Zëri i Kosovës në parlamentin britanik, deputetja Alicia Kearns, është treguar kritike ndaj qëndrimit që perëndimi është duke mbajtur në raport me Serbinë. Në një intervistë për KOHËN, ajo shtroi nevojën për masa ndaj këtij shteti, pasi tha se, në të kundërtën, Akleksandër Vuçiq e edhe Serbia, do të vazhdojnë t’i mbështesin dhe drejtojnë grupet e armatosura në Kosovë.
Deputetja e Parlamentit të Britanisë së Madhe, Alicia Kearns, ka theksuar se nëpërmjet sjelljes ndaj Serbisë, Perëndimi po tregon se nuk ka marrë mësim nga agresioni i Rusisë.
Në një intervistë për KOHËN, Kearns shprehu drojën se, shkaku i mosndëshkimit të Beogradit zyrtar, grupe të armatosura serbe jenë aktive në veriun e Kosovës dhe potencialisht drejtohen e financohen nga Serbia.
“Mendoj se ka shqetësime reale se pa llogaridhënie, Vuçiqi dhe shteti serb do të vazhdojnë të financojnë, mbështesin dhe të drejtojnë terroristët që operojnë përbrenda Kosovës. Kjo është ajo që e kemi parë me Rusinë. Ne, si Perëndim, dështuam që ta frenojmë Putinin. Dështuam kur thamë se do të ketë pasoja që do të pasonin. Dështuam ta frenojmë. Nuk guxojmë të lejojmë që kjo të ndodhë në Kosovë dhe sulmi në Banjskë, fakti që ende po jetojmë nën hijen e tij, pa një llogaridhënie, tregojnë se mësimet nuk janë nxjerrë”, tha Kearns.
Deputetja Kearns, e cila e drejton edhe komisionin për punë të jashtme të parlamentit britanik, tha se Perëndimi duhet ta detyrojë presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq, që ta ekstradojë në Kosovë Millan Radoiciqin, i cili mori përsipër sulmin në Banjskë.
“Mjerisht, mendoj se është jashtëzakonisht e pagjasë që Vuçiqi ta bëjë gjënë e duhur dhe ta ekstradojë atë (Radoiçiqin). Sidoqoftë, kjo është edhe arsyeja përse Bashkimi Evropian, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara duhet të jenë shumë të qartë me Vuçiqin se do të ketë pasoja, po qe se nuk e shohim tek e ekstradon atë. Ne dimë se gjykatat e Kosovës janë legjitime, e dimë se Kosova ka një sistem të mirë policor. Kemi nevojë që të shohim drejtësi”, deklaroi Kearns.
Sipas ligjvënëses britanike, ndërkombëtarët duhet t’i publikojnë edhe rezultatet e hetimeve për kontrabandimin e armëve nga serbët, për të cilën gjë pati ngritur shqetësimin në fillimvit.
“Mendoj se ka pyetje që duhen të marrin përgjigje nga komuniteti ndërkombëtar, përfshirë KFOR-in, i cili, kur unë e ngrita çështjen në fillim të vitit se po ndodh kontrabandim ilegal i armëve në veri të Kosovës, më tha se nuk ka dëshmi për këtë. Mendoj se ka ardhur koha që ata t’i rregullojnë të dhënat siç duhet dhe të pranojnë se kanë pasur të dhëna të inteligjencës se kjo po ndodhë. Dhe gjithashtu që çfarëdo hetimi që është duke u bërë për atë që ka ndodhur në fillim të këtij viti, duhet të publikohet”, shtoi deputetja britanike.
Këtë javë, Kearns dhe kryetarët e komisioneve për punë të jashtme nga 11 vende evropiane, kërkuan nëpërmjet një letre nga përfaqësues të BE-së që t’i hiqen masat Kosovës dhe të bëhet një hetim i plotë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë.