Një grup mikeshash janë në udhëtim dhe po kërkojnë një hotel ku ta kalojnë natën. E gjejnë një hotel të veçantë, në derën e të cilit është shkruar: “Vetëm për femrat”.
Bëhen kureshtare dhe vendosin të hyjnë. Portieri ua shpjegon si funksionon:
– Hoteli ka 5 kate gjithësejt. Në çdo kat do të gjeni një pusullë dhe, kur të gjeni çfarë po kërkoni, mund të qëndroni. Është kollaj të vendosni. I vetmi rregull është se, po të kaloni një kat, atëherë aty nuk mund të ktheheni më.
Vajzat, gjithnjë e më kureshtare, vendosin të qëndrojnë në hotel. Ngjiten në katin e parë dhe shohin një pusullë ku shkruhet: “Të gjithë burrat këtu janë dashnorë mediokër, por si kompensim janë të ndjeshëm dhe njerëzorë.” Vajzat shpërthejnë në të qeshura dhe pa ngurim ngjiten në kati e dytë ku thuhet: “Të gjithë burrat këtu janë dashnorë ekspertë, por i trajtojnë keq femrat.” Nuk iu pëlqen, prandaj vendosin të ngjiten në katin e tretë, ku shkruhet: “Këtu të gjithë burrat janë dashnorë të mëdhenj dhe të vëmendshëm ndaj kërkesave të femrave.” Iu pëlqen, por ja që janë edhe dy kate. Shkojnë në katin e katërt, ku shkruhet: “Këtu të gjithë burrat janë shumë të bukur, janë dashnorë të mëdhenj, janë edhe të ndjeshëm e të lezetshëm, janë dashnorë të përkryer dhe, mbi të gjitha, janë beqarë, të pasur e plot hire.”
Vajzat qeshin me ligësi, janë mjaft të tunduara që të rrinë këtu, por thonë se do të ishte mëkat të mos shikonin çfarë iu rezervon kati i pestë. Kur arrijnë në katin e pestë, pusulla thotë:
“Këtu nuk ka burra. Ky kat është ndërtuar vetëm për të dëshmuar se nuk ka kurrë ndonjë mënyrë për të kënaqur një femër.”
Komentet