Mijëra refugjatë nga vende të Amerikës Qendrore, të dërrmuar nga udhëtimi i gjatë, po i afroheshin Qytetit të Meksikos të dielën, ndërkohë që duan të vazhdojnë rrugëtimin tepër të vështirë deri në Shtetet e Bashkuara.
Përllogaritet që 4 mijë emigrantë janë në shtetin Verakruz ku, gjatë viteve të fundit qindra refugjatë si ata vetë janë zhdukur, pasi kanë rënë pre e bandave që i rrëmbejnë për të nxjerrë para prej tyre. Itinerari prej 124 miljesh ishte më i gjati që kanë bërë deri tani dhe emigrantët po përpiqen të avancojnë herë më këmbë, herë duke lëvizur me makina të rastit drejt kufirit të Shteteve të Bashkuara që ndodhet disa qindra kilometra larg.
Emigrantët tani synojnë të bashkohen në kryeqytetin meksikan, ku të kërkojnë ndihmë mjekësore dhe të presin të tjerët që ende nuk kanë mbërritur. Karvani është forcuar me emigrantë të rinj, ndërkohë që ndjek rrugën drejt veriut. Banorët gjatë rrugës ofrojnë ushqim, ujë, rroba të pastra dhe këpucë të reja.
Të dielën pjesa më e madhe e karvanit kishte arritur në qytetin Kordoba në brezin sheqer-prodhues të shtetit Verakruz ku i pritën me muzikë dhe valle të traditës së Karaibeve. Shumë nga udhëtarët e lodhur shpreheshin me mirënjohje për bashkudhëtarët e tyre duke thënë se pa mbështetjen e tyre nuk do ta kishin përballuar rrugën.
Disa prej tyre arritën në një stadium të hapur në kryeqytet ku ndoqën një ndeshje të ekipeve meksikane. Punonjësit e bashkisë u sillnin ushqime emigrantëve të ulur në shkallët e stadiumit.
Nuk është e qartë se në ç’pikë të kufirit amerikan do të synojë të futet karvani, ose nëse do të ndahet në disa grupe që do të tentojnë të hyjnë në pika të ndryshme.
Pjesa më e madhe e emigrantëve shprehen të bindur se nëse udhëtojnë si një grup i madh kanë më shumë shpresa për të mbërritur në SHBA. Emigrantët thonë se po largohen për t’i shpëtuar varfërisë, dhunës së bandave si dhe paqëndrueshmërisë politike në vende si Hondurasi, Guatemala, El Salvadori dhe Nikaragua.
“Mendojmë se është më mirë të vazhdojmë së bashku në këtë karvan. Do të mbetemi pjesë e tij dhe do të respektojmë organizatorët,” thotë Luis Euseda, një 32-vjeçar nga Tegusigalpa e Hondurasit, i cili udhëton me gruan, Jessica Fugon. “Të tjerët vazhduan përpara; ndoshta nuk kanë ndonjë synim konkret. Por ne kemi synimin të arrijmë në Shtetet e Bashhkuara”.
19-vjeçari nga Kopan i Hondurasit, Minor Çavez, është i vendosur të vazhdojë rrugën.
“Nuk kam të ardhme në Honduras. Kam mbaruar studimet si teknik kompiuterash por edhe me diplomë nuk jam në gjendje të gjej punë,” thotë ai.
43-vjeçari Manuel Calderon, emigrant nga El Salvadori, ngre këmishën për të treguar shenjat e plagëve nga dy plumba që thotë se e goditën në vendin e tij. Ai thotë se do që të kthehet në Shtetet e Bashkuara nga ku e deportuan dy vjet më parë.
Gjatë rrugës Calderonin e pritën dhe e ndihmuan meksikanë të thjeshtë. Katalina Munoz thotë se solli ushqime kur mësoi se karvani do të kalonte nëpër fshatin e saj të vogël me 3000 banorë. Ajo organizoi 15 banorë të tjerë për ta ndihmuar të përgatisnin ushqime me tako meksikane, të mbushnin shishe me ujë dhe të sillnin fruta për udhëtarët e lodhur.
Meksika përballet me tre karvane që shtrihen përgjatë 300km në shtetet Çiapas, Oaksaka and Verakruz.
Të premten një karvan nga El Salvadori kapërceu Lumin Sushiate për t’u futur në Meksikë, duke sjellë rreth 1 mijë emigrantë që duan të mbërrijnë kufirin amerikan. Karvani fillimisht u përpoq të kalonte urën mes Guatemalës dhe Meksikës, por autoritetet meksikane u thanë se duhet të tregonin pasaportat dhe vizat dhe të futeshin në grupe nga 50 vetë që të bëheshin kontrollet në kufi.
Një tjetër karvan, me rreth 1 mijë vetë, u fut në Meksikë në fillim të javës së kaluar. Grupi përfshin shtetas nga Hondurasi, El Salvadori dhe Guatemala.
Grupi i parë dhe më i madhi, i cili përfshin kryesisht emigrantë nga Hondurasi u fut në Meksikë më 19 tetor.
Zyrtarët meksikanë kanë shfaqur mëdyshje nëse duan t’i ndihmojnë apo t’i pengojnë refugjatët.
Ministria e Brendshme e Meksikës përllogariti të shtunën se rreth 5 mijë emigrantë po përshkojnë pjesën jugore të vendit me karvane apo në grupe të vogla. Ministria tha se 2,793 emigrantë kanë kërkuar status azilantësh në Meksikë në javët e fundit, ndërsa 500 të tjerë kanë kërkuar ndihmë për t’u kthyer në vendet e tyre.
Edhe kur mbërrijnë kufirin amerikan emigrantët ndeshen me pasiguri.
Presidenti Donald Trump ka dhënë urdhër për dërgimin e trupave ushtarake në kufi me Meksikën në përgjigje të karvanit. Më shumë se 7 mijë ushtarë kanë marrë urdhër për t’u dislokuar në Teksas, Arizona dhe Kaliforni para zgjedhjeve të 6 nëntorit.
Presidenti ka në plan të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që mund të çojë në ndalime në masë të emigrantëve që kapërcejnë kufirin dhe të mos lejojë që asnjë prej atyre që futen ilegalisht të aplikojë për statusin e azilantit politik.
Komentet