Më 11 dhe 12 korrik, udhëheqësit e shteteve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) do të takohen në Vilnius të Lituanisë, për t’i adresuar sfidat më urgjente për aleancën, për të rritur kapacitetet mbrojtëse dhe parandaluese të NATO-s, si dhe për ta sjellë më afër grupit Ukrainën, sipas aleancës.
“Vendimet që ne do t’i marrim në Vilnius do ta sjellin Ukrainën më afër NATO-s… forcimi i mbrojtjes së NATO-s do të jetë në krye të agjendës së samitit tonë, po ashtu”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Derisa Ukraina do të jetë në krye të agjendës së samitit, për Kosovën nuk pritet të diskutohet fare, pavarësisht rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe.
Është interesante se në kohën e trazirave të fundit në pjesën veriore të Kosovës, në të cilat u sulmuan trupat e misionit të NATO-s në Kosovë – KFOR, ajo nuk është zyrtarisht në agjendë.
Prania e KFOR-it tani është rritur me 500 trupa, duke e çuar numrin e përgjithshëm të paqeruajtësve në 4.300 – por, nuk priten diskutime për këtë çështje në samit, nëse një nga liderët nuk e adreson atë në mënyrë të drejtpërdrejtë.
Çfarë do të përfitojë Ukraina?
Për Ukrainën, ky samit ka të bëjë me shmangien e një “Bukureshti” apo “Budapesti” tjetër. “Bukureshti” i referohet samitit të NATO-s të vitit 2008, i zhvilluar në kryeqytetin rumun. Pikërisht në këtë samit, aleanca ushtarake deklaroi bujshëm se Ukraina (si dhe Gjeorgjia), do të bëheshin anëtare të aleancës, mirëpo pa u cekur ndonjë afat kohor apo ndonjë mënyrë.
Është e qartë se deklarata e NATO-s, në samitin që do të mbahet në Vilnius, nuk do ta ftojë Kievin të bëhet anëtar i aleancës pikërisht atë ditë, në samit.
Në fakt, askush nuk është në humor që t’ia japë një shteti, i cili është në mes të luftës, garancitë e Nenit 5 (sulmi mbi një shtet anëtar të NATO-s, është sulm mbi çdo shtet anëtar të aleancës ushtarake). Mirëpo, ata do të tentojnë ta gjejnë një mënyrë se si t’ia premtojnë Ukrainës anëtarësimin, pasi të jenë përmirësuar gjërat paksa.
Këtu futet në lojë “Budapesti”.
Është një referencë për një treshe memorandumesh të vitit 1994, në të cilat Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i dhanë garanci sigurie Ukrainës (si dhe Bjellorusisë dhe Kazakistanit), në këmbim që Kievi të hiqte dorë nga armët e tij bërthamore nga koha sovjetike.
Derisa Ukraina pret anëtarësimin e mundshëm në NATO, ajo kërkon “garanci” apo “të sigurohet” se Perëndimi do të vazhdojë ta mbështesë atë ushtarakisht.
Se si mund të shprehet kjo mbështetje, mbetet një nga enigmat e këtij samiti.
Më hollësisht
- Shumica e përfaqësuesve të NATO-s me të cilët kam biseduar, e pranojnë me “pëshpëritje” se ekziston vetëm një garanci e pathyeshme e sigurisë: ajo e anëtarësimit në NATO. Këtë e kanë kuptuar Finlanda dhe Suedia, të cilat aplikuan për t’iu bashkuar NATO-s menjëherë pas luftës në Ukrainë. Të gjitha masat e tjera, si ato të sigurisë, në thelb mund të ofrohen vetëm në baza bilaterale nga anëtarët e aleancës.
- Është e mundur që një grup shtetesh, gjatë përgatitjeve të samitit, po në Vilnius, do të zotohen për ta mbështetur ushtarakisht Ukrainën “për aq kohë sa duhet”, duke dërguar më shumë armë, municion, apo edhe stërvitje për trupat ukrainase. Ka mundësi që grupi i shtatë shteteve më të industrializuara (G7) të bëjë një deklaratë tjetër për këtë qëllim, pasi të gjithë anëtarët e këtij grupi do të jenë në Vilnius. (Pritet gjithashtu të marrë pjesë edhe kryeministri japonez, Fumio Kishida.)
- Ajo se çfarë NATO-ja do të ofrojë si organizatë janë 500 milionë euro për vit për të ardhmen e paraparë, për ta ndihmuar Ukrainën ushtarakisht. Madje, kjo shumë mund të rritet në të ardhmen.
- Përndryshe, se çfarë fjalësh do të përdoren në samit, është problemi kryesor këtu: si mund të hartohet një deklaratë për të shmangur një “Bukuresht” tjetër, për të mos e zhgënjyer Ukrainën dhe për t’i risiguruar vendet e kujdesshme, si SHBA-ja dhe Gjermania? Siç tregohet nga paralajmërimi i presidentit të SHBA-së, Joe Biden, se nuk ka “unanimitet” për anëtarësimin e Ukrainës “në këtë moment, në mes të një lufte”, ata janë të kujdesshëm ndaj çdo angazhimi të anëtarësimit në kohë lufte, kundër një Rusie të armatosur me armë bërthamore.
- Një mënyrë tjetër mund të jetë të thuhet se Kievi do t’i bashkohet aleancës, sapo të jenë përmbushur “kushtet”, apo kur të lejojnë “rrethanat”. Është e mundur që mund të sigurohet gjithashtu një udhërrëfyes i qartë; për shembull – aleatët e NATO-s mund të raportojnë mbi situatën ose ta rishikojnë atë në samitin e ardhshëm në Uashington, verën e ardhshme.
- Ukraina po përpiqet gjithashtu ta shmangë detyrimin për të paraqitur një Plan Veprimi për Anëtarësim (MAP) përpara se të mund t’i bashkohet asaj. MAP-i është një formë e anëtarësimit në NATO, një “korridor” në të cilin vendi aspirues merr një program kombëtar të përshtatur për t’u përgatitur për anëtarësimin e ardhshëm, i cili mund të përfshijë jo vetëm aspektet mbrojtëse, por edhe çështjet politike, të sigurisë dhe ato ligjore, që aleanca beson se duhet të adresohen. Shumë vendeve ekzistuese të NATO-s nga Evropa Qendrore dhe Lindore u është kërkuar një MAP, përpara se të anëtarësoheshin. Megjithatë, zyrtarët kanë dhënë sinjale se Kievi nuk do të ketë nevojë për një të tillë, ashtu si Finlanda dhe Suedia nuk ishin të detyruara ta kishin një të tillë përpara fillimit të procesit të anëtarësimit.
- Në fund, pyetja kryesore është nëse ukrainasit do të jenë të kënaqur me rezultatin e samitit. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, parashihet të marrë pjesë, megjithëse ka pasur thashetheme se ai mund të vendosë të mos shkojë, nëse parasheh se samiti nuk është mjaft ambicioz. Megjithatë, shumica presin që ai të marrë pjesë dhe të bashkëkryesojë takimin e parë të Këshillit NATO-Ukrainë – një marrëdhënie e përditësuar politike në bazë të të cilës Kievi do të ulet në tryezë si një partner i barabartë, me të drejtën për të thirrur takime me aleancën ushtarake kurdo qe e sheh të arsyeshme.
Anëtarësimi i Suedisë në NATO?
Kjo është një çështje që jo shumë zyrtarë të NATO-së prisnin se do të zvarritej kaq shumë. Suedia aplikoi për t’iu bashkuar NATO-s bashkë me Finlandën në pranverën e vitit 2022, si pasojë e drejtpërdrejtë e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, dhe shumë diplomatë prisnin që ky proces të përfundonte deri në vjeshtë.
Por, Ankaraja kishte plane të tjera.
Turqia u kërkoi vendeve nordike, veçanërisht Suedisë, ta shfuqizonin embargon e armëve kundër Turqisë, t’i përditësonin ligjet e tyre kundër terrorizmit dhe ta ekstradonin këdo që besohet se është i përfshirë në terrorizëm, përpara se t’ua miratonte anëtarësimin në NATO.
Në takimin e NATO-s në Madrid vitin e kaluar, Turqia pranoi që Suedia dhe Finlanda do të bashkoheshin, por Ankaraja e shtyu ratifikimin e Protokolleve të Anëtarësimit derisa gjërat të përmirësoheshin.
Problemet me Suedinë, veçanërisht protestat në Stokholm, duke përfshirë djegien e librit të shenjët të myslimanëve – Kuranin, prishën marrëdhëniet Ankara-Stokholm, pastaj Finlanda “u nda” dhe iu bashkua e vetme NATO-së në fillim të prillit.
Më hollësisht
- Janë dy mënyra se në çfarë drejtimi mund të shkojë ky samit: Mund të ketë përsëritje të samitit të Madridit: takim mes presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministri suedez, Ulf Kristersson, në Vilnius, një ditë para fillimit të samitit, për të kërkuar arritjen e një marrëveshjeje, në mënyrë që të hapet rrugë për ratifikimin në parlamentin turk në korrik apo vjeshtë; apo palët do të përfundojnë duke zhvilluar “bisedime konstruktive” në kryeqytetin e Lituanisë, ku kjo do të linte të nënkuptohej se palët ende kanë punë për të bërë në nivele të ndryshme diplomatike.
- Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, u takua me ministrat e jashtëm dhe shefat e inteligjencës dhe sigurisë së Finlandës, Suedisë dhe Turqisë më 6 korrik, në përpjekje për të zgjidhur detajet e zgjatura para samitit në Vilniusit. Ai e përshkroi takimin më pas si “produktiv” dhe sugjeroi se është “e mundur të kemi një vendim pozitiv” javën e samitit.
- Erdogani ende dëshiron të njihet si një burrështetas kyç dhe të pajtohet për diçka kur samiti të jetë në qendër të vëmendjes së medias, sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët kam biseduar në kushte anonimiteti. Ata pranojnë se kishte pritshmëri të ulëta para samitit të Madridit, por pohojnë se negociatat ballë për ballë në nivelin më të lartë më vonë bënë të mundur një marrëveshje.
- Megjithatë, ata theksojnë se mund të kërkohet gjithashtu një takim i mëtejshëm midis Erdoganit dhe Bidenit, në të cilin ky i fundit mund të premtojë dërgimin e avionëve luftarakë F-16 nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Ankara, gjë që shumë besojnë se mund të çojë në vulosjen e marrëveshjes.
- Por, djegia e më shumë kopjeve të Kuranit, që po ndodh në Suedi, për shembull, mund të rezultojnë ende si një dëmtues i mundshëm. Turqia dhe pjesa më e madhe e botës myslimane reaguan me tërbim kur një personi iu dha leja ta digjte librin e shenjtë mysliman pranë një xhamie të Stokholmit, më 28 qershor, gjatë një proteste që përkoi me festën e Kurban Bajramit, një nga ngjarjet më të shenjta të kalendarit islamik.
- Protesta u lejua nga një gjykatë suedeze, pas kërkesave të ngjashme që ishin refuzuar, me autoritetet që përmendnin rreziqet e sigurisë kombëtare. Së paku tre leje për djegien e librave fetarë janë dorëzuar ditët e fundit dhe autoritetet suedeze tani përballen me një problem të vërtetë. Diplomatët me të cilët kam biseduar thonë se zyrtarët suedezë do t’u thonë homologëve të tyre turq se djegësi i fundit i librit të kuranit të paktën u akuzua për agjitacion kundër një grupi etnik ose kombëtar dhe se ata planifikojnë akuza të ngjashme nëse ndodh ndonjë incident i ngjashëm.
- Nëse arrihet një marrëveshje në Vilnius, besohet se parlamenti turk do ta miratojë instrumentin e ratifikimit përpara se të shkojë në pushim deri në tetor. Hungaria, gjithashtu, ka refuzuar të ratifikojë protokollin e pranimit të Suedisë, kryesisht shkaku i solidaritetit me Ankaranë. Edhe pse ka aludime se deputetët hungarezë e shtynë votimin deri në seancën e tyre të vjeshtës, Budapesti ka deklaruar vazhdimisht se nuk do të jetë vendi i fundit që do ta ratifikojë; kështu, Suedia mund të bëhet anëtari numër 32 i NATO-s që në fillim të këtij muaji.
Zbërthimi i detyrave thelbësore të NATO-s
Mbase vendimi i vetëm më i rëndësishëm që ka mundësi të merret në samitin e NATO-s është aprovimi njerëzi i planit të parë gjithëpërfshirës të mbrojtjes së aleancës që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë.
Si të mbrohet çdo centimetër i territoreve të 31 vendeve anëtare është ajo që NATO-ja bën më së miri. Rekomandohet miratimi i 4.000 faqeve të planeve të klasifikuara që përfshijnë tri zona kryesore gjeografike: veriu, i cili përfshin rajonet e Atlantikut dhe Arktikut; rajoni qendror, i cili në thelb përfshin Evropën nga Baltiku deri në Alpe; dhe jugu, i cili shtrihet nga Alpet deri në Mesdhe, dhe përfshin shtetet e NATO-s pranë Detit të Zi. Sigurisht, ka edhe seksione kushtuar temave të caktuara, për shembull, siguria kibernetike.
Nëse gjithçka shkon mirë dhe planet miratohen në samit, do të pasojë një planifikim edhe më i detajuar, që informon batalionet se çfarë zone territori apo deti duhet ta mbrojnë saktësisht, në rast të ndonjë sulmi.
Më hollësisht
- Këto plane në thelb duhej të miratoheshin përpara samitit, por ka pasur disa pengesa – që kryesisht përfshijnë Turqinë. Ankaraja, për shembull, ka insistuar që në plane ta quajë Bosforin “ngushticë turke” dhe gjithashtu ka dashur të vinte më shumë theks në luftën kundër terrorizmit, sesa thjesht të fokusohej në kërcënimin e paraqitur nga Rusia.
- Por, problemi i madh mbetet se si të kapërcehet nga planet në realitet, dhe kjo përfundimisht do të thotë: A ka pajisje të mjaftueshme ushtarake, ushtarë dhe mjete financiare për t’i arritur të gjitha këto? Tani, NATO-ja është e mirë në përkushtim. Në Madrid, vitin e kaluar, aleatët ranë dakord për t’i pasur gati 100 mijë trupa për t’u vendosur brenda 10 ditëve, dhe 300 mijë brenda një muaji. Por, ata ende nuk e kanë arritur atë objektiv të lartë.
- Kur bëhet fjalë për shpenzimet e mbrojtjes, ato kanë performuar edhe më keq. Një angazhim për të shpenzuar 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për mbrojtjen deri në vitin 2024, niveli që arritën të gjithë anëtarët e NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë, u bë në samitin e NATO-s në Uells, në vitin 2014. Aleanca ushtarake, në tërësi, nuk është as afër përmbushjes së këtij zotimi, një vit pasi duhej të arrihej.
- Kriteri prej 2 për qind u arrit në vitin 2022, nga vetëm shtatë vende: Estonia, Greqia, Letonia, Lituania, Polonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara. Finlanda, anëtari më i ri i NATO-s, së bashku me Hungarinë, Rumaninë dhe Sllovakinë, do t’i bashkohen grupit në vitin 2023. Vitin e ardhshëm, Gjermania duhet të arrijë këtë pikë, e ndjekur nga Franca, në vitin 2025. Por, disa zyrtarë të NATO-s theksojnë se shumë vende mund të arrijnë objektivin prej 2 për qind, vetëm për të rënë nën të përsëri, menjëherë pas kësaj.
- Prandaj, zotimi i ri në Vilnius. Objektivi prej 2 për qind duhet të jetë “themeli” dhe jo “kulmi”. Ky nuk është problem për vendet si Estonia, Polonia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat shpenzuan të gjitha 3 për qind, ose më shumë. Por, për të tjerët, mund të jetë vetëm një premtim bosh.
- Një çështje tjetër është se NATO-s edhe një herë do t’i duhet të kthehet te gjërat themelore. Pas 20 vjetësh luftimesh kryesisht guerile në Afganistan, parashihet një nevojë për investime në avionë, tanke dhe artileri — dhe kjo ishte një nevojë e menjëhershme edhe përpara se shumë aleatë të NATO-s të fillonin të dërgonin pajisje të tilla ushtarake në Ukrainë.
- Pastaj vjen prodhimi i artilerisë. Edhe pse vendet evropiane po i rrisin ngadalë investimet, kryesisht për t’i siguruar Kievit më shumë municione, Rusia ende po shkrep në normën mujore të prodhimit të artilerisë në Evropë (aktualisht vlerësohet në 20.000-25.000 predha në muaj) vetëm brenda një dite në Ukrainë.
Miqtë e tjerë të NATO-s
Edhe pse Ukraina do ta marrë padyshim të gjithë vëmendjen në konferencë, vende të tjera joanëtare të NATO-s janë gjithashtu të pranishme në Vilnius.
Këshilli i Atlantikut të Veriut (NAC) dhe “Partnerët në rrezik” – në këtë rast, Bosnje-Hercegovina, Gjeorgjia dhe Moldavia — takohen joformalisht ditën e parë, më 11 korrik, dhe të gjitha do të përfaqësohen nga ministrat e tyre të Jashtëm.
Një takim i NAC-it me katër “Partnerët e Indo-Paqësorit” – Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut – do të zhvillohet në ditën e dytë dhe të fundit të samitit, më 12 korrik, dhe do ta ketë të njëjtin format të përdorur në Madrid, në vitin 2022.
Më hollësisht
- Për shkak se Franca nuk është një mbështetëse e fortë e kësaj ideje, NATO-ja ende nuk ka arritur një marrëveshje për krijimin e një zyre në Tokio, që është një efekt i dukshëm i këtij konflikti të brendshëm. Megjithatë, në takim, NATO-ja do të krijojë plane të reja bashkëpunimi me katër kombet e rajonit Indo-Paqësor, duke përfshirë tema si teknologjia e re kibernetike dhe detare.
- Duket i çuditshëm kombinimi i Bosnje-Hercegovinës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë në një seancë. Dy të parët janë anëtarë të mundshëm të NATO-s, të cilët, si Ukraina, kanë oferta për anëtarësim në të ardhmen, por jo me një afat të caktuar. Moldavia, nga ana tjetër, ka një kushtetutë neutrale dhe ka një popullsi të ndarë thellësisht në lidhje me anëtarësimin e mundshëm.
- Është gjithashtu një lloj nënvlerësimi për Gjeorgjinë. Deri kohët e fundit, Tbilisi dhe Kievi vepronin “dorë për dore” kur ishte fjala për anëtarësimin në NATO; nuk është më kështu. Sipas zyrtarëve të NATO-s me të cilët kam biseduar, “shkëputja” thjesht pasqyron faktin se qeveria ukrainase po bën presion më të madh për anëtarësimin në NATO.
- Në samit, aleatët do të vazhdojnë të bëjnë premtime financiare për t’i përforcuar aftësitë mbrojtëse të Gjeorgjisë, sidomos në fusha të njohura si CBRN (mbrojtja kimike, biologjike, radiologjike dhe bërthamore), dhe për të rinovuar disa nga objektet e trajnimit të këtij vendi.
- Për Bosnje e Hercegovinën pritet një marrëveshje për një pako mbështetëse prej 30 milionë eurove; financim në 12 projekte në fusha si siguria kibernetike, evakuimi ajror mjekësor dhe forcimin e policisë së saj ushtarake.
- NATO-ja e ka planifikuar një të ashtuquajtur “pako të zgjeruar për ndërtimin e kapaciteteve mbrojtëse ” për Moldavinë, që fokusohet në luftimin e dezinformimit, reagimin ndaj kërcënimeve kibernetike dhe në modernizimin e institucioneve mbrojtësve të vendit.
Përgatiti: Albina Kastrati