Politikani opozitar rus, Boris Nadezhdin, i cili haptazi ka bërë thirrje për ndaljen e pushtimit të Ukrainës nga Moska, ka thënë të enjten se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Rusisë nuk ka pranuar ta regjistrojë atë si kandidat për zgjedhjet presidenciale të 15 marsit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha më herët se kishte gjetur “mangësi” në më shumë se 15 për qind të nënshkrimeve mbështetëse për kandidaturën e Nadezhdinit.
Nadezhdin shkroi në Telegram se do të ankohet ndaj vendimi të komisionit në Gjykatën Supreme të Rusisë, duke ngulur këmbë se të gjitha 200.000 nënshkrimet e mbështetësve të tij ishin mbledhur në mënyrë “të hapur dhe të drejtë”.
“Vendimi për të garuar për president më 2024 ishte vendimi më i rëndësishëm politik në jetën time. Unë nuk do të heq dorë nga qëllimet e mia. Do të ankohem ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, tha Nadezhdin të enjten.
Nadezhdin, një 60-vjeçar i lindur në Uzbekistan, po përkrahet nga shoqatat e politikanit të burgosur opozitar, Aleksei Navalny dhe figurat opozitare në mërgim, Maksim Kats dhe Mihail Khodorkovsky, megjithëse pritjet janë që zgjedhjet do të fitohen me lehtësi nga presidenti Vladimir Putin, i cili e ka udhëhequr Rusinë si president apo kryeministër prej vitit 1999.
Putini u regjistrua zyrtarisht si kandidat për president në fund të janarit për zgjedhjet që pritet t’i fitojë pa ndonjë telash, sepse kundërshtarët e tij kryesorë ndodhen ose në burg ose në mërgim, pasi kanë ikur për arsye sigurie.
Zgjedhjet në Rusi kontrollohen fuqishëm nga Kremlini dhe nuk janë as të lira e as të drejta.
Kush është Boris Nadezhdin?
Boris Nadezhdin, 60 vjeç, angazhohet për fundin e luftës në Ukrainë dhe fundin e mobilizimit ushtarak, si dhe për dialog me Perëndimin.
“Njerëzit nënshkruajnë për mua, jo sepse u pëlqej në mënyrë të veçantë, por sepse është një shans për të bërë diçka për paqen, për t’i dhënë fund gjithë kësaj historie dhe për t’i ndalur vrasjet e njerëzve”, tha Nadezhdin për agjencinë e lajmeve Reuters, më 24 janar.
Së fundmi, aktivistë rusë në Mal të Zi mblodhën nënshkrime për Nadezhdin.
Sipas tyre, ai është i vetmi kandidat që e kundërshton luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Kjo është një mënyrë për të treguar qëndrimin tonë kundër luftës, duke e mbështetur atë”, tha për Radion Evropa e Lirë Olga Stepanova të martën, e cila u zhvendos në Budvë të Malit të Zi pas fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës, gati dy vjet më parë.
Deri më tani, për Nadezhdinin janë mbledhur rreth 1.700 nënshkrime në Mal të Zi.
Njëri prej organizatorëve, Illija Gureviç, beson se mesazhi që dërgohet, është më i rëndësishëm se numri.
“Të gjithë këta njerëz i kanë lënë shtëpitë e tyre dhe kanë ardhur në Mal të Zi, për shkak të regjimit rus dhe luftës. Mesazhi i tyre është se ata duan ndryshime”, tha Gureviç për Radion Evropa e Lirë dhe shtoi se rusët po mblidhnin mbështetje për Nadezhdinin edhe në disa vende të tjera evropiane.