Miku i Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi, një prej dy personave të zhdukur në Sarandë në një intervistë televizive ka deklaruar se nga hetimet private që kanë kryer, janë gjetur prova që tregojnë vrasjen e Fatmir Krasniqi dhe Leonard Theodhori.
Altin Gjini tha se “miqtë e Krasniqit kanë ardhur nga e gjithë Evropa” dhe “rreth 37-40 persona kanë marrrë në mënyrë private të gjitha kamerat ku dyshohet se janë parë personat e zhdukur”.
Ai tha se në bazë të hetimeve dyshohet se Fatmir Krasniqi dhe Leonard Theodhori janë vrarë në Xarë, dhe mund të jenë groposur diku aty pranë, pasi transporti drejt bregdetit mund të ishte me rrezik të madh për rrëmbyesit.
“Kjo lloj mode që po hapet në vendin tonë është tepër e frikshme, kur arrijmë ne që me anën e miqve dhe pagesave tona nxjerrim se si mund të ketë ndodhur një ngarje.
Si ka mundësi që policia ka tabulatet, ka sekuestruar 8 makina, di emrat ekzakt kush janë personat e shpallur në kërkim. Çfarë pret shteti nga ne që të fillojë arrestimet?
Ekzekutimi ka ndodhur diku afër Xarës dhe varrosja e tyre është diku aty pranë në Gjole. Nëse ata do të shkonin me dy trupa nga Xara në bregdet do të rrezikonin shumë. Qentë që kemi sjellë nga Kosova janë qen që gjurmojnë vetëm në tokë jo në ujë”, tha Gjini.
Gjithashtu ai theksoi se takimi i dytë me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, i ka dhënë shpresë familjarëve për gjetjen e trupave.
“Takimi i dytë më zotin Muhamet Rrumbullakun na dha shpresë. Rumbullaku premtoi te vëllai i madh te Gëzimi që kërkimet janë në rrugë të mbarë. E kundërta ndodh me policinë e Sarandës…”.
Ai shton se ka dyshime te policia lokale:
“Sa e mprehtë policia e shtetit, në ditën e protestës së parë tha që në sistemin TIMS është vërejtur ardhja nga Evropa e shumë kontigjentëve kriminalë miq të Krasniqit. Edhe ky kontigjent mbase në respekt të vëllaut tonë ka bërë një punë më të madhe se policia e Sarandës.
Një numër prej 37 personash, kanë hapur të gjitha kamerat ku sipas dëshmitarëve dyshohet se ka ndodhur ngjarja. Kanë gjetur në Qafë Gjashtë, në krahë të djathtë kemi një Benz të zi që në ikje është me targat AA175LV dhe në front në minutën 14:47 keni një furgon të bardhë dhe nga pas një Range Rover të zi.
Pas një ore e 10 minuta tek i njëjti karburant, shikon furgonin dhe Benzin e Zi i cili ka targa greke YTO1114. Pra ka ikur me targa shqiptare dhe është kthyer me targa greke. Ky është Benzi ku ka hipur Fatmir Krasniqi, ndodhet në vendin e parë, i qetë, me dorën e mbajtur tek mbajtësa e tavanit. Kjo është e provuar nga policia”, tha Gjini./dita