Prokurorët në Manhatan, në Nju Jork, që po hetojnë ish-Presidentin Donald Trump, kanë thirrur një juri të madhe për të dëgjuar provat lidhur me një hetim disa-vjeçar mbi pagesat për të blerë heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, lidhur me dyshimet për marrëdhënie seksuale me zotin Trump, njoftojnë disa burime lajmesh.
Rrjete mediatike, duke cituar burime të paidentifikuara, njoftuan se personat e thirrur filluan të japin dëshmi përpara jurisë së madhe të hënën, duke sinjalizuar një përshkallëzim në atë që prokurori i Qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg, e ka cilësuar si “kapitulli tjetër” i hetimeve të zyrës së tij ndaj zotit Trump.
Një zëdhënës i zyrës së zotit Bragg nuk pranoi të komentonte. Në një postim në platformën e tij “Truth Social”, zoti Trump e kritikoi prokurorin Bragg duke e quajtur atë si prokuror të majtë radikal, ndërsa tha se juria e madhe ishte “një vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave të të gjitha kohërave”.
Më parë në Nju Jork janë mbledhur juri të mëdha për të shqyrtuar mundësinë e ngritjes së akuzave penale kundër zotit Trump, por deri tani nuk është lëshuar ndonjë aktakuzë.
Juria e madhe e Manhatanit është kërcënimi më i fundit ligjor ndaj zotit Trump, ndërsa ai shton ritmin e fushatës së tij presidenciale.
Hetimet bëjnë fjalë për pagesat prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pronografikë Stormy Daniels dhe 150 mijë dollarë për ish modelen e revistës Playboy Karen McDugal, për të blerë heshtjen e tyre në prag të fitores së zotit Trump të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016. Ish-Presidenti Trump ka mohuar të ketë patur lidhje to.
Ish-avokati personal i zotit Trump, Michael Cohen, e pagoi zonjën Daniels përmes kompanisë së tij dhe tha se ishte rimbursuar më pas nga zoti Trump.
Pagesa për zonjën McDougal u bë përmes botuesit të tabloidit “National Enquirer”, që më pas e mbylli ngjarjen e saj në një praktikë të dyshimtë gazetareske për të ndihmuar zotin Trump që të zgjidhet president.
Gazeta “The New York Times” njofton se ish botuesi i tabloidit, David Pecker, u pa të hënën duke hyrë në ndërtesën ku ishte mbledhur juria e madhe.
Ish avokati i zotit Trump, Michael Cohen, u deklarua fajtor në vitin 2018 se kishte shkelur ligjin e financimit të fushatës elektorale, pasi kishte kryer pagesat. Pas një viti në burg, si rezultat i shpërthimit të pandemisë COVID-19, ai u lirua me kusht.
Prokurorët federalë thonë se zoti Trump ishte në dijeni të pagesave, por ata refuzuan të ngrinin akuza ndaj tij. Më herët, zoti Cohen i tha agjencisë së lajmeve Associated Press se ishte takuar kohët e fundit me prokurorët e Manhatanit për rreth dy orë e gjysmë.