Po, Kanadaja është vend i lirë, madje parajsa e lirisë. Ja t’ia nisim nga gjinia dhe identiteti.
Këtu je i lirë të ndërrosh gjini sa herë të duash, sepse gjinia qenka fluide.
Këtu je i lirë t’ia ndryshosh fëmijës të dhënën gjinore në çertifikatë, madje që në embrión.
Këtu adoleshentët që nuk ndihen rehat me gjininë e tyre, kanë të drejtën të vendosin të marrin mjekim hormonal për stopimin e zhvillimit, nuk nevojitet konsenti i prindit.
Këtu je i lirë të vishesh si të duash e madje edhe të zhvishesh në mes të qytetit dhe policía të të ruajë se mos ftohesh.
Këtu je i lirë të shpohesh me shiringë në sy të njerëzve e madje të të sjellin takëmet e bërjes së drogës të pastra e të reja, mjafton që të hapësh gojën.
Këtu pedofilët (unë nuk po përdor termin e korrektë politikisht) duhet të trajtohen me empati, se nuk është faji i tyre që objekt dëshire kanë fëmijët. Ata janë të lirë të dëshirojnë.
Këtu ka liri besimi, respektim kulturash dhe diversiteti. Ka liri proteste me karvan kamionësh dhe pa trazira.
Këtu bëhesh çfarë të duash, mundësirat janë përplot. Por kjo parajsë lirie e ka një bisht pas.
Për shkak të politikave anti-opresive të shpërndara si detyra shtëpie në institucione të ndryshme, shumë profesionistë në Kanada ngurrojnë të pyesin dikë se nga është, pasi do merret për mikroagresion.
Ngurrojnë të stilojnë flokët model xhamajkan se do quhet përvetësim kulture.
Ngurrojnë të mburrin filozofët grekë se do konsiderohen supremacistë të bardhë.
Ngurrojnë të thonë se i duan fëmijët “straight” se do shihen si homofobë.
Ngurrojnë të shprehen se nuk i pëlqen hixhabi, se do emërtohen islamofobë.
Ngurrojnë të bëjnë kryqin para një kishe, se kanë hall se do shihen si dominantë.
Ngurrojnë të thonë se nuk u pëlqen plakja se do denoncohen për moshizëm.
Ngurrojnë të komplimentojnë ose jo një grua se do duken maskilistë.
Ngurrojnë t’i thonë një miku se po ia fut kot se do damkosen si pasivo-agresivë.
Ngurrojnë të punësojnë kandidatë të aftë, pa i filtruar njëherë sipas racave se kanë frikë mos gjykohen si racistë.
Ngurrojnë t’i drejtohen një gruaje me tituj Misis apo Mis pasi kanë frikë se mos ajo identifikohet me gjini tjetër.
Ngurrojnë të ofrojnë ndihmë ndaj një personi në nevojë, se mos padashur shkaktojnë fyerje.
Ngurrojnë të heqin maskën edhe kur janë në kushte largësie, se kanë drojën mos kategorizohen si antivax.
Këto frikëra, të instaluara tashmë në psikologjinë individuale dhe kolektive, shkaktojnë ankth që reflektohet në marrëdhëniet e individit me sistemet që e rrethojnë. Dhe të gjitha këto për të qenë politikisht korrekt.
Dhe më e bukura është se togfjalëshi “politikisht korrekt” e ka prejardhjen nga bolshevikët, që mbulonin krimet e tyre duke thënë se është jokorrekte politikisht të tregosh anën e errët të sistemit.
Gojët e liga thonë se pas viteve ’90-të lëvizjet majtiste nisën me pikatore injektimin në kurrikulat e universiteteve të parimeve të kontrollit “mos flasë gjuha para mendjes”. U erdhën në ndihmë dhe gazetarët e bursave majtiste për këtë punë duke raportuar mbi drejtësinë sociale, barazinë gjinore, orientimet seksuale, gjuhën raciste, etj.
Sot si rezultat, profesorët e universiteteve janë nën tension dhe vetëkontroll të vazhdueshëm se mos i shket goja dhe kthehen në tabelë qitjeje nga flamurtarët e politikave korrekte. Por hajt s’ka gjë, të paktën janë të lirë në shtëpinë e tyre.
Meqënëse jemi ende në atmosferën tragji-komike të Covid, një pjesë e mirë e profesorëve i recitojnë rregullat e Covid më mirë se vetë mjekët. Duan të jenë politikisht korrektë. E pyes një profesorin tim nëse do të vaksinoheshin fëmijët e tij. Ai më përgjigjet duke dredhuar sigurisht, se do t’ua lërë atyre në dorë të vendosin.
Ndërkohë, fëmijët që kanë vendosur vetë ose me prindërit të mos vaksinohen, duke ushtruar kështu lirinë e tyre të mendimit dhe veprimit po jetojnë sot pasojat e kësaj zgjedhjeje. E megjithatë, aktivistët socialë nuk e klasifikojnë këtë situatë si opresion të qeverisë ndaj familjeve. Ata thonë se qeveria u garanton fëmijëve ashtu si edhe të rriturve lirinë e mosvaksinimit, njëlloj si liria me kusht e të burgosurve.
Fëmijëve të pavaksinuar po ua shpifin fëmijërinë. Ua kanë ndaluar aksesin në pishinë, restorant, të gjitha aktivitetet argëtuese deri tek supermarketi Costco. Ata detyrohen në mensën e shkollës të ulin e të ngrenë maskën sipas numrit të kafshatave, por nga ana tjetër lejohen të luajnë e të rrinë krah për krah pa maskë me njëri-tjetrin në oborr. Aty nuk ka Covid.
Duke parë lajmet me kamionistët në Ottawa im bir kujtoi se u erdhi fundi kufizimeve dhe më pyeti: “Mami, do hiqen maskat nesër”?
Ja pra, për lirinë e fëmijëve, familjeve dhe gjithë atyre që mendojnë ndryshe nga shumica (nëse ka një të tillë), ai karvani i kamionëve do duhej të marshonte një ditë për Liri.
©JetaDedja
Bravo zonjes Dedja! Me vjen shume mire qe brezi i ri i intelektualeve shqiptare te Kanadase e kupton realitetin pavaresisht nga propaganda e medias. Te uroj suksese e shendet.