Nuk ke si t’i quash ndryshe 4 ngjarjet kryesore të këtyre 10 ditëve të fundit dhe vetëm 1 muaj e gjysëm mbas dakordësimit në Ohër midis Serbisë dhe Kosovës. Fjala është për zgjedhjet vendore në Veriun e Kosovës, Mbledhjen e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës në Strasburg ( KiE), Takimin e KS të OKB-së në Nju Jork dhe Samitin Vuçiç – Kurti më 2 Maj në Bruksel. Njera më zhgënjyese se tjetra, duke vërtetuar parashikimet e analistëve të njohur perendimorë dhe vendas.
“Tersi” filloi me zgjedhjet e pjesshme vendore më 24 Prill në 4 komuna në Veri të Kosovës. Natyrisht që nuk mund të shpresohej për asgjë sado të vogël pozitive, le më pastaj historike. Jo vetëm se dakordësimit të arritur më 18 Mars në Ohër mbi anekset e Marrëveshjes së Brukselit të 27 Shkurtit i mungojnë firmat dhe pa vula; porse ai është pa bazë e pa themel, pa taban dhe tavan! Kjo mbasi atje mungon komponenti kryesor jetik: klima dhe mjedisi i pranueshëm, se “miqësor” tingëllon luks; me një terren të helmuar dhe të minuar, me rrënjë të thella urrejtjeje, të cilat që askush nuk ka mundur as t’i prekë! Mirëpo, pa këtë frymë, edhe “gërmat” më të mira nuk kanë shans. Këtë e treguan dhe 45 ditët e para të Ohrit që përgënjeshtruan aforizmën tonë të njohur se “fillimi i mbarë është gjysma e punës”!
Siç do të shihet dhe më poshtë, në asnjë prej këtyre 4 forumeve të rëndësishme nuk gjen ndonjë element që të ngroh e ku mund të kapesh. Kjo kryesisht për faj të palës serbe që vazhdon të tregojë se i “ka hipur kalit mprapsht” me mbështetjen e ndërmjetësuesve ndërkombëtare, të cilët kanë “vendosur karrocën përpara kalit”.
E çfarë mund të bëhej më shumë në zgjedhjet e 24 Prillit në 4 komuna me shumicë serbe? Përveç thyerjes së rekordit, kur vetëm 1500 nga 45.000 zgjedhës votuan ose rreth 3 për qind! Më keq nuk kishte ku të shkonte, veç mungesës së konflikteve të dhunshme, prej të cilave Beogradi në ato momente do të kishte më shumë zarar.
Nuk mund të shpresohej më shumë përderisa pavarësisht lëvizjeve të drejta të Prishtinës, Lista Serbe dhe serbët u udhëzuan dhe u urdhëruan nga Beogradi që të mos rikthehen në institucionet përkatëse dhe të bojkotonin këto zgjedhje, të cilat në dhjetor qeveria Kurti i kishte shtyrë në respekt të sugjerimit të ndërkombëtarëve. Për pasojë, gjendja në Veriun e Kosovës është dhe më keq se përpara 18 Marsit; ndaj më 2 Maj, Borrell u kërkoi të dyja palëve nga Brukseli që të bëjnë gjithçka për shmangien e veprimeve të dhunshme në Verin e Kosovës.
Për pasojë, ato zgjedhje, në vend ta lehtësonin situatën, i shtuan problemet, u bënë vetë pjesë e problemit dhe tashmë duhet një marrëveshje tjetër për ta ndryshuar situatën dhe për të shmangur incidentet në një qeverisje paralele vendore.
Pala serbe justifikohet me mungesën e Asociacionit. Mirëpo dihet se ky i fundit nuk bëhet brenda natës dhe me një të rënë të lapsit; pastaj, të drejtat e pakicave në përgjithësi dhe ato serbe në veçanti në Kosovë janë garantuar më mirë se dhe në disa vende antare të BE-së. Mirëpo, Vetë-menaxhimi synon të kthehet në një “casus beli” dhe “gjethe fiku” për të justifikuar dhe mbuluar synimet e liga të Beogradit. Pastaj, kur Serbia këmbëngul për Asociacionin, ajo duhet të japë llogari për shumë dosje të tjera ku është bërë pengesë, për ndjesën e pakërkuar, etj.
Të nesërmen, më 25 Prill të dyja palët u takuan në Strasburg. Natyrshëm pritej që mbas Ohrit, pala serbe të dilte hapur dhe të ftonte të tjerët të votonin pro kërkesës së Kosovës për antarësim në Këshillin e Europës. Në vijim të Nenit 4 të Dakordësimit se “Serbia nuk do të pengojë antarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”. Mirëpo, Serbia jo vetëm nuk e bëri një hap të tillë, jo vetëm votoi kundër, por ajo penalizoi dhe vende të tjera, përfshirë Malin e Zi, të cilat votuan pro Kosovës. Vetëm të shikosh gjuhën e drunjtë të zyrtarëve të lartë serbë dhe të Vuçiçit dhe bindesh se dakordësimi i Ohrit dhe i Brukselit për Beogradin janë « sa për të larë gojën » dhe pa asnjë lidhje me realitetin e trishtë në terren.
Sikur të mos mjaftonte me aq, klimën dhe atmosferën e rëndë që krijoi në Strasburg, Serbia e « shpërnguli » më 26 Prill në “Pallatin e Qelqit” në Nju Jork, në takimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në raportimin 6 mujor mbi Kosovën. Kjo ishte « prova e radhës e zjarrit » për Dakordësimin e Ohrit.
Të gjithë e pamë se si Pala serbe e ktheu atë në një fushatë të egër dhe në fushë beteje të ashpër diplomatike; duke përfituar dhe nga fakti se Këshillin e Sigurimit në Prill e kishte Rusia. Sërish, në vend që të përcillej diçka e mirë nga fryma e Ohrit dhe të jepej një farë shprese, gjërat në Nju Jork shkuan « nga shiu në breshër ». Daçiç dhe Vuçic e thanë troç se Beogradi as që kanë ndërmend, as sot dhe as kurrë, të njohin Kosovën si shtet i pavarur! Por vetëm si pjesë të pandarë të Serbisë, siç e përcakton dhe Preambula e Kushtetutës së tyre; ndaj mesa janë dakord për dosjet e të zhdukurve, për pranimin e Kosovës te « Ballkani i Hapur » dhe për aspekte të tjera rajonale, por gjithmonë si pjesë e Serbisë!.
Vuçiç nuk nguroi ta thoshte açik për këdo se Beogradi do të zbatojë në mënyrë selektive vetëm ato pjesë të Dakordësimit në Ohër që i “vijnë pas midesë” që e trajtojnë Kosovën si pjesë të Serbisë! Nëse në Uashington, Bruksel dhe gjetkë nuk duan ta kuptojnë këtë, por vazhdojnë « me avazin e Mukës » kjo është tjetër gjë!
E pra, me këtë bilanc të rënduar, Presidenti Vuçiç dhe Kryeministri Kurti u takuan për tri orë në Bruksel mbrëmjen e 2 Majit; si përherë nën hyqmin e Borrellit dhe Lajçakut. Në fakt, pavarësisht nga pohimet dhe përbetimet diplomatike, as optimisti më i madh nuk shpresonte se do të arrihej ndonjë gjë të madhe më 2 Maj. Sepse siç po shkojnë punët, nuk ka dhe vështirë të ketë ndonjë tregues e shenjë për ndonjë hap, sado të vogël, veç « gajretit » rutinor amerikan dhe europian, por ama në një « tokë shterpë»!
Natyrisht, miratimi i Deklaratës mbi të Zhdukurit me Forcë është për t’u përshëndetur, por gjithsesi do pritur zbatimi i saj sipas detajeve që do të përpunohen më vonë. Ca më tepër se siç thuhet rëndom “djalli qëndron te detajet” Por dhe në këtë rast ekziston dyshimi për qasjen selektive serbe dhe mundësinë e mosvënies në dispozicion prej saj, me sofizma ligjorë dhe procedurialë të instrumentave të duhur për kontrollin e zbatimit të Deklaratës së miratuar, që dhe ajo mos arkivohet dhe pluhuroset në sirtarët e harresës diplomatike.
Gjithsesi, aktualisht, « Thembra e Akilit” e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit mbetet krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Jo vetëm se është « thikë me dy presa » por dhe nga urgjenca dhe forma ultimative me të cilën i kërkohet Kosovës; a thua se Asociacioni është “kura magjike” për problemet serioze që kanë pllakosur dialogun Prishtinë-Beograd.
Mirëpo, çfarë mund të shpresoje në të vërtetë, kur deri më 2 Maj Prishtina zyrtare as nuk e dinte se çfarë “ishte gatuar në kuzhinën politike” nga katërshja vetë-menaxhuese serbe mbi këtë Asociacion? Ku është transparenca dhe informimi publik për Prishtinën dhe më gjerë?
Kujdes, bëhet fjalë për një dosje përvëluese, me shumë dyshime, ndjeshmëri publike dhe precedentë shpërthyes; se Republika Srpska nuk është në Honolulu por aty pranë; plaga e saj ka 30 vite që mavijoset dhe kurkush nuk po i jep dum » ! Atëhere si mund të mos i druhet Prishtina zyrtare një dështimi apo recidivi tjetër të shëmtuar diplomatik si atje? Ndaj, me të drejtë Kryeministri Kurti e kundërshtoi kategorikisht draftin serb të paraqitur në Bruksel, duke propozuar me të drejtën e vet të ligjshme paraqitjen e një Draft-Vizioni mbi këtë Asociacion. Një veprim i justifikuar, sepse përpara se të shkosh te versioni përfundimtar, lipset një vizion, një konceptim, fryma, parimet e jo “drejt e në thela”! Sa për pretendimin e Vuçiç se demek krijimi i Asociacionit ka 10 vjet që pret, dihet tanimë se sa shumë ujra kanë rrjedhur nga ajo kohë. Pastaj, siç e pohoi saktë dhe Kryeministri Kurti, Beogradi në 45 ditët mbas dakordësimit në Ohër ka shkelur 8 nga 11 Nenet e Ohrit!
Ndaj, me të drejtë u la që kjo dosje e nxehtë, të cilës nuk i dihet fundi të shtjellohet dhe trajtohet me këtë frymë dhe me shumë kujdes në javët dhe muajt e ardhshëm. Me qëllimin minimal që nga « mollë sherri » të mos kthehet në “ minë me sahat”
Së fundi, dikush me të drejtë mund të pyesë, po mirë, si do t’i veji filli atëhere këtij muhabeti? Cilat janë zgjidhjet dhe alternativat për të dalë nga ky qorrsokak ku është futur dialogu Prishtinë – Beograd, me lehtësimin e BE-së dhe të SHBA-ve?
Le të jemi prapë të sinqertë: gjendja dhe situatat kërkojnë që gjithçka të nisë nga fillimi, me qasje dhe strategji cilësisht të reja. Kur për fat të keq edhe integrimi i shumëpërfolur Euro-Atlantik e ka humbur forcën e mëparshme joshëse, dhe është pothuaje i pandjeshëm, aq më tepër kur sheh zhvillimet brenda BE-së dhe demarshet nga disa vende antare për ta ribërë atë.
Gjithashtu, kjo strategji e re tërësore afat-gjatë kërkon ndryshimin e qasjes perendimore ndaj Serbisë; boll më duke e marrë me të mirë dhe duke e mbajtur « me hatër » Beogradin»; madje kjo të bëhet qartë qysh tani, pa qenë fare nevoja të pritet fundi dhe rezultati i agresionit rus ndaj Ukrainës!
Ndërkohë, është tejet e rëndësishme të nxirren mësime nga pësimet e kaluara për shkak të doktrinave të gabuara në Ballkan. Të hiqet dorë nga mendimi naiv se Beogradi mund të bëhet aktor dhe faktor kryesor i paqes dhe stabilitetit në rajon. Çfarë ofendimi për disa vende me peshë aty, antare të BE-së dhe të NATO-s!. Po ashtu, të hiqet dorë dhe të arkivohet “Ballkani i Hapur” mbivendosje me plot dyshime e paqartësi në favor të rijetësimit të Procesit gjithëpërfshirës të Berlinit!
Kryesorja dhe mbi të gjitha, sot është bërë kërkesë urgjente që SHBA-të dhe BE-ja në Ballkanin Perendimor ta fillojnë punën nga brenda vendeve të Rajonit, se aty e kanë dhe te kanë dhe të keqen më të madhe!. Të hiqet dorë nga politika në favor të stabilokracisë dhe t’i japin përparësi, jo me show dhe samite, por çdo ditë, me veprime konkrete, jo duke hipërbolizuar shpalljen “ non – grata” me vlera kryesisht retrospektive, por duke forcuar qeverisjen e mirë, opozitën, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, shoqërinë civile, median e lirë, dhe elementë të tjerë jetikë demokratikë e cila ka kohë që është spostuar, çuditërisht me ndihmën e Perëndimit “ prapa liste”. Mirëpo kjo nuk realizohet duke u “ bërë fresk” e “ duke u “krehur bishtin” rregjimeve dhe liderëve autoritarë, që po vegjetojnë në pushtet me vite dhe me dekada, me bekimin e SHBA-ve dhe të BE-së, vetëm e vetëm për hir të Realpolitikës dhe ajo e dështuar!
Natyrisht veç “lëvizjeve pa top” kjo nuk mund të bëhet tani, kur SHBA dhe BE janë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme 2024. Puna reale do të rifillojë nga fundi i vitit të ardhshëm; por, agjencitë dhe institucionet përkatëse, diplomacitë dy dhe shumëpalëshe duhet ta shfrytëzojnë këtë periudhë për përgatitjet e rastit, të cilat duan kohën e tyre bashkë me konsultimet e nevojshme zyrtare dhe publike.
Në këtë kuadër do të lind nevoja dhe për përditësimin ose pse jo dhe për një Marrëveshje të re, e cila të zëvendësojë atë të Ohrit; veçse në një terren politik dhe diplomatik më premtues dhe të begatë. Marrëveshje e vërtetë e jo “fake”, me frymë, firmë dhe me vulë, e cila të shkojë shumë më larg caqeve të normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës; që të fillojë me njohjen e Kosovës nga Serbia, 5 vendet antare të BE-së dhe antarësimin në organizatat ndërkombëtare!