KAZABLANKA (1942) “OSKAR”
dua të veçoj faktin që të dy Gitat (H. dhe Z.), kryeqytetit ia morën nuse dy djem shkodranë. Kësisoj këto yllësi të bukurisë tiranse u …bënë pjesë e peizazhit të Shkodrës, “kryeqytetit” të Shqipërisë së veriut. Faktikisht emri i saktë i secilës ishte Ingrid. Madje, nuk e vë në dyshim që familjet e nderuara të të dyja misseve, kur kanë bërë zgjedhjen përfundimtare për emrat e vajzave kanë pasur parasysh suedezen e famshme aktoren hollivudiane Ingrid Bergman. Dhe sigurisht në një moment të tillë nuk ka sesi mos të të shkoj mendja tek filmi….
Intermexo
Kazablanka
Në mos të gjithë, të paktët njëri nga pjestarët e familjeve në fjalë, duhet të ketë pasur njohuri, ndoshta mund t’u kishte rënë në dorë ndonjë revistë illustrive e kohës me portretin e suedezes së famshme, e pse jo edhe ka gjasa që edhe ta kishte ndjekur në ekranin e kinemas filmin e famshëm “Kazablanka”, ku rolin kryesor të Ilsa Lund heroinës së filmit e interpretonte Ingrid Bergman, në krah të një partneri si Hemfri Boghart në rolin e Rik. Aq më tepër duhet të ketë ndodhur kështu, ngaqë filmi është shfaqur nëpër kinematë e SHBA dhe të Europës në vitin 1942. Dhe pas kësaj, efekti vizual i patjetërsueshëm i artistes, që gjatë gjithë karrierës nuk përdori asnjë lloj grimi në fytyrën e saj, domosdoshmërisht ka ngulitur dëshirën, që në se perëndia do t’i dhuronte një fëmijë vajzë, në mënyrë të padiskutueshme emri do të ishte, Ingrid. Si edhe ndodhi thuajse në të njejtin vit tek të dyja familjet e nderuara. Një vit më pas, më 1943 Ingrid Bergman spikat në rolin e Marias në filmin e parë me ngjyra “Për kë bien kambanat?” sipas romanit të Ernest Hemingujet, ku në krah kishte sërish një partner gjigand si Gerri Kuper, në rolin e Robert.
Po cila ishte Ingrid Bergman? Lidhur me figurën e kësaj aktoreje të pashoqe suedeze informacioni për ne djemtë e “Broduejt” nuk ishte i pakët. Ajo kishte lindur në Stokholm më 29 gusht 1915. Në filmin e parë kishte interpretuar kur kishte qenë vetëm 17 vjeç. Në vitin 1937 ishte martuar me Piter Aron Lindstrom, me të cilin lindi një vajzë Pia Lindstrom, që u bë më pas gazetare e moderatore e njohur. Ndërkohë shumë shpejt fama e saj kapërceu oqeanin Atlantik, ndaj dhe Hollivudi e kërkoi me ngulm Ingrid Bergmanin, që me interpretimet e saja brilante solli në kinemanë amerikane freskinë e gjallërinë nordike, së bashku me bukurinë e jashtzakonshme dhe inteligjencën. Në SHBA ajo spikati veçanërisht në interpretimin e roleve nëpër filmat e regjisorit të famshëm Alfred Hiçkok në celuloidin e të cilëve do të kishte partnerë të nivelit tejet të lartë si Kerri Grand, Gerri Kuper etj. Falë interpretimeve tejet cilësore Ingrid Bergman renditet e katërta në ranklistën e aktoreve yje të kinemas amerikane. Ndërkohë nuk duhet harruar se, në atë periudhë ajo u shndërrua në idealin e grave amerikane.
Pas divorcit me Lindstrom më 1950, martohet me regjisorin e njohur italian Roberto Roselini, me të cilin pati tre fëmijë: Robertino, Izabela dhe Izolta Ingrid, nga të cilët vetëm Izabela ka ecur denjësisht në gjurmët e së ëmës në rrugën e kinemas. Martesa me regjisorin italian qe e shkurtër, më 1958 ajo martohet me Lars Shmid, me të cilin për shkak të sëmundjes së rëndë më 1975 divorcohet. Më 29 gusht 1982 ndahet nga jeta. I çuditshëm është fakti, që Ingrid Bergman ndërroi jetë në moshën 67 vjeçare, pikërisht në ditën e ditëlindjes së saj.
Duke folur për bukurinë e saj Geri Kuper ka treguar: “Po xhironim në Alaska në mes të akullit e dëborës. Ishte vërtet shumë ftohtë, por neve na ngrohte vezullimi i dritës. që buronte nga sytë e Ingridës”.
(Marre nga “Broduej i Tiranes”)