Gazetari i njohur sportiv, Besnik Dizdari në shkrimin e radhës në “Panorama”, shkruan për Kampionatin Evropian të vitit 1960, fituar nga Bashkimi Sovjetik dhe Kampionatin Ballkanik po të atij viti ku Greqia nuk pranonte sportistët shqiptarë.
Nuk e di sepse, por në Shkodër radio RAI dëgjohej më mirë se në Tiranë. Unë nuk përtoja të merrja rrugën dhe të shkoja nga Tirana në Shkodër në shtëpinë e djalit të axhës sim, intelektualit të shquar Col Dizdarit të paharrueshëm dhe të dëgjoja drejtpërdrejt Olimpiadën, madje të mbaja dhe shënimet e mia.
Çudia ishte se në mbrëmje dëgjonim deri Radio Vatikanin, e cila për çudi në gegnishten e saj mbresëlënëse bënte një koment për Lojërat Olimpike. Nuk mund të mos kujtoj këtu: duke kuptuar pasionin tim, profesori i paharrueshëm i edukatës fizike, përveç të tjerave njeri i fisit tim, Ibrahim Dizdari – një themelues ndër më të mëdhenjtë e sportit shqiptar – më kishte dhënë për lexim një libër historik për Olimpiadat dhe unë në një fletore të bukur kisha kopjuar të gjithë kampionët olimpikë.
E kam të ruajtur fort atë fletore deri sot, si një “dokument” të një epoke dhe si një kujtim të çmueshëm edhe të një kulture për zotni Brahimin, siç e kanë quajtur të gjithë. Dhe i cili atë vit 1960, kurrë nuk mund të parashikonte se ky djalë, mbas gati nja një gjysmë shekulli, do t’i kushtonte atij librin e tij “Ballkaniada 1946″…
Si shkodranë ne të gjithë ishim me ekipin olimpik të SHBA. Të nesërmen në Kafe të Madhe komentohej jo pak për këtë. Të pafund diskutimet me shokun tim të paharrueshëm të Gjimnazit, Ndok Pistullin, volejbollist, poliglot, pianist, kompozitor – emblemë e rinisë shkodrane, me të cilin diskutonim plot pasion, për ato çka kishim dëgjuar në radio, transmetim që për gazetarinë e folur të Italisë shënonte një përurim historik. Ja si e ka shpjeguar këtë radiokronisti legjendar i Italisë, Sandro Ciotti, në kujtimet e tij:
“…Pavarësisht nga periudhat e mia si futbollist e gazetar sportiv, u bëra radiokronist i futbollit thuajse rastësisht, pikërisht kur isha i sigurt që fusha e specialitetit tim do të mbesnin gjithmonë muzika dhe spektakli. Nuk ishte pra, një zgjedhje me dëshirë; përkundrazi, isha mobilizuar për një detyrë të tillë dhe nuk mund të refuzoja. Rasti do të ishte Olimpiada e 1960-s në Romë.
Lojërat e para Olimpike në Itali do të ishin më tepër se një emergjencë kombëtare, një emergjencë për RAI-n, e cila do të merrte përsipër të transmetonte shumë orë drejtpërsëdrejti, pa pasur në fakt personelin e mjaftueshëm për të nderuar këtë impenjim, aq më tepër që në atë kohë ajo ishte një institucion relativisht i vogël (madje i tillë do të mbeste edhe për disa vjet). Shumë prej nesh që përveç të tjerave, nuk kishin qenë kurrë në jetën e tyre në një stadium, do të detyroheshin kësisoj të improvizoheshin si gazetarë sportivë (Italo Moretti, Lello Bersani, Antonello Marescalchi).
Për sa ka lidhje me mua, ishte Nando Martellini ai i cili do të më ‘spiunonte’ te drejtori i Redaksisë së Radiokronikave, në atë kohë Bonciani, një personazh shumë simpatik, ish-kolonel i parashutistëve, duke i thënë: ‘A e di, Ciotti ka luajtur futboll me Lazio-n e të paktën futbollin duhet ta njohë’. Pikërisht kështu u bëra i dërguar, pa asnjë përgatitje të veçantë, për të komentuar ndeshjen Danimarka – Argjentina; e pikërisht kështu u detyrova të improvizoj një radiokronikë.
Në një kohë që zakonisht unë thuajse nuk dëgjoja radio. Duke qenë se luaja futboll vetë, nuk i dëgjoja fare radiokronikat, sepse isha në fushën e lojës. Dhe mandej nuk kisha pasur kurrë një interes të veçantë në këtë fushë. Por ja që qysh në këtë kohë, edhe pse për gjithë vitet ’60 koha që do t’u kushtoja transmetimeve futbollistike do të ishte vetëm 1\4 e asaj që u kushtoja rubrikave të muzikës dhe kinemasë, radiokronika sportive pra, filloi të zinte gjithnjë e më shumë vend në jetën time”…
PËR LAVDINË E “SPORTISTËVE VËLLEZËR” SOVJETIKË
Dhe mbas përjetimit euforik të titullit sovjetik në Kampionatin Europian të futbollit, Shqipëria zyrtare mbërrin po kështu për tek Olimpiada. Bashkimi Sovjetik kishte triumfuar: 43 medalje ari, 29 argjendi, 31 bronzi përballë 34- 21-16 të “armikut” SHBA. I gjithë kampi socialist kalon në ekstazë.
Shkruante “Sporti popullor” i Tiranës:
“Me gjithë përpjekjet e imperialistëve të tyre për të prishur atmosferën e lojnave dhe idenë olimpike për paqen dhe miqësinë, Lojnat e 17-ta Olimpike të Romës u kurorë- zuan me sukses… Ashtu si edhe në olimpiadat e më- parshme, një kontribut të madh në këtë drejtim dhanë sportistët e vendeve socialiste dhe në radhë të parë sportistët e Bashkimit Sovjetik… Sportistët dhe sportdashësit e vendit tonë e përshëndesin këtë fitore të sportistëve vëllezër të vendit të madh të socializmit si fitoren e tyre dhe u urojnë sportistëve sovjetikë suksese dhe fitore të reja për lavdinë e sportit sovjetik”. Bota nuk kishte njohur kësisoji, një politizim kaq të skajshëm të sportit.
Nuk kalojnë veçse pak ditë dhe qeveria e Greqisë nuk pranon në tokën e saj atletët e Shqipërisë për Kampionatin Ballkanik. Shtypi shqiptar, teksa shpërthen përmes deklaratave zyrtare, titullon: “Qeveria greke i shikon marrëdhëniet sportive midis vendeve ballkanike nga pozitat e ‘Luftës së ftohtë’. Protestë e jehonë gati të pandalshme që mbërrin deri te përcaktimi: ‘Akt i ri armiqësor i qeverisë greke kundër vendit tonë që nuk i shërben paqes dhe mirëkuptimit në Ballkan’”. Ndërkaq, ajo që vazhdonte të lulëzonte ishte miqësia me Bashkimin Sovjetik. Në Tiranë vazhdonin punimet për ndërtimin e Pallatit të Kulturës, “dhuratë e popullit sovjetik”, siç thuhet. Teatri i kukullave në Tiranë shfaq pjesën “Ponço” të autorit sovjetik V.I.Bjellozerov vënë në skenë nga regjisori sovjetik V.N.Korotkov. Nga ana tjetër, “rinia i këndon miqësisë së Leninit” përmes mbrëmjeve tradicionale shqiptaro – sovjetike të shkollave të Tiranës.
Më tej, konferencë akademike me rastin e 90-vjetorit të Leninit. Deri dhe rubrika të tilla si: “Humor sovjetik”! Dhe regjisori sovjetik V.Bortko duke punuar në Teatrin Popullor për të vënë në skenë “Hamletin”. Kur pak më parë prodhim i “shkollës sovjetike” kishte qenë edhe shfaqja në skenë e interpretimit të rolit të Leninit. Titujt e shtypit mbeten kështu gjithnjë “origjinalë”: “Janë ende të freskëta emocionet e para të spektatorëve kur panë Leninin në skenën tonë”. “Metoda sovjetike e rritjes së viçave me lopën dado”. Në Radio Tirana “romanca me autorë sovjetikë” dhe dy herë në ditë “Ju flet Moska”. Ndërkaq “Zëri i Popullit” nuk ndal:
“Të denoncojmë gjer në fund komplotistët revizionistë të Beogradit”, pikërisht tri ditë mbas triumfit të skuadrës sovjetike ndaj Jugosllavisë në finalen e Parisit. Dhe pa vonuar jehonë e deklaratës së Nikita Hrushovit mbas rrëzimit të aeroplanit amerikan, RB-47. Titulli i “Zërit” është natyrisht i pamëshirshëm: “Demaskim i ri i politikës agresive amerikane”. Ky ishte një intensitet i tanë i marrëdhënieve sovjetoshqiptare në gjithë këtë vit 1960. Dhe ajo më e rëndësishmja: brenda një viti, këtij 1960, Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu vizitojnë dy herë Bashkimin Sovjetik. Në shkurt për mbledhjen e Traktatit të Varshavës dhe në nëntor për mbledhjen me rastin e 43-vjetorit të Revolucionit të Tetorit. Buzagaze, përqafime, hare, vasalitet, nënshtrim, pushtim, servilizëm, natyrisht edhe përmes një zhvillimi nën pushtim. Në sport sidomos…
ADMIRALTEJEC DHE “TRAKTATI” I NIKOLAJ LJUKSHINOV-IT
Mû në këtë çast do të mbërrinte pra, edhe çasti i fundit i marrëdhënieve sportive Shqipëri – BRSS. E, ndoshta duhet thënë se gjithçka ishte një fund i lumtur mbas këtij përjetimi euforik të dy sukseseve të mëdha të Bashkimit Sovjetik në Kampionatin Europian dhe në Lojërat Olimpike, për të cilat, si pjesë e kampit socialist, ndihej fitimtare edhe Shqipëria socialiste. Kështu, skuadra e fundit sovjetike që ka ardhur në Shqipëri është Admiraltejec e Leningradit, skuadër e renditur në vendin e 10-të të Kampionatit të Bashkimit Sovjetik, ku merrnin pjesë 22 skuadra.
Për përkim, një Admiraltejec i stërvitur prej trajnerit Nikolaj Ljukshinov, i cili në periudhën 1956-1958 kishte punuar në Shqipëri, me Partizanin dhe Kombëtaren. Hulumtimet e sotme më zbulojnë shumë gjëra të reja në lidhje me këto dy vjet të Ljukshinovit në Shqipëri. Madje, më vënë në dyshim edhe disa fakte apo gjykime të librit tim “Libri i Kombëtares” – ndër më të mundimshmit dhe më të rëndësishmit, sepse ka qenë shkruar mbi një “terra incognita” të plotë mbi të cilën kam punuar.
(Po përfitoj nga rasti këtu, duke i kërkuar të falur gazetës “Panorama” që po shfrytëzoj popullaritetin e saj të madh në Shqipëri, për të vënë në dukje me keqardhje se vazhdon të shfrytëzohet pa u cituar asnjëherë ky libër prej autorëve që njohin veç plagjiatin, teksa pa zotësira iu hapen faqet e gazetave, ndonëse libri ka shënimin ligjor në faqen 4 të tij).
Kështu pra, historia rishkruhet dhe me maturi e në mend në krye, në të ardhmen na duhet të bëjmë ndreqje të rëndësishme, në këtë rast si për Kombëtaren, ashtu dhe për Partizanin. Admiraltejec e Leningradit ka ardhur kështu në Shqipëri pikërisht në këtë vit të “haresë” së madhe sportive: 1960. Luan katër ndeshje me skuadrat shqiptare: më 30 tetor 1960 është Partizani – Admiraltejec 2-2; më 3 nëntor, Skënderbeu – Admiraltejec 0-1; më 7 nëntor, 17 Nëntori – Admiraltejec 1-1 dhe më 11 nëntor, Dinamo – Admiraltejec 1-0. Kam qenë në stadium në tri ndeshjet e Tiranës.
Nuk kishim pa ndonjëherë një skuadër aq të lartë dhe aq të fuqishme fizikisht. Kur u rreshtuan, dukeshin të frikshëm. Dihet ndërkaq, trajneri Ljukshinov mbahet sot e kësaj dite si një ekspert i madh i përgatitjes fizike. Në tri sezone që luajti në Kampionatin Kombëtar të BRSS Admiraltejec, ishte merita e Ljukshinovit për përfaqësimin dinjitoz të formacionit leningradas. Ndërkaq, them se tri ndeshjet e Tiranës janë për t’u studiuar. Kjo sepse të ndesheshe me një klub, i cili ishte në 10 më të mirët e Bashkimit Sovjetik të një kampionati me 22 skuadra, për më tepër i shtetit – Kampion aktual i Europës 1960, ishte shumë për futbollin modest shqiptar.
Ishte një provë fort treguese. Dhe pavarësisht nga rezultatet që, gjithsesi, ishin mjaft të mira, katër skuadrat shqiptare treguan rritjen e futbollit shqiptar. Duhet përmendur mandej se viti 1960 për klubet sovjetike mbetet një nga vitet më të çuditshme për sa u përket ndeshjeve miqësore. Mund të jetë një rast i vetëm për sot e kësaj dite për gjithë historinë e futbollit botëror. Pothuajse të gjitha skuadrat e klubeve sovjetike të kampionatit panbashkimor, siç njihet, do të luanin jashtë në të katër anët e botës. Deri dhe ky Admiraltejec, i cili kishte luajtur deri në Brazil, 1-4 me Gremion e famshëm! Mesatarisht në çdo muaj të këtij viti 1960 mund të gjesh 15 deri 20 ndeshje miqësore të klubeve sovjetike në të katër kontinentet. Ka muaj që kanë pasë deri në 32 ndeshje kësisoji të klubeve sovjetike.
Nuk ka qenë si sot. Ndeshjet miqësore të asokohe kanë pasur një vlerë, reputacion apo rëndësi të patregueshme. Me stadiume të mbushura plot dhe me një publicitet të papamë. Asnjë vend bosh në stadiumet tona për ndeshjet e Admiraltejec-it. Ato do të ishin ndeshjet e fundit të një klubi sovjetik në Shqipëri. Dhe do të ishte një ndërprerje që do të zgjaste 36 vjet. Klubi i parë mbas Admiraltejec-it prej ish-Bashkimit Sovjetik që do të vijë në Shqipëri, do të jetë Bobruisk i Bjellorusisë më 1994-n, për ndeshjen e Kupës së Kupave të Europës me SK Tiranën 1-4 dhe 3-0, një nga përmbysjet më të pabesueshme në historinë e klubeve shqiptare në Kupat e Europës. Ky është rikthimi i futbollit ish-sovjetik në Shqipërinë “kundërrevizioniste”, çka duhej të kishte ndodhur më shpejt nëse më 1979-n dhe 1982-shin Vllaznia dhe SK Tirana do të kishin pranuar të ndesheshin respektivisht me Dinamon e Moskës dhe Dinamon e Kievit për Kupën e Kupave dhe Kupën e Kampioneve.
Viti 1960 do të vazhdonte të mbetej vija e demarkacionit ndarës me Bashkimit Sovjetik për bukur 34 vjet pra. Vonë, tepër vonë, mbas 43 vjetëve, do të mbërrinim te ndeshja mitike e Shkodrës, ajo Shqipëri – Rusi 3-1 e vitit 2003, pikërisht për Kampionatin Europian, “e harruar” tashmâ prej të sotmëve që thonë se “jeta fillon me mua”!…
vijon
Komentet