Policia e Shtetit vijon të grumbullojë informacion lidhur me atë që pritet të ndodhë më 7 maj në Kavajë ku do të mbahen në të njëjtën kohë zgjedhjet e parakohshme për kryetar bashkie por edhe protesta e paralajmëruar e opozitës.
Për të patur e zbatuar një plan masash sa më korrekt në menaxhimin e kësaj situate, “BalkanWeb” mëson se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit iu ka dërguar një urdhër gjithë drejtorive vendore në qarqe qe të mbajnë nën vëzhgim personat me precedentë penalë ose grupe militantësh politikë për të parë sa dhe si do të jetë organizimi i tyre drejt Kavajës.
Burime nga policia thonë për “BalkanWeb” se përveç thirrjes së kreut të opozitës, deri tani nuk ka informacione për organizim konkret të ndonjë tubimi. Prej disa ditësh në këtë qytet Policia e Tiranës ka çuar 60 efektivë nga secili komisariat, të cilët po monitorojnë situatën.
Një ditë më parë, “BalkanWeb” raportoi se specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë prej dy ditësh ndodhen në Kavajë.
Burime pranë uniformave blu pohojnë për “BalkanWeb” se në terren kanë zbarkuar efektivë të Antiterrorit ata të Rendit por edhe Operacionalet të cilët do të monitorojnë situatën për të parashikuar nëse do të shënohet ndonjë incident i mundshëm.
Për të gjithë planin operacional pritet të angazhohen dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë ndërkohë që e gjithë procedura do të zbatohet në përputhje me Kodin Zgjedhor. Efektivët do të jenë të organizuar në grupe nga dy deri në katër policë. Ndërkohë që nuk do të lejohet grumbullimi i simpatizantëve të çdo krahu politik pranë qendrave të votimit.
Komentet