Ish-kandidati i koalicionit Bashkë Fitojmë për Bashkinë e Tiranës në 14 maj, Belind Këlliçi ka publikuar një tjetër dokument në të cilin Erion Veliaj me firmën e tij, del sërish si pronari dhe garanti i Inceneratorit të Tiranës.
‘Sot po japim provën e radhës se Kryebashkiaku ka më shumë se një firmë të hedhur në aferë dhe ka marrë angazhime përtej atyre që deklaron publikisht’, shkruan Këlliçi në Facebook.
Postimi i plotë:
Erion Veliaj me firmën e tij, sërish si pronari dhe garanti i Inceneratorit të Tiranës
Meqë deri më sot kemi parë vetëm një dokument me firmën e kryebashkiakut, firmë e cila garantoi për 30 vite vjedhjen sistematike të qytetarëve të Tiranës, sot po japim provën e radhës se Kryebashkiaku ka më shumë se një firmë të hedhur në aferë dhe ka marrë angazhime përtej atyre që deklaron publikisht. Sot po publikojmë një dokument tjetër po me firmë të Veliajt, i cili fakton pa pikë mëdyshjeje se ai, jo vetëm ka shpërdoruar detyrën duke anashkaluar Këshillin Bashkiak dhe duke shkelur Ligjin “Për vetëqeverisjen vendore”, por ai me firmën e tij, angazhohet për të kryer të gjitha veprimet në landfillin e Sharrës dhe t’i shërbejë biznesit të tij me Mërtirin.
Erion Veliaj me firmën e tij shprehet e zezë mbi të bardhë se ai jo vetëm angazhohet për të kryer të gjitha pagesat për depozitimin dhe përpunimin e sasisë minimale të mbetjeve me çmimin 29 euro për ton (pa TVSH) përgjatë gjithë kohëzgjatjes së Marrëveshjes (pra për 30 vitet në vijim), por ai gjithashtu angazhohet për të dhënë asistencë për të gjithë procedurat e lidhura me ndërtimin dhe funksionimin e Inceneratorit të Tiranës. Ai po ashtu, me firmën e vetë merr përsipër të japë asistencë për proceset e shpronësimit si dhe të shmangë çdo veprim që bie ndesh me Kontratën, frymën dhe anekset e saj. Pra garanton që vjedhja përmes inceneratorit fantazmë të Tiranës të vijojë për 3 dekada.
E thënë shkurt, Erion Veliaj del garant, që jo vetëm të angazhojë financiarisht Bashkinë e Tiranës në këtë aferë për 30 vite (ku ndërkohë nuk ka asnjë Vendim të Këshillit Bashkiak për një periudhë të tillë), por ai merr përsipër dhe lehtësimin e të gjitha proçedurave për ndërtimin e këtij monumenti vjedhje, sepse dhe sot që flasim Incenerator në Tiranë NUK KA.
Një pyetje për kryebashkiakun. A e mban mend se çfarë tabelash ke firmosur dhe bashkëngjitur me këtë shkresë?
Së shpejti dokumentin e plotë, bashkë me korrespondencën mes Bashkisë Tiranë dhe Ministrisë së Infrastrukturës, do e depozitojmë në SPAK.