vashë
Puna mbar, syzezë, moj vashë!
Ndihmoj pak
A të vij e t’ndihmoj pak?
Laftë me gjak
Ndihma jote u laftë me gjak!
N’arë me korrë
Shkon syzeza n’arë me korrë.
Aty pari
Shkon një djal-o aty pari.
‘Zezë, moj vashë
Puna marë syzezë, moj vashë!
Ndihmoj pak
A të vij e t’ndihmoj pak?
M’qet çirak
Ndihma jote m’qet çirak!
Vjen behari
O vjen behari, aman çeli molla
O ku të kam, mori belholla?
O shyqyr Dush-o që t’kam kojshi
Kur t’mërzitem vij e rri.
O vjen behari, aman çeli dardha
O ku të kam, mori gushbardha
O shyqyr Dush-o që t’kam kojshi
Kur t’mërzitem vij e rri.
O vjen behari, anan çeli pjeshka
O ku të kam o mori e zeshkta?
Shyqyr Dush-o që t’kam kojshi
Kur t’mërzitem-o vij e rri.
Nipi te daja
Nipi te daja si pëllumi
Djalin na e mori gjumi.
Po thotë nusja mos e luni!
Ka ardhë lodhshëm prej Ulqini
M’ka pru vathë prej florini.
Nipi te daja si pëllumi
Djalin na e mori gjumi.
Po thotë nusja mos e luni!
Ka ardhë lodhshëm prej Tivarit
Ma ka pru unazën arit.
Moj nuse, mos kjaj te shpija
Moj nuse, mos kjaj te shpija
Se të prishet bukurija.
Bukurija s’m’duhet gja
Se kam lanë babën tuj kja……vazhdon……….
Eja, o djalë i ri
Eje, eja, o djalë i ri!
Eja,eja të rrimë bashkë!
Se mu baba m’ka nxjerrë jashtë.
Eja,eja, o djalë i ri
Eja, eja të rrimë bashkë!
Se mu nana m’ka nxjerrë jashtë.
Eja, eja, o djalë i ri!
Eja, eja të rrimë bashkë!
Se mu vllaznit m’kanë nxjerrë jashtë.
Na i ka ra rrethi kusisë
Na i ka ra rrethi kusisë
Do t’ia çoj-o kallajxhisë
Pagun paret i zoti i shpisë
Bashkë me parët e miqesisë.
Na i ka ra rrethi tepsisë
Do t’ia çoj-o kallajxhisë
Pagun paret e zoja e shpisë
Bashkë me paret e miqesisë.
Akshixhiut
Ti ma paç faqen e bardhë, akshija jonë!
Ke ba darsem për lezet, o akshija jonë.
Ke mush çinija me mezet, o akshija jonë.
Ke pjek mish e kabuni, o akshija jonë.
Faqebardhë zotin e shpisë, o akshija jonë.
Faqebardhë para miqësisë, o akshija jonë.
Kënga i këndohet në disa raste edhe rakixhisë e kafexhisë me fjalë të ndryshme duke u thënë në substancë që kanë nderuar të zotin e shtëpisë para miqësisë e para të gjithë dasmorëve.
* * *
Ti ma paç faqen e bardhë o rakixhi!
Faqebardhë ne me miqësi, o rakixhi,
Prru e vi ke qit raki, o rakixhi,
Si për pleq edhe për të ri, o rakixhi!
* * *
Ti ma paç faqen e bardhë o kafexhi
Ke pjek kafet për zotni, o ka fexhi
I ke pjekun me sherbet, o kafexhi.
Të tanë darsmes i dha lezet, o kafexhi!
* * *
Ju ma paçi faqen e bardhë, o katojcat tona!
Keni qitë petulla e laknorë, o katojcat tona.
Keni qitë bukën bardhë si borë, o katojcat tona.
Keni qitë laknorë plot sherbet, o katojcat tona.
I keni dhanë darsmës plot lezet, o katojcat tona.
Siç shihet, në përfundimin e dasmës, kur kuzhinieri dhe shërbyesit e tjerë në atë dasëm; ata që kanë qenë të angazhuar me gatimin e bukës, petullave dhe lakrorëve të dasmës si dhe ata që kanë pasur për detyrë të kujdesen për pijet, rakinë apo kafetë janë përcjellur me këngë falenderimi për punën dhe shërbimin e kryer. Këto vargje që paraqita më lart janë veçse disa variante nga këngët që zakonisht gratë dhe të afërmet e familjes kanë kënduar për ata njerëz që kanë shërbyer në dasëm. Normalisht, këngët që u këndoheshin dasmorëve kur ata largoheshin i kam paraqitur më lart dhe nuk është vendi t’i paraqes përsëri këtu.
Analiza dhe komente
Tashti që i bëra një ekspoze të thjeshtë dhe mjaft modeste këngës së dasmës zadrimore, mendoj të bëj ca komente të shkurtëra në lidhje me ato karakteristika të përgjithshme të këtyre këngëve. Fillimisht dua të them se këto këngë nuk mund t’i marrim si ekzemplarë të shkëputur nga kënga popullore mbarëkombëtare; d.m.th. që këto këngë këndohen vetëm në Zadrimë e askund tjetër, përkundrazi, ato janë pjesë e fondit mbarëkombtar e nuk mund të pretendohet se i përkasin vetëm kësaj zone. Për shembull, kënga “Sa bukur na ka dalë nusja!” këndohet si në Zadrimë, ashtu edhe në Labëri e kudo. Kështu që unë nuk mund të them se është pronë e Zadrimës, e huajtur nga trevat e tjera apo anasjelltas. Gjithashtu, mjaft prej tyre duket qartazi se janë të huajtura e të mbartura nga treva të tjera dhe janë të shumta dukuritë që flasin për këto gjëra. Si fakte mund të përmend emrat e disa vendeve konkrete që përmenden si Elbasani, Tirana, Shkodra, madje edhe Vlora në ndonjë rast, por edhe disa elemente të tjera si emrat e pëmëve që nuk kanë qenë traditë e zonës në kultivimin e tyre si limoni, nerenxa(meranxha), portokalli, lajthia e ndonjë tjetër si këto. Ka qenë normale që disa prej tyre, mendoj në hershmëri as që janë njohur si emra sidomos nerenxa, por ndoshta as portokalli e limoni, prandaj këngët që përdorin këto elemente duhet të jenë huazuar e pastaj janë bërë pjesë e fondit të kultures e traditës së zonës në këngët e dasmës. Për shembull kënga “Moj meranxhe” siç shihet edhe emri këtu është i deformuar e po ashtu edhe përmbajtja flet mjaft për fjalë që zona nuk i ka pasur në fondin e saj si fjala “tybe”. Kjo fjalë nuk është përdorur edhe pse zona ka pasur mjaft turqizma si shumë pjesë të tjera të Shqipërisë. Fjala “tybe” ka qenë më tepër e karakterit fetar musliman dhe zona, siç e kemi theksuar edhe më sipër, është populluar me popullsi në më të shumtën katolike dhe shumë pak, në ndonjë fshat aty-këtu me ndonjë familje apo edhe ndonjë lagje muslimane që pothuajse aspak nuk ka pasur ndonjë ndikim të veçantë.
“Moj meranxhe, moj lemu,
Të kam dashtë edhe të du
Tybe m’kjoftë në daça tjetër,
Veç për synin si m’ke nën vetull” e të tjera. Këtu paraqiten dy apo tre elemente që tregojnë se kjo këngë nuk ka qenë autoktone e zonës, por është një huazim si shumë huazime të tjera. Fjalët: “meranxhë”(nerenxë), “lemu”(limon) dhe fjala “tybe” që nënkupton ndonjë lloj mallkimi sipas kontekstit që është përdorur aty, flasin qartë besoj. Pra, fjalori i miksuar i përdorur në disa këngë, tregon se shumë këngë janë huajtur, ose janë mbartur nga zona të tjera, me qenë se Zadrima ka qenë pellgu që ka grumbulluar prurje të shumta popullatash nga zonat e tjera ashtu siç edhe ka dhuruar edhe në zona të tjera. Mjaft fjalë që zona e Zadrimës rregullisht nuk i ka pasur si pronë e leksikut të saj dalin nëpër këngë të ndryshme dhe këtu nuk e kam fjalën thjeshtë për emërtimet që cilësova më sipër, por për fjalë që nuk përdoren zakonisht si: “çikë”, “dallfes”, “gocë”, “bukazi”; apo fjalët: “vojvoda”, “bajraktari”, “beglerë”, “sulltanë”, e tj. Megjithatë, këto këngë janë shkrirë e bërë njësh me tabanin kryesor të këtij fondi dhe janë përdorur pa rezerva. Mendoj, se me qenë se këto kanë pasur karakter huazimi, nuk do të thotë se duhej të qëndrojë dilema: duheshin rreshtuar këtu apo jo pasi ato janë përdorur gjerësisht nëpër dasma dhe janë bërë pjesë e pandarë e fondit. Nuk ia kam vënë vetës detyrën t’i studjoj një për një autenticitetin e tyre, por fondin bruto të tyre. Në fund të fundit, ato këngë janë kënduar dhe njerëzit janë defryer me to. Në fund të fundit, populli as që ka dashur t’ia dijë se kush i ka krijuar e kënduar i pari, nga e si kanë ardhur, por i ka kënduar e aq, pa e vrarë fare mendjen për këto gjëra. Madje, edhe i ka interpretuar dhe ka shtuar elemente të reja ashtu siç e ka pasur zotësinë dhe fantazinë e të shprehurit ai që e ka kënduar dhe udhëhequr këngën.
Edhe mënyra e të kënduarit të disa prej atyre këngëve, madje, mund të them pa droje e shumicës prej tyre ka elemente të përbashkëta mbarëpopullore e mund të them se ka elemente edhe të polifonisë labe. Po të shihet mënyra se si janë kënduar ato, dallohen dukshëm elementet. Kur këndohej një këngë nga gratë zadrimore, por edhe mikse burra e gra, zakonisht nuk janë përdorur vegla muzikore. Gjithashtu disa nga këngët këndohen në dy grupe ku njëri grup prin dhe tjetri pason apo ia kthen. Po kështu disa nga këngët e vallët kanë filluar me fundin e vargut e pastaj është kënduar vargu i plotë: “Huderasë, nai ra gjethi huderasë/ Se ta pashë, mbulo syrin, se ta pashë!….”, “Vetullnjalë, moj syzezë, moj vetullnjalë/ Kurrë dy fjalë, si s’mi kjave, moj kurrë dy fjalë….”; “Topsheqere, mollë e kuqe topsheqere/ N’at penxhere, qite krytin n’at penxhere!/ Sytë ni here, sa t’i shoh, moj sytë ni here….”; “N’kry t’livadhit, moj e mira n’kry t’livadhit/ Lisat e malit, mos i njeh, moj lisat e malit?/ Lis mas lisi, mos i njeh, moj lis mas lisi?….”; “N’arë me korrë, shkon syzeza n’rë me korrë/ Për nën dorë, merr dy drapna për nën dorë/ Me tjetrin korrë, me njanin mledh me tjetrin korrë/ Aty pari, shkon nji plak-o aty pari./ Syzezë, moj vashë, puna marë syzezë, moj vashë….”; “Ndër kallama, njatje posht-o ndër kallama/ Si dy zana, janë dy vasha si dy zana/ Mos i pastë, kush i ka ai mos i pastë!….” e mjaft të tjera si këta. Gjithashtu një dukuri tjetër ka qenë se vargu ose është përsëritur dy herë në ndonjë rast, ose gjysma e tij përsëritet si refren pas çdo vargu: “Ku e verove verën-o, moj lulja e allit?/ Në atë majë të malit-o, moj lulja e allit./ Ulu posht në katund ton, moj lulja e allit!…”; “çka t’ka balli që po t’shndrit, mor florini i vogël-o?/ A m’ke vu kunorë përditë, mor florini i vogël-o?…”; “Mori vashë shaminë e bardhë, hej aman aman/ Kur e ke ndërmend me ardhë, hej aman aman!…”; “O tiriri sokol i malit, tiriri, moj tiriri/ O asht sokol e pika e djalit, tiriri,moj tiriri…..”; “A e din se ku ke ardhë, moj kaden nusja?/ Në sarajet gjatë e gjanë, moj kaden nusja….”; “Linxxhe, moj ku t’ra shamia, linxhe moj,linxhe moj?/ Më ka ra tek dugajxhia, linxhe moj, linxhe, moj….”; “Ka çu rruga pluhun-o, moj syzezë/ Ta pluhnoi duvakun-o, moj syzezë/ Duvakxhinë e kam kumarë, o mj syzezë…”; “Bini karajfil i bardhë, bini, moj bini/ Në derën e kujt bini? bini, moj bini…”; “Ka ra dielli me perëndu, moj nusja jonë./ Ka dalë baba me t’kërku, moj nusja jonë….”; “Ju ma paçi faqen e bardhë, o dajat tonë!/ Që keni begenisë e keni ardhë,o dajat tonë….”; “Mos maj mall, mos maj kujdes, o dhandrri jonë!/ Se unë nusen ta njoh vetë, o dhandrri jonë…” e të tjera si këta, por ka edhe nga ato këngë që përsëritet dy herë gjysma e dytë e vargut, apo edhe si refren dueti si:”nana ime/…bija ime/…” e kështu me radhë dukuri të tilla. Këto dukuri janë mjaft të dukshme në këngët polifonike, ndaj dhe them se elementi i ngjashëm padyshim është i pranishëm dhe ekziston në formën e vet origjinale. Kjo flet qartë për karakterin mbarëkombëtar të tyre. Për nga ana muzikale nuk mund të flas dhe këtë mund ta shtjellojnë specialistë të asaj fushe.
Në shumicën e rasteve në ndërtimin e këtyre këngëve është përdorur strofa e bardhë me vargun tetërroksh, por herë-herë është kombinuar edhe me dymbëdhjetë rrokshin e nganjëherë edhe katërmbëdhjetë rrokshi. Rimat janë përdorur zakonisht AA BB. Krahas vargut tetërroksh, është përdorur edhe gjashtërrokshi. Shumëherë është përdorur strofa. Gjatsia e strofës ka pasur variacione në numër vargjesh dhe nuk ka një rregull strikt. Disa raste ka qenë përdorur strofa me pesë vargje, por edhe me gjashtë, shtatë, tetë e me dymbëdhjetë ku mund të llogaritet një varg e gjysëm për dy vargje. Në mjaft raste është përdorur strofa tre vargëshe si tek kënga “S’marr kovaçin”,”Shkon nilbardha nëpër Dri”,”More filxigeni i njomë”,”A ke ba vend për mu”, “A t’erdhi mirë?”, “Kush ta hjek kunorën?”, “Moj farfuri”,”Po t’baj rixh”, “Moj e mira ni e dy”, “Moj nuse po t’thrret vojvoda”, “O dhandrri jonë”,” Kush po del në mal me gju?”. Gjithashtu vendin më kryesor e zë strofa katërshe, por në shumë raste është përdorur strofa pesëshe si tek këngët: “Dy çardaqe molla-molla”,”Kena ndi se ke shyqyr”, “çou moj nuse, çou, moj bijë!”, “Çka t’ka balli?”, “Po thotë nusja jam e mirë”, “Po lyp nusja me ngranë”, “Dil, moj nanë!”, “Ka ra dielli me perendu”, “Lehi qeni, krisi gardhi”,”Nëpër dasma jam rritun-o”, “Ti, moj drandofille”, “Hajde nuse!”, “Po thotë baba i lumi unë”. Një vend të dukshëm zënë edhe këngët me strofa gjashtshe si:”Të morëm nuse”,”Prej Masasit t’Malit t’Zi”, “Nusja sa ni qytet”, “Moj nuse zylyfepikë”, “Tiriri, sokol i malit” dhe “Fryni era, lujti mandin”. Por gjithashtu edhe strofa shtatshe është përdorur jo rrallë si tek këngët:”Mori vashë shaminë e bardhë”,”Moj unaza rreth me ar”, “More filxigeni i njomë”, “Dil, moj nanë!”, si dhe “Fryni era n’shtek t’oborrit”. Gjithashtu këngët me strofën tetëshe janë përdorur në disa raste si:”Tiriri, moj tiriri”, “A je ba gati, moj nuse?”, “Mori kumbulla rraboshnjake” dhe “Lumi ti, more lejlek!”. Edhe strofa dyshe është përdorur në ndonjë rast si: “Ec ka i kamë!”, “Nusja shtatin si selvi” dhe “Rashë në shartashi”. Kënga “Më marto!” ka një paraqitje të veçantë. Kjo këngë fillon me një gjysëm vargu që është gjithashtu dhe gjysma e dytë e vargut. Duke e quajtur varg këtë gjysëm vargu, pasi ashtu trajtohet, kjo këngë inkuadrohet në strofa dhjetëshe. Kjo dukuri kur kënga fillon me gjysmën e dytë të vargut janë dukuri që hasen jo edhe aq rrallë si tek kënga:”N’arë me korrë”, “Njatje posht-o ndër kallama” e të tjera.
Ashtu siç e cilësova edhe më sipër, ana gjuhësore e këtyre këngëve është veçori dalluese se është përdorur gegnishtja dhe kryesisht dukuritë karakteristike zadrimore. Tingulli ”ë” është përdorur mjaft rrallë për të mos thënë fare. Në shumë raste, kur ka qenë e domosdoshme për gjatësinë e vargut, ose është përdorur zanorja “e”, por edhe i është shtuar vargut në fund një ”o” ose një “e”. Po kështu është preferuar të zëvendësohet e superohet me përdorimin e zanoreve të gjata. Gjithashtu, shpesh në ndonjë fjalë të vargut shpesh preferohet të shtohet një rrokje tepër si: “shkon pu(ju)lbardha nëpë(je)r Dri, babë(je)loci çon dha(je)nti etj.”. Zona e Zadrimës nuk e ka pasur në natyrë përdorimin e diftongjeve “ua”, ose “ue”, por zanorën e theksuar “u” si me shku, me punu, me gju, ndigju, me shiku, me kndu, me diftu, me vallzu e shumë e shumë raste të tjera. Gjithashtu, edhe disa fjalë që gjuha letrare dhe në shumë zona të tjera për rreth Zadrimës shqiptohen me “n” në gjuhen e zonës shqiptohen me “nd” si fjala “mand”, “prende”, “sonde”, “tamand”, apo “ndarku” për “ngarku” e ndonjë tjetër. Duhet shtuar këtu për këtë dukuri se kombinimi”n+d” në shqiptimin e zadrimorëve është gati krejt ndryshe nga zonat e tjera se merret si një bashkëttingëllore e vetme. Pra shqiptohet krejt si një bashkëtingëllore e vetme duke ja zbehur, madje, më pëlqen të them, duke ia hequr fare karakterin pëlcitë bashkëtingëllores “d”. Po kështu edhe fjala “njalë” për “ngjalë”, “ng’jat” për “ngjat”, “njaty” për “aty”, “njatje” për “atje”, “zjarm” për “zjarr”, “ça” për “çka”, “ri” për “rinj”,”nadje” për “mëngjes”, “njate” për “atë”, “rika” për “rosa”, “dveta” për “pyeta”, “kija” për “qingja”, “i” për “një”, “vekë” për “vegj”, “mrame” për “e fundit”, “njaj” për “ai”, “izet” për “njëzet”, “kjaj” për “qaj” e shumë raste të tjera. Këtu duhen shtuar edhe variantet e rëgjuara të fjalës kur bien mjaft zanore apo edhe bashkëtingëllore në fjalë të ndryshme si: “mramë”, “mrenda”, “kamën”, “bash” për “bëfsh”, “zash” për “zënç” e tj. Gjithashtu duhet thënë se turqizmat janë përdorur dendur edhe në këngë, ashtu si edhe në të folurin e përditshëm. Duhet thënë se edhe këngët që mendoj se janë të huajtura nga zona e treva të tjera, janë asimiluar dhe shkrirë me fjalorin autokton të zonës. Mendoj se nuk është edhe aq e rëndësishme t’i bëj një analizë e paraqitje të hollësishme kësaj gjëje, prandaj nuk po ndalem të vazhdoj më tej në këto fakte duke i paraqitur një e nga një të gjitha, pse ato janë të shumta. Unë jam përpjekur të paraqes këtu formën dialektore të të folurit në shumicën e teksteve të këngëve, pikërisht ashtu siç në të vërtetë janë shqiptuar, pa marrë mundimin të paraqes formën e normës letrare të shqipës. Mendoj se është krejt normale të paraqiten në formën e tyre origjinale të të shprehurit të tyre dhe jo të rregulloj formën letrare të tyre.
Mendoj se është me rëndësi të paraqes në përgjithësi si ka evoluar dasma zadrimore dhe si ka ndikuar kjo dukuri në fondin e këngës së saj. E kam cilësuar shkarazi edhe më lart se dasma ka evoluar e ndryshuar nga periudha në periudhë, por ndryshimet më thelbësore filluan aty nga mesi i viteve ’70, ose më së shumti, nga fundi i këtyre viteve. Por nuk mund të themi aspak se ndryshimi ka filluar vetëm aty dhe jo më përpara. Dalëngadalë ndryshimet kanë nisur kohë pas kohe edhe më përpara, por jo me hope drastike. Edhe para viteve ’70 dasmat filluan të bëheshin në ditë të diela dhe jo në të hënash e kjo për arsye se kooperativat bujqësore nuk lejonin mungesa në punë në ditë jave. Shpesh edhe të dielat ishin të zëna me punë e me aksione, por për dasmat ishin të detyruar të bënin lëshime dhe këto gati si me zor të madh. Gjithashtu, kolektivizimi i bujqësisë dhe i blegtorisë e reduktoi në mënyrë drastike mundësinë e sigurimit të harxheve të dasmës. Gjithashtu edhe ndalimi i fesë dhe mbyllja e kishave ndikoi në disa rite që lidheshin me fenë dhe kishat në përgjithësi. Kjo ndodhi para viteve ’70, aty nga gjysma e dytë e viteve ’60. Por edhe më përpara kishte mjaft rrethana që kishin ndikim mjaft të dukshëm në evolimin e dukshëm të traditës. Mbyllja e vendit me botën, vetë sistemi komunist, kolektivizimi i ekonomisë fshatare, mungesat e shumta në ekonominë fshatare, varfërimi dhe shtetëzimi i pasurive të shtresave të pasura dhe të mesme dhe barazitizmi i gjithë fshatarsisë në kufijte e varfërisë e mjerimit kanë ndikuar së tepërmi në reduktimin drastik të mundësive për të zhvilluar një dasëm të gëzueshme e të bollshme sipas traditave. Duke qenë se mishi që ishte produkti kryesor për dasmën tashmë ishte me pakicë të theksuar, filloi të reduktohej ndjeshëm numri i mysafirve e të ftuarve dhe jo vetëm; edhe disa etapa të dasmës filluan të reduktohen e të menjanohen.
Mungesa e kuajve të shalës, por edhe përmirësimi i supërstrukturës me rrugë e mjete të reja udhëtimi, ardhja e nuses filloi të bëhej me mjete më moderne. Në fillim me kaloshina e sharapajka në mungesë të kaloshinave. Më vonë me makinat e transportit të kooperativave bujqësore, që nuk ishte edhe aq e lehtë të merrej leja e përdorimit të tyre, plus pagesat e kripura. Më vonë, pas viteve ’80, aty nga fillimi i viteve ’90, kur u prishën ekonomitë kooperativiste dhe Shqipëria u hap me botën, njerëzit filluan të sillnin autovetura dhe këto zëvendësuan kaloshinat, sharapajkat apo kamionët e transportit të mallrave. Gjithashtu, sofra u zëvendësua me banketin e kjo kishte filluar që nga vitet ’80 e më pas. Dhëndurrët filluan të shkonin vetë së bashku me krushqit për të marrë nuset e tyre dhe nuk ishte më herezi e tabu kjo gjë. Nuset nuk kishin më mundësi të bënin pajën e zakonshme edhe për mungesën e kohës, por edhe të materialeve të nevojshme, filluan t’i zëvendësonin ato gjëra të duhura për pajën e tyre me gjëra tregu të blera në dyqane si peshqirë faqesh, shami duarsh, çorape burrash(këto për dhuratat që duheshin bërë), copat për rrobat e të gjitha sa duheshin. Në pjesët e shenjit që i çohej nuses, zuri vend edhe ora e dorës dhe filluan edhe mjaft aksesorë që filluan të shtoheshin kohë pas kohe. Telashet, ama, nuk u reduktuan, por u shtuan, se dyqanet ishin mjaft të varfra dhe nuk mund t’i plotsoje të gjitha kërkesat që kishte dasma e martesa. Këtu bëhet fjalë për vitet e diktaturës. Jo pa vend qarkullonte shprehja: “Uji tuj u shterrë e njerëzit tuj u mbytë mrenda.” Që donte të thoshte se vendi sa vinte e varfërohej, por njerzia sa vinte e i shtonte pidatet e zakonet e tyre robëruese. Shtonte dikush një gjë më tepër nga të tjerët se i kishte mundësitë, ndoshta, por të tjerë edhe pse nuk i kishin mundësitë, duhej ta bënin atë gjë, se nuk donin të mbetnin pas të tjerëve. Për të përgatitur shenj e dhanti duhej vrapuar sa andej këndej nëpër dyqane, ku sigurisht ato të zonës as që bëhej fjalë t’i kishin, madje nuk i gjeje as në qytete. Telash i madh ishte gjetja e orës së dorës e cilësisë që kërkohej e nganjëherë, as ato me cilësi fare të dobët nuk gjendeshin. Gjithnjë është fjala para vitit ’91, se pastaj tregjet u mbushën, por paratë si gjithnjë mungonin. Dita e leçisë, pothuajse u hoq fare. Edhe vaktet u reduktuan deri sa shkuan e përfunduan vetëm në një të vetëm në vitet e fundit, nga që dasma tashmë u zhvendos nga shtëpia në lokal, por edhe kur bëhen në shtëpi, përsëri një vakt mbetet. Tashmë detyrat e fisit dhe të kushërinjve i zëvendësuan telefonat, ftesat, kuzhinierët e kamarierët e pajtuar me para e shumë gjëra të tjera. Sofrat e dikurshme edhe në kushtet e shtëpisë u zëvendësuan nga banketi me tavolina dhe dhomat tashmë u improvizuan nëpër oborre apo lëndina me çadra të improvizuara apo edhe të marra me pagesë nga njerëz që e kanë kthyer në bisnes. Por më së shumti në kohët e fundit janë të preferuara lokalet dhe kështu dasma kryhet veç me një vakt dhe pa ato ritet dhe etapat e mëhershme. Të gjitha këto ndryshime që cilësova më lart kanë ndikuar shumë edhe në fondin e repertorin e këngës së dasmës.
Tashmë veshjet e nuses si dhe aksesorët e përdorur nga ajo, jo vetëm që ndryshuan, por filluan të pasurojnë edhe fjalorin e këngëve. Në këngë, në vend të koretit u fut fjala vel e u shtua ora e ndonjë aksesor tjetër. Vendin e kalit me shalë(kalit të bardhë) e zuri makina me lule. Por ama edhe këngën gojore të grave e vajzave dhe të të gjithë dasmorëve e zunë orkestra dhe këngëtarë të pajtuar dhe që në repertorin e tyre sillnin lloj-lloj këngësh që shërbenin për të argëtuar të rinjtë e pasionuar për të hedhur valle, por edhe për të shurdhuar nga veshët pjesën tjetër të dasmorëve. Sigurisht, këngës tradicionale iu bë një atentat vdekjeprurës që e çoi gradualisht drejt varrit dhe harresës. Në mungesën e orkestrave dhe këngëtarëve, si dhe më së shumti edhe të parave të mjaftueshme, ato u zëvendësuan me DJ që edhe këta kishin repertore nga më të ndryshmet, por jo ato tradicionalet. Që edhe këta kishin e kanë për detyrë shurdhimin e të pranishmëve dhe argëtimin e të rinjve pasionantë. Gjithashtu, edhe ditët e dasmave filluan të ndryshonin në varësi të, kuzhinierit; orkestrës apo DJ; të lokalit e shumë arsye të ndryshme. Edhe në rastet kur njëra palë e siguronte ditën tradicionale ideale, mundej që pala tjetër nuk mund ta siguronte, kështu që duhej gjetur dita e mundshme e përbashkët, ku mund të siguroheshin, mundësisht, të gjitha. Në fakt, këto dukuri që sapo përmenda i kam cilësuar edhe në pjesën hyrëse, por i ripërsërita në mbështetje të idesë së ndikimit të rrethanave dhe kushteve në këngën e dasmës.
Si shtesë e të gjitha sa përmenda më sipër dua të shtoj se kënga e dasmës zadrimore, për aq kohë sa ishte gjallë, gjithnjë ka ndryshuar dhe është pasuruar me elemente të reja. E kam përmendur edhe më sipër se kushtet dhe mundësitë ndryshuan në drejtimin e kryerjes së ritit të dasmës edhe në Zadrimë si kudo. Diku ndryshuan për mirë e diku ndryshuan edhe për më keq si pasojë e varfërisë së përgjithshme në të gjitha kuptimet dhe nocionet e kësaj fjale. Në këngë filluan të zëvendësoheshin mjaft emërtime e të futeshin mjaft të tjera si elemente të reja. Emra si “kali i shalës” u zëvendësua me “makinë”, “koreti”, me “veli” e mjaft të tjera, por u dukën edhe fjalë të tjera si “ora”, “lule” e shumë të tjera që filluan të futen si elemente të reja që filluan të përdoreshin dhe që më përpara s’kishin qenë të traditës. Ora nuk ka qenë pjesë e nishanit apo të shenjit dikurë, por as zbukurimet e kalit me lule, veç më vonë filluan të zbukurohen makinat që shkonin të merrnin nuset. Po të vihet re me kujdes përdorimi i fjalorit, mund të dallojmë qartë se cilat këngë kanë pësuar ndryshime dhe janë kënduar më vonë e cilat kanë qenë kënduar më herët. Natyrisht, kur nusja kishte ardhur me vel e veshur në ditën e saj të martesës, nuk mund të përmendej më fjala duvak, koret, boçe apo shami, por fjala vel. Gjithashtu, nuk mund të përmendej në këngë fjala “mëhyr” kur vendin e tij e zuri unaza, apo të përmendej”hajmolia” kur më nusja as që e dinte tashmë se çfarë ishte ajo lë pastaj ta kishte vënë, apo kryqi që u ndalua rreptësisht nga diktatura me ndalimin e besimit fetar. Gjardaleku apo stringlat zbukuruese me lira e grosh nuk përdoreshin më dhe s’kishin pse të përmendeshin. Po kështu edhe pamja e jashtme u pasqyrua me ndryshimet që pësoi. Nusja nuk i bënte më zylyfet, por rregullohej e krihej në një mënyrë krejt të re dhe sipas traditës qytetare e moderne. Pra, nuses që ishte veshur me vel e kurorë dhe që flokët i kishte krehur në mënyrë moderne e me kaçurela, nuk mund t’i thuhej më “Moj nuse zylyfe pikë”, pasi mund të dukej mjaft qesharake për atë që mund ta këndonte. Edhe peshqiri harkat apo rrobat e tjera tradicionale nuk ekzistonin më dhe nuses nuk mund t’i këndohej më për këto veshje e aksesorë. U duken fjalë të reja siç ishte fjala “papuçe” apo këpucë me taka, apo sandale dhe jo më këpucët e kuqe. U përdorën edhe fjala “bakami” apo buzët e kuqe të cilat nuk kanë qenë traditë e zonës, madje në hershmëri, as edhe e mbar kombit dhe mendoj se si traditë ka ardhur nga vende dhe popuj të huaj. Në konceptin popullor, kur ndonjë femër kishte guxuar të lyhej apo të bënte buzët me ngjyrë të kuqe, të moshuarit thoshin gati si me përçmim: “Asht ly e përly si bullat” duke nënkuptuar këtu gratë e qytetit me besim musliman. Pra mendoj se ka hyrë në jetën dhe kulturën popullore në fillim të asaj të qytetit e prej këtu edhe në fshat nga pushtimi turk kjo mënyrë e zbukurimit të femres. Ka qenë traditë lyerja e flokëve të femres me ngjyrë të zezë të shndritshme, ashtu siç edhe e kam cilësuar më sipër, por vetëm kaq. Ndarja e flokëve mbi ballë me dy pala dhe krijimi i një qemeri të hijshëm mbi ballë ishte një traditë e veçantë dhe krejt unike për zonën e Zadrimës. Këto gjëra ia jepnin mjaftueshëm hijeshinë nuses zadrimore, ndaj dhe nuk përdorte mjete të tjera kimike për zbukurim, edhe pse nuk i kishte traditë, por ndoshta edhe pse nuk njiheshin. Mbase edhe mund të përdorej ndonjë locion i përgatitur me ndonjë bimë, ndoshta me kokrrat e shegës, mjaft tradicionale për Zadrimën si bimë, a diçka tjetër për t’u dhënë ngjyrë të kuqe mollëzave të faqeve, por në dijeninë time nuk ka qenë dhe nuk ka ekzistuar si traditë e zonës. Përsa i përket ndarjes së palës së flokut mbi ballë, mund të them se duhet të ketë ardhur duke u bërë gjithnjë e më fine. Kjo duket tek disa foto të hershme marrë nga arkivat e Marubit apo të fotografëve të tjerë të hershëm dhe krahasuar me foto të mëvonshme marrë në kohë më të reja
Përsa i përket këngës tradicionale popullore, nuk jam më i sigurtë në se ka mbetur ndonjë shenjë e gjallë prej tyre. Nuk jam fare i sigurt në se dikush kujtohet dhe di saktë ndonjërën prej tyre, aq më tepër, nuk jam fare i sigurt në se e këndon ndonjërën prej tyre në dasma që bëhen në ditët e sotme. Duke pasur parasysh këto gjëra e kam quajtur si obligim t’i bëj një ekspoze nderi asaj që ka qenë nderi ynë për shumë kohë brez pas brezi dhe që na ka mbushur me krenari të veçantë. Unë, padiskutim që ndihem, jo vetëm i privilegjuar që jam bir i popullit të asaj zone të mrekullueshme dhe me tradita e zakone jashtzakonisht të pasura e të shkelqyera, por edhe mjaft krenar dhe njëkohësisht edhe borxhli ndaj saj.
Këtu më poshtë po paraqes disa ilustrime për ritualin si dhe kostumin popullor të nusës zadrimore në ditën e dasmës.
Ilustrime
rituali i përcjelljes së dhantisë tek nusja në kohërat moderne
Siç shihet këtu, megjithëse fotografia është shumë e hershme dallohen qartë aksesorët e veshjes së nuses(shamiat,kryqi dhe hojmalia, këpucët karakteristike, fodullet,jeleku me sumbullat prej filigrami, gjerdani i fytit e gjardaleku. Këtu mungon kurora e ballit, pasi me sa duket fotografia nuk është marrë në ditën e martesës, por një apo disa ditë më pas, ndosht kur nusja ka shkuar të vërë kunorë në gjendjen civile që mund të bëhej dy apo disa ditë pas ditës së dasmës. Gjithashtu, edhe veshja e vajzës që shoqëron nusen paraqet karakteristika të veçanta në veshjen e vajzës zadrimore.
Çift zadrimor i sapomartuar. Kostume të traditës. Nusja me koret dhe shamia.
Nusja me kurorë dhe gjerdan fyti.
Momente të dasmës zadrimore. Nusja e marrë me kal dhe e mbuluar me duvak
Nuse zadrimore e stolisur në ditën e dasmës
Në foton e mësipërme shihen qartë një pjesë e stolive të nuses: gjerdani iqafës.gjardaleku, fudullet. Aty shihet qartë edhe finesa e materialit të endur për këmishën si dhe punimi artistik i pjesëve të qafzës dhe grykës së këmishës të qëndisura me mëndafsh dhe ar.
Vegj me të cilat gratë zadrimore punojnë veshje dhe takëme shtëpiake. Në të folmet e Zadrimës quhen vekë, ose shpesh edhe tullarë.
Momente të veçanta të përgatitjes së rrobave apo takëmeve zadrimore shtëpiake me vekë
paraqitja e veshjeve në tri brezni tek gruaja zadrimore
Pjesë nga veshja dhe stolitë e nuses zadrimore:
anteria
jeleku
fudulle të punuara me filigramë
futa
çorape dhe takëme të tjera të punuara me motive popullore zadrimore.
Nje studim dinjitoz per kulturen dhe traditat zadrimore.
Amazing blog! Is your theme custom made or did you download it from
somewhere? A theme like yours with a few simple tweeks would
really make my blog shine. Please let me know where you got
your theme. With thanks
This page certainly has all the information and
facts I needed concerning this subject and didn’t know who to ask.
I think everything wrote made a great deal of sense. However, what about
this? suppose you typed a catchier post title? I am not saying your information isn’t solid.,
but what if you added something to possibly grab people’s attention?
I mean VOAL is kinda boring. You ought to look at Yahoo’s front page and note how they create article titles to get viewers to click.
You might add a related video or a related picture or two to grab readers interested about everything’ve got to say.
Just my opinion, it would make your posts a little bit more interesting.
Hello everyone, it’s my first pay a quick visit at
this website, and piece of writing is actually fruitful for
me, keep up posting these types of articles or reviews.
This piece of writing offers clear idea in support of
the new viewers of blogging, that genuinely how to do blogging.
Great article! We are linking to this great post on our site.
Keep up the great writing.
Pretty section of content. I just stumbled upon your web site and in accession capital to assert that I acquire actually
enjoyed account your blog posts. Anyway I will be subscribing to your feeds
and even I achievement you access consistently fast.
Hey very cool blog!! Guy .. Beautiful .. Wonderful ..
I’ll bookmark your web site and take the feeds also? I am happy to find so many helpful information right here within the put up, we’d like develop
more strategies on this regard, thanks for sharing.
. . . . .
I know this if off topic but I’m looking into starting my own blog and
was curious what all is required to get set up? I’m assuming having a blog like yours would cost a pretty penny?
I’m not very web smart so I’m not 100% positive. Any tips or advice would be greatly appreciated.
Many thanks
My relatives every time say that I am killing my time here at
net, except I know I am getting experience daily by reading such good articles or reviews.
Very good write-up. I absolutely appreciate this site.
Keep it up!
This is a topic that is close to my heart… Many thanks!
Where are your contact details though?
Thanks a lot for sharing this with all folks you actually
recognise what you’re talking about! Bookmarked.
Please additionally seek advice from my web site =).
We may have a hyperlink trade agreement between us
I believe everything published was very reasonable.
But, think on this, what if you added a little content?
I mean, I don’t wish to tell you how to run your website, however
suppose you added something to possibly grab folk’s attention? I mean VOAL is
a little boring. You might peek at Yahoo’s home page and note how they create
post titles to get viewers interested. You might add a video or a
related picture or two to grab people excited about everything’ve
got to say. In my opinion, it would bring your blog a little bit more interesting.
Hello there, just became aware of your blog through Google,
and found that it is really informative. I’m going to watch out for brussels.
I’ll be grateful if you continue this in future.
Numerous people will be benefited from your
writing. Cheers!
Hi there, I discovered your site by means of Google at the same time as
looking for a similar matter, your site came up, it seems great.
I’ve bookmarked it in my google bookmarks.
Hi there, just was aware of your weblog through Google, and located that it’s truly informative.
I’m going to watch out for brussels. I’ll appreciate should you proceed this in future.
Numerous other people will probably be benefited from
your writing. Cheers!