Numri i refugjatëve në botë gjatë viteve të fundit është gjithnjë e në rritje, ndërsa krahas kësaj problematike, mos pranimi i tyre nga vendet e Bashkimit Evropian dhe problemet në kampet e refugjatëve në disa rajone të tjera të botës, janë shqetësimet më të mëdha sot në botë, raporton Anadolu Agency (AA).
Kampi i refugjatëve në Kenia, Dadaab, i cili njihet si më i madhi në botë, kohët e fundit është në rendin e ditës me diskutimet për tu mbyllur, ndërsa faktori ndërkombëtar ngre shqetësimin edhe për kampe si ai i Libanit ku strehohen palestinezët si dhe për kampet e Bangladeshit ku strehohen muslimanët e Myanmarit.
Ndërkohë në kampet e refugjatëve në Turqi, në të cilat gjenden kryesisht sirianët, punohet për mbështetjen dhe lehtësimin e jetës së tyre.
Kampi më i madh në botë, Dadaab
Dadaab ndodhet në rajonin Garissa të Kenias. Në të gjenden më shumë se 600 mijë refugjatë, të ardhur kryesisht nga Somalia dhe Sudani Jugor, por kohët e fundit kampi është në rendin e ditës për diskutimet për mbylljen e tij.
Organizata terroriste Esh-Shebab ndërmori një sulm të armatosur ndaj një qendre tregtare në Nairobi në vitin 2013, ku humbën jetën 67 persona. Ndërsa në një tjetër sulm terrorist të ndërmarrë në prill 2016 në veri të vendit, humbën jetën 140 nxënës. Qeveria e Kenias pas sulmeve tha se do të mbyllte kampin Dadaab pasi u dyshua se militantë të kësaj organizate strehohen në këtë kamp. Ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut si dhe OKB i kërkuan qeverisë të rishikojë këtë plan.
Qeveria e Kenias në muajin nëntor të vitit të kaluar, vendosi shtyrjen e mbylljes së kampit dhe 6 muaj. Ndërsa edhe pse ka kaluar ky afat, ende nuk ka një veprim në këtë drejtim.
Kampet e dhimbjes së Nakbes
Izraeli shpalli pavarësinë më 15 maj 1948 në tokat palestineze, ndërsa që prej asaj date ai pushtoi rreth 85 për qind të territoreve palestineze. 957 mijë palestinezë, u detyrua të lërë shtëpitë. Palestinezët këtë datë e cila ishte fillimi i vuajtjeve për ta, e quajtën Nakbe (fatkeqësia e madhe).
Një nga vendet ku palestinezët u strehuan ishte Gaza, në të cilën gjenden 8 kampe refugjatësh. Ndërsa në Xhibalija, vend ky që ndodhet nën kontrollin e izraelitëve dhe në veri të Rripit të Gazës, jetojnë 108 mijë palestinezë.
Palestinezët që u detyruan të lënë shtetin e tyre si rrjedhojë e këtyre veprimeve, shkuan drejt vendeve fqinje. Sipas statistikave zyrtare të Libanit, në këtë vend jetojnë 450 mijë palestinezë të regjistruar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB). Kampet e Libanit njihen si vendet ku shkelen më shumë të drejtat e refugjatëve palestinezë, pas Izraelit. Në këtë vend palestinezëve nuk ju lejohet të ushtrojnë më shumë se 20 profesione si, doktor, avokat, farmacist, ndërsa nuk ju lejohet gjithashtu as e drejta e lënies së trashëgimisë.
Palestinezët në këtë vend, jetojnë në 12 kampe, infrastruktura e të cilëve lë për të dëshiruar. Ndërsa pjesa tjetër e refugjatëve jeton përreth kampeve.
Siria
Që prej nisjes së luftës së brendshme në vitin 2011, shumë qytetarë sirianë kanë lënë shtëpitë e tyre për të shkuar në vendet fqinje. Sipas statistikave të OKB-së, në muajin janar, në Turqi gjenden 2.97 milionë sirianë, ndërsa në Egjipt, Irak, Jordani dhe Liban 2 milionë të tjerë.
Në një deklaratë për AA në vitin 2016, ndërkohë që ishte ndihmës kryetar, Kryetari i Gjysmë Hënës së Kuqe të Turqisë, Kerem Kınık, thotë se në Turqi gjenden 22 kampe refugjatësh. “Në këto kampe jetojnë 250 mijë sirianë. Ata të cilët jetojnë në këto kampe disponojnë kartën e Gjysmë Hënës së Kuqe. Përmes kësaj karte ne iu kemi dhënë atyre një ndihmë ekonomike prej 310 milionë lira turke. Krahas tyre ndihma jonë vazhdon edhe për ata që ndodhen jashtë kampeve. Përmes qendrave sociale që kemi hapur së fundmi synojmë që vëllezërit tanë refugjatë të mos kenë probleme.”
Në Jordani, vend ky që ka një vijë kufitare rreth 375 kilometra me Sirinë, gjenden 618 mijë refugjatë të regjistruar nga OKB dhe 1.3 milionë refugjatë gjithsej. Rreth 88 për qind e qytetit të Mafrak-ut në këtë vend përbëhet nga refugjatët sirianë.
Në Jordani gjenden 5 kampe refugjatësh sirianë të cilët janë, Zateri, Ezrak, BAE, Bahçe dhe Cyber City. AA vizitoi kampin më të madh të sirianëve në këtë vend, atë të Zateri-t në vitin 2014. Kampi me shtimin e numrit të refugjatëve, rritet çdo ditë e më shumë. Gazetari i AA-së theksoi se ky kamp është kthyer në një qytet të Jordanisë ku jetojnë sirianët.
Rreth gjysma e refugjatëve në kamp janë fëmijë, ndërsa për shkak të sëmundjeve të shumta në vend janë ngritur spitale të shumta në formë kontenierësh.
Nga ana tjetër Rrjeti i të Drejtave të Njeriut për Evropën dhe Mesdheun (EMHRN), tha se vitin e kaluar rreth 60 mijë fëmijë ishin në rrezik si pasojë e përleshjeve të armatosura. Përmes një raporti thuhet se në kampin Zateri 24 për qind e fëmijëve që punojnë, nuk arrijnë të marrin pagesat, ndërsa 15 për qind të tjerë ndodhen përballë dhunës në punë.
Ndërkohë në kampin Rekban, që ndodhet në kufirin me Sirinë, ende ka 85 mijë refugjatë sirianë të cilët presin të kalojnë në kampet e tjera në Jordani.
Jetesa e tyre në vend dhe vendet fqinje, e vështirë
Muslimanët e Arakanit të cilët humbën shtetësinë përmes një ligji të miratuar në vitin 1982, njihen si popull pa shtet. Muslimanët e Arakanit të cilët cilësohen nga OKB si “pakicë e shtypur”, ndodhen si përballë padrejtësive ekonomike ashtu edhe atyre shoqërore.
Drejtori i Zyrës së Çështjeve Humanitare të OKB-së, John Ging, në mars të vitit 2016 deklaroi se muslimanët e Arakanit jetojnë në kampe me kushte shumë të vështira dhe ftoi qeverinë e Mianmarit dhe faktorin ndërkombëtar që të vënë dorë mbi këtë situatë.
Në dy kampet e OKB-së në Cox’s Bazar, vend ky që ndodhet në kufirin Bangladesh-Mianmar, që prej vitit 1982 jetojnë 32 mijë muslimanë të Arakanit të regjistruar. Numri i refugjatëve të paregjistruar kap shifrat e 200 deri 400 mijë. Shumica e tyre jetojnë në vend strehime të improvizuara dhe me kushte shumë të këqija.
Qeveria e Bangladeshit deklaroi në shkurt se do të rivendosë refugjatët e ardhur nga Mianmari në ishullin Thengar Char, në gjirin Bengal, vend ky që mund të shkohet vetëm me varka.
Rivendosja e tyre erdhi në rendin e ditës në vitin 2015, ndërsa u anulua për shkak të kritikave të faktorit ndërkombëtar.
Në vitin 2015 u gjetën 32 trupa të pajetë të cilët iu përkisnin muslimanëve të Arakanit, trupa këto të gjetur në kampet e ngritura në mënyrë të fshehtë nga organizatorët e klandestinëve. Ngjarja solli reagime të ashpra, ndërsa më pas u nxor në pah se organizatorë të shumtë të klandestinëve hedhin në det muslimanë të shumtë të Arakanit të cilët mundohen të ikin nga padrejtësitë.
OKB njeh muslimanët e Arakanit si grupi shoqëror që iu bëhet më shumë padrejtësi në botë. aa
Komentet