Arlinda Gjypi
Kanceri i qafës së mitrës është një nga sëmundjet më vdekjeprurëse për femrat. Vlerësimi i GLOBOCAN është për rreth 120 raste të reja çdo vit dhe rreth 50 vdekje. Specialisti i ISHP-së, Alban Ylli, për gazetën “Shëndet+” ngre problematikat në vend lidhur me këtë sëmundje.
“Shifrat janë shumë më të vogla sesa ato të kancerit të gjirit, – thotë Ylli, ndërsa vijon, – por ka dy elemente që e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një prioritet:
1. Mosha e re e shfaqjes së sëmundjes krahasuar me kanceret e tjera dhe humbjet shumë të mëdha në terma të viteve të jetës së humbur.
2. Kosto efektiviteti i kapjes së hershme apo depistimit është shumë i favorshëm – më i favorshmi mes gjithë kancereve. Kështu me depistimin për kancer të qafës së mitrës mund të parandalojmë mbi 75% të vdekjeve (95% nëse sigurojmë një mbulesë 80% me depistim) ndërkohë që në rastin e kancerit të gjirit kjo shifër është vetëm 25%.
Më shumë se gjysma e rasteve diagnostikohen në stade FIGO III dhe IV, kur trajtimi është shumë i shtrenjtë dhe shumë më pak efektiv.
Konteksti i politikave shëndetësore
Depistimi për kancerin e qafës së mitrës nënvizohet si në strategjinë e kancerit, ashtu edhe në strategjinë e shëndetit riprodhues. Ky depistim është gjithashtu i kërkuar dhe progresi monitorohet sistematikisht në procesin e aplikimit për në BE. Depistimi është përparësi e qeverisë dhe i Ministrisë së Shëndetësisë.
Analiza e shërbimeve dhe kapaciteteve
Në Shqipëri nuk ka ende një program depistimi sistematik për kancerin e qafës së mitrës; gratë nuk ftohen në mënyrë sistematike për të kryer testin. Ekziston vetëm depistim oportunist , bazuar në fushata afatshkurtra dhe në interesin sporadik të individëve. Nuk ka sisteme informacioni, monitorimi, mbikëqyrje apo të sigurimit të cilësisë në këtë fushë.
Çdo vit kryhen më pak se 5000 pap-teste (pa kontroll cilësie), ndërkohë që nevojat janë për 10 apo 20-fishin. Leximi i pap-testeve kryhet vetëm në Tiranë, ndërkohë që lamat e ngjyrosura dërgohen përgjithësisht privatisht nga disa rrethe. Megjithëse leximi është i centralizuar, sërish numri i pap-testeve është i ulët për të siguruar një nivel të pranueshëm të cilësisë profesionale
Kolposkopia (një ekzaminim relativisht i thjeshtë dhe i nevojshëm për diagnozën pas një pap-testi primar pozitiv) kryhet pothuajse vetëm në Tiranë. Gjithashtu, edhe trajtimi i lezioneve cervikale prekanceroze (me LEEP – një procedurë e thjeshtë, e lirë dhe që mund të kryhet në kushte ambulatore) kryhet vetëm në Tiranë.
Njohuritë në popullatën e grave në moshë riprodhuese mbi paptestin në 2009-n ishin rreth 50%. Në shërbimet e kujdesit parësor bëhet pak ose aspak lidhur me depistimin e kancerit të qafës së mitrës. Personeli që punon në këto shërbime nuk është i trajnuar në këtë fushë.
Në dhjetor 2012 u krye një analizë e situatës, nevojave dhe prioriteteve për të ardhmen e afërt me ndihmën e UNFPA-së dhe ekspertizë ndërkombëtare.
Sapo ka përfundur një vlerësim i kapaciteve njerëzore dhe infrastrukturore në të 12 qarqet e vendit nga ana e specialistëve citologë dhe gjinekologë të spitalit “Mbreterësha Geraldinë” në bashkëpunim me ISHP-në dhe MSH-në.
Identifikimi i rajoneve jashtë Tiranës me potencialin e nevojshëm për ngritjen e qendrave të citologjisë dhe kolposkopisë: Përgjithësisht është pranuar në takimet e ekspertëve në rajonet me kapacitetet më të përshtatshme për momentin janë: Fieri, Shkodra, Durrësi (nga pikëpamja e infrastrukturës) e deri diku Lezha e Korça.
Është pranuar përgjithësisht në takimet e specialistëve, se nga njëra anë duhen centralizuar në Tiranë shërbimet e diagnozës përfundimtare dhe të trajtimit përfundimtar të kancerit (me qëllim rritjen e standardeve të cilësisë), dhe nga ana tjetër duhen bërë përpjekje për të shpërndarë gjeografikisht shërbimet e marrjes së mostrave laboratorike, pranë qendrave të gruas apo në qendrat shëndetësore, si dhe të kolposkopisë dhe LEEP në nivel spitali rajonal, me qëllim aksesin e lehtë nga ana e grave.
Komentet