Ndoc K. Mirakaj (1919 – 1949)
Nga Zoti u vndue mbi rrmore t’ashpra fisi,
paranoj e Prendimit,
dhe rriba e asnji thellimit
rrokull motive s’mujti t’a trondisi.
Vetuen ktu pari e u shemen
t’madhnueshëm Perandorë e t’rrebt Sulltana,
q’ai njofti sa për emën,
mbret tu’ e ndi veten mbi shkambij vigana.
Struk’ n’kulla vetmitare përmbi maje,
buz’ votre shpesh lodhë unit,
ky n’besë i ndei Kanunit
t’stërgjyshave bujarë e s’u ba raje.
Dhe n’shtrëngesa vobsije,
nonse vesh’ n’zhele e mbath’ me t’grisme opanga,
bukën e that me shije
ngrante e i lulzonte n’gojë e gzueshme kanga.
Bylmet prej Perendis, lirija rrnesën
i a melmente edhe gjellën:
breznit n’kët shije u kndellen,
shqip Zotit tue i a sjell’ lutën e shpresën.
Bylmet të pamazitun,
Ate të dhënvet, n’skuta t’çarranikut
e mshefte m’i a gatitun
sofren zotnisht, kur n’der’ trokitte, mikut.
Gjallesën e pa vesk n’kto karpa t’shkreta
kush m’i a lakmue pat mujtun?
Kujt i shkoi n’mend me shujtun
nji fis t’harruem ngujue n’gojdhana t’veta?
E t’patënzonvet frota
qi këlthet: – Epu tmira e kam skamnorit!
ma t’vobtit fis qi bota
njef, der bylmetin ruejt’ për miq i a mori.
Frota e furishme qi frymzon Moskovi
deshti me zhbi n’kto rrmore
doke kanu therore
mbru n’magje qytetnije qi përftovi
Prendimi, se t’pashueshme
hetonte nën vobsi lidhnit jetike
brez n’brez të trashigueshme
Q’e ban’ Shqipnin Europ’s me i ndejt besnike.
Terbue për ploje elternat vu nën themra,
me gjak shou n’votra zjarmin,
tu’ u rrek’ me lnduemun tharmin
e qytetnis s’Prendimit, thadrue n’zemra.
E fisi u mek. N’malsinat
tuj u fikë e qindresës vinte flaka;
kur shungulluen heshtinat
n’nji kushtrim lartushtues. Ish Ndoc Miraka.
Kreshnik i ri, Ti u shfaqe n’megje t’vjetër,
Flakrove ndër sulmine
E doke e trashigime
N’gjak shugurove e u dhae nji shndritje tjetër.
Mbi t’përgjakunat troje
kundra të trentvet dejun n’jerme t’hueja
dole i Shqipnis muroje,
tue çuditun dh’anmiqt me vepra t’hueja.
E vrik rrodhen curril me t’reja hove
t’vleres së moçme gurrat:
për pris Ty t’zgjodhne burrat
dh’epopen e Gjomarkajvet vazhdove.
N’cep të lavdis u ngjite;
jo veç dishmove se je rod’ drangonit
por’ dhe sa rreze drite
lshon nji pinjuell qi rritet n’frym’ t’zakonit.
Egersin gjakatare e t’mnis tërbimin
vlagu i yt i përballi
me at vërtyt n’shpirt qi t’kalli
prindi tue t’msuem urtin e vetmohimin.
As t’i sodumi shkolla,
ato n’qum’sht t’nanës thith’ shkase bujare,
me shllimet e stërholla
Qi nxisin me përbuz’ vetit shqiptare.
E rae deshmuer për komb: veç prap mbi shpate
trimnija e jote e madhe
vezullon ndër aradhe
t’djelmvet qi rrane n’luft mbas thirrjes s’ate;
njashtu, Ndoc, si mbas majesh
n’farfuri t’vet prendon prej mbramjet dielli
arin mbi gjeth lisnajesh
tu’ e resh’ der’ von’ të pavenitun n’qielli.
O Flije e bardhë, amshue ndër kang’ lahute,
zbutim nga Zoti i Epër
n’kob qi na lodhi tepër
lyp se ç’mos kush ndëgjohesh n’ahte lute,
msa t’fisit motra e nana,
o i votrave dalzot’s nder gulma t’tmerit,
derdhin lot ke murana
qi t’mblon, tue sjellun m’nji dafina nderit.
vetëm Arbnor’t per Ty mos t’qajnë e Arbnoret:
t’vajtoj me lot për faqe,
dh’Europa, zoj’ harraqe,
qi s’din sa t’forta i ka n’Shqipni llogoret:
pse, Ndoc, kjo flija e jote
desht, me gojdhana t’ona, t’ruej dh’at keze
qytenije hirplote
q’i xhixhllon n’ball Europ’s plot dritë e rreze.
Bibjan Mirakaj
Falenderoj VOAL-Voice of Albanian per botimin e poemes se Prof. Ernest Koliqi, kushtuar atit tim te ndjere Ndoc Kol Mirakaj. Ne respekt te lexuesve te sotem , ne vijim po e sjell kete poeme te transkiptuar ne shqipen aktuale nga mikja jone, Doktoresha e Shkencave Albanologjike, Merita Sauku Bruci
Kënga e NDOC KOLE MIRAKAJ
nga Prof. Ernest Koliqi
Nga Zoti u vendos mbi shpate të ashpra fisi
pararojë e Perëndimit
dhe turri i asnjë thëllimi
në rrjedhë të moteve nuk mundi ta trondisë
shkëlqyen këtu pari e u shembën
Perandorë madhështorë e Sulltanë të rreptë
që ai veç emrin ia mësoi
se e ndjente veten mbret mbi shkëmbinj viganë
I strukur në kulla vetmitare përmbi maja
buzë votrës shpesh i lodhur nga urija
ky besnik i ndejti kanunit
Të stërgjyshave fisnikë e s’u bë vasal
Dhe kur urija shtrëngonte
ndonëse të veshur me zhele e mbathur opinga të grisura
bukën e thatë me shije hante e i lulëzonte në gojë e gëzueshme kënga
Bylmet prej Perëndie, lirija rrojtjes
dhe gjellës i jepte shije
brezat me këtë shije u përtërinë
shqip Zotit duke ia drejtu lutjen e shpresën
Bylmetin plot ajkë atë të dhenvet, të ruajtun në skuta
e fshehte në dollap, me ia përgatit
mikut sofrën bujarisht, kur në derë trokiste
Këtë rrojtje të thjeshtë në këto shkrepa të shkreta
Kush mundi t’ia lakmojë
kujt i shkoi mendja të shuajë
një fis të harruar, ngujuar në gojëdhanat e veta
Stuhia e të pafeve
që bërtet “jepi të mira e gja skamnorit (i varfër)”
më të varfërit fis që bota
Njeh, deri bulmetin e ruajtur për miqt ia mori.
Stuhia e furishme që merr frymëzim nga Moska
deshi të shkulë nga rrënjët në këto shpate
doke e zakone, altarë
të mbruajtura në magjen e qytetërimit që njohu
Perëndimi, se të pashuajturai mbante edhe në varfëri lidhjet jetike
brez pas brezi të trashiguara që e bënë Shqipërinë Europës me i ndejt besnike.
Të tërbuar për gjak, altarët i shkelën me këmbë
me gjak shuan në vatra zjarrin
duke u rrekur me lëndu (prish) tharmin
e qytetërimit perëndimor të skalitur në zemra.
E fisi u mek. Në Malsi flaka e qëndresës sa vinte e shuhej
kur heshtja u trondit nga një kushtrim që ushtonte lart. Ish Ndoc Miraka
Kreshnik i ri, ti u shfaqe në kufijtë e vjetër
Flakrove në sulmim e doke e trashëgime
në gjak i shugurove dhe u dhe një tjetër shndritje mbi trojet e përgjakura
kundra të çoroditurve të dehur në ethe t’huaja i dole mburojë Shqipërisë
Duke çuditur dhe armiqtë me vepra t’huaja e shpejt rrodhën curril me hove të reja
gurrat e vlerave të moçme për prijës ty të zgjodhën burrat
Dhe epopenë e Gjonmarkajve vazhdove.
Në majë të lavdisë u ngjitejo vetëm dëshmove se je fis dragonjsh
por edhe se sa rreze drite
Lëshon një pinjoll që rritet me frymën e zakonit
egërsinë gjakatare dhe mërinë e tërbimit
vala jote përballi me atë virtut që në shpirt të ndezi
Prindi, duke të mësuar urtërinë e vetmohimin
as t’i shkuli shkolla
ato me qumshtin e nanës i thithe, shtysa fisnike,
me idetë e stërholla
që nxisin me përbuz vetitë shqiptare
e ra dëshmor për kombin e vet: veç prap mbi shpatë
trimërija jote e madhe vezullon ndë rradhët e djemve që ranë në luftë me thirrjen tënde
Ashtu, Ndoc, si mbas majave,
në shkëlqimin e vet perëndon buzë mbrëmjes dielli me ar mbi gjethe lisash
duke e mbushur deri vonë të pavenitur qiellin
O flijim i bardhë, përjetësuar në këngë lahute ngushëllim, nga Zoti i Madh
për kobin që na lodhi tepër
kërkoj, të dëgjohesh në psherëtima lutjeje
ndërsa fisi, motra e nana
o dalëzot i vatrave ndër zhurma të tmerrit derdhin lot tek murrana (guri i varrit)
që të mbulon, tue sjellun mbi të dafina nderi.
le të mos qajnë per ty vetëm arbnorët e arbnoret
të vajtojë me lot në faqe
edhe Europa , zonjë harraqe
që s’e di sa të forta i ka në Shqipëri llogoret
se, Ndoc, ky flijimi yt
deshi, me gojdhanat tona të ruajë edhe atë kezë
qytetërimi hirëplotë që i farfurin në ballë Europës plot dritë