Lideri opozitar rus në mërgim dhe bashkëthemeluesi i Forumit Rusia e Lirë, Garry Kasparov, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) më 1 mars se kufijtë e tanishëm të Rusisë “mund të ndryshojnë”, nëse Moska e humb luftën në Ukrainë, por shtoi se shpërbërja e plotë e Rusisë nuk ka gjasa të ndodhë.
Rajonet të cilat mund të ndahen nga Federata ruse, sipas Kasparov, janë republikat si, Tatarstani, Bashkortostani, Dagestanu dhe Çeçenia, por ai theksoi se nuk beson se gjithçka është e qartë për atë që do të ndodhë pas luftës.
“Në fund të fundit, rol të madh në këtë çështje do të luajnë faktorët ekonomikë. Por është shumë e rëndësishme sot të mos mbështetet qëndrimi i një Rusie të bashkuar dhe të pandashme”, tha Kasparov.
Ai beson se ndryshimi i “karakterit perandorak” i Rusisë është i nevojshëm për reformimin e këtij vendi.
Ish-kampioni i botës në shah tha se humbjet për Rusinë do të ishin “minimale”, por nënvizoi se “nëse e refuzoni një perandori, atëherë duhet të pajtoheni se disa pjesë të saj mund të hiqen në fund”.
Lidhjet që do ta bënin më të vështirë shpërbërjen e Rusisë, do të ishin kryesisht ato ekonomike, tha ai. Por, ënse disa pjesë të Rusisë shkëputen, atëherë do të bëhej e mundur arritja e marrëveshjeve të reja mes territoreve të Rusisë sipas asaj që do të quhej “konfederatë e lirë”.
“Është e drejtë, mes tjerash, edhe nga një pikëpamje psikologjike, sepse do të jetë e pamundur të ndërtohet një Rusi joperandorake duke ruajtur keqkuptimet perandorake”, tha Kasparov.
Kasparov tha gjithashtu se beson se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian “druhen” se mund të ndodhë shpërbërja e Rusisë, nëse ajo e humb luftën në Ukrainë.
Një fitore e Ukrainës do të ishte “një goditje e madhe” për Rusinë, nënvizoi ai, dhe se do bënte “që më gjasë të ndryshojë tërë struktura politike e saj”.
Kasparov tha se populli rus nuk e kupton ende se lufta po shkon drejt disfatës dhe se “diktatura e Putinit nuk do të mbijetojë”.
Kasparov, i cili jeton në Shtetet e Bashkuara tani, njihet si kritik i fortë i politikave të Kremlinit, përfshirë i luftës në Ukrainë.REL