Në sheshin e një pazari, një varfanjak po kalonte pranë një pike grilli dhe i shkoi mendja për mish të pjekur. Meqë nuk mund të blinte mish, ai mori nga xhepi një copë bukë, e bënte thërrime, e kalonte në tymin e mishit të pjekur (grillit) dhe e hante. Kur po largohej, shitësi e ndaloi dhe i tha:
-Ti nuk mund të largohesh pa paguar!
-Varfanjaku nuk po arrinte t’ia argumentonte shitësit se ai nuk kishte pse të paguante. Aty pranë panë që po kalonte Nastradini dhe kërkuan të gjykonte ai.
Nastradini i dëgjoi të dyja palët dhe iu drejtua varfanjakut:
-M’i jep mua të gjitha paratë!
Varfanjaku u befasua, por nxori një qese me monedha të vogla nga xhepi dhe ia dha Nastradinit. Nastradini i vuri paratë në tryezë, filloi t’i numërojë një nga një, pastaj iu drejtua shitësit:
-I dëgjove tingëllimat e monedhave? – e pyeti.
-Po, i dëgjova, – u përgjigj shitësi.
Nastradini i vuri paratë në qese dhe ia ktheu varfanjakut.
-Pra, çmimi i tymit janë tingëllimat e monedhave. Ti shite tym dhe në shkëmbim more tingëllimat e monedhave. Prandaj, ti je paguar.
Komentet