Sa herë që gruaja e Nastradinit vendoste të lante rrobat, binte shi.
“E kam gjetur një zgjidhje,” tha Nastradini një ditë. “Nuk do t’i tregojmë Zotit cilën ditë ne do të kemi larje.”
“Si?” – e pyeti gruaja.
“Ja: kur moti të jetë mirë, ti më jep mua një shenjë. Unë do të shkoj në dyqan dhe do të blej sapun dhe gjëra të tjera të nevojshme. Dhe do të rrimë në pritje e nuk do të flasim me njëri tjetrin.”
Pak ditë më vonë gruaja e tij e njoftoi Nastradinin me shenja se do të shkonte për larje. Ai shkoi në dyqan dhe bëri blerjet e duhura. Kur doli nga dyqani kishte filluar një shi i lehtë. Ai ngriti kokën dhe pa qiellin. Mjerisht, qielli po vetëtinte dhe bubullinte. Nastradini i fshehu gjërat që kishte blerë nën xhaketën e tij dhe tha:
“Nuk ka nevojë për kaq shumë zhurmë. Gjithsesi ne nuk e kemi ndërmend të lajmë rrobat.”
Komentet