Në mbledhjen e kryetarëve të shteteve të procesit të Brionit, të mbajtur në Zagreb në datën 25 nëntor, presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç u bëri thirrje të gjithë pjesëmarrësve, presidentëve të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë- Hercegovinës dhe presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk, që të hiqet nga fjalori politik termi “Ballkan Perëndimor” dhe ta thirrnin këtë pjesë të Europës ashtu siç është, “Europa Juglindore”. Megjithëse presidentja kroate e cilësoi atë një term teknik, fakti që ajo e ndërmori si nismë politike në një takim politik të nivelit më të lartë të vendeve të rajonit, tregon se thirrja e saj është një akt, i cili duhet t’i bëjë si diplomacitë e shteteve të të quajturit “Ballkan Perëndimor”, ashtu dhe Bashkimin Europian, që të reflektojnë ndaj këtij propozimi.Thirrja e presidentes së Kroacisë për të hequr nga fjalori politik termin “Ballkan Perëndimor” është një thirrje e drejtë dhe e duhur. Duhet konsideruar një akt përgjegjësie dhe largpamësie nga presidentja e një shteti anëtar të NATO-s dhe të BE, shtet i cili e njeh mirë Ballkanin, siç njeh mirë implikimet dhe labirintet e panevojshme diplomatike dhe politike, që krijojnë termat e pasaktë në marrëdhëniet ndërajonale. Ka dhe një koincidencë historike, që i jep më shumë të drejtë presidentes së Kroacisë, e cila bën thirrje për heqjen dorë nga termi “Ballkan Perëndimor”. Ka qenë pikërisht në Zagreb, në samitin “BE-Ballkani Perëndimor”, ku me nismën e Francës, që kishte kryesinë e BE, u fut në 24 nëntor 2000 zyrtarisht në përdorim për herë të parë ky term në dokumentet zyrtare të BE dhe për pasojë në gjithë kronikën e mëpastajme diplomatike dhe politike të marrëdhënieve të BE me vendet e Procesit të Stabilizim- Asocimit.
Vendet e rajonit u ndodhën para një fakti të kryer terminologjik. Pas 15 vitesh Kroacia del me propozimin për ta hequr këtë term, sepse përvoja e saj dhe e rajonit ka provuar se termi nuk e përligji veten as nga pikëpamja diplomatike, as nga pikëpamja politike, as historike, as gjeografike dhe as psikologjike. Si diplomat dhe analist kam shprehur rezervat e mia ndaj këtij termi në analizat e botuara në faqet e kësaj gazete, qysh në kohën e mbajtjes së samitit të Zagrebit të 15 viteve më parë. Në librin tim “Serbia kundër Serbisë. Analizë e një gjysëmrevolucioni të lënë përgjysëm”, të botuar në vitin 2005, e kam shtjelluar më gjatë çështjen e pabazueshmërisë dhe të efekteve dyshuese të përdorimit të termit “Ballkan Perëndimor”: “Mëdyshjet, që shkaktoi ky term ishin jo të pakta. Pa vënë në dyshim qëllimet e mira të samitit ‘BE plus Ballkani Perëndimor’, nuk duket se termi ishte një gjetje e qëlluar”.(Tiranë, 2005, fq.31). Në libër unë ndalem në debatet e mëdha, që shkaktoi në shumë kancelari termi “Ballkan Perëndimor”. Nuk ishte e qartë, pse shtetet që dolën nga ish- Jugosllavia do të përfshiheshin në termin “Ballkan Perëndimor”.
Koncepti gjeografik i mësipërm nuk kishte si të përfshinte Serbinë dhe Maqedoninë, të cilat, nëse do të shkonim me kriterin gjeografik, janë në realitet “Ballkan Qendror”. Termi nuk ishte i qartë për vetë shtetet ballkanike. Edhe po të marrim grupin e shteteve që dolën nga ish- Jugosllavia, disa prej tyre nuk i përkasin gjeografikisht Ballkanit Perëndimor dhe e kanë qëndrim shtetëror distancimin historik nga përkatësia, jo vetëm politike, por edhe gjeografike me “Ballkanin Perëndimor”. Mëdyshjet më të mëdha i ngjalli sidomos përfshirja e Shqipërisë në grupin e “Ballkanit Perëndimor”. Në pamje të parë Shqipëria plotësonte kriterin gjeografik si shtet i Ballkanit Perëndimor. Mirëpo, nuk pati asnjë motivim të bashkëngjitjes së Shqipërisë me shtetet që dolën nga ish-Jugosllavia, në një samit, që natyrisht nuk do të merrej me gjeografinë. Shqipërinë, me Serbinë dhe me Maqedoninë nuk e lidh termi “Ballkan Perëndimor”.
Shqipërinë nuk e lidhte me ish-shtetet e Jugosllavisë as kriteri politik. Shqipëria nuk kishte qenë dhe as ishte pjesë e krizës së gjatë dhe e konflikteve jugosllave. Termi “Ballkan Perëndimor” shkaktoi konfuzion edhe në qarqet e atyre shteteve, që nuk u ftuan për të marrë pjesë. Krijimi i një “Ballkani Perëndimor” u interpretua automatikisht sikur disa qarqe të BE apo disa shtete të BE e ndajnë Ballkanin në dy pjesë dhe se duhet të ketë edhe një “Ballkan Lindor”, për të mos thënë pastaj se hapet shtegu për një “Ballkan Verior” dhe një “Ballkan Jugor” (në kuptimin politik). Ndarjet, qofshin edhe me mbulesën e pafajshme gjeografike, lënë një shije jo të këndshme në rajon. Në arsyetimet e mia për papërshtatshmërinë e termit “Ballkan Perëndimor” kanë ndikuar informacionet e përfituara në rrugë diplomatike se termi i zgjedhur nga diplomacia franceze në samitin “BE-Ballkani Perëndimor”, nuk ishte aq rastësisht.
Një muaj pas gjysmërevolucionit serb të tetorit 2000, që largoi nga pushteti Sllobodan Millosheviçin dhe solli një nacionalist më pak agresiv si Vojislav Koshtunica, dhe kur diplomacia europiane u kaplua nga një eufori e pajustifikuar për ndryshimin historik në Beograd, pati një nxitim për t’i ofruar Serbisë një karrotë të madhe, e cila joshte një ringritje të rolit drejtues të Serbisë në grupin e shteteve që dolën nga ish- Jugosllavia, ku hoqën Slloveninë dhe futën Shqipërinë. Në këtë inxhinjering diplomatik doli termi “Ballkan Perëndimor”. Duke qenë se emërtimi vinte nga një shtet ndër kryesorët e BE si Franca, shtete të tjera si Gjermania dhe Britania e Madhe, ndonëse nuk ishin të bindura e pranuan dhe, natyrisht, shtetet ballkanike të procesit të Stabilizim- Asocimit nuk kishin rrugëdalje veçse të pranonin emrin që u vinte BE. Termi “Ballkan Perëndimor” nuk e përligji veten as në planin historik, as në planin diplomatik dhe as në planin psikologjik. Presidentja kroate, me elegancë diplomatike, e cilëson atë një term teknik, por ai nuk ka qenë i tillë, as kur u fut dhe as gjatë 15 viteve të përdorimit të tij. Kryesorja, asnjë shtet anëtar i grupit nën këtë ombrellë emërtuese nuk ka qenë i lumtur me termin, me përjashtim të Serbisë, e cila shihte dhe sheh akoma në formatin e këtij grupi shtetesh të ish- Jugosllavisë, ku është përfshirë edhe Shqipëria, joshjen e ëndrrës së saj për lidership rajonal.
Presidentja kroate e cilëson termin “Ballkan Perëndimor” si një asociacion të getoizimit dhe ai term vërtet e jep këtë përshtypje në gjithë dinamikën e proceseve diplomatike. Vendet e këtij grupimi nuk janë të ngjashme në historinë dhe në profilet e tyre kombëtare, dhe aq më pak janë me ta Shqipëria dhe Kosova. Historia e marrëdhënieve të BE me vendet e Ballkanit ka treguar se anëtarësimet janë bërë në baza individuale dhe jo grupore dhe janë rezultat i marrëdhënieve të ndara të BE me secilin prej shteteve aspirante ballkanike. Edhe tani, shtetet e grupit të quajtur “Ballkan Perëndimor” nuk kanë të njëjtin nivel marrëdhëniesh me BE. Është vërtet e paqartë tendenca e vazhdueshme në disa qarqe të diplomacisë së Brukselit për të plazmuar formatin e grupit të përbashkët të disa shteteve që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, ku në vend të Sllovenisë kanë futur Shqipërinë. Kjo tendencë u konfirmua edhe njëherë pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe kur befas diplomacia malazeze dhe serbe dolën me nismën e krijimit të një grupi të ri të quajtur “Ballkan 6”, me përbërje të shteteve ish-jugosllave, që janë ende jashtë BE, dhe ku natyrisht futën edhe Shqipërinë.
Nuk dihet për çfarë arsyesh kjo nismë e re artificiale diplomatike pati një mbështetje të fortë nga diplomacia çeke dhe përfaqësuesit e saj në Bruksel. Është vendi për të kujtuar se, pas shembjes së komunizmit ka pasur gjithashtu një përplasje terminologjike në rajon, ku shumica e shteteve nuk kanë qenë dakord të futej emri “Ballkan” në emërtimin e nismave rajonale, por të emërtohej rajoni si “Europa Juglindore”. Edhe vetë organizata kryesore rajonale “Procesi i Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore”, SEECP, kishte refuzuar të mbante emrin “Ballkan”. Edhe “Pakti i Stabilitetit për Europën Juglindore”, i krijuar pas mbarimit të luftërave në ish-Jugosllavi, kishte refuzuar të mbante emrin “Ballkan”. Të gjithë kishin rënë dakord që emri më i përshtatshëm për nismat dhe organizatat e rajonit është ai i vendeve të Europës Juglindore.
Pikërisht termi, që sugjeron tani me realizëm presidentja e Kroacisë. Vështirësia, që del dhe që e përmend edhe presidentja kroate, se termi është përdorur në shumë institucione dhe në shumë dokumente, nuk e bën ratifikimin të pamundur. Ka ndodhur shpeshherë që të ndryshohen emërtimet e organizatave më të mëdha ndërkombëtare, duke filluar nga vetë OSBE, e cila në themelim dhe për shumë vite është quajtur KSBE. Termi “Ballkan Perëndimor” duket se e ka kryer misionin e vet diplomatik, pavarësisht se si hyri dhe pavarësisht çfarë dinamike pati. Me përfundimin e misionit diplomatik, duhet të mbarojë edhe ekzistenca e tij zyrtare rajonale, akt i cili mund të konkordohet në kanale diplomatike dhe të sanksionohet në një takim të vendeve, që bëjnë pjesë në të. Ndaj mendoj se edhe Shqipëria, të cilën pa e pyetur dhe pa i marrë mendimin, e futën në grupin e shteteve të ish-Jugosllavisë, duhet sa më parë që të bashkohet me nismën e presidentes së Kroacisë.
Komentet