Katastrofa e një arbitrazhi të ri 40 milion euro për qeverinë me një koncesion gjerman në Portin e Durrësit
E pabesueshme, por e vërtetë. Pa u tharë ende boja e vendimit te arbitrazhit mbi 100 milionësh që populli shqiptar duhet të paguajë për gafat financiarisht kriminale të qeverisë Rama me biznesmenin italian Becchetti, një tjetër dosje e tejmbushur me gafa të njëllojta u nis para pak ditësh për një arbitrazh fillestar në Washington.
Fatura që i kërkohet kësaj herë shqiptareve si gjithnjë të pafajshëm e të painformuar nga shteti i tyre në kësi rastesh kap shumën paraprake të 40 milion eurove.
Krimineli, sërish qeveria Rama. Viktima një kompani e paqshme gjermane që bënte punën e vetë paqësisht që prej një dekade në menaxhimin e Terminalit lindor të portit të Durrësit, për ngarkim-shkarkim të anijeve.
Kompania EMS APO e gëzon këtë koncesion fituar ndershmërisht me tender me afat deri ne vitin 2048 ! Por ja që amatore apo kriminele të papërgjegjshëm në qeverinë Rama (tjetër epitet s’mund të ketë për ata që luajnë me paranë publike pa u hyrë atyre vetë një gjemb në këmbë), këto mendje të ndritura që rrethojnë kryeministrin tonë, ose ndoshta ai vete, pa pritur e pa kuptuar i lënë të kuptoje kompanisë gjermane operuese në Portin e Durrësit se duhet të bëjë bagazhet e të dorëzoje çelësat në korrik me 2023 sepse portin e marrin në dorë në atë datë mëkëmbësit e Dubajotit Alabbar!
E për sa i përket aktiviteteve tregtare qeveria ka alternativen e Porto Romano nga ku natyrisht përjashtohet kompania gjermane. E gjithë kjo mënyrë juridike, financiare, por dhe politike po zhvillohet pa asnjë letër, mbledhje apo kontakt zyrtar midis qeverisë Rama dhe palës gjermane.
Në këto kushte kur kompania EMS APO duhet të lërë Shqipërinë pas dy muajsh, pa asnjë formë procesi, dialogu, dëmshpërblimi; apo thjesht sqarimi , drejtori i kompanisë gjermane për Shqipërinë Manfred Mueller jep alarmin në mediat shqiptare.
Ajo qe po i ndodh kompanisë së tij, mund t’i ndodhë çdo kompanie tjetër të huaj, por dhe vendase në këtë vend si Shqipëria që negociojnë hyrjen e saj në BE me praktika shtetesh diktaroriale ku të zbojnë nga biznesi yt sipas dëshirës se Nje-it dhe jo forcës se ligjit.
Kompania në fjalë ka një kontratë legale deri në 2048, por ne korrik 2023 i thonë të këpusë qafën.
Që ta kuptojë zoti Rama gafën e tmerrshme kriminale të qeverisë së tij që po e bën Shqipërinë analoge me republikat afrikane është sikur t’i thuhet kryeministrit Edi Rama të bëjë tani gati bagazhet dhe të këpusë qafen nga qeveria deri në korrik 2023.
Rama pa dyshim do pëlliste si gjeli mbi plehra se ka një kontrate me zgjedhësit që e kanë votuar me 2021 dhe se kjo kontratë i mbaron me 2025 .
Padrejtësinë që nuk do e pranonte për veten e tij, ai e konsideron si normale për tjetrin.
Ndër justifikimet që dëgjohen qenka dhe fakti se porti i Durrësit nuk siguron thellësinë e nevojshme për anije të tonalezhit të madh sepse ka thellësi vetëm 7.5 metra ndërkohë që porto Romano shkon përtej 11 metrave thellësi.
Prandaj aktiviteti tregtar do të transferohet dhe Durrësi i kalon Alabarit nga Dubai që të sjellë jahte që s’duan thellësi të madhe.
Në intervistën e tij për “BallkanWeb”, përfaqësuesi i lartë i kompanisë gjermane viktimë e arbitraritetit të qeverisë shqiptare kundra- argumenton me një qetësi dhe logjike të admirueshme:
Së pari, kur iu akordua koncesoni kompanisë gjermane me 2013 , kontrata përmbante angazhimin e Shtetit shqiptar se deri në vitin 2019, do të bëheshin punime që do ta çonin thellësinë në portin e Durrësit në 11,5 metra.
Për masterplain e këtij kantieri, kishte financuar biles BE-ja. Ky premtim kontraktual nuk u mbajt.
Se dyti, qeveria shqiptare pa bërë asnjë tender, përcaktoi ajo vete një kompani shqiptare rivale me atë gjermane për të bërë të njëjtën punë në Porto Romano.
Fillimisht kompanisë shqiptare ju dha koncesioni në Porto Romano për menaxhim ngarkese-shkarkesash të tipit hydrokarbure (në vitin 2015) .
Por më pas , në vitin 2020 pa asnjë lloj tenderi kompanisë “mike” shqiptare iu zgjerua koncesioni duke përfshirë në të njëjtin aktivitet që bën kompania gjermane në Portin e Durrësit. Anijet që vijnë drejtohen tani gjithnjë më shumë për nga koncesioneri i paligjshëm shqiptar i Porto Romano. Pasoja është katastrofike për kompaninë gjermane, pasi në vitin 2022 aktiviteti i saj ra me 70% në krahasim me vitin 2021. Dhe në korrik 2023, aktiviteti duhet të bjerë fare në 0.
Se treti dhe më e rënda ka të bëjë në këtë situatë me indiferencën totale në kufijtë e përbuzjes që po dëshmon qeveria shqiptare ndaj palës gjermane, duke mos organizuar asnjë mbledhje për të informuar mbi projektin e transformimit te Portit të Durrësit në Port argëtimi dhe për të diskutuar mbi te ardhmen e koncesionit gjerman.
Nuk ka patur minimalisht asnjë letër informuese për gjermanet, asnjë takim në ndonjë ministri. Heshtje totale deri në faktin e kryer të muajit korrik kur gjermanet duhet të largohen.
Shteti shqiptar si çdo shtet tjetër ,vërtetë që mund të jetë sovran në vendimmarrjen për ta shndërruarportin tregtar të Durrësit në port jahtesh, por koncesionarit gjerman fare mirë mund t’i ishte propozuar për shembull transferimin e tij në Porto Romano.
Kjo indiference shpjegohet me karakterin korruptiv të dhënies pa tender në favor të një kompanie shqiptare për të shfrytëzuar aktivitetin komercial në Porto Romano duke mos lënë hapësirë kështu për një rinegocim të kontratës koncesionare 35 vjeçare me palën gjermane.
Epilogu i kësaj farse të hidhur ishte me se i pritshëm. I lodhur nga metodat pirateske të qeverise shqiptare në portet e vendit, dhe pa asnjë lajm nga kjo qeveri që prej dy vitesh përveç se ultimatumit efektiv për largimin e nga porti i Durrësit në korrik 2023, kompania koncesionare gjermane, vendosi dhe ajo ta çoje para disa ditësh këtë konflikt në arbitrazh për mos respektim kontrate nga qeveria shqiptare.
Dëmshpërblimi që i reklamohet Shqipërisë nga pala gjermane është plot 40 milionë euro. Nëse ka një person që do fërkojë duart në këtë situate dramatike për financat e shqiptarëve që po fundosen arbitrazh pas arbitrazhi, është bashkëshortja e zotit Toni Bler.
Avokatja e zgjedhur pa tender nga qeveria shqiptare është e sigurt se do të fusë edhe ajo bashkë me shokët e tjerë avoketët londineze disa miliona në xhep, në kurriz të shqiptarëve.
Jam kurioz të di se si do ta komentoje këtë arbirtrazh të ri Zoti Rama? A do ta shpallë edhe palën gjermane kriminele siç bëri me Becchetin ? Apo do të vazhdojë t’i trajtojë këto skandale si shpifje të rradhës të Berishës.
Berisha mund të jetë e kaluara sipas tij, por faktikisht është e ardhmja që po u kallos tmerrin shqiptarëve me humbjet astronomike ndër arbitrazhe ku Rama luan sikur të luante në kazino, por me paratë e të tjerëve.
Urgjenca për ne shqiptarët është të kërkojmë, po që nevoja me referendum ndryshimin e legjislacionit.
Një ligj i posaçëm duhet t’i shpalle shtetarët përgjegjës mbi pasurinë e tyre nëse drejtësia konfirmon se humbjet marramendëse në arbitrazh kanë rezultuar si neglizhencë me vetëdije nga pala shqiptare .
Vetëm një ligj i tillë , i cili do ta bënte Ramën dhe ministrat përkatës të paguanin përgjatë gjeneratash faturën e sotme të Becchetit dhe ndoshta atë nesër te koncesionit gjerman në Portin e Durrësit, do ta rivinte në shina dhe me këmbë në tokë klasën politike shqiptare. Nuk presim nga kjo mazhorancë t’i bëjë autogol vetes dhe ta votojë një ligj të tillë.
Presim nga opozita ta bëjë një propozim të tille, të kërkojë një referendum, dhe ta realizoje këtë ndryshim legjislacioni në respekt të shqiptarëve nëse vjen në pushtet.
I duhet hequr njëherë e përgjithmonë klasës sonë politike vetëbesimi i tepruar se kur është në krye të vendit është për të sikur të ishte në « mall të babait ».