Kohët e fundit është botuar në Tiranë vepra “Kartela të Realizmit të Dënuar” me autor Visar Zhitin, nga botuesi “Uegen”, nën kujdesin e shkrimtarit dhe studiuesit Xhevair Lleshi.
Kjo sprovë e gjerë letrare, rezultat i një pune shumë vjeçare, na sjell “letërsinë tjetër”, kur zyrtarisht ushtrohej Realizmi Socialist, me shkrimtarë të paguar nga shteti diktatorial, i cili i konsideronte dhe i trajtonte ata si oficerë të vetin, ndërkohë shkrimtarët kundërshtarë, ata që nuk e donin socrealizmin apo nuk e ushtruan, etj, u komplotuan me heshtje e margjinim, por një pjesë dhe u internuan, u burgosën apo u pushkatuan. U dënuan dhe veprat e tyre, madje dhe lexuesi.
Këtë gjëmë sjell dhe libri “Kartela të Realizmit të Dënuar”, letërsinë tjetë, që sipas Visar Zhitit solli ato që mungonin, të vërtetat dhe moralin e letërsisë. Vepra ka patur jehonë në media brenda dhe jashtë vendit, në diasporë dhe vazhdon të kërkohet nga lexuesi.
Krahas fillimit të këtij libri po sjellim dhe disa fletë ‘të rastësishme”, që na zbulojnë vokacionin e veprës.
Pllaka të kujtesës
dhe thasë…
Duke u endur rrugëve të qyteteve të tjera, mund të jesh i huaj, pelegrin a vizitor, ndoshta në kërkim të ndonjë muzeu a librarie tjetër, teatri a po shëtit i shkujdesur, ndodh të shohësh ca pllaka të vogla mermeri mureve, përanash portave, po dhe mbi rrugën, ku ti po ecën, në të cilat shkruhen se aty ka banuar një njeri i shquar, shkrimtar, shkencëtar, udhëheqës apo pikërisht aty është shkruar një vepër e madhe, që ka bërë epokë. Ndodh të gjesh dhe vargje nën këmbë, ti po shkel mbi poezinë si mbi ngazëllime. Dhe kujtohesh se ke lexuar për këtë emër të gdhëndur aty, ke libra të tij, ndalesh për pak çaste. Mes njerëzve i lutesh atij që ndodhet më pranë që të të shkrepë aparatin tënd fotografik ose me celularin tend bën një selfie.
Dhe futesh në atë shtëpi, të kap një emocion i bukur, i përthellët, dëshiron të biesh në mendime. Ku je kështu, në ndonjë panteon?
Mua më kap një si dhembje, më nëpërmendet padashur panteoni i nëndheshëm i atdheut tim, sipër muret e qyteteve me pllaka të rralla të atilla, ku përkujtoheshin më shumë atentate dhe aksione guerilsash, vrasje historike a histori të vrarë. Dhe emrat e rrugëve pothuajse kështu
Po filluan të bëhen muzeumet e kujtesës në posdiktaturë, së fundmi, ja BunkArti 1, BunkArti 2, “Shtëpia me gjethe”, shtëpia e… Po këto tregojnë diktaturën, forcën e saj, sofistikimet, po muzeumet e qëndresës, burgjet, kampet, qoftë dhe një shtëpi e thjeshtë ku jetonin ashtu ngushtë e dëgjonin fshehurazi stacionet e huaja në radio, lexonin libra të ndaluar, etj, etj.
Po studio shkrimtarësh, ku janë shkruar veprat, të cilat studiohen nëpër shkolla? Vërtet ku janë vendet e letërsisë shqipe? Vetëm në kryeqytet? Vetëm letërsi zyrtare, po nga ajo e ndaluara, që triumfoi mbi diktaturën? Po katet e tjerë të kujtesës dhe rradhët e nëndheshëm të ferrit? Natyrisht që s’janë skrivanitë e poltronat ato që vendosin, por vlerat e fletëve të shkruara, dhe nga ato të burgjeve dhe internimeve. Po ku janë?.
Arkivave? Vetëm ato që konfiskoi shteti? Ç’përkujdes tregohet për librin dhe për ata që do ta lexojnë? Kur Bibliotekën Kombëtare së fundmi një herë e dogji zjarri dhe një vit më pas u përmbyt nga ujrat? Të paktën të kishin ndodhur njëherësh, që uji të shuante zjarrin, por ndonjë media shkruante se s’pati ndonjë dëm të madh, u dëmtuan vetëm librat e pas viteve ’90, pra ata të pas shëmbjes së Murit të Berlinit dhe rënies së perandorisë komuniste, thënë troç që letërsia e Realizmit Socialist është e padëmtuar, kurse të tjerat, në rrënojat e panteonit të tyre te nëndheshëm.
Aty t’i lëmë thasët? Cilët thasë? Të burgut…
Pikërisht në thasë të vjetër, të arnuar, me njolla dheu e gjaku, ku të dënuarit dikur… ou, na çove larg, në rendin skllavopronar, jo, jo, është pothuajse tani, janë gjallë shumë nga ata ish të burgosur, që në ato thasë, ku mbanin veshje të tyre, që mund t’u kishin mbetur edhe prej të vrarëve, mes gjërave që haheshin, që i ruanin për ndonjë ditë urie edhe më të keqe, futnin copa letre, fletore e blloqe të shkruara, të tyret, të ndonjë bashkëvuajtësi, ia ruanin, e kishin amanet, ndonjëherë pa e ditur se të kujt ishin ato shkrime, që mezi lexoheshin, qenë ronitur, edhe minjtë kishin brejtur ç’kishin mundur, censura e tyre parake a e mëpastajme, e brendshme, njëlloj ishte, aq më mirë, se policia, po t’i kapte, s’do të kuptonin dhe aq censorët e shtetit.
Po të burgosurit dinin si t’i fshihnin shkrimet…
Ishte e pabesueshme, ndoshta dhe nga vetë ata që i kishin mbushur ato fletë në fshehtësi, se në thasët e burgut kishin të rrasur letërsi të ardhme, nga ajo e përvuajtura, e ndershmja, e shpëtuar nga kontrollet shfarosëse, nga djegiet, nga realizmi socialist.
Dhe s’ka gjë që në arkivat a bibliotekat tona, nëpër muzeume ende s’ka një thes të tillë dhe as fletë me njolla dheu e gjaku përsipër së shkruarës. Gjithsesi ata thasë janë si shakujt mitikë të Eolit, plot tufane për letërsinë shqiptare.
* * *
Në këtë sprovë a avitje do të doja të trajtohej dhuna dhe dënimi i ushtruar mbi letrat dhe njerëzit e përzgjedhur të letrave, mekanizmi i hatashëm i së cilës ka kërkuar mposhtjen dhe rrënimin tragjik të tyre. Është ndërmarrje e madhe dhe do të më pëlqente rrekja për të treguar për atë që s’iu bind dhunës dhe e sfidoi dënimin siç mundi, për atë pak letërsi, por jo të paktë, që u krijua fshehurazi në ferr, nën dhé, nga të dënuarit. Pikërisht atë që më bëhet s’e di më mirë.
Ndërkaq, duke parë dhe ndier mënjanësinë, mungesat dhe zellin e kundërt, nëpërkëmbjen, harresat deri dhe mohimin e saj, unë, si dëshmitar, do të mjaftohesha të tregoja që ka një letërsi, e cila na ka ardhur nga burgjet, është, dhe ka rëndësi edhe përtej letërsisë.
Po patjetër dhe për letërsinë. U arrit në kohën e pandemisë ideologjike të totalitarizmit.
Natyrisht, kjo ndërmarrje e nisur herët, nuk ka si të mbarojë me këtë punim, por duke përmbledhur dhe zgjeruar ndihmesën time, dua të sensibilizoj e të nxit. Të rikujtoj.
Më nëpërmenden ata shkencëtarë, studiues antropologë e zoologë, që me një copë kocke prehistorike të gjetur, gjymtyrë e kohës së dinozaurtë, ribëjnë përbindëshin dhe kohën e përbindëshave, gjejnë se si kanë ecur e zvarritur duke trandur token, si kanë klithur e janë ushqyer. Me bar? Por edhe me njerëz, Brenda mbetjeve të eshtave të tyre kanë dalluar eshtra njeriu. Dhe kështu mund të kuptohen epokat dhe betejat për jetën.
Dridhem kur kujtoj kocka të thyera njeriu, jo metaforike, të gjetura andej-këndej, në gropat e malit të Dajtit mbi kryeqytet a në fushëtirën e burgut të Ballshit, të burgjeve të tjera, në tokat ku dikur ishin këmetat, në pjerrinat e frikshme të Spaçit, në oborrin e burgut të Burrelit, në udhën ku u bë masakra e Tivarit, në gropat e varrezave masive të fuftës më të fundit në Kosovë, shumë ndryshe nga gropat mesjetare të murtajave.
Po që ka dhe kocka të mbetura të një poeme, të një romani. A mund të ngrihet me to një letërsi?
POR RA NJË EPIDEMI TJETËR
– A nuk vepruan siç duhej? –
Shqiptarët, që ende kishin nëpër shtëpitë e tyre ushtarët italianë, që me të kapitulluar fashizmi, mbetën rrugëve, të uritur, dhe kërcënoheshin nga zëmërimi nazist, se gjermanët i vrisnin po t’i kapnin, pra gjetën strehë dhe bukë te familjet shqiptare dhe, edhe pse kishin ardhur si pushtues, i përcollën si vëllezër, këta shqiptarë që mbrojtën dhe hebrenjtë gjatë Luftës, nuk i dorëzuan te bisha nazi-fashistët, dhe ashtu siç vinn nga mundnin, i futën nëpër shtëpitë e tyre, u dhanë emra si të tyret, këta shqiptarë, pra, që i zgjasnin dorën e ndihmës tjetrit, duke i besuar si vetes, që dhe armiqtë i kthenin në vëllezër siç porosit dhe Bibla, që edhe pse kishin përqafuar disa fe, duke qenë vendi i parë i krishterë në Ballkan, ortodoksë e katolikë, por me shumicë të konvertuar në myslimanë, në bektashinj, por që mbeteshin njerëzit e vendit më emblematik në botë, të haromisë fetare, këta shqiptarë kështu, tani po urrenin njëri-tjetrin, të ndarë nga një luftë klasash, po vriteshin mes tyre.
Ç’epidemi kishte rënë?
..
Dijetari Hafiz Ali Korça që vitin 1925, në librin “Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzit” u kishte thënë shqiptarëve:
Bolshevizma s’pajton kurrë
Me dinin e Muhamedit
Çelët do ta kenë luftën
në ditën e Kijametit.
Me të mbaruar Lufta e Dytë Botërore, sa të merrnin pushtetin fitimtarët, do ta arrestonin menjëherë, me të parët… Pushaktime. Edhe nga bektashinjtë.
Metropolit i kishës autoqefale ortodokse, Visarion Xhuvani, bashkëpunëtor i Fan Nolit, senator, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, etj, përkthyes i “Mesharit” dhe i librave të tjerë fetarë, do të arrestohej që në 1947 dhe do të dënohej me 20 vjet burg. Do të dilte nga Burrel në moshën 76 vjeçare për t’u prehur në varrezat e fshatit.
Edhe pasardhësi i tij, Kristodor Kisi, i cili kishte dashur gjatë luftës, nën pushtimin italian, që Kisha Ortodokse shqiptare të bashkohej dhe të njihte Vatikanin ashtu si arbëreshët, u helmua në vitin 1948 dhe vendin e tij e zuri kryepeshkop Paisi, mbështetës i komunistëve, babai i Josif Pashkos, partizan, zv/prokuror dhe ministër i shtetit, gjyshi i Gramoz Pashkos, një nga liderët kryesorë të lëvizjes opozitare, themelues në Partinë Demokratike.
Kështjella e katolicizmit shqiptar do të goditej më rëndë dhe më ashpër dhe do të ishte ajo që do të bënte qendresë më të madhe ndaj barbarisë. Fitimtarët me ta e nisën, kështu i nxiti djalli. Lufta mbaroi, por jo vrasjet. Dhe të parët që do të pushkatonin, ishin dhe poetë.
Burgjet do të mbusheshin plot.
NJË KARTELË NGA MESI:
Vehbi Skënderi
dhe bija e tij e poezisë…
…s’po dukej më në faqet e gazetave, as në vitrinat e librarive emri i poetit Vehbi Skenderi. E kanë ndaluar… Ku i kishin çuar, në ç’internim?
Ishte poeti që më jepte kurajo, kur trokisja redaksive për botim e më prapsin.
…bir i një familjeje të një kleriku të njohur nga Korça, nga fshati Strelcë, ku dhe lindi në maj të vitin 1927 dhe aty kreu dhe shkollën fillore. Gjatë Luftës së Dytë Botërore e rrëmbeu me forcë ushtria greke dhe e dërgoi në front, të punonte për rrugët.
Ikën në Tiranë dhe studion në “Medresenë e Lartë” nga vitet 1941-1943, por i ndërpret dhe del malit partizan, të luftojë me armë në dorë pushtuesin. Plagoset dy herë. Dhe shkruante. Boton së pari në gazetën “Bashkimi” historinë tronditëse të një çami.
Mbas luftës i kthehet gazetarisë, punon në revistën “Miqësia” e më pas në “Hosteni” dhe kalon në “Ylli” dhe me propozim të poetit Lasgush Poradeci, në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe në vitin 1953 nxjerr librin “Këngët e para”. Më pas “Vjersha”.
Përfundon studimet e larta në Universitetin e Tiranës në vitin 1961, diplomohet për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe boton librat “Fletë nga ditari im” (1964), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), vjersha, poema, antologji, etj. Ndërkaq është bërë redaktor i poezisë në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”, kur ka filluar përplasjet ideore me regjimin, madje dhe hapur, kur me një grup intelektualësh të njohur si profesor Selman Riza, kolonel Dilaver Radëshi, historiani Zija Shkodra, etj. përgatisin një “Brigadë shtypi”, por partia do e cilësonte si veprimtari armiqësore, nacionaliste, ngrinin çështjen e Kosovës, duke e parë atë si pjesë të robëruar të atdheut dhe kështu nisin kundër tyre senanca gjyqesh absurde dhe të ankthshme. Dënohet grupi dhe me burgje.
Poeti Vehbi Skënderi shpallet “i ndaluar”, hiqet nga Partia dhe e dëbojnë nga Tirana, e dërgojnë larg të punojë si punëtor krahu në digat e hidrocentralit të Vaut të Dejës. Kalojnë 5 vjet dhe “puna korrektuese” vazhdon, në kantiere të tjera.
Viti 1973 do të jetë fatal për letrat shqipe. Pleniumi IV i Partisë dënoi liberalizmin në art, “ndikimet e huaja revizioniste dhe borgjeze”, atë pakëz pranverë shqiptarë, që u tha shpejt. U dënuan autorë dhe vepra dhe u ridënuan të dënuar. Vehbi Skënderin e internojnë, e dërgojnë familjarisht në një fshat pas Malit të Dajtit. Do të donte të vriste veten, por kishte gruan dhe vajzën e tij të vetme, që po ndjehet jetime me babanë gjallë, se kishin filluar ta shihnin shtrembër e me dyshime dhe atë, si me “biografi të keqe”.
Pas 10 vjetësh përndjekje Vehbi Skënderi mundi të kthehet në Tiranë, i plakur befas duke punuar në Kombinatin Poligrafik fillimisht si hamall..
Vajza, Elida Skënderi, do të ishte një nxënëse e shkëlqyer, e donte poezinë dhe po shkruante si i ati. Por ajo s’mund të botonte si ata të rinj e të reja “me biografi të keqe”, që madje ndodhte të shaheshin dhe rrugëve nga militantët e gjimnazeve, të edukuar me frymën e re të luftës së klasave.
Mbaron shkollën e mesme dhe bën gati librin e saj të parë me poezi “Vij”. Jo libri që s’mund të botohej, por nuk e lejuan as të vazhdojë universitetin, por e derguan të punojë punëtore në fabrikën e pllakave dhe në Varrezën e Sharrës. Megjithatë shkruante prapë dhe mësonte gjuhë të huaja në kujdesin e babait dhe të gjuhëtarit, përkthyesit të shkëlqyer, mistikut Petro Zheji.
Mbas vdekjes së dikatorit Enver Hoxha në vitin 1985, Elidës i jepet e drejta të japë provime në shkollën e lartë, pa u shkëpur nga puna, në fakultetin e gjuhës dhe letërsisë shqipe, pasi kishte dhënë me shkrim një dëshmi se “kishte talent” kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agolli.
Elida kryen universitetin brenda tre vjetëve. Babai i saj, poeti i ndaluar Vehbi Skënderi, merr disa poezi, jo të vetat, por të së bijës tani dhe shkon në gazetën “Drita”, kërkon që të botohen. Aty ishte redaktor poeti, tashmë i njohur, Skënder Buçpapaj. Vinte nga bjeshkët e Tropojës, i gjatë dhe i heshtur si ato, se ç’kishte dhe ai në biografi, thoshin, por në “vitet e liberalizmit” e lejuan të studiojë në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku dhe e njoha, unë sapo e mbarova dhe më dërguan mësues fshatrave të Kukësit e ai sapo e filloi. Prapë me një letër nga Kryetari Dritëro Agolli, Skënder Buçpapaj çohet të kryejë studimet në kryeqytet, në Tiranë, kur kishte botuar ndërkaq librin e parë me poezi, “Zogu i bjeshkës”, 1973, i pritur mjaft mirë nga lexuesi dhe kritika.
Poeti Skenderi Buçpapaj do të botonte ciklin e parë me poezi të Elidës, madje dhe përkthime të saj, poezi nga Carl Sundberg etj. dhe do të bëhej bashkëshorti i saj.
Duhej të binte komunizmi, që poetja Elida Buçpapaj të botonte librin e parë me poezi në vitin 1994, ndërkohë do të jetë dhe reporterja e parë si gazetare e “Zërit të Amerikës”.
Pasi emërohet drejtor i Radio-televizionit shqiptar, Skënder Buçpapaj dërgohet si diplomat në Zvicër dhe aty mbeten familjarisht përgjithmonë.
Poeti Vehbi Skënderi rinohet me poezinë e tij, nxjerr përmbledhjet “Hënë e vjedhur” në vitin 2000 dhe “Zvicra, Shqipëria ime” në 2004 “Mirëmëngjes, Shqipëri” në 2009.
Në qershor të 2011 mbyll sytë përgjithmon:në Zvicrën e bukur.
E bija e tij, poetja Elida, do të vazhdonte me poezinë, nxjerr 5 libra, 2 me publicistikë, ndërsa poeti Skënder Buçpapaj do të nxirrte vëllimin poetik “Frikë nga atdheu”, “Vetëm të vdekurit pendohen”, së fundmi librin me poezi “Imgur”
Ata prej vitesh drejtojnë në Zvicër revistën kulturore elektronike “Voal.ch”…
* * *
Dhe do të ringjalleshin emra…
Ja, vepra e madhe e të ngujuarit At Justin Rrota, shkrimtar dhe gramatolog, punimet e të cilit i merrnin profesorë të njohur të realizmit socialist, bashkëpunëtorë shkencorë, por më shumë me regjimin, dhe i botonin me emrat e tyre. “Randsi ka qi dalin, s’ka randësi emni”, thoshte At’ Justini, – kështu na tregonin, kur ishim studentë në Shkodër. .
Tregime dhe novela dhe përkthime të At Justin Rrotës janë përmbledhur në dy vëllime, “Rreth votrës” dhe “Votra kristiane”. Në “Kujtimet e një të sëmundi” janë 38 vjetët e tij, i paralizuar, si i mbërthyer në një kryq, (ndoshta prandaj dhe nuk ishte e nevojshme ta burgosnin, kostonte mbartja e tij).
Dhëmbja shtohej dhe me dhëmbjet e të tjerëve. E rëndonte apo e lehtësonte kryqin kjo gje?
* * *
Edhe profesor Kolec Topalli, duke kujtuar jetën në internime, shkruan për “internimet” e gjuhës si një shkencëtar i vërtetë.. Në internim do t’i shkruante poezitë e saj Shane Mudaj, edhe Vitore Leka Stefa bashkë me të bijën, duke i lidhur dhëmbjet me nostalgjinë e mëpastaj,e të mërgimit.
“I ardhur nga katedra e ferrit” do të jetë titulli i romanit të të dënuarit Bajram Z. Berisha, botuar nga i biri i tij, diplomati Mal Berisha, që ndjek atë traditë prekëse “të ferrit prapë”.
Vera Bekteshi, nga “Blloku” komunist do të dërgohej internimeve, por dhe ajo do të sillte romanin e saj, ku ndërthuren dy jetët paralele.
Në internim do të çonin dhe gazetaren Kozeta Mamaqi, aty do të niste të shkruante dhe poezitë e veta Sokol Olldashi, i biri, që do të njihej në posdiktaturë si ministër i qeverisë demokratike e do të përfundonte me një tragjedi..
ALBANALOGU
ROBERT ELSIE
(1950 – 2017)
AI QË BËRI NJË HISTORI TË LETËRSISË SHQIPE
…ai mësoi gjuhën shqipe dhe e deshi shumë. Deshi letërsinë e saj. Erdhi dhe e pa dhe vendin ku ajo flitej, u mahnit nga peizahet dhe u bë dhe pelegrin.
U bë dhe vete “shqiptar” dhe pjesë e vyer e kulturës shqiptare.
Është i pari që bëri një hisori të letërsisë shqipe, jo vetëm mbarë kombëtare, por futi brenda atë kishte munguar, letërsinë e dënuar
Robert Elsie, mbase albanalogu më i madh, të paktën me kontributet më të mëdha në gjysmën e dytë të shekullit XX, me një korpus të larmishëm veprash, antroplog e poliglot, njohës i Ballkanit, autor në anglisht i enciklopedive, fjalorëve dhe monografive për Shqipërinë, Kosovën dhe Çamërinë, i alfabeteve të shqipes, qëmtues i dy dialekteve dhe të folmeve gjithkund, brenda dhe jashtë Shqipërisë, në Greqi, Mal të Zi, Maqedoni, Kroaci, Bullgari, matanë në Itali e deri në Turqi e Ukrainë, për religjionet dhe mitet shqiptare, hartues antologjish në poezi dhe prozë shqipe, të përkthyera nga ai vetë, mbrojtës i identitetit shqiptar, (i kërcënuar dhe me jetë nga qarqet shovene përreth).
Është marrë dhe me autor të veçantë të letërsisë shqipe, duke i përkthyer në anglisht, por dhe në gjermanisht e frengjisht e botuar në Gjermani, Francë, Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj, duke bërë dhe kritikën e tyre, vargan punësh që kulmojnë me botimin e eposit fishtian “Lahuta e Malcis”.
…lindi në Vancouver në Kanada, në 1950 dhe studioi në British Columbia, u laurua për linguistikë dhe i vazhdoi studimet në disa universitete në Europë, “Free University of Berlin”, në “University of paris IV: Paris-Sorbonne”, “Dublin Insstitute for Advanced Studies”, në Bonn, etj
Në 1978 vizioi Shqipërinë me një grup studentësh dhe profesorësh të Bonit dhe ndoqi për disa vite (1982-1987) Seminaret Ndërkombëtare për Kulturën, Letërsisnë dhe Gjuhën Shqipe në Prishtinë.
Ka punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë në Bon dhe në Gjykatën e Hagës, në Tribunalin Ndërkombëtar të Krimeve të ish Jugosllavisë, ku ka bërë dhe interpretin në disa çështje të rënda, përfshirë dhe Slobodan Milosheviçin.
Është i njohur rasti kur Robert Elsie, teksa përkthente dëshmitarët e masakrave në Kosovë, befas la mikrofonin dhe ia shkrepi të qarit.
Dhe shqiparët e qanë vdekjen e parakohshme “të birirt të tyre shpirtëror”, që u shua në tetor të 2017 dhe sipas miqve të tij, ai kishte kërkuar të varrosej në Alpet e Shqipërisë.
Dhe ashtu u bë. Para kishës në Theth varri i tij mbushet me lule bjeshkësh në verë dhe me borën dimërore.. .
Nga fundi i shekullit të kaluar, po në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Dr. Robert Elsie botoi në vitin 1995 “History of Albanian Literature”, që u përkthye në shqip “Historia e Letërsisë Shqiptare” dhe u botua në vitin 1997, kur vendi ishte përfshirë nga kaosi, dukej sikur po kërkohej shpagim për demokracinë e porsa nisur, po binte shteti dhe njerëzit e rebeluar nga humbjet e parave në firmat piramidale, kishin sulmuar depot e armëve të ushtrisë, po çarmatosej Shqipëria dhe po armatoseshin shqiptarët.
Letërsia ndjehej më e tepërt se kurrë, e huaj.
Të mahnit puna e gjerë e Dr. Elsie-së, imtësitë, historia e shqiptarëve nga Ilira te Bizanti dhe lindja e letërsisë shqipe, fillimet e shkrimit shqip, shekujt XVI-XVII, “Letërsia myslimane” dhe “Tradita ortodokse” dhe “gjurmët e fundit të shkrimeve katolike”, në shekujt XVIII – XIX, “Letërsia arbëreshe”, “arti bektashian, Rilindja, diaspora, shekulli XX, “Letërsia nën regjimin e Enver Hoxhës dhe dalja nga izolimi”, “realizmi socilist” dhe shkrimtarë që u burgosën duke mos e zbatuar atë.
Robert Elsie është i pari që i nxjerr dhe i bën bashkë dhe shkrimtarët e dënuar, madje “Historia e Letërsisë Shqiptare” e tij është e vetmja histori e pas viteve ’90.
Ai do ta rimerrte ndër duar sërish, më të sintetizuar do ta botonte dhe në shekullin e ri, në vitin 2006. Del dhe në shqip me titullin “Letërsia shqipe: një histori e shkurtër”.
Letërsia shqipe është një letërsi europiane, – e fillon parathënien e tij Robert Elsie, – ajo është zhvilluar relativisht e veçuar nga kulturat mbizotëruese europiane… – dhe vazhdon të shpjegojë karakteristikat që ka zbuluar nga kjo letërsi, të cilat e kanë berë “kaq të mahnitëshme”.
“Në nivel ndërkombëtar, tema e letërisë shqipe ende mbetet përgjithëisht e pa trajtuar. Kjo lënie pas dore vjen kryesisht nga mungesa e specialistëve ndërkombëtarë me njohuri të shëndosha të gjuhës letrare shqipe dhe jo për shkak të ndonjë mungese të vetë krijimtarisë letrare”
Tani na vjen radha ne të themi: mahnitëse!
NJË UDHËZUES LETRAR
Porosia ndërkaq u duk se ardhi. E thjeshtë dhe e rëndësishme. E dalë nga brenda nesh Imzot Zef Simonit botoi në Shkodër më 2006 një monografi kritike, “Letërsia shqipe e pame ndryshe”, që më ngjan dhe si udhëzuese dhe si metodë..
Rëndësia e këtij studimi është madhe, një vështrim tjetër jo vetëm për letërsinë tjetër, por për të gjithë letësinë shqipe. Një fillim që do të kërkonte zgjerime dhe përthellime të çështjeve që sintetizohen thjeshtazi aty, ku, sipas autorit, ka rëndësi të posaçme dhe formimi katolik si kulturë.
Ai bën një ekskurs letrar nëpër rrjedhat e kohës, që në fillimet “me Shën Jeronimin e me një letërsi katolike e atdhetare me shkrimtarët e dalluem të Veriut, si: Barleti, Biçikemi e në shekullin XVI Buzuku, Budi, Bardhi dhe i dhe i shquemi Imzot Bogdani me veprën “Çeta e profetënve”. Edhe një letërsi të shqueme arbëreshe.”
Sipas autorit, letërisa e Rilindjes e Shekullit XIX shfaq rryma dhe koncepte të gabuara filozofike, panteizmin e Naimit, deizmin dhe iluminizmin e Samiut, të këqijat e ateizmit të Çajupit.dhe vazhdon me portrete shkrimtarësh duke na dhënë kështu një letërsi shqipe si letërsi të individëve. Ndërkaq ai hap kapituj të veçantë në këtë hulli si “Grupi i pastër në letërsinë shqiptare”, “Shkrimtarët e fjalëve të mira”, “Korrenti fetar…”, etj dhe ndalet gjatë dhe kritikueshëm te Migjeni.
Pastaj hap kreun “Realizmi Socialist”, “i shëmtuem” sipas tij, ku “do të kemi deformimin e kulturës dhe të arteve me dhunë e me gënjeshtër” e shkrimtarët e kësaj metode kanë “talent socialist” apo “të randë”, etj, etj, e Kasëm Trebeshin “disidenti i flaktë” e Martin Camaj “i një fuqie europiane”, etj.
Pas kreut “Një grup klerikësh mbas diktaturës”, është i pari që hap në një histori të letërsisë shqipe kreun “DISIDENCA”,
Mes të tjerash ai trajton dhe “shkrimtarët me të cilët kalova jetën e burgut të Spaçit, si: Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Luan Myftiu, Frederik Reshpja, Visar Zhiti, Maks Velo
Monografia mbyllet me kreun “I përosun i botës dhe i gjithçkafes asht Zoti”
Ajo që unë e konsideroj me rëndësi dhe risi në studimin e letërsisë së tanishme shqipe, është definicioni “Letërsi e Grupit të Spaçit”. Kjo sjell një thyerje dhe një hop në kritikë. Dalim nga letërsia e individëve dhe kalojmë në grupin e indivitëve në letërsi. Letërsia e burgut bëhet imponuese. Edhe pse tërthorazi duket sikur gjendemi ende përballë një mosaprovimi të rafinuar e jo gjithmonë të tillë, Letërsia e dënuar është vetë shkollë tashmë.
Komentet