Kandidati i dalë nga Primaret, që do të garojë për koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’, për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi deklaroi se nuk ka rëndësi se kujt i përket vula apo sigla e partisë, por parimi dhe ideali.
I ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 Këlliçi theksoi se fakti që grupi Berishës do të jetë i regjistruar nën siglën e Partisë së Lirisë, është çështje teknikaliteti dhe se Meta nuk ka vënë asnjë kusht me marrëveshjen sa i takon dhe emrave të kandidatëve për Këshillat Bashkiakë.
“Hyjë te ata politikanë që kam bindjen se një forcë politike nuk e bën vula, apo sigla, por parimi dhe ideali. Jam kandidati i Primareve. Sot kam kënaqësinë që listën e këshilltarëve bashkiakë të Tiranës, të jetë në krye Alimehmeti. Jemi në koalicion me Partinë e Lirisë, PDBNJ dhe PDK dhe kanë tagër që të luftojnë qeverinë. Nuk na ka kushtëzuar zoti Meta për emrat e kandidatëve për këshillat bashkiakë, jemi fokusuar te fitorja. PD ka pjesën më të madhe të kandidatëve.
S’ka qytetar që s’e njeh Këlliçin që nuk është demokrat. Është teknikalitet se si kam hyrë në zgjedhje, nuk e kam problem te fakti që jam futur nën siglën e Partisë së Lirisë. Do i japim një dorë qytetarëve që të përballojnë koston e jetesës. Kam bërë një premtim ditën e shtunë për transportin falas, me ekspertë që janë pjesë e ekipit tim. Ja vlen barra qiranë për të dhënë një shërbim pa pagesë, por që në fund të ditës paguhet nga qytetarët. Unë propozoj heqjen e biletës prej 400 lekësh. Kjo gjë ndikon te shëndeti i qytetarëve.”, tha Këlliçi.
Ndërkohë, Këlliçi teksa u pyet për kandidaturat e tjera, theksoi se ka përballë vetëm Veliajn, duke mos njohur fare rivalin e tij demokrat, Roland Bejko, që është kandidat i Alibeajt.
“Në këtë garë jam përballë Veliajt, që është kryebashkiaku aktual. Mendoj se në këto 8 vite kryebashkuaku aktual e ka pasur mundësinë që të bëjë punë.”, shtoi Këlliçi.
Mes të tjerash kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” tha se një prej problemeve më të mëdha për qytetarët sot është kostoja e lartë e jetesës. Lidhur me këtë, Këlliçi tha se ai ka një plan për zbutjen e këtij fenomeni, për të ndihmuar qytetarët e Tiranës.
“Transporti publik falas do të bëjë që një familje normale, të kursejë 86 mijë lekë të vjetra në muaj”, u shpreh Këlliçi. Ai shtoi se po ashtu, platforma e tij parashikon uljen e taksave e tarifave, që do të ndikojë drejtpërdrejt në xhepat dhe cilësinë e jetës së banorëve.bw