Në botim të Shtëpisë botuese “MESHARI”, Prishtinë ditë më parë nga poeti ynë i njohur Agim Desku, dolen nga shtypi edhe katër vëllime poetike me poezi, në redaktim te poetit e publicistit Nezir Prokshi dhe ate:
1. Agim DESKU “PAFAJSIA E FJALES”, ShB. “MESHARI”, Prishtinë
2021
2. Agim DESKU, “DIALOG ME VETVETEN”, SHB.
“MESHARI,Prishtinë, 2021
3. Agim DESKU, “DITARI I APOKOLIPSIT” SHB. “MESHARI”
4.. Agim Desku, ” ÇELE GUR GOJËN”
Elida Rusta-Shkodër
13 nëntor 2020
Poezia e Agim Deskut, shpirtit të bukur që të mbush me dritë, dallohet nga ndjeshmëria, përçueshmëria, gjuha e zgjedhur, ritmi i saj i veçantë dhe mbi të gjitha klima që herë duket se ndodh në Bjeshkët e Nemuna e herë tjetër në kopshtin e Edenit.
Laboratori poetik i tij është i paimitueshëm, i ndrymë në çelsin e një muze të çuditshme. Niveli i poezisë dhe klasi i vargjeve është një etno- poezi, që letërsia shqiptare e ka me pakicë tash 70 vite.
Për këtë risi ka nevojë rendi autokton i poezisë shqiptare në epokën e globalizmit dhe për t’u ndarë nga “turma” dhe kopjimi i shëmtuar, që funksionon prej dekadash.
Poeti ka dhe poezi, nga ato që kur e lexon thuajse e sheh tek ndodh, strukturuar mjeshtërisht me një gjuhë metaforash të pahasura nëpër poetët e tjerë, nga ato që ai i nxjerr nga mangët prej magjistari të poezisë.
“Çele gur gojën” e Agim Deskut, është e gjitha e përshkruar me tension dramatik dhe emocion, ka pushtetin e fjalës, përvëlim atdhetar, si për Mitrovicën dhe Shqipërinë, ka kafshim mollësh të ndaluara.
S’njeh kufi pena e tij siç e thotë vetë poeti në një prej poezive të tij,- “ Itaka e tij nuk ekziston, u verbua bashkë me Homerin”. Ai luan shah – mat me Itakën.
Ka shumë poezi që dalin prej një mekanizmi poetik të çuditshëm, raporti i tij me jetën dhe dashurinë lëshon një dritë e cila dëshmon cilësinë poetike të talentit poetik. Poezitë e Agimit të bëjnë të ndjehesh personazh. Besa e poetit është një poezi aq e ndërtuar mjeshtërisht sa ngjan me jetën e vertetë. Ndoshta pa besën do ishim asgjë. Ai qè nuk e ka një besë jeton kot.
Poezia e A. DESKUT, gjuan si nje hark i tendosur së brendshmi shigjetat e metaforave.A janë të bukura plagët?! Për këtë duhet gjykuar pasi ta lexosh poetin me këtë libër gjithë riliev figurash! Askund nuk mund të gjendet Atdheu më i sigurtë sè nĕ zemrën è atyre që e duan atë. Poezia e Deskut është krejt një rast kësisoj. Krejt pasuri metaforash, struktura mendimesh dhe idesh… Letërsia është “shkenca” e njerëzve të mençur!
Libri i Agim Deskut, është këngë dashurie gjithë shkëlqim e vibracione humane dhe një raport mjaft i kompletuar dhe i komplikuar me botën në të cilën jetojmë.
Harta e dashurisë së Agimit i ka të gjitha ato prej të cilave mbetesh poet… Komplimentet do i rrinin si zhele këtij libri me poezi të poetit.
Kjo më shumë se poezi, është dukuri. Gjendjet, përftesat dhe kumtet e përmbajtjes brenda rrrjedhshmërisë ligjërimore e estetike, marrin me vete edhe lexuesin më mediokër deri tek më i rafinuari.
Kur humbim njerëzit e dashur ne krijojmë një marëdhënie tjetër me njeriun që ndërron jetë, duke pasur një reflektim tjetër brenda vetes, përveçse dhimbjes jepet dhe njè mesazh shumë njerëzor.
Njeriu është i vdekshëm, por ai vetè e shëron dhimbjen duke zbuluar drejtime të ndryshme komunikimi me veten dhe me botèn.
Ajo çfarë lexova për Ernën ishte një perfeksion krijimi me një nivel emocional dhe një kurajo për t’ja besuar vuajtjen lexuesit dhe botës virtuale.
Urime, shëndet e muze te paprajshme!
LIBRI SI NJË POEZI E VETME
(Rreth vëllimit poetik “Pafajësia e fjalës” të Agim Deskut)
Për poezinë e Agim Deskut në vëllimin“Pafajësia e fjalës” mund të thuhet se njësoj i shquan poetikën dhe mesazhin, figurën dhe imazhin, ligjërimin poetik dhe botën tematike e ideore. Për deri sa poetika paraqitet e tillë, çfarë është dhe sa është funksionale, te elementet tjera, sidomos te mesazhi, poeti e gjen kënaqësinë e tij të shkrimit, do të thoshim, nderimin krijues ndaj vlerave të shenjta etnike, jetësore dhe njerëzore.
1. Arketipat e burimit të qenies sonë etnike
Nëpër vargje ajgëtohet një mitikë e hershme e qenies njerëzore, nëpër to na paraqitet një Evë, si pikënisje e hershëm i jetës mbi tokë, e që merr vlerën e një arketipi të kryehershëm të qenies sonë:
Kur ne erdhëm të parët në tokë
Nën flakën e fenerit të Homerit krijuam rendin e ri njerëzor.
Të gjithë e dinë për bukurinë dhe trimërinë që na falën yjet dhe dielli
Pothuajse, i tërë vëllimi lexohet si një “poezi e pandërprerë”, si do të shprehej Pol Elyar. Do të thoshim, së bashku me librat tjerë, lexohet si një këngë që nuk merr fund asnjëherë. “Teksti nuk pran”, thoshte Ali Podrimja. Është një si diktat i automazizmit krijues e shkrimor psikik, si një çlirim i brendshëm i barrës së pathënë. E, e pathëna assesi ta ketë fundin e saj, as të thuhet ndonjëherë e plotë:
Ende nuk ka ardhur koha
Për ta thënë fjalën e pathënë.
Porse aty thuret edhe ky paradoks që e qorton poetin, pikërisht nga kjo barrë:
Nuk më falet asnjëherë po mbeta fjala e pathënë
Të heshtë përballë ferrit që na krijohet çdo çast të jetës
Dhe paradokset, po ashtu shtrihen në jetën e kombit e në qenien tonë. Poeti ato i sheh edhe si paradokse të vetvetes, domethënë, të vetvetes si komb:
I shkruaj në ditarin e paradoksit emrat e demonëve
Kur mendoja se ishin njerëzit e mi
Sado që poeti qëndron afër përvojave të epokës sonë krijuese, me stilin e me modernitetin e thënies, tiparet e kësaj lirike nuk ndërlidhen me urbanen, po me unin poetik. Edhe kur përmenden metropolet, mbizotëron sintagma “metropole evropiane” në përqasje e në kundërvënie vlerash, në radhë të parë, vlerash etnike; aty shkëndijëzojnë besa, gjuha, lashtësia e fryma dardane, gjithçka e shenjtë e qenies, shpirtit dhe gjuhës sonë, ndërkohë që “nën anën tjetër” qëndrojnë metropolet me imazhin e tyre të ftohtë, cinik, mospërfillës, shpesh i habitur përballë një shpirti kryeneç shqiptar:
T’i njoh buzëqeshjet e atdheut të lena metropoleve evropiane.
Një mijë vjet jam nisur ta takoj Evropën plakë
Me albanët u përqafuam burrërisht
Ndryshe nga poetët e vetëdijes ironike që dekontruktojnë realitetin dhe të vërtetat, mitet dhe historinë, Agim Desku, përkundrazi, insiston në të vërteta e mitit të lashtësisë, të kultit të trë parit; ai nuk demitologjizon, as nuk dekosntukton, por e rindërton poetikisht atë mit lashtësie:
Dëshmitar dhe kronikan ngjarjesh
ishte vetë Homeri
Lexo- Gjashtëmbëdhjetë vjet para Krishti
Tanagra pellazge foli shqip.
E di bota përse fjala më e bukur ishte veç shqipja.
Ka, madje, një përdorim të sforcuar të miteve antike, të trojave dhe odesejadave historike, të miteve biblike me ferr, apokalips e parajsë, me shenjtëri e mëkate. Poeti i riintepreton ato mite: heronjtë e apokalipsit, është ironi për ata që vënë maskat e heroizmit për t’u paraqitur si engjëj e shpëtimtarë, por janë shkatërrues të vlerave (poezia “Heronjtë e apokalipsit”); rikthehen plojat e dikurshme trojane, si ndodhi në luftën e fundit (poezia “Rikthimi i Trojës):
Shekujt m῾i ndërruan vetëm padronët
Çdo njëqind vjet pësova varje
Rrugës Via Egnatia vizatohej kafka ime
Vetëm sytë më shpëtuan nga verbimi.
2. Uni poetik si burim vlerash dhe strukturash tekstore
Nëse theksohet Uni poetik, nëse poeti ligjëron në veten e parë, ai këtë e bën për ta marrë rolin e prezantimit të kësaj bote e të vetvetes në skenën e rruzullimit, e merr rolin e ndërmjetësuesit të dy botëve, ku qenia jonë i jep frymë asaj hapësire. Është një UNË që nuk kufizohet në kohë e hapësirë, dhe, po ashtu, i cili nuk pranon të mbërthehet brenda një qarku të mbyllur. Ai është edhe demiurgu, edhe qenie a forcë lëvizëse që ka rol funksional në strukturimin poetik.
Gjithsesi që ai nuk i reshtet edhe të sotmes, sidomos asaj prirjes “për ta rrëfyer” dhimbjen apo për tragjiken e dramës sonë të luftës së fundit. Ai i “dokumenton” poetikisht ato trauma lufte, por i tejkalon me patinën lirike të fisnikërimit të kësaj dhimbjeje, të heroizimit të saj. Ai nuk deheroizon, përkundrazi e heroizon këtë tragjikë.
E ndjej fajësinë pse nuk ëndërrova jetën si kalorës venedikian
Më mirë mbeta ta marr dorë për dore atdheun e lirë prekazian.
Të nisëm diku ku asnjë ferr më s῾do ma prangos lirinë e tij
Kaq e shenjtë është lidhja ime me tokën e gjyshërve të mij.
Nuk është e rastit përse ka aq shumë emërtime “prekaziane”, apo dardane, si sinonime të vetëflijimit për liri, si personifikim i mburojës së qenies sonë dhe të autoktonisë së qenies sonë.
Lirika e tipit të tillë, sado që është lirikë e mishëruar te palimpsesti, megjithatë ndërlidh kohët, të djeshmen e të sotmen, ndërlidh historinë me aktualitetin, folësi lirik depërton nëpër shekuj, mitre e kohë, nëpër legjenda e hapësira biblike. Te ky gërshetim, po ashtu vërejmë edhe ndërlidhjen e Unit a folësit lirik me aspektin e përgjithshëm shoqëror e universal. Nga ky Unë lirik buron teksti poetik, dhe aty edhe rikthehet, që rizbulon potencialin e barrës së historisë që rëndon si hije ankthi e mëkati mbi të sotmen me përgjakjet e dramat e djeshme. Me këto tone refleksive është shkrua poezia “Vrasësit e pengut”, titulli i së cilës shërben edhe si titull libri. Në fakt, rizgjimi i fantazmave vjen me tjetër pamje e me të tjera trajta:
Më kapën në udhëkryq kur ju fala diellit
Fjalën e dhënë ma mbushën dhembje
Me plagët e mija i kënduan jetës së krisur
Zëra të çmendur shëtitin mbi ëndrrat që s῾kthehen më.
Edhe atdhe dhe fe vranë e shanë
Vetëm të fitonin dashuritë e marra
Cili është ky vrasës i pengut të fjalës
Gjuha e Zotit nuk di për fytyrat e tradhtisë.
Nuk vdes nga vrasja e djajve dhe miqve të tyre
As nga ferri që demonët e shkruajnë në ditar
E di më shumë se asnjë tjetër jam unë në radhë
Si t῾i falim o Zot këta hordhi fytyrash që ngjajnë në karpatianë.
Këto janë edhe këmbanat e jetës sonë, edhe kujtimet e përditshme, janë hijet e kujtimeve dhe përvojave. Këto përvoja e hije ngjajnë në pasqyrat që reflektojnë ndjesitë, hapësirën dhe kohën, mitet dhe historinë. Kundruall pasigurisë, tjetërsimit dhe hienave, demonëve me “fytyrën e tradhtisë”, kundruall edhe ndërgjegjes apokaliptike, poeti krijon mirin e tij, bedenat e tij, pengun e fjalës, krijimin poetik, vetëdijen për vlerat e vizionin shenjtërues, parajsor- si projekt mitkrijues modern.
Ky vëllim, pra, ka koherencën e tij të preokupimeve tematike e stilistike, dhe na dhuron e siguron denjësisht një kënaqësi estetike të vërtetë.
Shkurt 2019 Prend BUZHALA
AGIM DESKU: “DIALOG ME VETVETEN”, poezi Shtepia botuese “MESHARI”, Prishtinë 2020
Në rrugëtimin e tij për të gjetur të drejtën historike ai bën një rrugëtim të gjatë, gati biblik, një rrugëtim të mundimshëm, por që kurrë nuk u lodh, gjithmonë në sytë e tij shikon të duket se po lind një shpresë,një gëzim, sikur, dhe pse larg, ashtu siç, lulja e çan akullin e del në pranverë dhe shpresa e Agimit vjen e bardhë, e qeshur, e ndritshme, vjen si një agim i bukur maji, vjen ,sepse e thërret Agimi.
Ai herë i drejtohet hënës, herë diellit, herë gërmon nëpër galaktikë për të takuar ndonjë yll, ndoshta, ndonjë nga ato yje, të cilat pasi u shkrinë për këtë tokë, shkuan lart për t’i dhënë dritë qiellit, e nga atje për të na rrëfyer rrugën ne, banorëve të përkohshëm të tokës
Ai, duke ecur nëpër rrugën e gjatë të historisë, herë shkon e takon Gjergj Elez Alinë, herë Rozafën, Teutën, Pirron, Kastriotin, herë shkon tek Qemali, Boletini, Prishtina, Jashari, të cilëve u tregon se…
Ai merr edhe rrugë të gjatë shkon deri në Itakë në Trojë, shkon kudo poeti ynë me një pishë në dorë, në kërkim të së vërtetës së mohuar, të asaj të vërtete që u ka munguar gjatë shqiptarëve, siç u ka munguar gjatë liria.
Duke lexuar këtë vepër, nuk ke si të mos ndalesh dhe të mendosh, e të shkruash dy fjalë në shenjë përgëzimi për këtë punë voluminoze dhe të bukur, e cila mund të them se për nga vlerat artistike që mbart, do të ishte një lëndë e vlefshme në antologjitë shkollore, dhe një material i pasur për studiuesit e poezisë.
Punon pa u lodhur poeti për të ndërtuar kala, për të mbrojtur atdheun, sepse ai ka nevojë për dorën e secilit bir të tij, e në veçanti të poetit, i cili me vizionin e tij, hyn në çdo qelizë të atdheut. Poeti është skaner i mirë e di ku i dhemb më shumë,andaj ai edhe i premton me zë të lartë se në çdo kohë i falem atdheut. I falem në kuptimin që atdheu është mbi çdo gjë, është Perëndi mbi Perëndi, dhe unë falem para saj, i falem edhe në kuptimin që, për atdheun unë fal jetën.
Duke njohur çdo qelizë atdheun e tij, poeti në poezinë tjetër i drejtohet të madhit Anton Çeta, pasi siç duket fjala e tij tek të sotmit, bie në vesh të shurdhër, andaj i thotë, atij që vetë nuk është, por ka lënë veprën-“Kur sot, e njëjta kohë, të thërret, bacë”- E poeti në një tjetër poezi është gati të ngjitet në majën e Tomorrit apo të Korabit e të lëshoi piskamën ku të bëjë thirrje për festën e madhe se.. Atëhere kur ushtarët e lirisë, thyen gurët e Koshares. Për gati një shekull një turrë gurë, të vendosura në formë piramide, kishin ndarë një popull në dy pjesë. Një turrë gurë, në vend që të bëheshin urë, u bënë mure, e më tej në një tjetër poezi ai u bën thirrje bashkëkohësave e bashkëkombësave të tij, që o sot o kurrë, -“Të jetojmë siç i ka hije Atdheut”- Ose të jetojmë, ose jo, po kush përveç një atdhedashësi e bën këtë thirrje. Ku janë ata që kanë marrë mandatin për ta udhëhequr këtë rrugë të lavdishme, ku shqiptari të jetojë siç i ka hije ose… Por që të jetojmë siç i ka hije atdheut, duhet të bëjmë kujdes, sepse Troja antike mund të kthehet në Trojë moderne për kombin tonë, këtë na e thotë tek poezia “Kali i Trojës”…
Komentet