UNË JETOJ SI QYQJA NË ORË
Unë jetoj si në orë jeton një qyqe
Unë s’i lakmoj zogjtë nëpër pyje.
Më frymëzojnë e këndoj.
Ti e di, fat kësisoj
Veç një armiku
Mund t’i uroj.
1911
DOLLIA E FUNDIT
Për një shtëpi rrënojë unë pi,
për jetën time të trishtë,
për vetmitë përjetuar nga dy
pi edhe për ty natyrisht:
për mashtrimin e buzëve tradhtore,
pi edhe për vdekjen akull të syve,
për një botë të vrazhdë dhe mizore,
për një Zot që s’na shpëtoi ne të dyve.
1934
SHTRIVA DUART NËN VELIN E ERRËT
I shtriva duart nën velin e erët…
“Pse je kaq e zbehtë ti sot?”
– Përshkak të trishtimit të vrerët
E deha atë gjersa u trullos.
Si të harroj? Ai doli jashtë
me buzët e mpira nga dhembja.
Vrap zbrita si rrufeja shkallët,
vrap zbrita pas tij gjer te dera.
Dihatshëm thirra: Qe veç mahi.
Nëse ti ik, unë vdes e mjerë.”
Ai qeshi ftohtë me qesëndi
E më tha: “Mos qëndro në erë!”
1912
ZOTI S’KA MËSHIRË PËR KORRËSIT DHE KOPSHTARËT
Zoti s’ka mëshirë për korrësit dhe kopshtarët.
Shirat bien kumbuese dhe të pjerra,
Dhe, para se të reflektojnë qellin, ujërat
Janë mushama të ngjyrshme të gjera.
Në mbretërinë nënujore ka livadhe dhe fusha,
Dhe rrymat e lira këndojnë, këndojnë,
Kumbullat shpërthejnë në degët e fryra,
Dhe bari i rrëzuar kalbet poshtë.
Dhe përmes rrjetës së trashë të ujit
Unë shoh fytyrën tënde njerëzore,
Një park të qetë, një kasollë kineze
Dhe shtëpinë me një verandë të vogël.
1915
Anna Akhmatova, emri i vërtetë Anna Andreevna Gorenko, lindi më 23 qershor 1889 në Bol’shoy Fontan, afër Odessa, në Perandorinë Ruse (tani Ukrainë).
Në vitet 1920, Anna Akhmatova u shfaq si një zë i veçantë poetik, i karakterizuar nga një stil pasionant dhe i ndjeshëm. Megjithatë, gjatë periudhës staliniste, talenti i saj letrar u la në hije nga censura dhe persekutimi nga qeveria sovjetike, pasi poezia e saj u konsiderua “kundërrevolucionare”.
Me gjithë presionin dhe vështirësitë, Akhmatova i qëndroi besnike artit të saj, duke vazhduar të shkruante me guxim dhe vendosmëri. Veprat e saj qarkulluan në mënyrë klandestine, duke përhapur mesazhin e saj të shpresës dhe njohjes së sfidave të kohës.
Pas vdekjes së Stalinit në vitet 1950, reputacioni i Akhmatovës filloi të rikuperohej dhe të rivlerësohej si në Bashkimin Sovjetik ashtu edhe në atë ndërkombëtar.
Anna Akhmatova vdiq më 5 mars 1966 në Moskë.