Njëherë e një kohë ishte një plak i urtë i ulur në buzë të një oazi në hyrje të një qyteti.
Një i ri iu afrua dhe e pyeti:
“Nuk kam qenë kurrë në këto anë. Si janë banorët e këtij qyteti?”
Burri u përgjigj me një pyetje nga ana tjetër:
“Si ishin njerëzit në qytetin nga keni ardhur?”
“Egoistë dhe të ligj. Prandaj isha i lumtur që u largova prej atje!”
“Kështu janë banorët e këtij qyteti!”, u përgjigj plaku i urtë.
Menjëherë pas kësaj, një tjetër i ri iu afrua burrit dhe i bëri të njëjtën pyetje:
“Sapo mbërrita në këtë vend. Si janë banorët e këtij qyteti?”
Plaku i urtë u përgjigj përsëri me të njëjtën pyetje:
“Si ishin banorët e qytetit nga vini?”.
“Ishin të mirë, bujarë, mikpritës, të ndershëm. Kisha shumë miq dhe e kisha shumë të vështirë t’i lija!”.
“Kështu janë edhe banorët e këtij qyteti!”, u përgjigj plaku i urtë.
Një tregtar që kishte marrë devetë e tij në ujë kishte dëgjuar bisedat dhe kur i riu i dytë u largua, ai iu drejtua plakut me qortim:
“Si mund të jepni dy përgjigje krejtësisht të ndryshme për të njëjtën pyetje të bërë nga dy njerëz?
“Biri im,” u përgjigj i urti, “secili mbart në zemrën e tij atë që është.
Kushdo që nuk ka gjetur asgjë të mirë në të kaluarën, nuk do të gjejë asgjë të mirë as këtu.
Përkundrazi, ai që kishte miq besnikë në qytetin tjetër, këtu do të gjejë edhe miq besnikë dhe të ndershëm.
Sepse, e shihni, çdo qenie njerëzore udhëhiqet të shohë tek të tjerët atë që ka në zemrën e tij.”
Në jetë gjen gjithmonë atë që pret të gjesh… sepse secili projekton nga jashtë atë që qëndron brenda vetes.