Në një shitore të Akshehirit, një varfanjak po kalonte pranë një shitësi të mishit të pjekur dhe i erdhi dëshira për pak mish të pjekur. Meqë nuk kishte mjfat para sa për ta blerë mishin, ai nxori disa copa buke nga xhepi i tij, i mbante pak në tymin që dilte nga mishi që po piqej dhe pastaj i hante. Kur po largohej, shitësi e ndaloi dhe i tha:
“Nuk mund të largohesh pa paguar!”
Varfanjaku nuk pranoi të paguajë dhe meqë nuk e zgjidhën dot mosmarrëveshjen, ata shkuan që të gjykohen nga Nastradini.
Nastradini i dëgjoi të dyja palët. Pastaj u kthye tek varfanjaku dhe i tha:
“M’i jep të gjitha paratë e tua.”
Varfanjaku u befasua, por ia dha Nastradinit qesen e tij me para. Nastradini e zbrazi qesen në tavolinë, i numëroi monedhat një nga një, pastaj iu kthye shitësit:
“A e dëgjove tingëllimin e parave?” – e pyeti atë.
“Po e dëgjova,” iu përgjigj ai.
Nastradini i mblodhi monedhat, i vuri në qese dhe ia ktheu varfanjakut, pastaj i tha shitësit:
“Pra, çmimi i tingëllimit të monedhave është sa çmimi i tymit të mishit të pjekur. Ti shite tym dhe si shpërblim more tigëllimin e monedhave. Kështu që u pagove.”
Komentet