Në Shqipëri, ditën e enjte, nis udhëtimin nëpër 6 qytete “Këndi Amerikan Lëvizës” (Mobile American Corner), i cili synon të njohë qytetarët e Shqipërisë me Amerikën, kulturën amerikane dhe, në veçanti, të njohë të rinjtë me programet e ambasadës si dhe me rrugët se si ata mund të studiojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, zhvilloi një intervistë me Amanda Roberson, zv. Shefe e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane, intervistë të cilën ju ftojmë ta dëgjoni.
Zëri Amerikës: Zonja Roberson, ju po përgatiteni për të nisur pas pak ditësh edicionin e këtij viti të “Këndit amerikan lëvizës”. Ç’të veçantë pritet të ketë ai këtë vit?
Amanda Roberson: Ky është viti i dytë që ne po udhëtojmë në një turne amerikan me autobuz në Shqipëri. Quhet “Këndi amerikan lëvizës”. Këtë vit ne kemi diçka krejtësisht të re, fillimisht do të shkojmë në 6 qytete të ndryshme rreth Shqipërisë. Do fillojmë nisjen në Tiranë, do vizitojmë Elbasanin, Fierin, Sarandën dhe, më pas, do zhvendosemi në veri për në Shkodër, Tropojë dhe Rrëshen. Ne do kemi lojra dhe aktivitete amerikane, sporte, muzikë, mundësi jo vetëm për rininë, por për të gjithë komunitetin, që të përfshihen dhe mësojnë se çfarë iniciativash kemi ne në Ambasadën Amerikane, nepërmjet të cilave mund të përfshiheni dhe ndërveproni me ne.
Zëri Amerikës: Shqiptarët dhe në veçanti të rinjtë janë të interesuar për Amerikën, për kulturën, studimet dhe universitetet amerikane. Çfarë ju ofron atyre në këtë drejtim Këndi amerikan?
Amanda Roberson: Për të rinjtë, që janë të interesuar për të studiuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne do të kemi ekspertët nga “Qendra amerikane e këshillimit edukativ”. Kjo është një qendër në të cilën ofrohen të gjitha informacionet se si mund të studiosh në Amerikë. Ata do të sqarojnë gjithçka nga mënyra se si mund të kërkoni shkollat e ndryshme amerikane për të përcaktuar se cila është më e përshtatshme për ju, si mund të kryeni procesin e aplikimit, si mund të vendosni se cila shkollë mund ti përshtatet buxhetit tuaj. Pra, do të kemi ekspertët tanë në vend, mund të vini në “Këndin amerikan lëvizës”, mund të luani disa lojra, shijoni muzikën dhe, gjatë kohës së qëndrimit aty, mund të ndaleni për të bashkëbiseduar me këshilluesin edukativ amerikan për të mësuar më tepër mbi studimin në SHBA.
Zëri Amerikës: Këndi amerikan funksionon prej disa vitesh në disa qytete të Shqipërisë. Sa ai ka realizuar pritshmëritë për të njohur të rinjtë dhe qytetarët shqiptarë me Amerikën?
Amanda Roberson: Po, ne jemi shumë të lumtur me të gjithë ata që kanë mbështetur këtë iniciativë. Në fakt, kjo ishte dhe arsyeja kryesore pse ne vendosëm
të bënim një vit të dytë. Pra, vitin e kaluar ne e bëmë si pjesë të festimeve për 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë. Ne nuk mendonim që do t’a bënim sërish, por patëm me mijëra shqiptarë që u angazhuan në aktivitetet tona dhe që na pyesnin vazhdimisht se ku do të jeni vitin tjetër. Kështu që ne e dinim që duhet ta bënim sërish, por, siç e thashë, këtë herë po përfitojmë nga mundësia për të vizituar edhe më shumë qytete rreth Shqipërisë, për të takuar më shumë njerëz, duke u dhënë mundësi më shumë shqiptarëve për t’u bashkuar me ne, për të folur me ne dhe, së fundmi, për të gëzuar bashkërisht.
Zëri Amerikës: Përveç Shqipërisë dhe Kosovës, Këndi amerikan funksionon edhe në vende të tjera të Rajonit të Ballkanit. A ka një bashkëpunim mes tyre?
Amanda Roberson: Po, jeni shumë i saktë. Këndet amerikane janë në të gjithë Ballkanin, por dhe në të gjithë botën. Kjo është një iniciativë e Departamentit Amerikan të Shtetit, ku ne ngrejmë qendra amerikane brenda institucioneve lokale, si për shembull këtu në Tiranë ne kemi Bibliotekën Kombëtare. Gjithashtu kemi Këndin amerikan në Kukës dhe Vlorë, të cilët janë qendra të hapura që mundësojnë të gjitha llojet e resurseve për njerëzit për të mësuar më shumë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata kanë libra, kompjutera por, mbi të gjitha, shumëllojshmëri programesh dhe aktivitetesh jo vetëm për rininë, por edhe për njerëzit e të gjitha moshave. Ju mund të vini të mësoni rreth programimit, mund të mësoni aftësi të reja teknologjike, mund të praktikoni anglishten tuaj, mund të punoni mbi një aplikacion për universitetin. Të gjitha këto janë të mundura nepërmjet këtyre qendrave. Ne kemi njerëz atje, të cilët mund t’ju ndihmojnë. Ndaj, ftoni këdo, hajdeni në Këndin tonë amerikan, por gjithashtu vizitoni këndet tona amerikane të përhershme ku, siç e thashë, ne kemi tre në Shqiperi.