Këtë letër përmes email-it Kati Schneeberger, anëtarja e rrjetit të këshilltarëve rajonal të BE-së shkruan se më datën 28 qershor ua dërgoi të gjithë 705 eurodeputetëve. “Jam kurioze të shoh reagimet dhe nëse ka ende një shumicë demokratike në Parlamentin e BE-së që ngrihet për demokracinë dhe paqen në Evropë. Kush do të mbështesë dorëheqjen e @JosepBorrellF @MiroslavLajcak dhe @GertJanEU”
Të nderuar deputetë të Parlamentit Evropian,
ju keni të drejta demokratike të kontrollit në funksionin tuaj. Ju lutemi përdorni ato për të garantuar demokracinë dhe paqen në Evropë.
Masat e shpallura ndaj Republikës së Kosovës nuk janë vetëm skandal dhe dëmtojnë besueshmërinë dhe reputacionin e BE-së, por rrezikojnë edhe sigurinë e të gjithëve ne. Ka presion mbi Republikën e Kosovës, e cila po zbaton demokracinë dhe sundimin e ligjit, siç presim nga një vend demokratik që dëshiron të bëhet anëtar i BE-së. Nga ana tjetër po paqtoheni me agresorin dhe autorin e vërtetë i përshkallëzimeve dhe sulmeve brutale ndaj paqeruajtësve të NATO-s. Kjo është përmbysje midis agresorit dhe viktimës. Në këtë mënyrë ne forcojmë autokratët dhe nacionalistët dhe dobësojmë demokracinë dhe shtetin e së drejtës.
Kjo politikë e zbutjes tashmë nuk ka çuar në rezultatin e dëshiruar me Putinin. Në fakt, e kundërta është realiteti. Tani po e përjetojmë me dhimbje se si kjo politikë paqtuese ka dështuar dhe ka inkurajuar një agresor në vend që ta ndalojë atë. Tani po shohim një luftë që nuk donim ta shihnim më në tokën evropiane. Me politikën e marrjes me të mirë Vuçiqin, ne rrezikojmë përshkallëzimin e ardhshëm të përgjakshëm dhe më shumë vdekje. Ne nuk duhet të lejojmë që të ndodhë.
Zbatimi i demokracisë dhe shtetit ligjor nuk është kurrë një provokim. Këto janë vlerat tona evropiane, nga të cilat ne presim të jetojmë në paqe dhe prosperitet. Për ta siguruar këtë, ne duhet të ngrihemi në mbrojtje të këtyre vlerave dhe të mos i tradhtojmë ato duke përkëdhelur autokratët dhe ndëshkuar demokratët.
Ju bëj thirrje të gjithëve: Thirrje për dorëheqjen e Komisionerit dhe Përfaqësuesit të Lartë Josep Borrell, Përfaqësuesit Special Miroslav Lajčák dhe Drejtorit të Përgjithshëm Gert Jan Koopman.
Vendimet e tyre rrezikojnë demokracinë dhe paqen në Evropë. Ata padyshim nuk janë të pavarur dhe nuk marrin vendime në frymën e vlerave tona evropiane. Ne nuk duhet ta lejojmë këtë. Ka nevojë urgjente për njerëz në këto pozita që përfaqësojnë dhe mbrojnë vlerat e BE-së. Ne kemi nevojë për përfaqësues në nivel të BE-së që përfaqësojnë interesat e qytetarëve në Evropë. Dhe këta qytetarë duan paqe dhe demokraci, jo një luftë tjetër.
Vendimet në lidhje me Kosovën na prekin të gjithëve brenda dhe jashtë BE-së. Ata vendosin për luftën apo paqen në Evropë. Dhe që një luftë në Evropë na prek të gjithëve, edhe nëse ajo nuk zhvillohet në territorin tonë, ne aktualisht po përjetojmë luftën agresioni rus kundër Ukrainës.
Unë sinqerisht shpresoj që në Parlamentin Evropian mbrojtësit e demokracisë dhe paqes të kenë ende shumicën, krahasuar me ata që mbështesin autokratë si Putini dhe Vuçiç.
Ndihmoni për të ndaluar këto sanksione kundër Kosovës. Ndihmoni që të ndalohet marrja me të mirë e Vuçiqit.
Përshëndetje të përzemërta