Kjo kumtesë është mbajtur për herë të parë në Konferencën për Kcimet e Tropojës, zhvilluar në qytetin B. Curri më 15-16 dhjetor 2016, pas ftesës që mora nga bashkëorganizatori kryesor i kësaj Konference, miku im dhe studiuesi i njohur Mujë Buçpapaj.
Jam shumë i lumtur që kjo kumtesë hyri në dokumentacionin për të argumentuar nga ana ime kërkesën për të shpallur “Kcimin e Tropojës” si “Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare,” drejtuar ministrisë së Kulturës të Shqipërisë dhe Komitetit Kombëtar të Trashëgimisë Shqipëtare pranë asaj ministrie-Tiranë e cila e futi këtë kcim ne listën e Kryeveprave të Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare,” në vitin 2018, prej nga do të merrte edhe udhën për në UNESCO.
Njëkohësisht, jam i lumtur që kam dhënë një kontribut sado modest për pranimin e kcimit të Tropjës në Listën e Trashëgimisë Shpirtërore të Njerëzimit.
Për ta konceptuar shkrimin objekt me dimensione të një artikulli studimor, vetëvetiu që ai ka pësuar zgjerimet dhe herrjet e nevojshme, madje edhe me shoqërimin e tetë fotografive, për argumentime të mëtejshme kushtëzuar nga përligjia e titullit përkatës.
Vallëzimi popullor tropojan sigurisht që është i pasur dhe i larmishëm. Për të kam botuar disa artikuj shkencor e divulgativ. Në këtë rast, kam cituar katër prej tyre, madje me specifika të rëndësishme . Megjithatë po bëj objekt disa dukuri të tjera, kryesisht për nga lashtësia e tradicioneve tropojane.
Për më konkretisht, “Kcimi i Tropojës”, mishëron shpirtin e njerëzve, krenarinë dhe dinjitetin dardanmalas-Tropoja e sotme apo Malësia e Gjakovës, duke manifestuar artistikisht karakterin ideor e strukturor të tij.
Vallëzimi popullor tropojan, ashtu si ai i mbarëtrevave shqipëtare, spikat së tepërmi edhe nga larmia zbukurimore e veshjeve popullore-kostumi.Ato shquajnë për pasurinë e tipikshmërisë, por në këtë rast do të veçoja dy të tillë përfaqësues: një veshje grashë (Foto 1) dhe një veshje burrash (Foto 2).
Për mëtej, kcimet e moçme dardane janë praktikuar në raste dhe vende të veçanta teksa do të veçoja Rudinat në bjeshkë. Këto janë të lidhura ngusht me fusha të tilla, si: poezinë, prozën popullore, tregimet gojore, lojërat popullore, ritet e ritualet e bjeshkës, dyluftimet në mejdan, mitizimet e heronjëve të qëndresave, mite e mitologji, ciklin e kreshnikëve, bëmat e heronjëve të legjendave, aq të shumëta këto në këtë treve të lashtë të hyjnëzimeve shpirtërore.
Struktura, dinamika impulsive, veçantia vetiake e improvizuese, meloritmika e brendshme shpirtërore dhe larushitë e shkapërdarjeve në formacionin e kcimeve dardanase-tropojane, ka gjasa që t’i poetizojë me dy vargje: “Kcimet tropojane janë si bjeshka/ Të lidhura në rrënjë e të ndara në kreshta”.
Nga dokumentimet, kryesisht gjatë një ekspedite në Tropojë në maj-qershor 1973, kam analizuar disa dukuri autentike.
Kësisoji, që nga lashtësia në Tropojë njihen dy tipe vallëzimi. I pari, përqaset më së shumëti nga imitimet e kafshëve. Të tilla shquajnë kcimet vendase, si: “Deshtë vrastar”, “Uki e kingji” (Ujku e qingji), “Kcimi i Sokolit”, “Kcimi i shqypeve” (shqipeve). Sikundër janë edhe kcimet imituese: “Kali i shalës”, “Kaprolli e gjuetari”; apo imitimet lozonjare të zogjve gjatë fluturimit në pranverë, të cilat shfaqen përmes të quajturave kcime-lojë, si: “Cicërrimat e pranverës” etj.
Tipi i dytë i kcimeve tropojane përjetohet më së shumti përmes kultit hanor. Të tilla janë:“Legjenda e Ylberit”, “Dhia briprerueme” (e artë), “Shqipoja me dy krena”, “Takati i Mujës vaktit”, “Gurapesh” etj. Në këtë hapësirë do të përfshiheshin edhe kcimet me elemente humoristiko-pantomimike. Si të tilla spikasin: “Lojë topuzash”, “Lojë unazash” etj. Por, më autentikisht, këto përfaqësohen kryesisht nga trinomi karakteristik argëtues: “Plaku e plaka”, “Plaku e nusja” dhe “Plaku e çika”. Në këtë hulli shquajnë edhe të tilla elemente nga ceremonialet e pagëzimit.
Në këtë tip të dytë të kcimeve tropojane, plazmojnë edhe të krijime me elemente ritualesh të eklipsit të diellit dhe të hënës. Përjetohen gjithashtu edhe të quajturat imitimet e t’Lumnuemeve, siç janë: “Orat”, “Zanat” dhe “Shtojzovallet”. Dëshmojnë gjithashtu edhe kcimet-lojë me maska, si: “Kaprolli”, “Luj iriq, luj” etj.; apo thjeshtë kcimet lojë, si:“Loja e gojfilit”, “Loja e kapuçave” etj. Do të veçoja “Loja apo sjellja e tepsisë”, e cila praktikohet sot me risi nga ansamblet tropojane (Foto 3).Madje, nuk kasesi të mungojnë edhe kcimet nga lirika e ceremonialit të dasmës së martesës, siç janë përshembull “Kanagjeçet”, apo ato me përmbajtje erotike etj.
Po aq interesante janë krijimet me rite pagane, sikundër kujtojmë: “Dita e verës”, “Buka e re”, “Ngjitja e gjas’ (bagëtive) n’bjeshkë”, “Djergia e gjas’ nga bjeshka”.
Tregues i rëndësishëm, posaçërisht për sa i përket lashtësisë së këtyre kcimeve, përbën shoqërimi muzikor i tyre.
Kcimet tradicionale tropojane janë përcjellë me instrumente tipike, unikale, të llojeve të ndryshme, të cilat më së shumti përfshihen në fushën e organologjisë muzikore popullore. Si të tilla shquajnë: përplasjet me: gur’, rrasa guri, copa dërrasash bredhi, rrokaça, porceka, lugë druni etj. Dëshmojnë gjithashtu edhe fërshëllimat imituese, të cilat shfaqen te kcimi ritual “Cicërrimat pranverore”; ritmet e zileve apo kumonëve te “Deshtë vrastar”; fuza, furullaja dhe rrokaça, te “Kcimi me rrath’ bore”; tiska e fyejve, filikaça, bishnica, kavalli, lahuta dhe deri te artikulimet ritmike me gojë (“ncë-ncë-ncë” e “tum pap pa tum” etj.).
Ritmika më autentike, dinamike dhe shpërthyese në kcimet
tropojano-dardane pakrahasimisht përjetohet me tupan (loder). Rrjedhimisht, në tërësinë e shtrirjeve etno -gjeografike shqipëtare, termi kcim ravijëzohet edhe përmes nocionit përcaktues “tupan”. Për analogji, termi “lodërti”, thirret sot “lodër”, po ashtu , termi “valle” përdoret edhe me “daulle”. Emërtesa Tupan” haset përgjithësisht në treva malore.Funksioni i saj e kapërcen ndjesinë artistike, nga se është praktikuar edhe në çaste simboliko-historike.
Përcaktuesi “tupan” sigurisht që mishëron një koncept zhurmues, për analogji kjo me fjalën “fëshfëritje”, e vetëformuar nga tingujt-rrokje “fësh-fësh”,kur era perkëdhel gjethet e lisave. Po ashtu, “gurgullima”,që shfaqet nga tingëllimet ujore teksa vërshojnë përmes gurëve gjatë luginave të bjeshkëve. Apo fjala “rrgalle”, e vetëformuar nga zhgalitja e gurëve të grumbulluar nëpër shpatinat shkëmbore në formë çakulli, teksa hidheshin sipër tyre për t’u zhgalitur si nëpër shkallët lëvizëse.
Sakaq krijohej njëfarë zhurme “rrga-u-u” oshëtuese edhe nga “ehooo-t” e luginës.Gjithashtu, fjala “rrokaça”- nga përplasjet e pjesës së drunjët nëpër rrethoret e gëdhendura posaçërisht për ritmiken: “rraka-çaka”. Së fundmi, “trokaça”, emri i zileve të dhive që formohet nga krismat e “trok’a- trok’a” karakteristike e dhive në kullota.
Si këto shembuj onomatopaike ka së shumëti në trevën e Malësisë së Gjakovës.
Vetëformimi i emrit “tupan” është sa i thjeshtë aq edhe i larmishëm. Mjafton të artikulojmë dy-tri here me zë rrokjet “tum-pa-pa-tum” dhe vogëlushi në Tropojë nis e tund duart në prehërin e nënës dhe joshet të zbresë për të valëzuar trupërisht lojën e tij.
Në trevat iliro-dardanmalese (epiqendër e Tropojës)
tupani është përcaktuar më së shumëti edhe me funksione strategjike se sa artistike. Eshtë përdorur si lajmëtar kushtrimi, sinjalizues me ritmika të kodifikuara. Rrjedhimisht,
ka kode ritmike të veçanta për fatkeqësi natyrore, si: ramja e orteqeve të borës, shembja e ndonjë kulle, ramje zjermi, vrasje apo vdekje tragjike. Po ashtu, ekzistoj-në kode ritmike për thirrje kalimtare, tregtare apo ushtarake.
Por, të tilla më rrënqethëse shënojnë kodet luftarake. Në këto raste ritmet e tupanëve shoqëroheshin me ndezje zjarresh në majë kodrinash e malesh. Ndërkohë banorët vendas menjëherë vraponin për te logu i kuvendit të fshatit a zonës me thirrje kushtrimi: “Oooo hiq kushtrim, kush t’jesh i gjallë, breee!”, “Bini burra n’shtat’ e shtatdhetë, se na ka ra hasmi te dera, breeee!”
Pa mëdyshje, evente të tilla jetike dhe dramatiko-historike, përcilleshin hera-herës edhe me kcime të karakterit epiko-trimërishte, të konkretizuara përmes ritmesh unikale nga kodet e serta të tupanave.
*
Kcimet tropojane vijnë nga periudha të hershme deri në ditët e sotme, por ka rrezik që ato të rrafshohen e të tjetërsohen, por sigurisht, kurrënekurrës nuk do të lejonim që të zhdukeshin !
Prandaj lipset mbrojtje e vendosur, posaçërisht nga shteti.
Për këtë do të kërkohej për ta shpallur si traditë në ruajtje “Kcimin e bjeshkës me tupan të Tropojës”, si “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore kombëtare”.
Kësisoj, pa mëdyshje do të pasurohet më tej edhe kultura tradicionale e kombit tonë.
*
Për më gjerë,
“Kcimi i bjeshkës me tupan të Tropojës” dhe përgjithësisht kultura tradicionale vendase e posaçërisht vallëzimi popullor i Malësisë së Gjakovës, simbolizojnë njërin nga perlat e trashëgimisë të popullit tonë. Prej mëse gjysmëshekulli, Kcimi tropojan, i burrave dhe i grave, ka përbërë kupolen e artë të repertorit të ansambleve popullore shqipëtare, profesioniste dhe amatore.
Vecojmë faktin se gjatë 60 viteve të zhvillimeve të 14-të Festivaleve Folklorike Kombëtare (1949-2009), teksa kam qenë i pranishëm si i ftuar, por edhe me funksione drejtuese, dëshmoj me profesionalizëm se vallja tropojane është vlerësuar maksimalisht duke e zbukuruar Tribunën e Folklorit Shqipëtar. Për këtë do të shëmbëllonte fotografikisht “Vallja ritual e ylberit” në Festivalin Folklorik Kombëtar-Gjirokaster, 1988, e cila u luajt me aq vitalitet nga Ansambli “Valbona” i Tropojës(Foto 4).
Individë, grupe dhe Ansambli Folklorik “Valbona” të Tropojës janë shquar gjithmonë për valltarë e valltare të një niveli të lartë ekzekutimi dhe interpretimi. I tillë do të zbardhej me germa të arta Hazir Rrustemi (i papërsëritshëm), madje, një vallëzim i veçantë thirret sot nga vendasi me emrin “Kcim hazirçe” (Foto 5). Të tjerë janë: Ram Miftari, Skënder Haklaj, Deli Metaliaj, Idriz Bërbati, Ilir Biba; Xhevahire Gashi (Foto 6), Nurie Mulosmani, Sose Dulja, Bub Mici, Lume Shabani, Vjollca Osmani, Bedrije Selimi etj.
Nisur edhe ngase kcimet tropojane janë të brumosura përmes tupanit, s’kasesi që të mos kujtojmë edhe ndonjë tupanxhi. Të tillë do të ishin të paharruarit Ali Logu, Malush Shabani edhe të tjerë. Gjithashtu, janë në konsideratë edhe dy figura të rëndësishme të artit dhe kulturë tropojane, Fatime Sokoli (“Artiste e Merituar”) dhe Ali Mula (“Mjeshtër i Madh”).
Ansamblet e shumtë amatore folkloriko-artistike, me koncertet brenda dhe jashtë vendit, kanë përcjellë posaçërisht dinamizmin epik dhe lirikën brilante shqiptare përmes Valles së Tropojës. Për këtë jam edhe vetë deshmitar, me prani të kurdoherëshme.
Në këto drejtime, sigurisht që parësinë do ta kishte Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore. Në repertorin e tij Vallja tropojane ka zënë gjithmonë vend të artë, duke e skalitur më së miri botën shpirtërore dhe psikologjike të etnitetit shqiptar. Për këtë do të kujtonim vetëm “Kcimi i Çikave të Tropojës” (Foto 7, realizuar para 69 vitesh), me koreografi të Gëzim Kacelit (“Artist i Merituar”), shfaqur në Tiranë, Koncert-Premjerë të Ansamblit, më 12 korrik 1958.
Teksa është objekt Ansambli Popullor, nuk mund të lihet pa u ravijëzuar kultivimi i valles tropojane edhe në dy ansamblet e tjerë analogë, Ansambli Artistik u Ushtrisë dhe Ansambli “Shota” i Kosovës.
Për më tej, nektari i koreografisë folklorike tropojane ka spikatur edhe në arkitektonikën shqiptare të krijimtarisë sonë kombëtare.
Përsa më konkretisht, do të kujtojmë dy nga makrovallet e Ansamblit Kombëtar “Festë të madhe ka sot Shqipëria” dhe “Luftëtarët e lirisë”, me koreografi të Panajot Kanaçit (“Artist i Popullit”). Ato, me plazmimin nga traditat e vallëzimit tropojan, e kanë ngritur peshë, pse jo, e kanë tronditur spektatorin e pranishëm në mbarë botën ku ato janë shfaqur.
Gjithashtu, kryesisht baletet e para kombëtare, si: “Halili dhe Hajria”, të kompozitorit Tish Daija (“Artist i Popullit”), baleti “Delina”, të kompozitorit Çesk Zadeja (“Artist i Popullit”), të dyja me koreografi të baletmaestrit Panajot Kanaçi, si dhe baleti “Cuca e maleve”, të kompozitorit Nikolla Zoraqi (“Artist i Popullit”), me koreografi të baletmaestrit Agron Aliaj (“Artist i Popullit”), kanë bulëzuar përmes botës, psiokologjisë dhe tejpamësisë të tradicionit koreografik tropojan.
Me këtë rast nuk mund të lëmë pa përmendur ansamblet e shumëta amatore në Shqipëri, Kosovë, shqipëtarët në Maqedoni e në Malin e Zi, arbreshët e Italisë e gjetkë, kryesisht në Diasporë, të cilët kanë operuar me përkushtim në krijimtaritë e tyre edhe me valle të spektrit tropojan. Një event të tillë do ta shëmbullonte makrovallja humoristike “Hajt mor plak, se s’jam për ty” (Foto 8, realizuar para 51 vitesh), vënë në skenë në Koncertet e Majit 1976-Tiranë, me Ansamblin Artistik “Migjeni” – Tiranë, me koreografi të Ramazan Bogdanit (“Mjeshtër i Madh”).
Traditë të pasur ka zbardhur edhe Ansambli vendas “Dardania” (ish-Ansambli “Valbona”) i qytetit Bajram Curri-Tropojë. Veprimtaria e tij, brenda dhe jashtë shtetit, sigurisht që e ka ndriçuar më tej artin dhe kulturën tonë kombëtare.Shembull i posaçëm për këtë do të ishte paraqitja dinjitoze e Ansamblit Folklorik “Valbona” të Tropojës në Festivalin Ballkanit të Këngëve dhe Valleve Popullore, Ohër-Maqedoni, 3-8 korrik 1974. Në këtë veprimtari kam pasur nderin të isha koreograf dhe udhëheqës artistik i atij Ansambli.
Janë pikërisht atribute të tilla që, siç është bërë e njohur tashmë, sfera intelektuale vendase, duke u përfshirë edhe personalisht, kanë përgatitur një dokumentacion ndërkombëtar, për ta shpallur në mbrojtje të UNESCO-s “Kcimet e Tropojës”, me titull “Kcimet si thurimë e ritualeve të jetës dhe trashëgimisë shpirtërore në Tropojë”. (Ashtu sikundër është vepruar nga Dikasteri i Ministrisë së Kukturës me “Isopolifoninë shqiptare”). Madje, për këtë qëllim, në dhjetor të vitit 2016, Komiteti Organizues ka zhvilluar në qytetin Bajram Curri, një Konferencë Kombëtare Shkencore. Në këtë veprimtari isha i ftuar për të dhënë edhe unë ndihmesën, njëherësh për të mbajtur referatin: “Rezultate nga një ekspeditë hulumtuese shkencore në Tropojë, maj-qershor 1973 dhe pjesëmarrja e ansamblit “Valbona” të Tropojës ne Festivalin Folklorik Ndërkombëtar, Ohër – Maqedoni 1974”.
Së fundmi!
Duke e karakterizuar “Kcimin tropojan si kurorë mbretërore e vallëzimit popullor shqiptar”, mbetem me shpresë se dokumentacioni i parashtruar do të meret në konsideratë nga ana e Asaj Ministrie, si përligjie për ta shpallur “Kcimin e Tropojes” si “Kryevepër e Trashëgimisë Shpirtërore Kombëtare”
__________________
*) Katër artikujt shkencor të botuar:
1.1. “Kcimi i Bytyçit” (Rrethi i Tropojës), Prof. Dr. Ramazan H. Bogdani, Vallëzimi popullor shqiptar-Lirika,Tiranë 1997, botim iAkademisë së Shkencave të Shqipërisë, Instituti i Kulturës Popullore, f.267-276, shoqëruar me aparat shkencor: Transkriptime koreografike; Shenjëzime me sistemin Ndërkombëtar Laban; Notizime muzikore.
1.2. “Deshtë vrastar” (Rrethi i Tropojës),Po aty dhe me të njejtin aparat shkencor, f.473-487.
1,3. “Në Tropojë-1973. Por edhe me Ansamblin folklorik “Valbona” të Tropojës në Festivalin Ballkanik të Këngëve dhe Valleve Popullore (Ohër-Maqedoni, 3-8 korrik 1974)”,Prof.Dr. Ramazan H. Bogdani, ETNOKOREOGRAFI 1 1965-1979, Tiranë 2008, f.397-423.
1.4. Vallet e Malësisë së Gjakovës (Tropojës), “Kultura Pupullore ,“ Nr. 1- 2, Tiranë 1992, f. 33-49.
**) Për trajtesën e pjesës së parë të kësaj lënde ka kontribuar edhe koreografi Skënder Haklaj dhe konsulenca nga Zogë Hysenaj.
Marrë nga Nacional