Belind Këlliçi, kandidati i opozitës për kryebashkiak të Tiranës, ka reaguar pas pamjeve dramatike që u shfaqën sot në Tiranë, ku mijëra studentë kishin lënë mësimin për të mbajtur radhë për abonetë e urbanëve.
“Unë kam një projekt dhe zgjidhje, – shkroi Këlliçi. – Transporti publik falas i heq keto radhë, këto mundime që kalojnë njerëzit si sot, me orë të tëra ngjeshur duke shpresuar të mos mbarojnë abonetë.”
Ai nuk la pa ironizuar edhe premtimin e harruar të kundërshtarit të tij politik, Erion Veliajt, që vazhdon e premton akoma tren elektrik.
Më herët, znj. Silvi Bardhi, zëdhënësja e fushatës së tij, shkoi vetë në rrugën kryesore përpara QSUT-së, aty ku studentët ishin rreshtuar që nga mëngjesi duke pritur me durim. Bardhi denoncoi dështimin e kryebashkiakut Veliaj me transportin urban; radhët e gjata në pikat e shitjes së aboneve në Tiranë e dëshmojnë se çfarë vuajnë banorët.
Bardhi nënvizoi se zgjidhja e kësaj krize vjen nga projekti i Belind Këlliçit: “Oferta e Këlliçit është: Transport cilësor e falas. Kjo do të vijë në 14 maj me drejtimin e Bashkisë së Tiranës nga Belind Këlliçi. Kjo situatë shihet nga të gjithë ne, ne jetojmë në Tiranë, ne e prekim çdo ditë atë, ne udhëtojmë me autobus, udhëtojmë me shërbimin urban, atë që shohim s’mund ta mohojmë.
Ky kaos është në rrugën e Dibrës, nga QSUT drejt Kinostudios; kjo rrugë ka linjën e Kinostudios. Në këtë moment teksa studentët presin të marrin abone, ka qytetarë të tjerë që presin autobusin të vijë dhe ende nuk ka ardhur. Kur vjen, autobusi është plot me njerëz.
Qytetarët janë të stresuar, të shqetësuar. E kanë këtë shqetësim e druhen që ta thonë këtë. Jemi në terren për të parë situatën nga afër, ajo që shohim është ky kaos. Ka që në mëngjes dhe radha ka qenë më e gjatë, siç na thonë tregtarët ambulantë. Ndodhemi edhe në një korsi biçikletash që nuk funksionon, sepse ka shumë kaos.
Belind Këlliçi ka një plan për qytetarët: Transporti do të jetë cilësor dhe falas. Vetëm me 16.5 milionë euro të buxhetit të Bashkisë, kjo situatë do të rregullohet. ytetarët s’do kenë nevojë më të marrin makinat e tyre, nuk do të harxhojnë më për naftë, benzinë, do të ketë më pak qarkullim, ndotja do jetë më e pakët. 80 mijë lekë në muaj të familjarëve do të reduktohen nga shpenzimet e tyre mujore,” theksoi znj. Bardhi.