Nastradini me të birin po shkonin në një fshat tjetër. I biri ishte mbi gomar, ndërsa Nastradini ecte prapa gomarit. Disa njerëz po vinin në drejtimin e kundërt të rrugës. Ata u ndalën, vështruan dhe thanë:
-Shikoni, shikoni! Plaku i gjorë po ec prapa gomarit, ndërsa djali shkon kaluar mbi gomar. Të rinjtë e sotëm nuk dinë çfarë është respekti!
Nastradini u hidhërua. I tha të birit të zbriste nga gomari dhe hypi ai vetë. Sa ecën pak, kaloi një grup tjetër njerëzish. Ata thanë:
-Shikoni, shikoni! Në këtë vapë të madhe, ai plak është mbi gomar, ndërsa djali i shkretë po ec më këmbë!
Kështu që Nastradini e mori edhe të birin mbi gomar. Kur kaloi një grup tjetër njerëzish, ata thanë:
-E mjera kafshë, i kanë hipur dy veta dhe është gati për të ngordhur!
Nastradini nuk diti ç’të bënte. Zbriti bashkë me të birin nga gomari dhe të dy filluan të ecin pas kafshës. Një grup tjetër njerëzish kaloi dhe thanë:
-Shikoni, shikoni! Sa njerëz të marrë! E kanë gomarin dhe nuk i hypin!
Nastradini, më në fund, e humbi durimin. Ai i tha të birit:
-A e pe? Kurrë nuk mund të bësh diçka që t’iu pëlqejë të gjithëve. Prandaj bëj si të të pëlqejë ty vetë!
Komentet