PRISHTINË – Numri më i madh i të dyshuarve për krime lufte në Kosovë, janë gjetur në Serbi, ndërsa mungesa e bashkëpunimit institucional pamundëson madje edhe ngritjen e akuzave kundër tyre, u tha sot në Prishtinë në konferencën “Ndjekja penale e krimeve të luftës: Bashkëpunimi-përvojat rajonale dhe sfidat”.
Konferenca e sotme u organizua nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë me partnerët “Dokumenta” nga Zagrebi dhe Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd.
Natasha Kandiç, themeluese e të Drejtës Humanitare dhe koordinatore për KOMRA ka thënë se në saje të Tribunalit të Hagës sot ne e dimë identitetin e rreth 20.000 viktimave të krimeve të luftës si dhe rrethanat në të cilat ata kanë humbur jetën apo janë zhdukur.
Kandiç ka shtuar se për të përcaktuar rrethanat e vdekjes së viktimave, duke iu referuar gjenezës së krimit dhe të autorëve të drejtpërdrejt dhe atyre që janë përgjegjës për nga përgjegjësia komanduese. Ajo gjithashtu tha se Gjykata e Hagës dënoi 161 persona, që nuk është e mjaftueshme, por është një kontribut i madh për të siguruar të dhëna dhe fakte në lidhje me ngjarjet e janarit të vitit 1991 deri në fund të vitit 2001.
“Tribunali i Hagës përfundoi mandatin e vet. Disa shtete janë të kënaqura me disa vendime, për disa vendime nuk janë, por nuk ka asnjë shtet në territorin e ish-Jugosllavisë i cili ka vërejtje në gjetjet e fakteve në lidhje me viktimat e krimeve të luftës. Nuk ka pasur gabime nga Tribunali i Hagës, as nga Prokuroria për provat, as gjyqtarëve në vlerësime, kur është fjala për viktimat e krimeve të luftës”, tha Kandiç.
Natasha Kandiç theksoi se pajtimi kërkon bashkëpunim rajonal, por situata është e tillë që bashkëpunimi mes institucioneve të Kosovës dhe Serbisë nuk ekziston.
“Ende nuk është gjetur një hapësirë e duhur në kuadër të Traktatit të Brukselit për të lejuar bashkëpunimin e institucioneve në mënyrë profesionale dhe juridike me qëllim të kushteve themelore për bashkimin me komunitetin evropian dhe ky është bashkëpunimi rajonal, i cili më pas ndikon në vendosjen e marrëdhënieve të mira fqinjësore”, tha ajo, duke shtuar se nga pikëpamja e shoqërisë civile është shumë e rëndësishme të krijohet një mekanizëm, veçanërisht një komision ndërshtetëror rajonal që do të përqendrohet në viktimat.
Drita Hajdari, prokurore e Departamentit për Krime Lufte në Prokurorinë Speciale të Kosovës theksoi se EULEX-i ka marrë 840 raste të krimeve të luftës, në kuadër të së cilës ka identifikuar 1,018 njerëz si autorë të mundshëm të krimeve të luftës. Hajdari vuri në dukje se problemi është se si të arrijnë tek këta njerëz, sepse shumica e tyre janë në Serbi.
“Prokuroria nuk mund të ngrejë aktakuzë në mungesë të të pandehurit, së pari duhet të marrë në pyetje dhe të ngrihet aktakuzë. Pra, nuk kemi mundësi as të ngremë padi, e lëre më paraqitjen e tyre para gjykatës. Siç është e njohur në Kosovë nuk mund të gjykohet në mungesë, që do të thotë se opsioni i vetëm që ka prokuroria është të kryejë hetime, të mbledh prova aq sa mund dhe të presin”, tha Hajdari.
Ajo tha se problemi qëndron në mungesën e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Serbisë dhe se përkundër përpjekjeve të saj personale, ajo nuk arriti të krijojë bashkëpunim me institucionet serbe.
Paul Flynn, menaxher në Prokurorinë e EULEX-it, tha se problemi i të dyshuarve ekzistonte gjatë UNMIK-ut, edhe pse në atë kohë kishte të paktën një bashkëpunim me Beogradin. Flynn tha se Kosova është i vetmi vend në rajon pa një strategji për krimet e luftës, gjë që paraqet rrethana rënduese për të arritur përparim në lëndët e krimeve të luftës. Sipas tij, politikanët duhet t’i shtyjnë gjërat dhe të angazhohen për zgjidhjen e krimeve të luftës nëpërmjet mekanizmave rajonalë të bashkëpunimit me institucionet e zbatimit të ligjit. aa
Komentet