Në ëndërr, ama në ëndërr, mbrëmë më erdhi Babagjyshi i Vitit të Ri, i qeshur dhe i gëzuar.
Si u përqafuam dhe i urova mirëseardhjen, nisi mbrëmja me këngën “Vrima” me tekst të Rita Petros, muzika Mirela Kumbaro, shoqëroi orkestra e Jurisë së konkursit , dirigjent Edi Rama ,në vend të këngës tashmë të vjetëruar “Lart flamujt e Kongresit “.
Më pas, mes etusiazmit të zjarrtë që ngjalli kënga, i përlotur nga gëzimi,babagjyshi hapi thesin e madh të dhuratave dhe më dha lejë t’i shpërndaja .
Babagjyshi i gëzimit dhe haresë festive i kishte llogaritur që nga më i madhi e më i rëndësishmi e gjer tek më të parëndësishmit, siç janë të papunët dhe romët.
Në mbrëmjen e argëtimit , që organizuam ne si Komitet i të Ngeshmëve, ku vlonte humori popullor, kënga e shpresës që nuk vdes kurrë dhe vallja e re “Kërcen prifti nga belaja”, unë hapa thesin dhe ndava dhuratat , si më poshtë :
-Presidentit të Republikës : një pako me pavarësi nga Berisha, pak logjikë dhe ndjenjë patriotike dhe burrëri për mbajtur fjalën e dhënë për të qënë president i të gjithë shqiptarëve dhe jo i PD-së.
– Berishës i kishte sjellë librezën e pensionit dhe një avokat mbrojtës për gjyqin që e priste.
-Lul Bashës i dhuroi një shportë me vezë të freskëta zogash, që t’i pinte çdo mëngjes esëll, një muaj rresht që t’i çelej zëri për fjalime në mitingje dhe një mikrofon japonez me ndjeshmëri ekstra, që të mos ketë më nevojë të çirret, se i kanë vajtur kordat e zërit në prag të shkatërrimit të plotë.
– Edi Ramës i dhuroi një xhup, një kasketë antivezë dhe një tufë çelësash për të liruar nga burgjet cironkat e për t’i zëvendësuar me peshkaqenë dhe balena.
-Ilirit i dhuroi një manual udhëzimesh për ushtrime të akrobacisë politike.
-Ministrave dhe me radhë eksponentëve të tenderave – nga një thes për të futur paratë e fituara.
-Gjykatësve u dhuroi nga një kopjo të Kodit të ri penal, ku parashikohet përjashtimi nga gjykimi i të gjithë funksionarëve të lartë dhe pasanikëve që vajisin ingranazhin e drejtësisë.
-Kirurgëve dhe gjinekologëve – nga një hanxhar të mprehtë për të mos u lodhur me bisturi dhe nga një librezë të re për të arkëtuar në bankë paratë – dhurata të pacientëve, që të mos rrezikohen nga hajdutët që vjedhin shtëpitë.
-Ambasadorëve të huaj u kishte sjellë kujt një thupër thane, kujt një bodec dhe kujt një kërrbaç për qeverinë dhe opozitën tonë.
-Gazetarëve u dhuroi nga një rrotë xhelatinë për të mbyllur gojën përpara dobësive të qeverisë , nga një album me me foto porno për faqet e para të gazetave, si dhe video me ulërima çakejsh , që t’i kenë si sigla për emisionet e reja televizive të tipit : “Vrimë e lalës-o , vdektë lala për ty” .
-Punëtorëve nga një kastravec të madh , si ai që i dha Lul Basha Bashkisë së Tiranës për dëmet e demonstratës dhe nga një rrip të ri panollonash, me vrima gjer tek togëza e mbërthimit.
-Bujqve – nga një shtizë parmende dhe çobanëve nga një palë brirë cjapi, si simbole dekorative të profesionit të tyre.
-Të papunëve nga një palë opinga të lehta model 2016, që të mos u lodhen këmbët ,kur të shetisin bulevardeve për të tretur ushqimin e rëndë.
-Romëve u solli një thes me premtime qeveritare dhe nga një metër plasmas për frymë, për të ngritur çadrat buzë lumenjve.
Për qerasjen fundit, në vend të ëmbëlsirës, të gjithëve na dha nga një lugë lëng shprese, si ëmbëlsira tradicionale më e preferuar.
Mbrëmja u mbyll me urimin : Mot më shumë !
Kur u zgjova, gruaja po zverdhte në tigan trahananë .
Aroma e saj më gudulisi hundët dhe goja po më çonte lëng.
Paskam flejtur shumë…
Paska ardhur ardhur ora për të ngrohur pak barkun…
Edhe lopa po pëllet… do grazhduar…/Tomorr Celibashi
Komentet