Para disa javësh kelmendasit në Michigan u organizuan në grupimin e tyre më të ri, “Shoqata Kelmendi”. Fill mbas zgjedhjes së kryesisë të kësaj shoqate, pamë që u publikua edhe programi dhe logoja e saj impresive. Aktiviteti i parë publik i kësaj Shoqate ishte ngritja e fondeve për të ndihmuar një familje në nevoje urgjente ne Tamare, Kelmend. Ky aksion vazhdon ende.
Ndërsa për të celebruar formimin e shoqatës së tyre, kryesia kishte planifikuar një aktivitet shumë të veçantë, një udhëtim me Yacht, një anije moderne, në liqenin e Saint Claire. Për kelmendasit, mbrëmjet e përbashkëta muzikore, kanë qenë një traditë e hershme.
Të martën me 20 Qershor 2023, në orën 6 të mbrëmjes, të veshur si për festë, rreth 150 malësorë u mblodhën në grupe familjare dhe shoqërore dhe mbushën anijen luksoze disa katëshe.
Në hyrje, për të pritur të ftuarit, ishin ata që pergatitën këtë udhëtim mbresëlënës, kryetari i shoqatës, avokati Ervin Tinaj, sekretari Valentin Ndue Vaçaj, arkëtari Vladimir Vushaj, kordinatori i aktiviteteve, Nesti Rakaj e të tjerë. Më tej takon edhe aktivistë dhe donatorë nga famijet Vushaj, Vuktilaj, Tinaj, Rakaj, Lumaj, Mitaj, Shqutaj, Nilaj, Naçaj, Murçaj, Gjelaj, Vukaj, Vaçaj, Aliaj, Gjonoviç e shumë të tjerë. Pregatitjet ishin të gjithanëshme, flamuj shqiptarë dhe amerikanë, postera të shoqatës dhe një staf i gjerë me një shërbim të kulturuar.
E veçanta e kësaj mbrëmje në Yacht, ishte pjesëmarrja e rinisë Kelmendase, kësaj pjese vitale të shoqërisë, djem dhe vajza të rinj shkollarë dhe studentë, të cilët përveçse u argëtuan me njëri-tjetrin, ndihmuan në organizimin e këtij aktiviteti.
Anija Yacht, i largohet brigjeve dhe fillon udhëtimin e saj nga Saint Clare Shores në drejtim të Detroitit, në ujëra të qeta dhe një diell që venitej buzë mbrëmjes.
Kelmendasit ndahen grupe-grupe në takime e biseda me njëri-tjetrin, duke e shoqëruar me pije të bollshme, të buta dhe alkolike dhe meze të freskëta. Ngado ka levizje kishte gjallëri, jashtë në balle të anijes, disa burra, ndeznin cigare, në katin e parë ishte shtruar darka e plotë dhe e freskët, në katet e sipërme shumë të tjerë, nërsa shijonin pijet e larmishme, shijonin edhe natyrën dhe perëndimin e diellit.
Ndërsa zienin bisedat gazmore në shqip, në sfond fillon muzika popullore shqiptare. Muzikanti Elvis Tershana , në tastierë dhe këngëtarja e mirënjohur shkodrane, Alma Velaj, e shoqëruar nga këngëtari kelmendas, Valentino Mitaj, ishin ftuar enkas për këtë mbremje. Tingujt e këngës së Çun Mulës ndezin atmosferën, kelmendasit mbushën komplet katin e sipërm të anijes, kërcejnë në çifte dhe në grup vallen e Rugovës, Pogonishten, Napoleonin apo këngët shkodrane.
Atje në katin e sipërm, diku në ujërat e ngushta midis Detroitit dhe Kanadasë, nën tingujt e çiftelise, kelmendasit kërcenin vallen e tyre. Çiftelia, vegla muzikore që i identifikon kelmendasit, i ka shoqëruar ata ndër shekuj në dasma e gëzime familjare, duke e trashëguar brez mbas brezi. Kelmendasit dinë të bënjë qef dhe të argëtohen, nuk e harrojnë, por e ruajnë dhe e trashëgojnë kulturën dhe traditën malësore.
Afër mesnatës, Yacht-i iu afrua bregut. Fillojnë shtrëngimet e duarve dhe përqafimet dhe kelmendasit u shpërndanë në paqe me premtimet për t’u mbledhur prapë. Kelmendasit vijnë në amerikë nga një zonë e thellë dhe malore, por qe mbartin me vete nje histori të lashtë shumë shekullore, duke transmetuar kulturë dhe civilizim në komunitetin shqiptar në Michigan.