Isha i vogël atëherë, nuk e mbaj mend sa vjeç isha, ndoshta 10 vjeç. (Unë u linda më 18 janar 1959). Ngrihesha herët në mëngjes sepse diku aty në lagjen time mblidheshin ca djem dhe këndonin me kitarë. Ishte kitara ajo që më zgjonte çdo mëngjes. Unë drithërohesha nga tingujt e saj, më përshkonin gjithë trupin, më dukeshin si një flladitje pranverore. Shkoja afër tyre, ulesha diku dhe i dëgjoja me vëmendje, i heshtur, pa bërë zë, sepse kisha frikë mos më thoshin: “Ik nga aty”, megjithse ata nuk e kishin fare mendjen nga mua. Pasi kishin kënduar këngët e tyre më të bukura (kështu bënin çdo ditë), largoheshin. Edhe unë kthehesha në shtëpi, gjatë gjithë rrugës përsëritja ndonjë varg kënge që më mbetej në mendje. Më pas mësova edhe tekste të plota. Një ditë teksa isha kthyer në shtëpi i thashë nënës: “Nënë unë dua të ble një kitarë”. “Po ti je i vogël more Maksi, kur të rritesh do të blejë nëna ty një kitarë të bukur…”. Këtë kërksë nisa t’ia bëja shpesh, por nëna ime gjitnjë gjente justifikime edhe pse unë isha rritur, isha në klasën e 6 të shkollës 8-vjeçare “Naum Veqilharxhi”. Megjithatë, nga kërkesa për blerjen e kitarës nuk hoqa dorë, por së fundi i humba shpresat. Nuk do të kisha kurrë një kitarë, ndoshta gjithë jetën do të dëgjoja kitarat e të tjerëve. Dy motar e mia Efi dhe Adriana më shihnin me dhembsuri, por nuk më ndihmonin dot, ndoshta as vëllait nuk i shkonte ndonjëherë nëpër mend kitara ime…
Kitara ime
Mirëpo nuk ndodhi kështu. Vëllai im që ishte më i madh, Shkëlqimi, (dhe që unë e thërrisja shkurt “Çimi”), një ditë u kthye në shtëpi me një kitarë të bukur në dorë. “Kjo është për ty!”- më tha. Nuk po u besoja dot syve. Ai vërtet kishte sjellë një kitarë të bukur, një shoku i tij ia kishte dhuruar enkas për mua. Tashmë unë isha 13 vjeç dhe kitarën e kisha mësuar nga shokët e mi të klasës, disa prej tyre kishin kitara. Në çastin që e mora në dorë kitarën time m’u duk vetja sikur po fluturoja nëpër qiell. E mbajta veten se nuk desha të lotoja. Kitara ishte ëndrra ime e madhe. Për gjetjen e kitarës me sa kuptova paskësh qenë e impenjuar gjithë familje, por pa më treguar mua. Ishte surpriza më e bukur e jetës time. Pas një çasti, mora kitarën dhe nisa të luaja një melodi. Pranë meje u ulën dy motrat e mia, vëllai dhe dy prindërit e mi. Të gjithë më përgëzuan. “E meriton kitarën”, më thanë. Dhe që nga ajo ditë nuk u ndava më prej saj. Këndoja, shkruaja vargje, nisa të kompozoja. Më pas u bëra pjesë e grupeve që këndonin serenata. Tashmë nuk isha më ai djali i vogël që i dëgjonte i drojtur duke ndenjur diku larg serenatistëve.
Po shquhesha si kitarist
Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare më dërguan në shkollën e ndërtimit, ashtu ishte koha atëherë të dërgonin atje ku kishte nevojë atdheu. Ishte një shkollë që nuk më shkonte për shtat, por fatin tim, nuk mund ta ndryshoja dot, ishte në dorë të të tjerëve. Kitarën sërish nuk e hoqa nga dora, sapo kthehesha nga shkolla luaja në kitarë dhe përpiqesha të kompozoja këngë. Herë herë ia dilja mbanë. Pas pak kohësh u bëra kitarist me emër, shoqëria më përshëndeste me respekt. Tashmë përpiqeshim të bënim edhe ndonjë këngë për çupat, donim të tërhiqnim vëmendjen e tyre, t’i bindnim ato që ne tashmë ishim dikushi, nesër mund të ishim edhe muzikantë të njohur. Gjithashtu unë isha i vlerësuar edhe edhe si recitues. Sa herë recitoja poezi, klasa binte në heshtje. Dhe për të më treguar që ishte vërtet recitues i zoti, nisi të më recitonte vargjet e Dritëro Agollit, “Poçari”.
Vajta në Stamboll të bëj pazar,
për kujtim të ble një vazo balte:
– Paqe dhe selam, usta poçar,
Vazon më të mirë po e pate
Paqe dhe selam, usta poçar!
Vazoja nga dora shkau e ra
Dhe m’u bë njëzet e pesë copë,
Më erdhi rrotull deti Marmara
Dhe m’u hap dyqani turk si gropë,
Më erdhi rrotull deti Marmara.
Dhe pas recitimit të kësaj poezie te Maksi Kulla pashë një interpretues të mrekullueshëm vargjesh: teknikaliteti i tij dhe ngjyrat e zërit më lanë të emocionuar. Nuk rri dot asnjë ditë pa lexuar një gjë të bukur dhe pa luajtur diçka në kitarë, më tha Maksi Kulla, kjo edhe për faktin që poezinë e dua shumë.Për mua mbetet e veçantë edhe poezia e poetit tonë Skënder Rusi.
Kitara e ëndërruar
Së fundi, kur edhe njerëzit e familjes besuan të aftësitë e mia si muzikant, babai Bedriu (oficer), bashkë me vëllanë Çimin, (kuzhinier në minierën e Drenovës) e më pas shofer saurele, më blenë një kitarë të re. Atë ditë edhe nënën time, Myneverin, e pashë mëse të lumtur. “Ta gëzosh kitarën bir”, – më tha ajo. Nëna gjithë jetën punoi si leshpunuese. Po kaq të lumtura ishin edhe motrat, tashmë ato janë në Amerikë: Efi, motra e vogël në Florida, kurse Adriana, motra e madhe, në Boston. Në shtëpinë tonë serenata këndohet bukur, me tri zëra; këtë gjë e kishim mësuar nga babai dhe Mihallaq Qeleshi, ish-pronari i Birra Korçës. Dita e blerjes së kitarës kaloi mes këngëve dhe gëzimit tonë. Serenatën e këndova edhe kur shkova ushtar në Drenovë. Më pas më dërguan te Posta e Gurit në Kapshticë, atje qendrova gati një vit me komandant Xhelal Laze, pastaj më kthyen përsëri atje ku isha. Ushtrinë e kryeva gjatë viteve 1979-81.
Tashmë kisha një emër
Tashmë kisha bërë emër, kjo ishte dhe arsyeja që më aktivizuan në Ansamblin e Ushtrisë në Korçë. U përzgjedha nga dirigjenti Ramadan Xheli. Tashmë isha dikushi, më morën në Divizion, ku më zgjodhën edhe sekretar rinie, atje bëra të gjitha llojet e punëve, po kënga mbeti puna ime më e mirë. Megjithatë, tashmë kishte mbërritur kohë të krijoja familje, për mua vajza më e adhuruar ishte Zhuli. Vendosa të punoja me vinç për ndërtimin e pallatëve për oficerët. Edhe mua më dhanë një dhomë dhe kuzhinë tek “1 maji” në kat të katërt. Pas kësaj u martova, kam një vajzë të merkullueshme, Rigertën, dhe një djalë Elvisin, punon në Radiotelevizionin e Korçes. Marrjen e banesës ia di për nder komandantit të divizionit Gaqo Joro, por edhe Tosun Sulejmanit, Vasl Klogjerit, Hekuran Kosovës, Piro Litit, Pirro Babliku, Zhani Sinës, Vaskë Gaqit dhe Pirri Velkos, të gjithë oficera që thanë fjalën e mire për mua. Kurse Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Korçës më pranoi si kantautor dhe kompozitor i të gjitha këngëve të poetëve, tashmë kam gjithsej 304 këngë me frymë poetike pa lëvizur nga struktura e poezisë asnjë fjalë. Gjatë gjithë karrierës time si muzikant dhe këngëtar kam 35 çmime dhe 5 kupa; jam promovuar në të gjitha televizionet shqiptare ku në të gjitha rastet jam ndjerë i respektuar
Falenderoj miqtë e mi
Një ndihmesë të madhe për të arritur në këtë pozicion më kanë dhënë miqt e mi të nderuar: Gimi i Veles, Genci i Bidos, Agroni, Rizai, Tomor Selimi, të cilët vlerësuan punën time dhe u bëmë bashkë për të punuar në qytetin e serenatave. Vitet kalonin dhe grupe të reja krijoheshin. Edhe unë formova një grup shumë të kulturuar për qytetin e serenatave me të madhin Fredi Kola, organist. Po kështu edhe me dirigjentin Adrian Jorgji ngritëm një grup i cili vijoi për shumë vite, ndërkohë, për 6 vjet, isha edhe pjesë e Estradës së qytetit të Korçës. Sukses pata edhe me grupin e Serenatave sepse Korça kishte nevojë për të gjitha llojet muzikave të trevave të Ballkanit për të përmbushur kërkesat e turistëve që vinin nga këto vende. Përzgjedhja e muzikantëve ishte e dukshme: Vaso Lemo, Tomor Selimi, Adriano Sheremeni dhe Besart Maliqi, Organist. Në ditët më të bukura të verës kemi patur edhe këngëtarë nga jugu si Ylli Baka, Maja etj të cilët perfomuan në mënyrën më të mirë. Ndaj së fundi dua të falenderoj të gjithë muzikantët që kanë ndihmuar ecurinë e vendlindjes së tyre të qytetit të Serenatave. Shpesh na ndodh të bisedojme si bashkëshortë për jetën që kemi kalua rbashkë dhe Zhuli gjithënjë më thotë: Sakrifikuam si gjithë prindërit dhe tashmë kemi një familje të lumtur, – këtu e mbylli rrëfimin e tij, Maksi Kulla kantautori i mirënjohur i Korçës.