Butrinti mbetet qyteti më në zë i kaonëve dhe më i lashti e më i lulëzuari ndër qytetet apo qendrat e tjera të banimit. Toka pjellore rreth tij, skela, detaria, afria me kulturën e zhvilluar të Korkyrës greke e zhvilluan dukshëm këtë qytet.
Qyteti tjetër më në brendësi është Foenika (Finiqi), i cili as që bëhet fjalë të jetë më i hershëm se shek. III para Krishtit. Ai është konsideruar si një qytet i periudhës së dytë helene. Të kësaj kohe janë qendrat e tjera të banimit: Akondis, Çuka e Ajtoit, Vagalati, Malatera, të ndërtuara me stile të përziera në shekullin II para Krishtit, gjatë periudhës së lulëzimit të shtetit të pavarur të prasaibëve.
Muret e qytetit të Butrintit, ato më të hershmet, studiuesi Selim Islami i daton jo më parë se të shek. VI para Krishtit. Qytetet e tjera të Kaonisë janë: Orikumi, në veri; Ambrakia, në jug të Epirit; Adrianopuli, në qendër.
Arkeologu italian, Ugolini, ka konstatuar në Butrint një lloj muri të papërpunuar, që ndiqte linjën e mureve të vjetra, që ai i quan “pellazgjike”. Teknika e tij është gur i thyer dhe i vendosur pa lidhje.
P.Kabani vë re se në fshatrat rreth Butrintit ekzistojnë zakone të ndryshme nga ato të popullsise greke, si:
– Pozita e veçantë e femrës, e cila, në ndryshim me pozitën e femrës në qytetet greke, mund të ketë të drejtë pronësie dhe të luajë rolin e kryetarit të familjes.
-Shoqëria në Epir është e ndërtuar në grupe etnish (jo në qytete). Mustili jep të dhëna më të hershme. Ai thotë se Butrinti është themeluar nga kolonë grekë.
Për sa u përket mureve të rrethimit të vjetër, vetë ky autor mendon se muret “i përkasin periudhës parahelene”. Hamondi (Epirus) thotë: “Shkallëzimi i mureve synon të prishë rregullsinë e radhëve horizontale… Lidhjet pingule nuk janë gjithmonë pingule”.
Shkallëzimi i mureve konsiderohet i periudhës parahelene. Ndër legjendat kryesore për Butrintin na duket me interes ajo e Kadmit dhe e Harmonisë, të cilët erdhën nga Egjipti. Kjo legjendë duhet të jetë më e lashtë. Ajo bën fjalë për një fis pushtues që mbërriti nga Jugu dhe u hodh në Ballkan përmes ishullit të Kretës.
Fillimin pellazgjik, historianët e lashtë e datojnë në vitet 2900 para Krishtit. Legjenda tjetër është ajo e themelimit të këtij qyteti nga refugjatët trojanë. “Eleni me Andromakën dhe shpurën princërore u shitën si skllevër apo…?”
Teukri (shek. I para Krishtit) thotë: “Eleni (Coleni?), posa mbërriti në brigjet e Epirit, sipas zakonit, vendosi t’u bënte fli perëndive. Kau që u caktua për këtë rit, sa mori goditjen e parë, u hodh në ujë, notoi disa kohë nëpër një gji deti dhe, pasi arriti në breg, i plagosur, siç ishte, ra”.
Këtë ngjarje Eleni e mori si këshillë të perëndive për të themeluar aty Buthrotin.
Shënim:
Qytete të tjera në Kaoni janë: Amantia: qytet pranë Orikut (Orikumit të sotëm). Ky qytet banohej dikur nga abantët që ikën nga Troja.
Sipas kësaj dëshmie, të sjellë nga S.Bizantini, Amantia duhet të jetë një ndër qendrat e banuara më të lashta të kësaj treve, së paku 12 shekuj para Krishtit. Byllis: Qytet i Ilirisë. Ndërtuar nga Neoptolemi i mirmidonëve (djali i Pirros që erdhi në Epir pas shkatërrimit të Trojës). Emri i tij i lashtë: Bylideus. Tragasai: Qytet afër Orikumit (Tragjasi i sotëm). “Këtej rrjedh dhe kripa tragase”, – thotë Bizantini. Këtë të dhënë ai e ka të marrë nga Helaniku i cili e përmend në veprën “Lesbiaket”. Sipas Bizantinit, Kaonia ishte mesi i Epirit.
Kaonët i dëgjonin thëniet e Zeusit. Ai flet për dy Kaoni. Kaonia e Poshtme quhej Kaonia pellazagjike. Ata të poshtmit ishin besimtarë, i dëgjonin thëniet e Zeusit.
*VOAL po boton “Kaonia jugore” e cila vijon librin studimor “Në kërkim të rrënjëve” të shkrimtarit dhe diejtarit të shquar Sulejman Mato.
Komentet